Kulturë
Kujtim Mateli: Në prag të Vitit të Ri
E hene, 31.12.2012, 01:59 PM
Kujtim Mateli
Në prag të Vitit të Ri
Ja dhe java e fundit,
Fill pas saj,
Një fjongo e kaltër ditët e vitit mbështjell,
Ditë të mbushura me shqetësime njerëzish,
Mbushur me fruta, me shira, me diell.
Ndihet një parfum vjeshte në tavolinat tona,
Është tretur në ajër një zënkë e pak çasteve më parë,
Një trishtim që na vinte rrotull është tulatur diku,
Një gëzim i porsa lindur qoshen e bisedës ka marrë.
Ndiejmë nevojën për të folur më shumë,
Diçka e pathënë merr udhë e bëhet temë e bisedës.
Është çasti kur e duam më pranë njëri-tjetrin,
Pyesim më shumë për njëri-tjetrin,
Gëzohemi më shumë për njëri-tjetrin.
Ato që s`mundëm të bëjmë nuk janë pak,
Njeriu gjithmonë është i penduar,
Gjithmonë ka patur një shteg që s`e ka gjetur dot,
Ka patur një ftesë që s`e ka vlerësuar,
Në të njënjtin vend është rrotulluar kot.
Njeriu pendohet për cfarë nuk bëri mirë,
Po Viti i Ri na jep shpresë,
Na ndan nga e djeshmja si fëmijën nga nëna e na thotë:
Është një yll që njeriut duhet t`i prijë.
Gotat ngrejmë dhe vështrojmë njëri-tjetrin:
A e ka gjetur secili yllin e tij?