Kulturë
Mustafë Rugova: E ç’lirova shpirtin
E enjte, 03.01.2013, 02:50 PM
MALL MERGIMI
E Ç’LIROVA SHPIRTIN
Nga: Mustafë Rugova
Dikur me shumë dallgë dhe i shpejt si Buna,
Tash jam met “pa gojë”, jam ba sikur mumja.
Dikur sikur pelivani kerceja degë më degë,
Një dasëm njerëz rrungajë e bëja per besë.
Edhe vete çuditem edhe baj shumë seri,
Si bre me ndërrue kaq fort e shumë njeri?
Ç’është ky tjetërsim, o Zoti im në qiell,
Si u ba keshtu me mua, diten per diell?
Kur shpalos kujtimet në kalendarin e jetës,
Gati sa nuk ç’mendem per at’ kohën tjetër.
Dy kohë-jetë të ndryshme, si ditë e natë,
O Zot bre ndërpreje këtë të zezë lëngatë.
Po si dreqin u mesuar të jetoj në vetmi,
Pa shokë e pa miq, pa të dashurit e mi!
…!
Jeta ketu more vella, në këtë dhe’ të huaj,
Të jep shumëçka, por mallin nuk ta shuan.
Rrugë të bukura, pallate, sheshe e mejhane,
Mendët me të luejt nga kjo jetë mondane.
Shkëlqim i rrejshëm është ky more vëlla,
Më i miri vend në botë, vendi yt, - e s’ka.
Jeta në vend t'huaj, ti vyshke edhe eshtnat,
Kjo plagë, kjo dramë, kjo lëngatë e brezave.
Shumë malli m'ka marrë, ooo pasha një Zot
Me i shkelë fushat e malet, deri n'Tarabosh.
A thua more burr, a më vjen e bardha ditë
Edhe njeherë n’këtë botë me mu çelë sytë?
Një ditë kur po flisja me disa miq të mi,
Si me ju lexuesit, trishtim e plot mërzi.
Me kqyrin dhe mi ngulin sytë befasisht,
Me keqardhje e merrnin tregimin të trisht!
M'jepnin zemer e ngushllonin me gjysë-zani,
Hajt se ka me u ba ma mirë more lum jarani!
E unë per respekt, e më shumë për kortezi ,
Jua pranoja keshillen tuj ja ba veti me sy!
Ah vendlindja ime, moj vendlindja hiroshe,
Ti mblidhi njeherë bijtë e tu t’kësaj bote.
Aty te guret e votres se moçme, te limani i shpirtit,
Ta lidhim fort per shkembi spirancen e shpëtimit.
Mblidhna pash një Zot, jepna bekim prej nane,
Një dasem t'madhe bane o e jona hallemadhe.
Një dasem t'madhe per me u mbajtë mend,
Me na e marrë lakmi e me joshë krejt dynjen.
E me t'marrë kangën e dikurshme të dashnisë,
Gja e gjallë n'ket’ qef mos me mujt me na pritë.
Nuk dua të deshprohem, sa t’kam koken në qafë,
Asht mëkat me o dorëzue ka pas thanë i yni frat!
Veç se nuk munda me mbajt gulshimen në fyt
E si mos t'flas sot, mbushun mall deri në grykë
Latin'të e moçëm budallenjë nuk ishin,
Kur thonin: -e thashë, -e ç’lirova shpirtin.