E merkure, 07.05.2025, 02:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Akademik Uli Rothfuss: Faleminderit Kalosh Çeliku

E enjte, 03.01.2013, 09:04 PM


(Me rastin e botimit në gjermanishte të përmbledhjes së poezive të Kalosh Çelikut: Das boheme Mädchen gibt meinen Büchern die Brust (Cuca boheme u jep gji poezive të mia), përkthyer nga Arbër Çeliku dhe botuar nga shtëpia botuese gjermane POP Verlag, Ludwigsburg 2012)

Lajme nga një vend, i cili vazhdimisht ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme

Nga Akademik Uli Rothfuss

Ky është një libër, një dokument i kohës dhe një dëshmi intensive poetike e një poeti të pakompromis sa i përket goditjes së lapsit në përzgjedhjen e temave dhe fjalëve, e një poeti të madh ndër shqiptarët e Maqedonisë.

Poezitë e Kalosh Çelikut lexohen si lajme nga një vend, i cili vazhdimisht ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme, aludime të shkurtra mbi erupcionin, të cilat e vënë në spikamë personalen, shoqëroren, të shkuarën, por që i referohen gjithmonë të tashmes dhe e lënë të hapur çdo zhvillim në të ardhmen. Lajme këto, të cilat e fshikullojnë fuqishëm vetëdijen njerëzore, botën ndijore të lexuesit.

Poezitë e Kalosh Çelikut i përjeton gjithkush, që i lexon, ato e prekin drejtpërdrejt lexuesin, thënë në mënyrë eksplicite: ato jo vetëm që e prekin atë, por edhe e godasin furishëm, nganjëherë janë të shkurtra, lakonike, të drejtpërdrejta (kështu duket në shikim të parë), dhe i thonë gjërat me emër dhe mbiemër: “Unë nuk e kam shitur veten” është titulli i një poezie, dhe qysh këtu vërehet mllefi i poetit, i cili e ndjek rrugën e tij dhe kurrë “nuk e ka shitur veten... në qeveri/as për një post/dhe as për një mike”. Dhe ai, me këto pak fjalë, e karakterizon mendimin dhe veprimin e një gjenerate të tërë të vendit të tij Maqedonisë, cepin më jugor të Jugosllavisë së dikurshme, i cili qëndron si sinonim për kthesat politike-shoqërore të kohëve më të reja në shtetet lindore, ish-socialiste; dhe kjo i bën poezitë e tij shumëdimensionale.

Nocionet shfaqen si simbole në poezitë e Kalosh Çelikut: rrapi, si vendi i qetësisë, i tërheqjes në vetvete; shtambat përplot me verë, edhe ato “vende” të arratisjes, mikja – si projekt alternativ, si gruaja e netëve nën rrapin e vetmuar, si e dashura e përmallimit, si gruaja ku poeti gjen arratinë; nga përditshmëria, e cila neve, atij, ia zë frymën dhe për të cilën ai shkruan poezi të mrekullueshme, si kjo: “mua nuk më mbyt liqeni/as deti dhe as vera/as nata me errësirë/mua më mbyte Ti me ata sy të dëlirë...”

Poezitë e Kalosh Çelikut janë reminishenca, të cilat nga larg të përkujtojnë në kohëhrat më të mira dhe zhyten në tashmen e hidhur; gjithçka është në kohezion të plotë në këto poezi; poezia dhe jeta janë një njësi e vetme te ky poet, dhimbja e tij, ironia, britma e tij kundër “shpirtrave të pazemër”, që e përshkojnë fund e krye poezinë e tij, qesëndia e tij: me shtambat me verë ai e lufton atë, me senzualitetin e “mikes” ai e mposht trazimin e vazhdueshëm të ndjenjave të tij, të paktën mund të gjejë qetësi për aq sa trazimin e tij shpirtëror e klanalizon në poezi.

Poezitë e Kalosh Çelikut janë senzuale, ato njëkohësisht shprehin largësi dhe afërsi, po, ato lëvizin drejtpërdrejt nëpër botë dhe dalin përtej saj, tabllot e saj përsëriten vazhdimisht – shtambat me verë, që pihen nën rrap – dhe janë vetëm shprehje e poetit, për të gjetur fjalë për të pathënën: për t’ia dalë mbanë me mllefin e tij, me përmallimin e tij në një vend, i cili e ilustron senzualitetin dhe njëkohësisht pamundësinë e sjelljes së lirë të individit, si në sferën private ashtu edhe në atë publike, si për shembull “vera”: lejon arratisjen nga përditshmëria, e cila përndryshe të çon në çmenduri; lejon senzualitetin, përvojën e larmishme, e cila përditshmërinë monotone e ngre në ekstazë; lejon dalldinë, arratinë në fjalë, të cilat përfundimisht dinë t’i përshkruajnë të gjitha përvojat e tjera.

Dhe ne kemi fat: që përpara kemi një poet (dhe një përkthyes aq kompetent, djalin e tij), i cili gjen fjalë për të përshkruar gjithçka; i cili gjen imazhe, figura krahasimi nga jeta e gjithsecilit, që neve na e bëjnë të ditur se në çfarë rrethanash mund të jetojë dhe dashurojë pasioni dhe dështimi – aq pranë njëri-tjetrit qëndrojnë në këtë vend ekstremja pas socializmit të detyruar dhe impenjimit, dhe kjo në kërkim të identiteve të reja, po, edhe të komunitetit shqipëtar në vendin e tyre multikulturor në Maqedoni. Pra, ky është një zë, i cili na e bën neve të mundur përjetimin e gjithë kësaj, dhe ai quhet Kalosh Çeliku. Të faleminderit Kalosh Çeliku: për qartësinë depërtuese, me të cilën po na e servon këtë dokument të kohës dhe njëkohësisht përjetimin poetik nga një vend, ku mbizotërojnë antagonizmat dhe mëtimi për gjetjen e identiteve.

 

(Recensioni është botuar në portalin kulturor të landit Baden-Württemberg, Gjermani: http://www.swo.de/ktbuchtipp338b.html dhe është zgjedhur si libri i javës )

 



(Vota: 315 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx