Kulturë
Fiqri Shahinllari: Kartolinë humori për Vitin e Ri
E hene, 31.12.2012, 01:42 PM
MË MIRË
SYRI SE NAMI
-"Kartoline" humori me rastin e Vitit te Ri 2013-
Nga Fiqri Shahinllari
Ka
caste kur te duket se te gjithe te
pengojne dhe te gjithe i pengon ne rrugen e jetes. Ka edhe momente kur te duket
se "kane veshe edhe muret"e te degjojne. Mirepo ne kete rrefenje nuk
flitet per hamendje por per nje degjim te vertete i cili u shpernda si vaji ne
arme sa hap e mbyll syte. Jehona degjimit vazhdoi me dhjetra vite e, biles,
vazhdon edhe sot. Jam i bindur se do te me japin te drejte ata qe e dine kete
mesele dhe nuk duan ta degjojne me. Takemi i ketyre njerzve jane te lutur te
mos lodhen ta lexojne kete rrefim. Le ta lexojne ata qe nuk e dine. Per keta po filloj menjehere. Fillimisht deshiroj
te nenvizoj faktin se urtësive që vijnë
nga thellësitë e shekujve nuk mund t’u heqësh por as t’u shtosh presjen. Janë
aq të goditura si shprehje sa nuk i luan topi. Doemos, ato përcjellin mesazhin
filozofik të popullit, të provuar e të stërprovuar që thotë: “Më mirë të dalë syri se sa nami i keq” Per kete gje
ben fjale rrëfenja e mëposhtëme, për të cilën “gojët e liga” thonë se është
ngjarje reale.
…Na ishte
një herë një djalë namuzlli prej dere fisnikësh. Nuk kishte shumë kohë që ky,
djali, na ishte martuar me një vajzë, të bukur e fisnike. Edhe kjo nga racë
fisnikësh prej një fshati tjetër të zonës. Se ç’ishte një sebep gëzimi në
familjen e djalit ku ishin ftuar shumë miq nga fisi. Kishin erdhur edhe krushq
nga derbaba e nuses dhe nga fisi i saj. Ishte organizuar kështu një aheng i
madh, i gëzueshem, me të ngrëna e me të pira, me këngë, valle e bylmemera.
Gosti hesapi! Na kolisi, aty nga mezi i gostisë, në kulmin e haresë, që
dhëndërrit Panduk Cimbidhi, i ndodhur në një momet delikat, “bosh”, si i thonë
fjalës që, fap, t’i kishte shpëtuar një pordhë tinzare, e fortë që lere mos e
pyet! Ishin pataksur jo pak veta rreth e rrotull Pandukut, nga fisi i tij dhe i
gruas, që e dëgjuan prroçkën. Panduku, flakë në fytyrë u bë sakaq zeher ne
shpirt. Nuk e donte veten në ato momente. Vuri re rreth e rrotull, se kushedi,
do perëndia, bënte vaki që të mos e kishin dëgjuar të tjerët atë turp e shkuar
turpit! Dha e mori për të bërë, me marifet ndonjë veprim, kot se koti, se mbase
shmangtëte vëmendjen e elektrizuar të të tjerëve. Ishte e kotë! Sytë “pyetës”
të dëgjuesve të p…… së dhëndërrit nuk shqiteshin nga autori i saj. Dhe jo vetëm
kaq. Më lemeritësja ishte kur disave u “shpërtheu gazi nga bullçinjë” dhe ia
mbathën vrapit, ikën nga sytë këmbët. Sakaq çu, çu , çu, e pesh. pesh, pesh
vesh më vesh ngjarja u përhap edhe në odat e tjera ku kishte miq, edhe tek ata
që ndodheshin në oborr e pinin cigare! Më e tronditur se Panduku ishte gruaja e
tij e re, e hijshme dhe plot nur. Ajo u bë fulltak e kuqe ne fytyre, helm e vrer ne shpirt.
Kaq u
desh. Gjesti, ashtu si edhe fjala, sa e ke nën kontroll është robi jot, po e
lëshove, po të shpëtoi nga vetja, ahaaa, atëhere bëhesh ti robi i veprimit
tënd. Të nesërmen gjith fshati zjente. Intuita e Pandukut e ndjeu se midis
njëri –tjetrit, fshatarët, kur vinte puna për të përmendur Pandukun, nuk e
cilësonin atë me mbiemrin Cimbidhi por flisnin për Panduk Pordhën! Ç’ta
zgjatim? Llafet e shumta janë fukarallëk, ka thënë i lashti. Jeta për të dy bashkëshortët
u bë e padurueshme në fshatin e tyre. Si Pandukun ashtu edhe bashkëshorten e
tij po i grryente ndjenja e turpit. Panduku, rrallë dilte në shoqërinë e
fshatarëve.Kishte frikë se do të dëgjonte me veshët e tij kur t’i drejtoheshin
jo me mbiemrin Cimbidhi por me mbiemrin e ri: “O Panduk P….., ç’mendon ti për,
fjala vjen, radhën e ujitjes së bimëve?” Dhe kjo gjë po shndrrohej në rutinë.
Dhanë e
morën ditë- natë Panduku me të shoqen fatkeqe dhe pleqëruan një rrugëdalje, të
rëndë për familjen por shpëtimtare për namin .Vendosën që deri sa të harrohej
ngjarja dhe “nofka e mallkuar”, burri të shkonte jashtë shtetit, në Amerikë ose
në Australinë e largët apo në Argjentinë. Të punonte atje si të gjithë
kurbetllinjtë dhe,pas ca vitesh, të kthehej në fshat, në shtëpinë e tij. Deri
atëhere do të ishte zhdukur me nam e nishan me siguri “flama e p……”.
Pasi e
pleqëruan çështjen dhe rregulluan punët familjare e pasi gruaja kishte mbetur
shtatzënë atë çka kishin thënë bashkëshortët e bënë realitet. Emigranti Panduk punoi
në kurbet nja 30 vjet. Ne kompanine ku
punonte kishte kolege pune jo vetem europiane, afrikane e latino -amerikane por edhe aziatike,
sidomos kineze. Kishte vene re qe kinezet as qe e kishin per gje leshimin e
gazrave edhe ne mjediset publike. Ata shterngoheshin qe gazrat te dilnin me
zhurme. Ishin ne rregull sipas tyre nga ana mjekesore. Nuk kishte problem se
gjesti degjohej nga te tjeret, nuk u luante qerpiku. Kjo sikur i dha te drejten
morale Pandukut dhe tha me vete" Sikur ta dinin bashkefshataret e mij kete
zakon te kinezeve, gjesti im as qe do te diskutohej fare..."
Kaluan
vite e vite ne kurbet dhe ja, një ditë
të bukur të vjeshtës ai kthehet në Shqipëri. Banorët e atyre anëve panë një
burrë të shëndoshë nga trupi, me kapellë republike me strehë të gjërë mbi kokë,
me këpucë me majë, hipur mbi kalë me shalë që i ndriste qimja e kuqe që atje
tutje. Ai kishte kaluar kodra e male, kishte kaptuar lumenj e prrenj, ishte
çlodhur nën hijen e pemëve në fusha dhe, më në fund, ja tek kishte dalë në krye
të fshatit të tij të dashur!? Oh, sa e kishte marë malli, sa i kishte përvëluar
gjoksi për familjen, për gruan. Shkëmbimi i letrave kishte qënë i vështirë në
ato kohëra të turbullta të luftës botërore. Dhe ai nuk dinte se si ishin
rrokullisur ngjarjet në fshatin e tij. Kush kishte mbetur gjallë e kush kishte
vdekur nga njerzit që njihte?
Vuri re
se vendbanimi i tij i dikurshëm kishte ndryshura pamje. Ai gati nuk e njohu
fare. Ishin ndërtuar shtëpi të reja, fshati ishte zmadhuar. Çpoi me mamuze
kalin dhe e drejtoi atë pak më djathtas, mbi një kodër të vogël.. Poshtë,në
çezmën e fshatit, pa disa femra, të reja e mesogra qe mbushnin bucelat me ujë.
Veshët i ndjenë një melodi sazesh që i kënaqi shpirtin. Tingujt vinin nga
lagjja e tij e dikurshme me shtëpi gati krejt te reja. Nuk po merte vesh se nga
cila shtëpi e re vinin tingujt gazmorë.. Eci më tej dhe iu afrua çezmës. Gratë
e fshatit, nuk e njihnin mysafirin me kalë me shalë, por edhe ky nuk i njihte
ato.
-Ç’janë
këto saze moj motra? Cila shtëpi paska këtë gaz e hare sot?-pyeti Panduku me
një shqipe pak si të ndryshkur, ndërkohë që po hiqte këmbët nga yzengjitë e
kalit dhe kërkoi të pinte një gllënjkë ujë nga stomna e njërës prej grave.
- Pse nuk
je dasmor zotrote?- u hodh e u përgjigj njëra nga gratë- Nëse kërkon shtëpinë
ku bëhet dasma ja tek është ajo ku bien sazet, te kumbulla në oborr. Por,
zotrote, je si kofini pas të vjelit se krushqit kanë kohë që kanë ardhur dhe
tani mund të ikin me gjith nusen. Nese nuk je për dasmë e të ra rruga këtyre
anëve po të themi e ta marësh vesh edhe ti, o miku i largët se, sot martohet
vajza e Panduk Pordhës! Bëhet dasmë e madhe. Nusja ka pajë të bollshme se,
helbete, i dërgon i ati verdhushka e dollarë nga kurbeti.U martua ca e madhe
sepse prisnin me sot me nesër që të kthehej i ati nga kurbeti por bosh, ai nuk
dihet është apo jo i gjallë-përfundoi seriozisht “raportimin” gruaja e botës.
Oh,
medet! Panduku dëgjoi, u bë mehit. Një çehre e verdhë si lule kungulli i mbuloi
fytyrën dhe djersë iu mbush kurrizi.
Idhtarët
e kësaj rrëfenje duan të thonë se Panduku, nuk foli fare por ktheu kalin nga
kishte ardhur dhe iku nga syte këmbët duke lënë gratë e çezmës të habitura. Ca
të tjerë duan të thonë- për këtë ngulin këmbë si mushka- se Panduku iu
nënshtrua fatit dhe u pleqërua në fshatin e tij tok me namin, me nofkën e
pabesë të cilën ishte kail ta ndrronte me një nga sytë e ballit pa u bërë
pishman fare.