E enjte, 08.05.2025, 04:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: GruaVerë

E hene, 31.12.2012, 05:50 PM


GRUAVERË

(Grave të mia besnike
Natën e Vitit Ri 2013)

Nga: KALOSH ÇELIKU

(Miqtë e Kalosh Çelikut)

Unë jam Kalosh Çeliku - rebel
aq më bënë për policët
oborrtarët e pushtetin.
Miqtë më të mirë i kam gratë
Poezinë. Dhe, verën.

Unë jam Kalosh Çeliku - rebel
aq më bënë për spiunët
Kukullat, mashat shqiptare.

Miqtë më të mirë i kam gratë
Poezinë. Dhe, verën...

(Konferencë kombëtare)

Rastësisht të takova në rrugë
të kishin dëbuar nga Partia.

Urdhëro: unë s’jam Uolt Uitmani i madh
as miku im, Mirko Gashi - bohem.
Unë jam Kalosh Çeliku - rebel
dhe me Ty cuco do të pi verë.

Nëse të ka përzënë Partia
vogëlushe, unë nuk të përzë...

(Ditën e parë pinte
verë të bardhë)

Ditën e parë, fliste jerm vetmevete
Verë të bardhë pinte. Lexonte poezi.
Padasht, i zbuloi gjinjtë. Shtambat
Me verë. Dhe, më ngriti nga varri:
Mua Kalosh Çelikun me dhjetë plagë...

(Qiriri i Shën Mërisë)

Vdiqa në Voskopojë. U zgjova në Xhenet
Pleq. Plaka dhe lule vjollce.
U thash: Dërgomëni në Xhenem!
Nuse të reja dhe Cuca. Zjarr
Verë dua! Verë. Jo, më thanë është haram.
Atëherë më ktheni në Xhenemin e vërtetë
Vera kur rrjedhë nën Rrap lumë.
Dhe, më kthyen. U ringjalla te Lumi.

Unë jam qiriri i Shën Mërisë Virgjër
E pi lotin e saj me shtamba nën Rrap…

(Vetëm Unë
të pi me verë)

Ky Qytet është i çmendur
Mike oj, që të martuan me poezinë
e më ndjekin mua si qentë
nga mëngjesi në mëngjes.

Ky Qytet do të di çdo gjë
nën cilën Urë kam bërë natë
me cilën Mike pres e përcjell trena
për Ty me cilin çmendesh në shtrat.

Po, kurrë s’do të dinë ç’kam në gji
e mbi cilin varr bëra dashuri...

(Plaga e dhjetë
me Hënën)

Nëntë vjet e mbyta Veten me verë
Gjithë Natën duke shkruar poezi.
Mëngjes. I zgjuar me Hënën.

Nëntë vjet ndeza një qiri
Me Hënën e plotë mbi Liqe
Jerm mes shtambave me verë.

I çmendur pak para agimit
U zgjova nga varri im me libra…

(Loti i saj më ringjalli
nën Rrap)

Ike nga Unë. Ika prej Teje larg
Vetëm vera nuk ikë. Rrapi.
Lakuriq u varrose përpara "Ilirisë"
Me një gji jashtë për poetët. Bohemët
Që, ende nuk ikin nga Rrapi. Atdheu.

Pagjumësi. Verë pi gjithë Natën
Dhe, lexoj libra. Shkruaj poezi.
Vetmia ma hap derën. Dritaren
Frikë. Unë natën hyj nga oxhaku.

Harromë mua, më thotë. E harrova
Vdiqa. Loti i saj më ringjalli nën Rrap…

(Takimi me Znj. Vdekje)

E takova sot në rrugë Znj. Vdekje
dhe pimë nga një gotë verë.
Më pyeti për librat, e pyeta për këlyshët
a i ndërsehen ndonjëherë pas shpine?!

Qeshi Znj. Vdekje. Dhe, ngriti dolli
për Miken në Lindje,
për mua që i kam varur armët në Rrap
të vras Këlyshin e Buçës.
Që, dy hapa më larg e ka nxjerrë gjuhën
dy pëllëmbë jashtë nga vapa
në prehrin e Nënës Rrospi...

(Testament para Vdekjes)

Ebu Xhehli më pret te xhamia
e di, do të më shpjerë në Xhenem.
E Unë do ta lë me testament:
të më përcjellin rrugës pas Çuke.

Mike, shqyeji daullet e ciganëve
poetë, mbani një minutë heshtje
para dy shtambave me verë
sa ta mashtroj Ebu Xhehlin
e t’i futem tinëz në Xhenet!...

(Askushi më dha
një trëndafil)

Pranverë. E kalova Natën në “Premiumi”
Mes shtambave me verë. Pagjumësisë.
Në mëngjes e pushtova Prishtinën në gjumë
Njeri të gjallë n’rrugë. E përqafova një Buçë.

Hi-hi-hiii. Askushi më dha një trëndafil…



(Vota: 343 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx