Kulturë
Bejtullah Sadiku: Përdorimi i mjeteve mësimore
E marte, 18.12.2012, 08:17 PM
Rëndësia
dhe përdorimi i mjeteve mësimore (shkurtimisht)
Nga Bejtullah Sadiku - (ish Këshilltar i Pavarur Pedagogjik), Sociolog /Filozof (Marx.) dhe mësues i gjuhës amtare për nxënësit shqiptarë në Gjermani
1. Pjesa hyrëse
Epoka në të cilën jetojmë sot, është kohë e të arriturave shumë të mëdha
teknike dhe shkencore, kohë-shekull atomik e elektronik. Kjo është periudhë e
ndryshimeve të mëdha të veprimtarisë dhe ndikimit njerëzor, kohë e zhvillimit
të teknikës, teknologjisë dhe shkencës në përgjithësi.
Një zhvillim i këtillë i shkencës kushtëzoj dhe mundësoj një hap progresiv në
mbarë njerëzimin e që ndihej me ndikim dhe rëndësi të madhe edhe në lami të
procesit edukativo-arsimor. Kjo sepse edhe mësimi si proces i rëndësishëm
edukativo-arsimor paraqet një fenomen shoqëror që duhet të ndryshoj dhe përsoset
paralelisht me të gjitha të arriturat tjera shkencore-teknike e pedagogjike. Revolucioni
shkencor-teknik përfshinë lami të aktivitetit njerëzor dhe arsimor.
Në praktiken mësimore zhvillimi i teknikës dhe teknologjisë me të gjitha të
mbërriturat shkencore janë të një rëndësie të madhe për zhvillimin e
gjithanshëm të procesit arsimor.
Nëse shkolla bashkëkohore e sodit donë të zhvillohet paralelisht me të gjitha
të arriturat më të reja shkencore-teknike dhe të arriturat pedagogjike, atëherë
duhet t`jua hap dyert të gjitha tendenca-ve progresive dhe novacioneve të së
sotmes.
Kjo mund të arrihet, nëse në shkollë zbatohen marrëdhënie të reja me metoda dhe
forma të reja mësimore si dhe me mjete të reja mësimore, më bashkëkohore. Në
këtë mënyrë do të mundësohet efekti dhe efikasiteti i procesit mësimor, ku edhe
qëllimi kryesor i zbatimit dhe aplikimit të novacioneve në mësim është që për
kohë të shkurtë të fitohen njohuri më të mëdha.
Me zbatimin e mjeteve të reja mësimore mundësohet largimi nga shumë dobësi të
trashëguara nga e kaluara - mësimit klasik pa mjete konkretizimi. Interesimi i
madh i nxënësve dhe arsimtarëve për mjetet mësimore vjen para së gjithash nga
ndikimi i madh i tyre në psikiken e fëmijës si dhe nga përsosja e tyre teknike.
Fëmijët e sodit për shembull, qysh nga mosha 2 vjeçare janë të aftë të luajnë
me lodra të ndryshme elektronike.
2. Mjetet mësimore dhe funksioni i tyre pedagogjik
Nisur nga aspekti se atributi dhe aksenti kryesor i mësimit është
formimi i personalitetit komplet dhe të gjithanshëm të nxënësit që të aftësohet
për t`iu përgjigjur të gjitha kërkesave dhe të arriturave kohore, del se nëse
dëshirojmë që të arrihet kjo që thamë duhet të mundësohet zbatimi, aplikimi dhe
përdorimi i mjeteve te konkretizimit. Zbatimi dhe përdorimi i mjeteve mësimore
është e një rëndësie te madhe, sepse mundësojnë përparimin e procesit
edukativo-arsimore si dhe njohjen në përgjithësi të proceseve të të njohurit si
kriter i realitetit objektiv gnoseologjik.
Nëse bëjmë një vështrim retrospektiv të mjeteve mësimore, mund të
konstatojmë se përdorimi i tyre daton qysh prej kur daton edhe shkolla; nëpër
të gjitha etapat e zhvillimit dhe ndryshimit të kushteve ekonomike shoqërore të
një vendi, shoqërie apo shteti. Në bazë të këtyre ndryshimeve ka patur dallime
edhe në posedimin, zbatimin dhe aplikimin e mjeteve mësimore në procesin
mësimor. Mos bëjmë krahasime të largëta retrospektive, por kur marrim parasysh
kohën e tanishme tek ne gjatë luftës së fundit dhe vendit ku jemi, shihet qartë
se si e sa janë dallimet e mëdha në kuantitet dhe kualitet. Pra, nga kjo del se
zbatimi i mjeteve mësimore dikur ka qene primitiv dhe klasik e sot bashkëkohor
e modern, por i kushtëzuar në pamundësitë për pajisjen dhe aplikimin e tyre.
Zhvillimi i shkencave të ndryshme, pedagogjisë, psikologjisë si dhe shkencave
të ndryshme shoqërore e natyrore gjatë shek. XIX, XX dhe fillimit të mileniumit
të ri të shek. XXI rezultoi në një botëkuptim më adekuat dhe me bashkëkohor
funksionimi didaktik-metodik dhe risinë në përdorimin e mjeteve mësimore që do
t`u përgjigjen standardeve më të larta të kohës së sodit dhe proceseve mësimore
në përgjithësi.
Nga kjo del se në procesin edukativo-arsimor, përveç rolit te
arsimtarit (fjalës së tij të gjallë etj) rëndësi të veçantë kanë edhe mjetet
mësimore, pa marrë parasysh se cilat janë dhe cilit grup u takojnë ato. Me
ndihmën e mjeteve mësimore arsimtari jo vetëm që e përmirëson kualitetin në
mësim, por në masë të madhe racionalizon edhe punën e tij. Krejt çka është e
mundur të vihet para shqisave të nxënësve, sepse me këtë do të mundësohet
largimi i autoritarizmit pedagogjik, që shpesh lajmërohet aty ku roli i
arsimtarit është absolut dominues. Ka shumë raste kur nxënësit i lëshojnë orët
mësimore (të gjuhës amtare), kur humbet atmosfera e mbajtjes së sajë, kur bie
interesimi i dëgjueshmërisë dhe përcjelljes së mësimit ndaj njësisë mësimore që
është duke zhvilluar arsimtari. Parashtrohet pyetja: -pse ndodhin gjëra të
këtilla? Përgjigja është: - sepse gjatë zhvillimi të mësimit nuk
përdoren edhe mjetet konkretizuese. Mjerisht, edhe unë si arsimtar kam një
përvojë të idhët të këtyre rasteve, kur ora mësimore mbaron por as unë as
nxënësit nuk jemi të kënaqur me rezultatin.
Gjatë një ore mësimore me temën „Skënderbeu heroi ynë kombëtar“
shikuam edhe filmin mbi luftërat e Skënderbeut - ora përfundoj në një atmosferë
të këndshme, kualitet të lartë. Dhe, nxënësit vetë erdhën me propozime të
ndryshme duke kërkuar që edhe në të ardhmen të përdorim mjete mësimore të
këtij/atij lloji sepse nuk u mjafton vetëm retorika e thatë.
Është fakt i pakontestueshëm pra, që mjetet përkatëse mësimore e kane
ndikimin dhe funksionin e madh didaktik-metodik, respektivisht
arsimor-edukativ, pedagogjik.
Në mësimin bashkëkohor (qoftë ajo në shkollë ose në rastet kur vetë prindërit janë të detyruar që në shtëpi t`ju ndihmojnë fëmijëve të vetë me detyrat shtëpiake), përveç njohurive teorike duhet të përdorim/shfrytëzojmë sa më shumë mjete mësimore adekuate për rastin. Në këtë mënyrë bëhet ngritja e kualitetit në proceset edukativo-arsimore...