E hene, 29.04.2024, 03:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Shpëtim Kastrati: Apokalipsi

E marte, 18.12.2012, 08:37 PM


APOKALIPSI

Tregim

Nga Shpëtim Kastrati

Mua më quajnë Mumo… Mumo Rëndesi, ja kështu më thërrasin deri më sot. Sepse kur më groposi ajo, Rania, një pjesë të kujtimeve në atë gropën andej matanë. Oh, edhe unë ç’farë po them? Atë që nuk dua t’ua them asnjëherë… dhe nëse po flas përçart, ju kujtoni se fajin e kam unë, gaboheni. Ja kështu u them. Nuk ka ndodhur që ndonjë gjykatës, të më ketë vënë qoftë edhe një të vetme vulë faji deri më sot. Dhe kjo mjafton, që unë jam i ndershëm, jam në punën time, pa i bërë askujt dhe asnjëherë keq.

Ndodhi njëherë, që i kisha vënë thonjtë në fyt, atij Marselit. A e dini pse? Nuk keni sesi ta dini, një zënkë midis dy djallushësh, që ka ndodhur shumë kohë më parë. Bile këtë nuk duhet ta mbaj mend as Marseli. Ndërsa unë, që e mbaj të vdekur në zemër tani, atë të fshehtë të rrudhur, por që nuk do të thotë, që s’mund të shohë ndonjëherë ndonjë mrekulli që pritet të vijë. Sepse Rania e kishte hak të më gëzonte syrin, ashtu siç e kishte Marseli hak, t’ia vija thonjtë në fyt.

Megjithatë unë po rregulloj gardhin, si për të qëruar mëkatin. A e dini pse? Apokalipsi, ajo Era e Madhe, do të kalojë këtej thonë. Kushedi mbase gardhi mbahet dhe unë ia hedh paq, ruaj veten dhe shtëpinë, pa më tutje të bëhet ç’të bëhet.

Një mace e zezë, ja që rri me mua dhe më ruan, nuk e kam parë ndonjëher tjetër. Por ç’mund të graps një mace që s’ka asnjë hall, dhe s’kupton asgjë se ç’po ndodh e ç’do të ndodh, lum si ajo! Dhe unë rregulloj gardhin, e ndonjëher kthej kokën dhe e shoh me zili, prapë ajo mace e qetë e gojëmbyllur. Që si për inatin tim edhe dremit ndonjë çast. Tani më përgjon, e sytë xixëllues gjysëmmbyllur siç i mban ngaherë kur ndeshem me ta, sikur ia ka hequr Ranes nga vendi, edhe hundën e vogël pak të shtypur e të butë që nuk të lë t’ia prekësh, sikur i ka rënë Ranes copë.

Ndonjëher hap gojën derisa s’e çaplon, e duket sikur shpërthen ndonjë shegë në diell. Nuk e di përse e bën këtë? Se ç’shenjë është, shenjë e mirë apo e keqe? Një djall i kupton macet! E ndërsa unë vazhdoj e rregulloj gardhin, ajo ngre putrën, e shkon mbi vesh, pastaj mbi sy, e më vështron shtrembër vetëm me syrin tjetër, siç më shikonte Marseli dikur. Ky për mua është guxim i tepruar, ajo më provokon me çmendurinë e saj, ndoshta e di që nuk kam të drejtë të vë dorë mbi të. Si Ranja që i hidhte florudhë nazet, shejtanka, herë mbi mua e ndonjëher Marselit, ngaqë e dinte që nuk do të vërsuleshim ndonjëherë mbi të, vetëmse kundër njeri – tjetrit si të marrë. Se nga e dinte Ranja këtë, nuk e di? Ndoshta ajo dinte më shumë se ne atherë! Çudi, si i dinte, sepse edhe këto vrimat e gardhit që po zë tani, shkaku i sajë u bënë, që shkoja përtej për të, kur ajo më dilte në dritare vetëm në një këmishë të hollë si mëndafshi.

Atherë…

Se tani nga Amerika më thotë; se atje nuk ka gardhe. Por mace jam i sigurtë që ka, se i kam parë nëpër filma që shtriqen nëpër kolltuqe e divanë. Punë e tyre, ndoshta ato jetojnë në parajsë para kohe.

Dhe macja ime këtu sikur ta dinte që po mendoja për to, më afrohet ngadalë e shtriqet prapë. Më shikon ngultas e ngrohet në diell, kur unë çjerr duart e rropatem me gardhin. “Budalla” sikur më thotë, por unë këtë nuk mund ta duroj dot. E i turrem t’i jap një shkelm turinjëve, ndërsa ajo vetëm shkrepëtin sytë, e hop mbi këmbën time kërcen mbi gardh e zhduket.

Sidoqoftë, gardhin e kisha mbaruar dhe aq më bën për macen që shkoi andej e do të mbetet e pambrojtur. Po të ishte mace e urtë, mund të rrinte e sodiste akoma. Por edhe përtej, se më lëshon zemra ngaherë, nën dritare është një gropë, që po të harrij ta gjej, mund të hyj e të struket kur … Ah, ja që paskam harruar edhe një vrimë sa për katër mace bashkë. Dreq o punë, kush ia nisë nga e para? E le të jet, qameti u bëftë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora