E diele, 28.04.2024, 09:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: “Syri i fjalës” nga Enerjeta Sina

E enjte, 20.12.2012, 08:07 PM


Rreth përmbledhjes poetike “Syri i fjalës” të poetes Enerjeta Sina

Syri i fjalës, tek një art brilant poetik, i kohës dhe bashkëkohës

Nga Hyqmet Hasko

Kur studiojmë relievin poetik të një poeti, qoftë kur jemi lexues të thjeshtë, ca më shumë kur jemi lexues të kualifikuar dhe ende më tepër kur jemi kritikë letrarë e studiues në fushën e letrave, ndiejmë dhe kuptojmë se kemi të bëjmë me poetë të profileve e prerjeve poetike nga më të ndryshmet, tradicionalë, modernë, postmodernë, të qetë, të shtruar, të vrullshëm, lirikë, liriko-epikë, liriko-dramatikë, etj etj. Por tek poetja Enerjeta Sina, objekt i këtij shqyrtimi letrar, të gjitha këto janë të mpleskura fort dhe të shkrira në një vektor poetik. Në poezinë e saj kemi muzikailitetin e njohur tradicional të poezisë shqipe, modernitetin, lirizmin e ngrohtë,  ndjeshmërinë e hollë, figuracionin  e pasur dhe funksional, magjinë dhe befasinë e fjalës së bukur, shumë gjendje dhe përjetime, që na përcillen me sharm dhe elegancë. Si objekte poetike, ajo ka malin dhe detin, fushën dhe lumin, hënën dhe pasionin dashuror, ujëvarën dhe trillin, humanizmin dhe zvetënimin e kohës, pra, një reliev të thyer, gjithë ngjyra dhe sharm.

Sina është një poete e njohur, e cila ka mbi tridhjetë vjet që ka dalë në rrugën e poezisë shqipe dhe udhëton me poezinë, si shkruese dhe mesazhiere e një arti të mirëfilltë poetik, me lexuesit e saj dhe një profil të veçantë krijueseje.

Ajo nuk është vetëm poete, megjithëse përmbledhjet e shumta me poezi, të botuara sidomos gjatë këtyre njëzet viteve të çlirimit të letrave nga pengesat jashtëletrare, e kanë profilizuar tek lexuesi më shumë si të tillë, pra, si poete. Autore e disa teksteve këngësh, të kënduara në festivale të ndryshme në RTV dhe gjetkë, ku disa syresh kanë fituar dhe çmime të para kombëtare e ndërkomëbtare, Enerjeta është një emër i njohur në fushën e letrave shqipe.

Por ajo është dhe një prozatore e talentuar, që me tregimet, novelat dhe prozat e tjera të saj, ka zgjaur interesin dhe vëmendjen e lexuesve, sidomos të moshave të reja, për realizmin dhe freskinë e rrëfimeve të saj.

Gjithashtu, Sina është eseiste, studiuese që ka botuar disa libra në fushën e mendimit estetik, tekste të hapura, për shoqërionë e hapur dhe tekste për studentët e Fakultetit të Gazetarisë.

Libri i saj më i fundit me poezi “Syri i fjalës” shënon një kulm të poetes në artin poetik, është një përmbledhje poetike ku poezitë këndojnë dhe të ftojnë të bëhesh pjesë e vetëdijes krijuese të Enerjeta Sinës.

Kur merr në dorë një poezi të mirë, siç është ajo e poetes Enerjeta Sina, ndjesia e parë që provon një lexues i vëmendshëm është shija e plotë e diçkaje që ekziston përtej një realiteti të rëndomtë. Shija e një realiteti të brishtë e të thyeshëm, të transfiguruar, i cili vjen herë me anë të unit të poetes, e cila është në qendër të zhbirimeve poetike, herë me anë të mjediseve, pamjeve e peiazaheve të natyrës e të shpirtit njerëzor, gjendjeve e çasteve të përjetuara dhe të mbarsura si vetëdije krijuese nga kujtesa, që  bën objekt të artit poetik poetja .

Poezia e Sinës, në të gjithë shtrirjen e saj në kohë, por sidmnoms në këtë përmbledhje të fundit, duket se është një poezi e pjekur, e thellë, meditativo-lirike, me tone të kthjellëta e të rrëmbyera njëherazi, me një diapzson të gjërë thyerjesh e këndshikimesh.

Duket se një poezi e tillë është ajo e një poetje të formuar, të vetëdijshme për misionin që ka në jetë, e cili e ka poezinë një mënyrë të ekzistencës së saj, jo vetëm për vetveten dhe një rreth të kufizuar njerëzish, siç ndodh me njerëzit e zakonshëm, por për shumë më tepër njerëz, të cilët i lidh me artin poetik kërkimi në lëmin e të bukurës, në kuptimin më të gjërë dhe më të thellë të kësaj fjale.

Imazhet dhe impresionet poetike të Sinës janë si nxitje shkrimore, e mbresave, përjetimeve, kujtesave, të djeshmes së kthyer në histori dhe të nesërmes së ravijëzuar si një ëndërr, për të cilat poetja duket se jeton dhe për të cilat, sigursiht, ia vlen të ndërtosh një ëndërr, jo vetëm për vete. .

Në poezinë e saj ka endje, vrull, mall, trishtim, vetmi, brengë, iluzion, melankoli, erotikë, dhimbje, shkretim, thirrje për dashuri njerëzore, përkundër shiringave vrastare të kohës. Është një botë e larmishme, ndjesish, gjendjesh, përjketimesh dhe kujtesash, e dyzuar dhe e vrullshme, që klith bashkë me poeten, bashkë me vuajtjen e saj, për të qenë një zë, një misionare në shkretetirën e ndërgjegjes kolektive të kohës.

Duke rrjedhë në këtë shtrat,  ujëvara poetike e Sinës sjell me vete, duke zbritur nga lartësitë marramendëse, një endje malli, idili, dhimbje e dashurie, duke na treguar dimensionet  e një shpirti të pasur e të pastërt, përtej retorikës kallpe dhe vargjeve shabllone, një poete e vërtetë në ato që thotë, pa lajle lule dhe artifice.

Sina e kërkon bukurinë në të qenit në plotëri me veten dhe të tjerët, në të qenit një femër e ndjeshme, e përkorë, e gaatshme për t’iu afruar ndihmë të tjerëve, në   moskompleksimin e gjërave, thjeshtë në përputhjen e thelbit me dukjen, çfarë mund të konsiderohet dhe një kredo e poetes, në këtë vëllim të bulkur poetik.

Nëse uni mund të konsiderohet si protagonist i poezive të saj, një hero meditativo-lirik, që në përplasje me devijimet e kohës, të mjedisit social, etik, kulturologjik që e rrethon, krijon modelin e sjelljes etike, mesazhet që burojnë nga akti poetik i Sinës janë sa të drejtpërdrejta, aq dhe të nënkuptuara.

Duket se shpirti i poetes është i paqetë, pasi ajo vuan nga dobësia e racës së poetëve, të vuajë për vvuajtjen e të tjerëve, më shumë se për vuajtjet e saj. Të ëndërrojë për të tjerët më shumë se për veten. Poetja ka në fokus të çdo krijimi poetik një miningjarje, një shtysë nga jeta, një ndodhi të cilës i referohet dhe mbi to ngre kubatorën e ndërtesës së poezisë. Ajo nuk perifrazon, nuk shtiret për të thënë “gjëra të mëdha”, por atë që e thotë, e ndjen me shpirt dhe ngutet, siç nguten poetët, që t’ua përcjellë të tjerëve, t’i deh dhe ata me mrekullinë e imazhit dhe të ndjenjës poetike.

Autorja kërkon sa në një botë fiksioni, aq dhe në një realitet të prekshëm, ku secili gjen vetveten dhe duket sikur rijeton jetën e poetes. Ajo vë në qendër të shqetësimit të saj qytetar e krijues një mesazh të brendshëm, që buron nga vetëdija e të qenit njeri, njeri me germa të mëdha, në të gjitha rrafshet dhe kuptimet, në të gjitha marrëdhëniet, në një shoqëri të lirë dhe humane. Metafora poetike e Sinës është metafora ekzistenciale e lirisë së qenies humane, që reflekton në çdo qelizë të trupit e pejzë të shpirtit dashuri dhe bukuri.

Duket se poetja Enerjeta Sina ka një vetëdije të spikatur për atë çfarë shkruan, ajo nuk ka dalë rastësisht në rrugën e poezisë, por është e mesazhuar ndaj vetes dhe ndaj bashkëkohësit, për të qenë pjesë e një ëndrre të bukur, të cilën e përcjell në dhjetëra forma, trajta, tiunguj e ngjyra sharmante, në aktin e saj poetik.

Poezia e Sinës lexohet me një frymë dhe, kur i rikthehesh, kupton se ajo të shpaloset në kënde të tjerë, gjithmonë e më të pasur e më të larmishëm në figura, gjendje dhe mesazhe. Një poezi e tillë të befason e sugjestion, të bën të ndihesh mirë, madje të bën të ëndrrosh, se gjërat në këtë botë nuk janë dhe aq gri, përderisa ka pena si ajo e Sinës, që i përkushtohen virtytit dhe dashurisë njerëzore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora