Kulturë
Sabit Rrustemi: Në fytyrën e një gjethi (2)
E hene, 17.12.2012, 07:35 PM
Sabit RRUSTEMI
NË FYTYRËN E NJË GJETHI
2012
S'E KAM NDËRMEND...
S'e kam ndërmend t'i ndahem këtij shtegu
kësaj përpjetëze Çepuri
për sa më punon laku
pa le të bjerë borë
le të mos ketë rra'
le të bjerë dhe shi
një gjeth a një degë lisi
do të më bëhet çati
Le të fryjë dhe jug a veri
lugjet do jenë aty
dhe ëndrra ime për ty
Këtij shtegu ndërmend s'e kam t'i ndahem
edhe nëse rastësisht shkas përplasem
do të ngrihem sërish do të nisem
gjunjëz a duarsh
deri te ajo Rogë
te ajo Vojsë që pret e vetme si Ti
mbështjellë nën atë lëkurë
plasaritur kohësh
si fytyra jote prej pritjesh
T'i ndahem këtij shtegu ndërmend s'e kam
deri tek ajo Majë ajo shenjë e lashtë
për ta parë si rikthehet me ag ai Top i Zjarrtë
imja fëmijëri
ajo shtëpi
që në themel ende rri
si kjo dashuri
e nuk i bindet të verdhës vetmi
S'e kam ndërmend jo
ani se pas më pret dhe një tatëpjetëz
do të nisem prapë ditën tjetër
me Ty në timen bebëz
(29 janar, 2012)
KALLET JANARI
Në ditën e mbramë
më shpërblen me acar
më mashtron me diell
akujsh mbështjellë
Harresash ende s'jam vrarë
në mal për të dalë
s'është e thënë kur do ti
kuajt për t'i ngarë
As të mbyllem
nga ky pushtim i bardhë
mend s'e kam
Qe
a dola
mes përmes acarit tënd
kohën time vola
Aq sa m'u desh
për vete mora
As i hukata duart
as i mërdhiva këmbët
Vetëm eca
eca e eca e eca
dhe në ecjen time
acarin tënd shkriva
As më ra ndërmend për ty
mendjen e kisha tek ajo
dhe u ngroh kjo zemër
u ngroh
Në ditën e mbramë
me prushin e këtij shpirti
u kall janari
si një fije e tharë bari
(31 janar, 2012)
MOS E GËZO DHIMBJEN
Dhimbja ka vetëm këtë emër
përherë vjen kur s'e presim
në telin më të ndjeshëm shtrihet
kutullaç pret ditën tjetër
e nuk ikën as kur i a qet këpucët
tej pragut të derës
Ajo njëmend ta ha loçkën e zemrës
Po ti mos u jep
si ai kep
qëndro
e mos e gëzo këtë mysafire të paftuar
Dhembja s'kalohet duke e dëgjuar
........................
Ajo e ka vetëm këtë emër
dhe kur na godet m'u në zemër
(8 shkurt, 2012)
JU NËNA
Fshihni lotët
dhimbjet
Heshtni gjëmat
se korbat pastaj vallëzojnë
qiejve të zemrave tona
Mbillni vetëm lule
syve tanë
vetëm dritë
e liri
me aromë paqeje
Të paqtat tona
ju paçim përherë
ora juaj në çdo kohë
troket
(9 shkurt, 2012)
AS LUTJA
Të shtatat na mbërthyen
nëpër nëntë rrathët e ferrit
aty midis sheshit
As lutja e Paqtores sonë
nuk çeli udhë
Acari karpatian na qëlloi në ballë
e bota
memece u bë dhe njëherë
(10 shkurt, 2012)
NË DITËN E DYMBËDHJETË
Në Ditën e Dymbëdhjetë
pikëllimi mbuloi retë
Shpirtra të bardhë
fluturuan drejt qiejve
për t'i shkrirë akujt e pikëllimit
Dhe ata ortekë
tek çmendeshin tatëpjetave
Sharri i moçëm ngrysi vetullat
palca shpërtheu
në lot kristali
Në Ditën e Dymbëdhjetë
ndeza pikëllimin
të shkrihet si qiriri
(12 shkurt, 2012)
LULJA AMSERË
Një gjëmë e madhe
nga kulmi i qiellit
në atë maje kodre ra
e u shfry mbi ne
Njomëza ime
e paqtë si bora
fli
Rrënojat e trupit tim
djep t’u bëfshin
e engjëjt të shpëtofshin
Fli
e bukura e zemrës
deri në zgjimin e ri
deri në vajin e dytë
të rilindjes sate
fli
Bota krejt s’do shembet
dikush do mbetet
do të vijë të të zgjojë
Sa për të na kujtuar
përherë
lulja Amserë
(13 shkurt, 2012)
SE TË KAM ATDHE
Në secilën pore të trupit tënd
një gjurmë kam lënë
Diku hapin tim të vogël
gjurin e vrarë
bërrylat e gërvishtur
Diku hundë e buzë troshitur
dhe në mend s'më ka shkuar
për të të fyer
a për t'u hidhëruar
Jam ngritur e kam ecur
Diku një pemë kam mbjellë
një arë kam lëruar
farë kam hedhur
dhe lule kam mbjellë
e një ëndërr
më të bukurën ëndërr kam ëndërruar
nën hijen e saj
Dhe mendjesh s'kam fluturuar
Trupit tënd jam kacavarur
përpjetëzave
tatëpjetëzave
E sa herë jam shpërblyer
jam ndëshkuar
Po nuk jam zbrapsur
As kur më kanë dëbuar
shpresash nuk jam thyer
drejt gjirit tënd
kam vrapuar
jam kthyer
si i eturi për ujë
Nën hije të një there jam mbështetur
kulla të reja kam projektuar
e rrugë
prej nga do të vinte
ajo e ëndërrta ime
Qiejt kam trazuar prej gëzimit
duke fshirë rrëketë e thella të gjakut
pikëllimit
për ta shijuar një buzëqeshje të çiltër
agimeve të lirisë
duke shtrirë krahët universit
dritaret e dashurisë
Se nën dhe e mbi dhe
të kam vetëm ty
imi atdhe
(16 shkurt, 2012)
NJË DITË PAS FESTËS
Rrëzë Çepurit heshtak
shpërlava fytyrën
nga pluhur nate
e ëndrra
për t'u çelur
në ajër të freskët
tej dritares
Gjithçka e ngrohtë
më braktisi
dhe zogjtë
Ktheva brenda
me një shportë dru
ndeza ftohtësinë
Vetëm bora
kjo dashuri e shkurtër
më mbeti jashtë
(18 shkurt, 2012)
MUNGON
Teksti nuk është djegur
nga ndërprerjet e rrymës
Është ngrënë prej autorit
Shihni si i është fryrë barku
se lukthi nuk i a bloi fjalët
Kot pi ujë të nxehtë
kot fut gishtërinjtë
thellë në fyt
E ngrëna nuk villet lehtë
Ruana zot
po plasi nga të pathënat e pangrëna
Ç'vërshim i madh do të na përfshijë
(20 shkurt, 2012)