E enjte, 08.05.2025, 06:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Dy burra të mëdhenj të Kosovës

E hene, 31.12.2012, 06:01 PM


Një libër publicistik për dy burra të mëdhenj të Kosovës…

Nga Tefik Selimi

Librin nuk zëvendësohet me asgjë. Ai është vlerë e madhe për njeriun. Është dija e njeriut. Është ushqim shpirtëror. Pse jo? Aty rrëfehet jeta jonë. Aty është historia jonë. Por, aty janë edhe ngjarjet tona, të hershme e të vonshme. Pa librin, s’ka ecje përpara. Kur flet libri, zërat duhet të heshtin. Libri është dritare e  botës. Edhe libri i Bajrush Morinës “Me dy burra të Kosovës”, që u botua para do dite, flet dhe “rrëfen” ngjarje të vërteta. Kjo është fakt. Andaj, publicisti ynë, Morina, pa hezituar, e botoi librin e parë publicistik, i cili në vete ngërthen ngjarje tona, të cilat janë shënuar dhe flasin për një kohë vendimtare. Po ashtu, është libër që “rrëfen” dy jetëra njerëzish: njëri që na mungon e që është arkitekti i Pavarësisësë Kosovës, dr. Ibrahim Rugova dhe, i dyti, profesor Mark Krasniqi, që akoma na jeton. Profesor Mark Krasniqi është figurë e njohur e jetës publike, shkencore e letrare tek ne. Me këtë libër, autori është munduar ta ndriçojë të vërtetën e një kohe, e cila lidhet me dy emra emblematikë të jetës shqiptare. Libri në fjalë nuk është roman, as poemë, por as poezi e dramë, por është vepër kryekëput publicistike që vlen më shumë se romani, më shumë se poezia e më shumë se vepra dramatike. Është, pra, libër dokumentar. Aty autori e paraqet kohën para e pas lufën e fundit në Kosovë. Kur lexohet libri në fjalë i Bajrush Morinës, lexuesi sheh dhe e ndjen një “skenë” të dramës shqiptare, e cila është “luajtur” apo zhvilluar për të ardhur gjer te vendimet e mëdha për popullin shqiptar. Në fillim, vepra B. Morinës fillon si rrëfim i “lehtë”, pa ndonjë  rëndim rrëfimi. Është libër me intervista e me tekste tjera të ngjeshura publicistike. Ky është “prologu” i veprës. Nga këtu fillon hyrja e vrullshme e shkrimit. Fillon aty ku dhemb dhe ku e ka fjalën autori i rrëfimit. Është jala për dy protagonistë, dy bura të kombit shqiptar, si janë: dr. Ibrahim Rugova dhe Mark Krasniqi, profesor. Dy miq të mëdhenj të kombit shqiptar. Shkrimi niset nga dashuria që ka autori ndaj arkitektit të  Pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, por edhe ndaj profesor Mark Krasniqit. Dr. Rugova ishte i pari që e artikuloi fjalinë: “...se Kosova duhet të njihet ndërkombëtarisht si e pavarur e sovrane”. Ai dhe askush tjetër nuk pati guximin ta artikulojë zërin e arsyes për formimin e shtetit të Kosovës, edhe atë kohë nën okupimin kriminal serb. Ky flakadan i pavarësisë, por edhe Njeriu historik i kombit shqiptar, mbeti Njeriu i Shekullit shqipar. Mbeti përgjithmonë personaliteti që e deshi tërë bota demokratike. E deshi dhe e përkrahu filozofinë e urtë të tij për zgjidhjen paqësore të çështjes shqiptare. Bajrush Morina, me këtë libër, por edhe me librin e dytë, mbeti një gur themeltar i në literaturën publicistike të kësaj kohe. E, ish presidenti dr. Rugova, mbeti lider i këtyre “ngjarjeve” të mëdha, të cilat askush s’mund ti ndryshojë e as ti mohojë atë rrugëtim të shtetformimit të Kosovës. Pubilicisti, B. Morina u gjend shumë herë pranë dr. Ibrahim Rugovës, jo vetëm në intervista, por edhe në momente të veprimeve të mëdha në krye të LDK-së. Ai, (autori) duke njohur dr. Rugovën si njeri dhe personalitet i rrallë, nuk hezitoi të shkruajë edhe për traditën e familjes së tij. Shkroi për prejardhjen e familje Rugova, mandej për pësimet nga regjimi barbar e asaj kohe. Bajrush Morina e fillon “ngjarjen” me Flamurin, simbolin e shqiptarëve. Presidenti Rugova e përdori Flamurin e Dardanisë gjashtë vjet më parë duke prezentuar para mediave. Ky flamur ishte gjëja dhe simboli më i shenjtë për presidentin Rugova, tash i ndjerë. Për të, Flamuri ishte simbol kombëtar i Kosovës dhe i shqiptarëve të këtij trolli. Si shton autori, B. Morina, flamurin në fjalë e ka përdorur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu më 1405, 1910 dhe 1912. Origjinën e ka pasur nga Leka i Madh (Aleksandri i Madh). Dr. Rugova, edhe fjalën Dardani e shpjegon me fjalën shqipe “dardhë”, që do të thotë, vend i dardhave. Pra, vend i pasur me dardha. Dardania ishte edhe Mbretëri antike ilire shqiptare. Pse jo? Autori shton se Flamuri i Kosovës është përdorur nga Presidenti Rugova nga viti 1992, pas mbajtjes së Referendumi  për Pavarësi në vitin 1991. Populli i Kosovës e ka quajtur “Flamuri i Dardanisë”,  pra me emrin antik të Kosovës. Dhe, jo vetëm kaq. Si dihet, ky Flamur është ngritur në Krujë nga Skënderbeu; ky flamur është ngritur në Vlorë nga Ismail Qemaili; por ky flamur, “është i lirë sot në Kosovë”. Ky flamur nderohet dhe valon anembanë Kosovës. Jo vetëm autori, i cili e ka shprehur dashurinë e madhe ndaj flamurit kombëtar, por ishte i vetëdijshëm se me këtë flamur identifikohet shteti i Kosovës, që ishte ide e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova. Pas kësaj, Rugova ka propozuar dhe himnin kombëtar, “Ku ka ra kushtrimi në Kosovës”. Autori, Bajrush Morina, duke qene publicist i rrjedhave të kohës së vendimeve të mëdha, ai e përshkruan edhe “aktin”e përcaktimit të statusit të Kosovës. Dhe, fjala e parë Pavarësia e Kosovës, si thotë autori, ishte artikuluar për herë të parë nga dr. I. Rugova. Ai (Rugova) asnjëherë nuk e hoqi nga goja fjalën pavarësi. U mbajtën negociata, takime në Vjenë e sa të tjera, por goja e arkitektit të pavarësisë nuk u ndalën fjalët: “Njohjen formale të Pavarësisë së Kosovës, shtet sovaran dhe të pavarur”. Kjo ishte formula e “pagëzimit” për shtetin e Kosovës, të cilën frazë e artikuloi i madhi dhe Njeriu i Shekullit Shqiptar, dr. Ibrahim Rugova. Bajrush Morina, në librin “Dy burrat të Kosovës”, jo vetëm që është një dokumentar i plotë, por është edhë një “kronikë” kohe, e cila ka fakte, dëshmi, emra, biseda, intervista e pjesë të tjera të të dhënave për një jetëshkrim të kësaj kohe. Libri ka fakte të forta. Dr. Ibrahim Rugova, ishte ideologu i zhvillimeve të proceseve të mëdha të kombit shqiptar. Ai ishte një vizionar i këtyre proceseve të mëdha demokratike. Mu për këtë, ai vizitohej nga shumë delegacione nga Kosova e nga shumë vende të botës. Siç dihet, te ish presidenti i pavdekshëm dr. Rugova, erdhën me qidra e mijëra burra të  botës, si janë: Bill Klinton, Tony Bler, por edhe qindra të tjerë, të cilët e çmuan personalitetin e tij. Ja si shton autori: “...populli i Kosovës sot më së shumti ka besim në SHBA-të dhe krejt shpresën  dhe besimin e tyre e kanë drejtuar drejt Amerikës”(f.43). Autori, duke njohur dr. Rugovën si njeri i ditur e demokrat, e quan lider modern. Pse jo? Autori, duke pyetur për arrestimet, vrasjet, krimet politike në Kosovë, ai përgjigjet se “unë dëshiroj që krimet ti takojnë të kaluarës. Pra, ne të gjithë, edhe si institucione, edhe si forca politike, si qytetarë, duhet ta pranojmë rendin demokratik, të konkurencës, e jo logjikën e dhunës, të eleminimeve”(f.61). Nuk zgjati kjo kohë kur dr. Rugova shkoi në përjetësi. E mori Zoti para kohe. Ai (dr.Rugoa) “kurrë në jetë nuk pati kë ta thërriste me emrin baba!” U rrit jetimë. Me këtë libër, Morina, publicist, shpreh dashurinë e madhe që pati ndaj dr. Rugova. E, në anën tjetër thotë se, kriminelët serbë “po na gjuajnë me pëlumba vdekejeprues, e ne do t’ua kthejmë me pëllumba të paqës”! Ne jemi kundër dhunës, ne e duam lirinë dhe pavarësinë që na takon”, ku dr. Rugova artikulonte fjalinë: “insistoj që Pavarësia e Kosovës të njihet sa më parë drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara të Amemrikës dhe Bashkimi Evropian”. Kjo ishte filozofia e tij e thjeshtë politike, por e urtë nga “pengameri” i shekullit Shqiptar. Kjo ishte fjala e tij e shenjtë prej shenjëtori! Dhe, ishte vërtetë Shenjtëror i kohës Shqiptare! Ai nuk u largua nga Kosova, por qëndroi në kohën e luftës 1999. “Të tjerët, si shton autori, “ose u vendosën në hotele luksoze të Tiranës, ose e ftonin popullin që mos të largohen nga Kosova dhe vetë rruanin mjekrrat, mbulonin fytyrat si lepujt si komandantëtë e Bllacës, të cilët kalonin kufirin për në Maqedoni” (f.69,70). Ai, autori, në librin e tij nuk e lë anash rastin e heqjes së fotografisë nga Kuvendi i Kosovës. Këto janë dëshmi të kohës, të cilat, o sot, o nesër, do të ndriçohen. Edhe kur u bë ceremonia e nënshkrimit të aktit të Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, mungoi fizikisht dr. Rugova, nënshkruesi shpirtëror i këtij akti historik, cili akt është i lidhur me emrin dhe figurën madhore të tij. Autori, në librin e tij sikur këto “rrëfime” përjetuese i përcjellë të njerëzit e vullnetit të mirë, ku thotë: “Bëhuni  shqiptarë si Ibrahim Rugova!” Pse jo? Ai shton: “Lajmi për vdekjen e liderit shpirtëror të shqiptarëve të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i ka tronditur qendrat ndërkombëtare të vendosjes, miqtë e mëdhenj në Kosovë: Uashingtonin, Romën, Berlinin, Parisin, Brukselin e qendra të tjera të botës”. U trondit e tërë Kosova. U bë  zi e korb. Ishte një humbje e madhe. Qajtën e lotuan i madh e i vogël. Ishte dhimbje e rëndë. Sepse, dr. Rugova ishte dijetar, poet, shkrimtar, por ishte edhe diplomat, intelektual e njeriu i shkencës dhe i dijeve të rralla të njerëzimit. Ky autor i librit nuk i harroi edhe sa e sa ngjarje që ishin gjer te pavarësia e Kosovës. Andaj, historia e popullit shqiptar të Kosovës e fillimit të shekullit XXI dhe arkitekti i historik i shpalljes së pavarësisë së Kosovës do të ishin më autentike, më madhështore dhe më kuptimplote, sikur të ishte i pranishëm dhe lideri historik e shpirtëror i popullit shqiptar. Bajrush Morina, në librin e tij “Me dy burra të Kosovës” është ndalë edhe te figura e madhe e kombit, profesor Mark Krasniqi. Te ky njeri, që është ende gjallë, sheh njeriun më të sinqertë të shqiptarit. Siç dihet, Mark Krasniqi, është autor i disa veprave për fëmijë, por edhe i një numri të veprave shkencore. Ai, kur ishte 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut, së  bashku me Fehmi Aganin e ndjerë, ishin në inagurimin e statujes së heroit në Tiranë. Ai e solli statujën e Skënderbeut edhe në Kosovë, Prshtinë. Mark Krasniqi, prej një atdhetari shqiptar, pati thënë “Lirinë nuk ua solla unë! Unë e solla Skënderbeun në Prishtinë!” Ky burrë shqiptar ishte shoku më i ngushtë i Ibrahim Rugovës. Ai e deshi shumë Rugovën vetëm se ishte një dijetar dhe ideator i Pavarësisë së Kosovës. Sepse, si ka shtuar Mark Krasniqi, dr. Rugova ka qenë adhurues i kulturës përëndimore dhe krenar e studjues u autorëve të lashtë shqiptarë, të cilët me veprat e tyre e kanë pasuruar skulturën tonë dhe atë të perëndimit.



(Vota: 11 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx