Kulturë
Shpëtim Kastrati: Metrika e gurit
E merkure, 02.01.2013, 03:22 PM
METRIKA E
GURIT
Tregim
Nga Shpëtim Kastrati
Një tufë
lule për ty, o kujtim!
Deti
belbëzon e drithëron nënvete, e i spërdredhur si tërfil nga puhia e lehtë që
fërfëritet tok me çarçafët e mjegullës së pambuktë tumba – tumba, shket e
tollovitet pa u çjerrë mbi kreshtat e shkëmbinjëve. Flladi marrok luhatet e
luan lodrueshëm me turiçkën e tij të butë si kone, nëpër kodrën e ulët të
vesuar duke lëpirë dhe përkëdhelur xhufkat bleroshe e pa u ngutur bujtet në
fushën e Kestrinës si për të fjetur. Mendueshëm, pa rënduar e i shpenguar,
dielli rrukulliset ngadalë e kullot mbi
ujrat e njellmëta e të çelura të detit Jon, që shtrihen në horizont plot
zemërgjerësi, e sikur i shkel syrin nga kënaqësia parcelës sonë ku po punohet
me ngut, por me kujdes si në një minierë ari.
Kështu
erdhi dita shtatzanë e mrekullohej, kur unë isha mbrehur në tryezën time
portative të punës aty midis parcelës mbi një hartë të papërfunduar relievi.
Kur papritur ia behu punëtori Nr. 4 (punëtorët i thërrisja me numra se nuk ua
shqiptoja dot emrat e ngatërruar me “sh” e me “th”) i skuqur e djersitur nga
lodhja, e duke dihatur mezi u shpreh:
- Kemi rënë në një gur të lëmuar,
prandaj …
- Ku, në cilën zonë?! – e ndërpreva
menjëherë.
- Ja, ja, atje ku janë ata, - drejtoi
gishtin ai.
- Stop, stop!!! – bërtita si i marrë
dhe u turra me vrap, nëpër dherëra e
gurishte
që më pengonin të vrapoja aq sa doja, e herë më çaplonin këmbët e rrëzohesha,
por ashtu këmbadoras e gjysëmgritur vrapoja sa të mundja.
- Ku është?! – pyeta si i çakërdisur e
duke zgurdulluar sytë, punëtorët.
- Ja këtu, - më tha njëri nga ata dhe e
ceku lehtë me lopatë.
- Mos! Mos e prek! – i bërtita, -
largohu që këtu! Edhe ju të tjerët, - dhe
fillova
të largoj pak e nga pak dheun me duart që më dridheshin derisa ceka gurin, ku
gishtrinjtë befas më shkanë në formën e lëmuar të tij. Ndjeva një rrënqethje të
lehtë, përvoja shpesh nuk më kishte gënjyer, besnikërinë e saj e kisha provuar
me dhjetra herë, sapo çikja sadopak qenien brenda mitrës së errët të dheut.
Edhe kësaj here besoja se dheu i pamëshirshëm, si gjithmonë për zanatin tim,
mbante e fshihte të robëruar në kthetrat e tij, thesare nga më të çmuarat e
kësaj bote. Ndaj u gatita si mamija që prêt fëmijën e brishtë, dhe largoja
dheun si melin nga orizi pa u ngutur, për të ruajtur brishtësinë e saktësinë e
tij.
- Më sill veglat e holla, - i thirra
njërit prej tyre.
Zgjodha
një spatull të hollë druri që e përdorja shpesh për t’i dhënë formën
objektit,
punoja ngadalë e me shumë kujdes, duke larguar dherat herë pas here me furçë.
Sepse kisha sajuar vet një komplet veglash pune nga druri i ullirit që ishte i
fortë dhe u rezistonte dherave gjatë gërmimit, por që fortësia e tij nuk mund
të gërvishte skalitjen e gurëve apo qeramikat e rralla që i pastroja me kujdes
derisa u jepja formën “e gjallë” me të cilën mund të më shpreheshin. Kështuqë i
mbaja gjithmonë në tryezën time të punës dhe rreptësisht ato nuk mund t’i
përdorte askush tjetër përveç meje.
Objekti
kishte rënë në brinjë dhe me bazën e tij pak më në thellësi ndaj edhe nuk
tundej, kështu e kisha të pamundur të përcaktoja llojin e tij. Por kur kisha
harritur të zbuloj afërsisht një të tretën, e kuptova që kisha të bëja me një
statujë, sepse me duart që më dridheshin po i lëmoja pjesën e prapme të kokës
nëpër ondet e buta që i kishte dhënë mjeshtri. Ndjeva dobësi sepse kisha mbi
një orë që po punoja, por vendosa të mos kërkoj ndihmë për shkak të delikatesës
dhe punës speciale që duhej, ndaj i urdhova punëtorët të pushojnë. Tëmthat më
rrihnin fortë nga lodhja, por më tepër edhe nga tensioni dhe padurimi derisa të
më shfaqej figura që fshihej tinzisht nën dheun e ngjeshur. Një tufë mizash nuk
më ndahej, ndaj dhe fytyra ishte trashur me dhera nga ngasja që u bëja atyre të
flamosurave herë pas here. Sidoqoftë kisha edhe tre - katër orë ditë dhe më
mjaftonin derisa të konstatoja formën, ndoshta edhe “titullin” e saj. Dhe ashtu
gjysëm i lodhur, ose kështu më dukej sepse isha më i lodhur nga ç’mendoja, ngaqë
isha tepër i ngarkuar emocionalisht, por që ende gërmoja me kujdes dhe me
ngulm. Kur kisha arritur të zbuloja disi pamjen e parë dhe fytyrën ende pa e
identifikuar, ndjeva nëpër ngutjen time gulçe apo sikur një zë:
- Kush je ti, që më zgjon nga gjumi i gjithmonshëm?!
U
shtanga, dhe më ra spatulla nga duart. Më kishte ndodhur edhe më parë kjo lloj
profecie,
por kur kisha përpara syve një mrekulli të sapozbuluar, dhe nga emocioni ose
kënaqësia sikur bisedoja me të. Në këtë rast nuk kisha ndonjë ide se kush ishte
apo kush po më fliste, kur nuk e kisha thirrur unë më parë, ndaj edhe mbeta si
guak e s’dija ç’farë të stisja. Por më tepër besova se më kishin bërë veshët
nga lodhja, kur papritur dhe padashur një zë tjetër:
- Mbaji larg ato duar! – Ishte një
thirrje që më frikësonte ose donte të më
frikësonte,
sepse në punën time shumëvjaçare nuk më kishte ndodhur asnjëher një gjë e
tillë, por nuk kisha kohë për meditim, dhe ngaqë u ndodha vetëm, ashtu i
ngjethur qimepërpjetë rashë në dialog:
- Gaboheni o madhështi, nëqoftëse ju
jeni një qënie a shëmbëlltyrë tokësore,
dhe duart
e mia të pamëkatshme vetëm se po kujdesen aq shumë tu ngjallin skaj dritës, si
edhe qysh u krijuat! – kisha folur me vete apo i kisha folur atij objekti të
mistershëm, këtë nuk mund ta përcaktoja.
- Barbar! – shpërtheu zëri, dhe ndërsa
nuk mund të dyshoja më, ndaj u
përgjigja
me përulësi, ose me ndërgjegjen e plot profesionale atij çasti.
- O Perëndi, jam ithtari juaj, i
përdëllyeri, jam …
- Hëm … I njohë duart e tij, të allta
delikate, ato janë në fund të pusit e nuk
ngrihen
më, largohu pas vetes, barbar!
Pavetëdijshëm
më shkuan sytë tek pusi që nuk ishte shumë larg nga aty, isha pëkulur mbi të
dhjetra herë, kisha vënë re edhe shenjat e litarit nëpër buzët e tij,
gjithashtu kisha krijuar përshtypjen se ai vetëmse kishte përmbushur detyrën si
një pus i rëndomtë që ishte, pa menduar se ai mund të mbante mistere në fundin
e tij të skëterrshëm, por kjo mbetej për planet e ardhshme të ekspeditës time,
ndaj u krodha padashur në një lutje profesionale:
- Të përulem madhështi! Unë dua vetëm
të të rilind, do ta ngre nga dheu i
zi gjer
në qiell madhështinë tuaj, siç edhe është, e paarrirë, o krijesë mëshironjëse!
- Nuk u përgjigjë. Veçse pas një pauze
sikur gjëmoi një uturimë apo klithje,
që
papritur lëshoi një “muuu” të fortë, si rënkimi i një kau të therur dhe nuk u
përngjall më.
Dija nga
një gojëdhënë që; “Eneu trojan dikur kishte bërë fli një ka për t’ia kushtuar
perëndive dhe kthimit të tij nga Troja kur po hynte në shtetin e Epirit, por
kau që mbeti i plagosur, çau nëpër ngushticën e detit dhe ra e ngordhi sapo
doli këtu në breg, dhe që atëher ky vend u quajt (Buthroto)” Butrinti i sotëm.
Të ishte
shfaqur kjo klithje kau pas mijra vjetësh?! Më dukej tepër e habitshme, por
edhe e rrënqethshme, përderisa po zgjoja nga gjumi një botë tjetër, pikërisht
në truallin që e trokëllitën thundrat e përshpirtshme të tij.
U
shkëputa për një çast nga puna, u freskova dhe u shplava me ujë të ftohtë,
ndeza një cigare dhe e hodha vështrimin mbi det. I cili si një gjysëmrreth
thurej nga ishuj dhe gadishuj të vegjël, mu duk interesante por edhe tragjike
kur më erdhën ndër mend qindra luftra shkatërrimtare nga pushtues lakmitarë e
barbarë që kishin shkelur këtu, midis tyre edhe stërgjyshërit e mi romakë.
Ndjeva keqardhje, por edhe disi i shfajsova që kishin lakmuar një mrekulli të
tillë.
Thirra
një punëtor për ndihmë që më dukej më i kujdesshëm nga të tjerët dhe fillova
sërish punë.
- Duhet ta nxjerrim nga këtu pa
perëndur dielli, - i thashë punëtorit që po
më
ndihmonte.
- Dashtë perëndia të jetë sakllam (i
saktë)! – ma ktheu ai. Sepse shumë prej
objekteve
dhe sendeve që gjenim ishin të thyera e të copëtuara, e na duhej të shoshitnim
dherat për të mbledhur copërat e tyre e për t’i kaluar në procesin e formimit
nëse mundej.
- Duket i saktë, - i thashë, - por puno
me kujdes.
- Si të urdhëroni ju, zotëri! – ma
ktheu ai, e hetonte duart e mia dhe
vepronte
me shkathtësi sipas procesit që kisha zgjedhur unë.
Kishim
zbuluar më shumë se gjysmën e statujës, punëtori punonte gjithmonë në
pjesën e
prapme të tij, ndërsa kokën po e rrumbullakosja vetë dalngadalë. Kur pa
papritur mu shfaq mrekullia e vërtetë, që për shkak të peshës e ngaqë nuk e
kishim nxjerrë ende nga dheu, nuk mund ta mbaja në prehër që ta sodisja e
përkëdhelja. Kisha lëshuar një klithmë gëzimi pa dashur, ndaj dhe punëtori më
pyeti:
- Mos është vetë perëndia kjo, zotëri,
që u habitët kaq shumë?
- Ashtu duhet të jetë, por kujdes sa ta
nxjerrim.
- Thua të ket shpirt, që e ledhatoni si
fëmijë?! – pyeti punëtori disi i
habitur.
- Në mos nuk ka, do të ketë, - ia preva
shkurtë, por mundohu e gjeji fundin
që mund
ta ngremë pastaj.
- Si urdhëron, - heshti ai dhe vijoi
punën.
Mbas një
ore punë, mu duk e përshtatshme që mund ta ngrinim nga aty. E fshiva
me kujdes
të gjithë pjesën e zbuluar me furçë se mos vija re ndonjë thyerje apo
plasaritje, por për fat nuk dukej ndonjë shenjë e tillë.
- Shpejtë, - i thashë punëtorit, -
përgatit vendin për ta ngritur, shpërndaji
dherat
dhe ule pak hendekun.
Magjia që
më kishte tërhequr në këtë vend dukej se kishte ngadhënjyer, kisha
përpara
një mrekulli të vërtetë, nga ato të pakta që ka kjo botë, dhe për fat dukej e
padëmtuar. Por në çast mu kujtua sentenca e mikut tim Filipe; “I dashur
Ugolini, mrekullinë tuaj në jetë mos ia besoni askujt tjetër, sepse askush nuk
do ta çmoj më tepër sesa ju.” Kjo sentencë më shumë sesa sot nuk vlente kurrë,
ndaj më vuri në mendime të thella, por që nuk ishte çasti të gjykoja shtruar e
hollë për të, ndaj thirra pa hezituar punëtorët për të ngritur statujën.
Fati po
më buzëqeshte dhe unë duhet vetëm të gëzohesha, statujën e ngritëm njëherësh
dhe ashtu siç e kishte pjellë mjeshtri, e përndezur nga krenaria dhe madhështia
e saj, që i jepte kuptim gjithë atij peizazhi mahnitës që po përskuqej nga
thekët e diellit si asnjëher tjetër. “O perëndi”, pëshpërita, vërtet harrita ta
shohë spektrin e sajë, si asnjëher në jetë!
E barta
menjëher në dhomën time të punës, mu desh një javë kohë që ta pastroja dhe ti
bëja restaurimin e mundshëm me ato kushte që kisha. Tani e kisha të qartë që
kisha të bëja me një figurë të Apollonit, me sa dukej e shkollës së Praksitelit
e porositur për tempullin e Asklepit që përfaqsonte hyjninë e mjeksisë dhe të
mbrojtjes së qytetit. Por ku do të qëndronte kjo mrekulli? A mund t’ua fshihje
syve të etur artdashës këtë përsosmëri të artit? Këta njerëz mund të gjendeshin
vetëm në Romë, ose mund të vinin nga vendet e tjera pikërisht aty, sesa në
Shqipërinë e varfër dhe të prapambetur.
Pa
menduar për mëkatin që mund të bëja, vendosa ta pagëzoj; “Dea e Butrintit”, kjo
do ti ftohte disi gjakrat edhe përrreth Shqipërisë, sidomos me grekërit, sepse
sapo të përflitej për Apollonin, megjithëse e gjendur në një kult Trojan, ata
do ta kundështonin vendosjen e tij në Romë. Për këtë kisha edhe një arsye
tjetër; Metrika e gurit kishte një domethënie të veçantë nga ato të mëparshmet.
Në të qëndronte një kokë burri e vendosur në trupin dhe fizionominë e një
gruaje që të tërheq menjëher. Për këtë ide të autorit dhe kompozim të tij, nuk
kisha ndonjë koment, kjo ndërthurje gjeniale njerëzore do të më mundonte shumë,
sepse nuk e kisha hasur ndonjëher në qindra dhe mijra ikona dhe piktura që
kisha parë, sidoqoftë i nënshtrohesha gjenialitetit të tij pa mëdyshje, këtë le
ta vazhdonin të tjerë më pas, të kuptonin thelbin e idesë së tij. Unë i kisha
rënë në gjunjë madhështisë, dhe një për një shkoja rruazat e saj; punimi oval i
fytyrës me një vështrim të ngadalshëm ëndërrimtar, balli i qetë i parënduar mbi
sytë e vegjël femëror, krehja e flokëve tipike femërore me një xhufkë të bukur
mbi të, hunda e drejtë dhe e hollë simetrike me faqet e lëmuara, buzët në prag
të të qeshurës mbi mjekrën delikate femërore, veshët e vegjël fisnik të zbuluar
dhe të ngritur paksa ulët mbi faqet e rrumbullakosura me mollzat në harmoni të
përkryer, që të nget në mëkat edhe pse qënie prej guri. Kjo e përmbushte edhe
më tepër pagëzimin tim.
Ishte
viti 1928, kur kisha përgatitur letrën pëcjellëse dhe prisja përgjigje me
padurim. Ua kisha bërë të qartë eprorëve të mi se me çdo kusht kjo mrekulli
duhet të përfundonte në Romë. Sepse nuk e kisha të lehtë ta rrëmbeja si objekte
të tjera që i kisha dërguar atje me anijet e shpeshta që më vizitonin.
Origjina, autorsia dhe e veçanta e saj ishte në anën tjetër të Adriatikut, ndaj
ekspozimi i saj në një muze të Italisë ishte i papërshtshëm pa miratimin
zyrtar, për vetë rëndësinë dhe kapacitetin e pakrahasueshëm të veprës.
Ndaj sot
që po shkruaj këto rradhë, edhe po të vdes një ditë, qoftë edhe si mëkatar,
perëndia ime do t’më ndiej, sepse dita dhe i dhashë botës aq sa mund të jepte
profesioni im. Një mrekulli që ishte fati im, Dea e Butrintit.