Kulturë
Xhemail Peci: Në Natën e Vitit të Ri
E merkure, 02.01.2013, 03:37 PM
NË NATËN
E VITIT TË RI
Nga Xhemail Peci
O ti e të
humburës parajsë, Molla më e mirë!
(Zef Seremebe: Këngë lumturie)
‘I xixëllojnë sytë dhe qeshja që të rrëmben i rrëshqet prej goje; i shkrepën floku dhe i ndriçon balli si qielli i zbukuruar me yje…Pa pritur pashë një vajzë drite; ishte e purpurtë si trëndafili dhe dashuria i rrinte afër…Ajo rrinte duke ndjellur një rosë dhe duke i thënë: Papare! Shpirti më rilindi dhe një flakë m’u ngjall në krahëror…Ndoqa gjurmët e saj, që dukej si hënë e ndritshme, edhe e pashë në buzë të thoshte: Papare! I pashë gojën prej të cilës i dilte mjaltë, sytë që shuanin yjet dhe ballin e mendueshëm që errësonte qiellin. Shpërndava mendimet e mia më të trishtueshme, harrova brengat: u vura të qesh e jeta më ngjau e bukur’. (Zef Serembe, në kujtim të: Më të Bukurës në Strigari)
Engjëll i Mirësisë e Zog Zë-ëmbël,
Në Natën e Vitit të Ri, a ua falë engjëjve bardhësinë dhe butësinë e duarve tua, magjinë e zërit tënd a ia falë Lirës së Orfeut, engjëjt a i le të flenë në zemrën tënde më të bardhën, endrrat a i le të zgjohen në sytë e tu, e shiun e mallit që e lagë ylberin – a e le të bie si pika kristali mbi kurorat e qerpikëve tu, fletët e trëndafilave e polemin e luleve a i le të bien sa në pëllëmbët e duarve tua më të buta, më të bardha – po aq edhe në llërët e tyre si rrem shemshiri, e si llërët e Kryezonjave të Arbërisë: shandanë nëpër kështjella; pikat e shiut që bien si në një valc vienez – a i le të bien në mollëzat e faqeve tua si trëndafilat, zërin prej kanarine a ua falë këngës së zogjve shtegtarë në shpërthim të prillit, yjet a i le t’i puthin sytë deri sa t’i merr gjumi përmbi hijet e zgjatura të qepallave mbi mollëzat e buta të faqeve tua, lirën bujare të zërit tënd a ia falë melodive të violinës së përflakur, a e le zemrën të shuajë etjen në krojet e syve tu, e Vezufin a e le ta ndezë squfurin në prushin e zemrës sate: në dashurinë që digjet për Etnën - a e le ta ndezë llavën e vullkanit; natën që tretet në vetminë e saj – a e le të bie mbi flokët e tua si flakët e yllit të Veronikës, në stendat e muzeut tënd krahëror - a i le të bien hijet e engjëjve që fletët ulin përpara të ecurit tënd të hijshëm: sa herë që zbresin dhe ngjiten qiellit nëpër pikat e shiut – pikat e shiut: litarët e hijeve të tyre mëshirplota; shkëlqimin e syve tu Aurorës a ia falë para se të zbardhë agimi, a ia falë Hënës së kredhur në vargun e yjeve – harkun me vetulla, e Portat e Qiellit a i le t’i hapin me ato duar si petulla; lotët e fluturave në përgjërimin e tyre të pafajshëm a i le të bien npër fletët e trëndafilave e të borzilokëve, tingëllimat e zanoreve si melodi të këputura – a ua falë tingujve të muzikës së Vagnerit: të cilën Princi i Gjuhës Shqipe donte ta dëgjonte për herë të fundit; magjinë e melodive që mund të nxjerrë veç një zemër që ngjanë aq shumë me parajsën: Simfonisë së Nëntë të Ludvig Van Bethovenit – a ia falë; ata dy diej të vegjël si dy Porta të Parajsës me atë Shkëlqim të Shenjtë Drite – Kopshteve të Planeteve a ua falë, ato himne zanoresh si një zjarr drithërues që përcëllon shpirtrave – a ua falë gurgullimës së krojeve, e zanave dhe shtojzovalleve që rrinë te Kroi i Bardhanjoreve në perlat e lirikës shqipe – a ua falë hiret dhe nurin, a ua falë krojeve dhe burimeve të bjeshkëve melodinë e zërit tënd, logut të zanave a ia falë këmishën e kaltërt që falur ta ka qielli, përshpëritjet e buzëve mbi fijet e holla të të cilave enden sa engjëjt e po aq edhe digjet etja e fjalës së pathënë – a ia falë eshkës dhe zjarrit me unor; shtegun e ballit si shtegu i malit - a ia falë Tanushës në këngët e lahutave, sfondet e ballit si një mermer monumental – kreshtabardhave a u falë, adhurimit të trëndafilave e të manushqeve a ua falë shkronjat e emrit tënd që treten në yje, harkun e vetullave si harku i shpresës a ia falë harkut të dallëndysheve, a i le yjet të cakërrojnë gotat e etjes në qepallat e syve tu, e kurorat e tyre a i le t’u bëjnë hije rrugëve të shtruara me lutje dhe përgjërime, Hënën a e le të ta puthë ballin e yjet që rrijnë mbi majat e qerpikëve tu: a le të shuajnë zjarrin e tyre përcëllues duke puthur qerpikët një nga një – harkun e epërm dhe harkun e poshtëm të secilit sy, derisa t’i zë gjumi me Hënën bashkë e me portretin tënd në dorë, derisa në sfondet e atyre syve - si dy diej që digjen, të gjejnë Atlantidën e Dashurisë, derisa të zbardhë agimi, në një ndërrim vitesh e në një ndërrim motesh, me gishtërinjtë e tu të hollë si agimet e trëndafilta heksametrave të Homerit, në një cakërrim gotash në Natën e Vitit të Ri: në gurrat tua shujanë etjen të eturit, po a do të digjen etjet në hijen tënde – siç digjen yjet në hijen e qepallave tua? Një Emër me Zemër Dielli!
Në Natën e Vitit të Ri! ...