| E enjte, 20.12.2012, 08:07 PM |
Rreth
përmbledhjes poetike “Syri i fjalës” të poetes Enerjeta Sina
Syri i fjalës, tek një art brilant poetik, i kohës dhe bashkëkohës
Nga Hyqmet Hasko
Kur studiojmë
relievin poetik të një poeti, qoftë kur jemi lexues të thjeshtë, ca më shumë
kur jemi lexues të kualifikuar dhe ende më tepër kur jemi kritikë letrarë e
studiues në fushën e letrave, ndiejmë dhe kuptojmë se kemi të bëjmë me poetë të
profileve e prerjeve poetike nga më të ndryshmet, tradicionalë, modernë,
postmodernë, të qetë, të shtruar, të vrullshëm, lirikë, liriko-epikë,
liriko-dramatikë, etj etj. Por tek poetja Enerjeta Sina, objekt i këtij
shqyrtimi letrar, të gjitha këto janë të mpleskura fort dhe të shkrira në një
vektor poetik. Në poezinë e saj kemi muzikailitetin e njohur tradicional të
poezisë shqipe, modernitetin, lirizmin e ngrohtë, ndjeshmërinë e hollë, figuracionin e pasur dhe funksional, magjinë dhe befasinë
e fjalës së bukur, shumë gjendje dhe përjetime, që na përcillen me sharm dhe
elegancë. Si objekte poetike, ajo ka malin dhe detin, fushën dhe lumin, hënën
dhe pasionin dashuror, ujëvarën dhe trillin, humanizmin dhe zvetënimin e kohës,
pra, një reliev të thyer, gjithë ngjyra dhe sharm.
Sina
është një poete e njohur, e cila ka mbi tridhjetë vjet që ka dalë në rrugën e
poezisë shqipe dhe udhëton me poezinë, si shkruese dhe mesazhiere e një arti të
mirëfilltë poetik, me lexuesit e saj dhe një profil të veçantë krijueseje.
Ajo nuk
është vetëm poete, megjithëse përmbledhjet e shumta me poezi, të botuara
sidomos gjatë këtyre njëzet viteve të çlirimit të letrave nga pengesat
jashtëletrare, e kanë profilizuar tek lexuesi më shumë si të tillë, pra, si
poete. Autore e disa teksteve këngësh, të kënduara në festivale të ndryshme në
RTV dhe gjetkë, ku disa syresh kanë fituar dhe çmime të para kombëtare e
ndërkomëbtare, Enerjeta është një emër i njohur në fushën e letrave shqipe.
Por ajo
është dhe një prozatore e talentuar, që me tregimet, novelat dhe prozat e tjera
të saj, ka zgjaur interesin dhe vëmendjen e lexuesve, sidomos të moshave të
reja, për realizmin dhe freskinë e rrëfimeve të saj.
Gjithashtu,
Sina është eseiste, studiuese që ka botuar disa libra në fushën e mendimit
estetik, tekste të hapura, për shoqërionë e hapur dhe tekste për studentët e
Fakultetit të Gazetarisë.
Libri i
saj më i fundit me poezi “Syri i fjalës” shënon një kulm të poetes në artin
poetik, është një përmbledhje poetike ku poezitë këndojnë dhe të ftojnë të
bëhesh pjesë e vetëdijes krijuese të Enerjeta Sinës.
Kur merr
në dorë një poezi të mirë, siç është ajo e poetes Enerjeta Sina, ndjesia e parë
që provon një lexues i vëmendshëm është shija e plotë e diçkaje që ekziston
përtej një realiteti të rëndomtë. Shija e një realiteti të brishtë e të
thyeshëm, të transfiguruar, i cili vjen herë me anë të unit të poetes, e cila
është në qendër të zhbirimeve poetike, herë me anë të mjediseve, pamjeve e
peiazaheve të natyrës e të shpirtit njerëzor, gjendjeve e çasteve të përjetuara
dhe të mbarsura si vetëdije krijuese nga kujtesa, që bën objekt të artit poetik poetja .
Poezia e
Sinës, në të gjithë shtrirjen e saj në kohë, por sidmnoms në këtë përmbledhje
të fundit, duket se është një poezi e pjekur, e thellë, meditativo-lirike, me
tone të kthjellëta e të rrëmbyera njëherazi, me një diapzson të gjërë thyerjesh
e këndshikimesh.
Duket se
një poezi e tillë është ajo e një poetje të formuar, të vetëdijshme për
misionin që ka në jetë, e cili e ka poezinë një mënyrë të ekzistencës së saj,
jo vetëm për vetveten dhe një rreth të kufizuar njerëzish, siç ndodh me
njerëzit e zakonshëm, por për shumë më tepër njerëz, të cilët i lidh me artin
poetik kërkimi në lëmin e të bukurës, në kuptimin më të gjërë dhe më të thellë
të kësaj fjale.
Imazhet
dhe impresionet poetike të Sinës janë si nxitje shkrimore, e mbresave,
përjetimeve, kujtesave, të djeshmes së kthyer në histori dhe të nesërmes së
ravijëzuar si një ëndërr, për të cilat poetja duket se jeton dhe për të cilat,
sigursiht, ia vlen të ndërtosh një ëndërr, jo vetëm për vete. .
Në
poezinë e saj ka endje, vrull, mall, trishtim, vetmi, brengë, iluzion,
melankoli, erotikë, dhimbje, shkretim, thirrje për dashuri njerëzore, përkundër
shiringave vrastare të kohës. Është një botë e larmishme, ndjesish, gjendjesh,
përjketimesh dhe kujtesash, e dyzuar dhe e vrullshme, që klith bashkë me
poeten, bashkë me vuajtjen e saj, për të qenë një zë, një misionare në
shkretetirën e ndërgjegjes kolektive të kohës.
Duke
rrjedhë në këtë shtrat, ujëvara poetike
e Sinës sjell me vete, duke zbritur nga lartësitë marramendëse, një endje
malli, idili, dhimbje e dashurie, duke na treguar dimensionet e një shpirti të pasur e të pastërt, përtej
retorikës kallpe dhe vargjeve shabllone, një poete e vërtetë në ato që thotë,
pa lajle lule dhe artifice.
Sina e
kërkon bukurinë në të qenit në plotëri me veten dhe të tjerët, në të qenit një
femër e ndjeshme, e përkorë, e gaatshme për t’iu afruar ndihmë të tjerëve,
në moskompleksimin e gjërave, thjeshtë
në përputhjen e thelbit me dukjen, çfarë mund të konsiderohet dhe një kredo e
poetes, në këtë vëllim të bulkur poetik.
Nëse uni
mund të konsiderohet si protagonist i poezive të saj, një hero
meditativo-lirik, që në përplasje me devijimet e kohës, të mjedisit social,
etik, kulturologjik që e rrethon, krijon modelin e sjelljes etike, mesazhet që
burojnë nga akti poetik i Sinës janë sa të drejtpërdrejta, aq dhe të
nënkuptuara.
Duket se
shpirti i poetes është i paqetë, pasi ajo vuan nga dobësia e racës së poetëve,
të vuajë për vvuajtjen e të tjerëve, më shumë se për vuajtjet e saj. Të
ëndërrojë për të tjerët më shumë se për veten. Poetja ka në fokus të çdo
krijimi poetik një miningjarje, një shtysë nga jeta, një ndodhi të cilës i
referohet dhe mbi to ngre kubatorën e ndërtesës së poezisë. Ajo nuk perifrazon,
nuk shtiret për të thënë “gjëra të mëdha”, por atë që e thotë, e ndjen me
shpirt dhe ngutet, siç nguten poetët, që t’ua përcjellë të tjerëve, t’i deh dhe
ata me mrekullinë e imazhit dhe të ndjenjës poetike.
Autorja
kërkon sa në një botë fiksioni, aq dhe në një realitet të prekshëm, ku secili
gjen vetveten dhe duket sikur rijeton jetën e poetes. Ajo vë në qendër të
shqetësimit të saj qytetar e krijues një mesazh të brendshëm, që buron nga
vetëdija e të qenit njeri, njeri me germa të mëdha, në të gjitha rrafshet dhe
kuptimet, në të gjitha marrëdhëniet, në një shoqëri të lirë dhe humane.
Metafora poetike e Sinës është metafora ekzistenciale e lirisë së qenies
humane, që reflekton në çdo qelizë të trupit e pejzë të shpirtit dashuri dhe
bukuri.
Duket se
poetja Enerjeta Sina ka një vetëdije të spikatur për atë çfarë shkruan, ajo nuk
ka dalë rastësisht në rrugën e poezisë, por është e mesazhuar ndaj vetes dhe
ndaj bashkëkohësit, për të qenë pjesë e një ëndrre të bukur, të cilën e
përcjell në dhjetëra forma, trajta, tiunguj e ngjyra sharmante, në aktin e saj
poetik.
Poezia e
Sinës lexohet me një frymë dhe, kur i rikthehesh, kupton se ajo të shpaloset në
kënde të tjerë, gjithmonë e më të pasur e më të larmishëm në figura, gjendje
dhe mesazhe. Një poezi e tillë të befason e sugjestion, të bën të ndihesh mirë,
madje të bën të ëndrrosh, se gjërat në këtë botë nuk janë dhe aq gri, përderisa
ka pena si ajo e Sinës, që i përkushtohen virtytit dhe dashurisë njerëzore.