Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Ditët e fundvitit në qytezën tonë

| E diele, 30.12.2012, 07:03 PM |


Ditët e fundvitit në qytezën tonë?

Nga Blerim Rrecaj

Hap një fletë word-i . Dhe rri e shoh bardhësinë e saj. Ta nxi a mos ta nxi. Ta (bardh)zez-oj a mos ta(bardh)zez-oj. Te shkret-oaz-oj a mos te shkret-oaz-oj. Të hedh o mos të hedh mbi të fjalët e mia dhe të të tjerëve. E edhe diç nga vëzhgimet e përjetimet, kujtimet. Të shpraz, të shkarkoj diç nga ajo që gjendet në rradaken, në zemrën, në qenien time. Tashmë kur edhe njëherë gjendemi në prag të një viti me numër tjetër, të ri. Dhe i cili po vije si një ditë e re duke lënë pas ditën tjetër,paraardhësen e saj,të djeshmen. Dhe duke thënë shumë ose pak fjalë për (pa)sukseset në këte e atë lëmi. Dhe duke uruar për më shumë,( pse jo për shumë më shumë)  mbarësi në vitin që po hyjmë.Siç e thanë e thonë: Ditë e re, shpresë e re. Vit i ri  me sa më pak mbrapshti. Edhe pse më së miri do të ishte sikur mos të presim edhe aq shumë, e të ecim përtokë. Dhe t’i shtrijmë këmbët aq sa të na mbërrij jorgani. Duke u kujtuar fjalurimet e dikurshme me hahaha e hihihi…me një mace e me një mi, ose me një cjap e me një dhi dhe kujtesa na e shfaq pamjen e ndonjë kartoline të dikurshme  të pranuar nga larg a afër të dërguar. Dhe derisa vitet ikin tutje një e nga një. Pyesim si zakonisht , cili ishte viti që shkoi, që po shkon më saktësisht? Po për të flasim edhe poezitë e Xhevahir Spahiut: “Takim me 31 dhjetor”, “Urim për vitin X”. “Nata e vitit të ri” dhe ndonjë gjë tjetër e tij dhe e tjetërkujt. Nikollë Nikprelaj këngon me atë grup fëmijësh: “Viti i ri do të na gjej me këngë e me valle”. Disa shkrime për këtë temë për karakterin pagan dhe sidomos komercial të festave të fundvitit ka shkruar dhe teologu Mexhid Yvejsi si ato me titull: “Prejardhja e babadimrit”, “Prejardhja e vitit të ri”, “Prejardhja e festave”…Derisa sytë i hedhim te këndi i dhomës ku qëndron  bredhi plastik 1 metër e 20 centimetra me ca dekorime që mban mbi supe mendja më shkon te një bredh origjinal  përafërsisht me madhësi të njejtë të cilin e patëm hequr me rrënjë në mal, atëbotë te dajtë e mi dhe të cilin e patëm sjellë në njërën nga dhomat e shtëpisë… Po bredh ca edhe nëpër ca kujtime por pa e zgjatur për të shkruar për to veç po e përmend atë që e tha gjyshja ime se vitin e ri kemi filluar ta festojmë që kur kemi rënë në qytet. Derisa thuhen shumë gjëra për këtë festë që ka njëfarë karakteri global, them se kjo festë po e ka dhe të mirën e vet. Njerëzit po bëhen bashkë, njëri-tjetrin po e urojnë dhe po e vizitojnë ashtu siç po bëjnë dhe për festa kombëtare e fetare.

Dhe them se më mirë të them diç për qytezën ku ka vite që jetoj, të përshkruaj gjendjen e saj në pragun e ndërrim motmoteve, ashtu si e shoh, ashtu si e pashë...

Dhe derisa kaloj kah  objekti shkollës fillore të qytezës sonë do hyj në oborrin e saj, me papastërti të pluhurtë, me shishe plastike e me kanaqe te hedhura me qebapa cigaresh e me gjësende të cikërrimave tjera. Në dyert e hyrjes së shkollës është vënë një njoftim paralajmërues  se do te dënohen me kaq e aq para ata që dëmtojnë bankat e mjetet tjera të shkollës. Do rri e do endem  aty nëper dy oborret e shkollës herë para e herë prapa . Në fushën me gjelberim plastik të shkollës ai grup te rinjsh do vazhdoj te luaj futboll. Me pas do dal nga këtu, andej kah hyra ku mungon një tel i hekurtë i rrethojës së oborrit shkollor. Rrugëve të qytezës do të  na del parasysh dikush me dikë të cilët shohin e flasin për atë objekt banesor që gati ka përfunduar. Oxhakët  e shtëpive nga gojët  nxjerrin tym të bardhë, të zi, të hirtë. Dikush flet dhe për filterët e tymtarëve të KEK-ut, duke thënë, veç po thonë a ia kanë vënë... E diku ndonjë shtëpi që gati  e kanë rrënuar, e ndonjëres  ta rrënojë sapo ia kanë filluar. E diku diku shtëpi  e shumëkateshe në fqinjësi  ende duke bashkëjetuar.Më tej në një copë rrugice fëmije duke luajtur e vrapuar pas topi. Në një vend tjetër luhet basketboll, në atë hapësirë para asaj shtëpie në oborr. Edhe më tej para një internet kafeje verehet njoftimi per lojën Counter strike  të titulluar: “Gjahtari i krimineleve”. Nga hapat e hedhur  shohim njoftimet nga më të ndryshme të shkruara nëpër copa letre mbrenda e jashtë xhamave, qoshe e kënde objektesh, drunjëve e nëpër banderë si: “Banesa shitet”; “lokali shitet ose ipet me qera”,”vetura në shitje”, “kthehemi pas xhumasë”, ndonjë lajmërim për dikë që ka ndërruar jetë. Posterë e njoftime të tjera të vjetra të zverdhura e të reja.   Ndërkohë vazhdojnë të hapen e mbyllen  dyer zyrash institucionale e private,dyer  bankash, sallonesh mobilerie, kafeneshë, dyqanesh të vogla e të mëdha, dyer berberësh dhe diku hapen dritarëzet e vogla të kioskave, e diku dyert e këtij dyqani të rrallë të këtij këpuctari.  Hapen dhe mbyllen dhe dyer  autobusësh, taksishë, veturash, trenash, barnatoresh, gjelltoresh, qebaptoresh… Diku luhet ndonjë lojë ping-pongu, biljardoje e pikadoje e në ndonjë fushë të mbyllur a  në ndonjë tavolinëfutbolli duke rrotulluar ato figura lojtarësh me duar, dikush hy edhe në derën e ndonje bastoreje. Posterë e njoftime të tjera të vjetra të zverdhura e të reja. Dikush ecën i vetëm e dikush në shoqeri të dikujt, ndonjë grup te rinjsh së bashku duke folur me të madhe e duke qeshur. Dikush i thotë dikujt shefi më ka mbetë borxh 50 euro e s’po m’i jep se po më thotë ma ke lënë punën keq, dhe biseda vazhdon me mllef e tension. Dikush duke menduar shkel mbi ata “shkembinj” bore e akulli që ende rezistojnë sidomos aty ku rrezet e diellit pak ose aspak nuk kanë depërtuar. Nëper këto miniatura  akullnajash që duken sikurse makete ndërtesash që paraqiten ndoku për të parë një plan rregullues, se si do te duket kjo ose ajo pjesë e këtij apo atij qyteti. E nëpër to  gjenden edhe të tjera gjurmë pos ndojë gjurme e ndonjë këpuce , a shputë maceje, qeni , sorre a zogu,  si psh aty ka dhe ndonje faculete ose ndonjë cope e bardhë stiropori që janë ankoruar këtu. Ose kanë rënë nga ndonjëri prej kateve të kësaj shumëkateshje në  ndërtim e sipër. Ose kushedi se ç’erë i ka sjellë. Dikush hap dritaren e veturës dhe shkund cigaren. Në atë kënd rruge presin ata që shesin dru e thëngjill. Dikush shkurton drutë dhe i palos ne mënyre mjaft simpatike disi artistikisht duke formuar një lloj sane drunjshtë shkurtuara e të çara, të bëra gati për t’i marr për zjarr. Dikush ecën i ngarkuar me qese në duar që mbajnë emrat e firmave të mëdha  si  “Albi“, “Intereks”, “Viva”, “Herta”, “Maxi”, “Etc”... Nëpër telefona mobile na vijnë porosi të ndryshme. Njëra nga to thotë i nderuar konsumator nëse vëren ndonjë parregullsi lajmërohu në filan numrin, në filan ministri. Njëra nga to thotë do të emigroni këtu e atje. Dikush tha se s’po shiten të “Valës” mbushje sepse punëtorët po kërkojnë t’i marrin ato që  bonuset. Dikush mban ndezur cigaren, dikush pos cigares mban në gojë edhe nje lugë plastike të makiatos. Bombola llojesh të ndryshme hidhen e pëlcasin ditën por edhekur errësira bie, ndonjëra prej tyre të tremb e pëlcet përpara se ta shkëlësh me a pa vetëdije. Nuk mungojnë as fishekzjarret dhe shkëlqimi i tyre i shkurtër në qiell zgjat shumë më pak se dritat zbukuruese që fiken e ndizen…

Dita e sotme në qytezën tonë agoi me mjegull dhe me shi…Dhe së fundmi po e them edhe këtë që e paskna thënë kohë më parë: Tik-tak./ Ditë-natë. /Edhe një fundvit,/Po na vjen(Edhe një vit po na lë.)/Përpëlitje, zvarritje/ Gaz, ofshamë/ Edhe pyetja çfarë të bëj(më)…