Kulturë
Blerim Rrecaj: Sot në Prishtinë
E enjte, 20.12.2012, 08:37 PM
Sot në
Prishtinë
Nga Blerim Rrecaj
Edhe një
takim. Edhe një nisje nga periferia në drejtim të brendësisë, ku gjallëria i
bën shoqëri tollovisë. Edhe shumë fjalë e ca mall. Plus dhe shumë gjëra të
(pa)përsëritura, ashtu si përherë jo pak të koklavitura. Edhe ndërrim lokalesh,
kafeneshë, gjë që pritet kjo prej nesh. Edhe vazhdim fjalësh për shumëçka të
vjetër e të re, a përzierje e të dyjave si lloj kokteji molotov a turbullim spreji a gazlotsjellësi.
Dikush flet për plisat e dikush përmend pisat.Eh ky vendi ynë me kaq shumë
ngjarje si kalaveshë rrushi që s’i ka kërkushi. Edhe lëvizje në shumëdrejtime.
Edhe bileta me (pa) kthime. Edhe shenja 28 të Nëntorit, e drejt vitit të ri
me dekore e flamuj kuq e zi. Edhe
kontenjerë Serbie, që nuk na kanë hije.
Dikush vë njoftimet anëekënd me titull “Marsh për veriun”, i organizuar nga një grup i nxënësve dhe
studentëve, që thonë se do mblidhemi te
vendi te trekëndshi prapa ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, e për të marshuar
deri te sheshi Skënderbe. Ende punë në sheshe, pllaka që ende shtrohen e
ngjeshen. Shtatoren e Zahir Pajazitit e
kanë lëvizur paksa nga vendi, më në afërsi të atij kompleksi banesor.
Skënderbeun e kanë afruar më afër
ndërtesës qeveritare. Edhe sorra që vërtiten qiellit, nga të ftohët e
nga halli e jo për pikë të qejfit. Edhe një lloj fërfëllëze, cukla bore shtyn
tutje e na i hedh fytyrave e i hedh
përtoke. Edhe drunj të mbështjellur me copa
pëlhurash që duken si trupa njerëzish veshur me xhempera. Edhe ftohje e
gripëra që dikujt i kanë rënë hise. Edhe zëra të ngjirur. Edhe faculeta e aspirina që përdoren. Edhe ngrehje hundësh.
Edhe të pështyra. Edhe grafiteve të
vjetra iu është shuar ndonjë i ri, e ndonjëri prej tyre është tretur a është
fshirë, nga shiu, bora, dora… Edhe tenda të ngritura për reklamime të ndryshme.
Në njërën prej tyre shkruan “Festo Shqip” e aty njerëz me veshje kombëtare me
tirqi, me xhamadanë e me plisa. Të cilët
i shohim paksa larg dhe s’u afrohemi më ngat.
Edhe kafene të mbushura. Edhe libërshitës rrugësh. Edhe ditë që shkon.
Edhe muzg e natë që bije. Edhe një ribredhje. Edhe bredha të stolisur për
festat e fundvitit që gati veç janë nisur. Edhe drita dekoruese e zbukureuse,
sikur vello nusesh. Edhe lypsarë që (s’)dihet për kë lypin, ndonjëri prej tyre
i shtrirë e i zbathur e për kohë të gjatë dridhet e vazhdon qëndrimin në atë
cope pakete të shtruar për asfalti. Edhe policë që bëjnë ndërrimin. Edhe policë
komunikacioni në detyrë. Ndonjë përplasje supesh dhe e (pa)qëllimtë ndonjë e
shtyrë, pas saj nuk mungojnë fjalët më fal se shumë i ngushtë e gjithë këto
automjete në trotuar, ose shko ankohu te zyrtarët komunalë. Edhe njerëz me
kapela, me dorëza, me çanta, me ndonjë shall rreth fytit… Dikush kujtohet dhe
përmend 21 dhjetorin, dikush qesh dhe bën humor me datën që na paraqitën e
thanë që është filllim prej së vërteti që i ngjan një filmi të zhanrit triller
horror. Dikush në qese bart bukë, dikush mandarina. Më shumë na kthjelloi a më shumë na turbulloi sot Prishtina…