E premte, 20.09.2024, 02:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Vilhelme Vranari: Një Mall i Pashuar

E diele, 30.12.2012, 03:00 PM


Një Mall i Pashuar

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj

"Jeta është një nga mrekullitë e Universit, që i është dhuruar botës humane nga Hyu. Veçse për ata që nuk e kuptojnë sa duhet dhe si duhet trajtuar, ajo ngelet e huaj si herioglifet kineze, që i përkasin vetëm gjuhës së atij kombi. Madje jeta ngaherë ngelet e padeshifruar për cilindo qytetar të botës që nuk është në gjendje t'i lexojë hapat e kohës dhe bëmat e saj. Po kështu përherë do të jetë e huaj edhe dashuria që nuk konceptohet si duhet nga kushdo. Kjo ndodh shpesh, si me meshkujt, edhe me femrat që e shqiptojnë dhe e ndiejnë gabimisht këtë ndjenjë sublime. Dashuria ka gjuhën e vetë për çdo individ. Ndaj është ndjenjë e veçantë, individuale, privacioni i së cilës i përket vetëm një personi. Si jetën edhe dashurinë duhet të dishë t'i shqiptosh, që më pas ato të mos shndërrohen në diçka të huaj dhe të palexueshme, gjë që të çon drejt mosnjohjes të së vërtetës. Në raste të tilla, nga njohja e pamjaftueshme, arrin të mos jesh në gjendje të zbërthesh të errëtat e  qenies sate, që jetojnë fshehur në xhepat apo labirintet e errëta të ndërgjegjes dhe shpirtit. Të dish të lexosh jetën apo të deshifrosh gjuhën e dashurisë, pa u ndikuar nga asnjë rrethanë, do të thotë të kesh fituar pavarësinë vetjake që ka të bëjë me..." -mendime të tilla më gëlonin, që padashje shkuan tek ajo ndjesi që i dhemb më shumë njeriut. Për të kemi vuajtur edhe vuajmë ende, pasi jemi lidhur pazgjidhmërisht me hallka zinxhirësh skllavërie me gjithçka që na rrethon. Në këtë mënyrë na mungon liria personale, gjë që na ka vendosur nën vartësi të një realiteti të mohuar nga vetëndërgjegja... Kjo më bëri të shkoj më tej...

"Liria vetjake është hyjnore. Në këtë përcaktim nuk nisem se ajo arrihet me urdhër të Zotit, por e di mirë se diçka mbinjerëzore, që është shumë më e thellë dhe kushton shumë më shtrenjtë se liria kombëtare. Duke mposhtur veten, ajo qëndron më lart se vet qenia e tij. Madje është kjo pavarësi e ndërgjegjes që ndikon fuqimisht në formimin individual dhe atdhetar të njeriut. Pa e ditur se çdokush qëndron vetë mbi tokë me tru në kokë, i cili mbështet e udhëheq individin për të qenë i lirë, për të qenë vetvetja. Liria e individit është stisur dhe është sunduese e një personi, vetëm duke u mbështetur mbi këmbët e veta, pa e bindur veten se jeta individuale nuk urdhërohet, nuk kontrollohet, nuk drejtohet nga kurrëkush. Atëherë në se mendon të kundërtën, cilido jeton me një ndërgjegje të ndërvarur. Njerëzit e formuar ndërgjegjësisht, kur nuk e njohin lirinë vetjake, shpesh herë gabojnë duke ngatërruar keqas të drejtat individuale, me detyrat dhe përgjegjësitë. Por duke mos mohuar të drejtat ose liritë e tij, ai që kryen të gjitha detyrat apo përgjegjësitë si fëmijë, si bashkëshort, si prind dhe si pjesë e komunitetit, duke zbatuar të gjitha normat e kohës, mendoj se është njeri i arrirë, ose me norma siç quhet ndryshe. Në shoqërinë tonë me shumë mendësi nga e shkuara e largët apo e afërt, pse jo dhe nga e sotmja, liria individuale është e kufizuar. Vetëm liria vetjake e çon këdo drejt gjetjes dhe vendosjes të së vërtetës. Nëse mungon një gjë e tillë, njeriu është skllav i papjekurisë së tij individuale. Jo vetëm që ngelet i ndërvarur, por gjithmonë do të jetë pa dinjitet dhe pa personalitet. Gjithçka që i përket ndërgjegjes së atij individi, i cili mendon dhe vepron lirisht, besoj se ka fituar lirinë vetjake, e cila është hyjnore... E këtë këndvështrim të botës ta jep vetëm dija," -kjo gjë më shkoi ndërmend, kur sapo kisha përfunduar së lexuari një ngjarje rrëqethëse, që më gozhdoi në vend dhe më bëri të mendoj për lirinë vetjake.

Sot janë të gjitha mundësitë të zhbirosh dhe të njohësh jetë personalitetesh botërore, të cilët këtë lloj pavarësie dhe lirie e kanë fituar me shumë mund dhe djersë. Shpesh kanë flijuar edhe jetën, vetëm për të fituar një të drejtë që u takon me ligj dhe me zakon. Pasi e dimë se njeriu lind bashkë me lirinë për të qenë i tillë në rrugëtimin e tij të gjatë dhe të vështirë... që e ka emrin jetë. Një nga mjetet për ta njohur botën humane në të gjitha stadet e zhvillimit të saj, është interneti, i cili i përket kohës moderne. Si për mua dhe për gjitjë botën njerëzore, ky lloj komunikimi është bërë një nga mjetet më të mira dhe të përsosura. Shkenca, veçanërisht gjatë shekullit të fundit, ka bërë mrekullira në të gjitha fushat e jetës, por kjo është nga më të përkryerat në lidhje me zhdukjen e nocionit kohë dhe hapësirë mes shteteve apo individve. Veçse nuk duhet të harrojmë se veç të mirave, zbatimet e më të rejave të shkencës, kanë edhe pasojat negative në raportet mbi të cilat është ndërtuar dhe lëviz universi. Janë ndikime me pasoja shkatërrimtare.

Gjithësesi, duke zhdukur kufijtë ndarës mes reales dhe ireales, komunikimi virtual i cili nuk njeh distancë, kohë apo hapësirë, është tregues për vlerat e internetit që janë të pallogaritshme. Përmes virtuales në një farë mase, nuk e ndjen mungesën e njerëzve të afërt e më të dashur, në çfarëdo largësie të ndodhen. Sikur ata të jenë edhe banorë të planetit të kuq, përsëri është interneti ai që të lidh e të bën të kalosh çaste të gëzueshme dhe jeta vazhdon rrjedhën e saj me gjithë ata që të do zemra. Ata marrin pjesë në gëzimet e tua dhe shpesh herë, duke i vrojtuar mirë, u lexon edhe mendimet. Kam arritur në një përfundim të tillë sepse prej vitesh jetoj larg vendlindjes. Interneti është mjeti që nuk më le të shkëputem prej tokës amë apo më bënë të mos e ndiej mungesën e familjarëve, të njohurve, miqve dhe më e bukura, pasi përmes tij kam krijuar njohje dhe lidhje të reja. Një mëngjes ndërsa i hodha një sy postës elektronike, më tërhoqi vëmendjen një mesazh, ku një mike më shkruante: "Nëse dëshironi të shlodheni sadopak nga puna juaj studimore, lexoni..."

Në çast, nuk di nëse u gëzova apo u hidhërova. Edhe pse prisja diçka tjetër..., një lajm me rëndësi për punën që bëj, i hodha një sy shpejt e shpejt këtij mesazhi. Pa e kuptuar u thellova në të dhe nisa ta lexoj me ëndje. Pasi e mbarova së lexuari edhe fjalën e fundit, ngela i shokuar. Nuk di sa kohë u gozhdova me vështrimin në një pikë të hapësirës boshe. Di se nga ai tregim rrëqethës, që më tronditi pa masë, ku brenda dy a tri faqeve flitej për një jetë...një jetë të sapofilluar, të cilën padrejtësisht ia kishin prerë në mes. Një dashuri dhe një jetë ishin mohuar deri në mosekzistencë. Në atë rrëfim denoncohej një tragjedi rrëqethëse. Ajo ngjarje e cila më çoi larg, shumë larg si në kohë edhe në hapësirë...ishte si krisma e pushkës gjatë një premiere teatrale, ku shikuesi traumatizohet dhe kontrollon kurmin e vet se mos ishte ai viktima. Askush nuk është në gjendje atë çast të përcaktojë, se është vërtet zhurma e plumbit apo pjesë e skenarit në atë akt dramatik që shfaqet në skenë. Ajo tragjedi që përjetova hamendësisht përmes leximit, ngjasonte me shkrepjen e vetëtimës në zhgunin si napë e hedhur krahëve të stërzgjatur të natës së rrëqethur.

Terri i zhytur në vorbullën e reve të errëta, ku mungesa e yjeve dhe e hënës bije në sy si një pengesë depërtuese apo analitike. Pasi janë pikërisht ato trupa qiellorë, pjesë përbërse e galaksisë, të cilat të krijojnë mundësinë e vetme që të shohësh autorin e krimit, nuk di se sa kohë më shkaktoi pagjumësinë e netëve vetmitare, të netëve të pafjetura. Nga ana tjetër ajo gjëmë që i përkiste një kohe të largët, m'u duk sikur më prishi ekuilibret brenda qenies sime, tashmë të vendosura prej vitesh. Dhembja e një malli të patreguar më pushtoi të gjithin, më përfshiu trupin, mendjen, shpirtin e çdo ndijim. Atë çast besova se në jetë gjithçka që lind, është në ndryshim të vazhdueshëm, porse kurrë nuk mund të zhduket. Ndjenja është si qenia që rritet, zhvillohet, ndryshon formë, që edhe mund të vdesë, por nuk largohet pa lënë pas gjurmët e së shkuarës. Dhe ja ti e sheh të gjallë të munguarën, e rijeton ndjenjën të freskët, të përtërirë si dikur...Vështron rreth vehtes, sheh shembëlltyrën tënde në pasqyrë dhe beson se ajo që shkoi është aty pranë, madje gëlon në ecejaket e përditësië bashkë me ty.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora