Kulturë
Don Lush Gjergji: “A vriten engjëjt?!”
E enjte, 20.12.2012, 08:33 PM
Promovimi në Bibliotekën Kombëtare dhe
Univesitare (Prishtinë)
“A vriten engjëjt?!”
Hanëmshahe Ilazi, 2012, fq. 374
Nga Don Lush GJERGJI
Para së të shqyrtoj këtë vepër, dua t’i përmendi edhe dy botime që janë me tematikë të ngjajshme dhe janë botuar dhe promovuar pikërisht këtu në “Bibliotekën” tonë dhe përbëjnë “trilogjinë” e dhembjes, të pafajësisë, heronjët, martirët dhe dëshmërët tanë tejet të çmuar dhe të shenjtë.
Dr. Jusuf OSMANI, Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve
tëKosovës, promovuar më 6 tetor 2012;
Melihate TËRMKOLLI, Loti i ngrirë në qepalla. Fëmijëria e pajetuar, 6 nëntor 2012.
Gjatë shfletimit, leximit dhe meditimit të
dorëshkrimit të Hanëmshahe Ilazit, shpesh, mos të them gjithnjë, mu kanë
terruar sytë, nga emocioni dhe lotët, më është tronditur zemra, nga dhembja dhe
përjetimi, më janë shtangur gjymtyrët, nga tmerri dhe ethet, më është blokuar
mendja, nga faktet dhe ngjarjet kaq makabre! Të pabesueshme, sa i përket të
keqes ndaj moshës së njomë, të pambrojtur dhe të pafajshëm, aq sa më dukej se
po i shoh fytyrat dhe gjymtyrët e tyre të përgjakura, të gjuajtura
andej-këndej. Më dukej se po dëgjoja vajin e tyre pa zë, si një lloj kori
engjëllor, që pyesin: Çka po ndodhë
me ne, që domethënë me ju? Përse na keni lindur, ndoshta vetëm për t’na vrarë,
poshtërsuar, shfarosur, për t’i përgjakur duart dhe ndërgjegjen tuaj me gjakun
tonë? A s’keni “kënaqësi” tjera përpos kësaj?
Dhe më ra në mend një ngjarje e ngjashme biblike, kur
Faraoni kishte urdhëruar që të vriteshin fëmijtë meshkuj Hebrenjë, për ta
ndaluar dhe pakësuar rritjen dhe shumëzimin e këtij populli /Krh. Dal 5, 5/.
Mirëpo, këto qëndrime dhe synime djallëzore ishin
të kota!
Po ashtu e kujtova edhe historinë biblike të
Herodit, kur hetoi se Dijetarët nuk ktheheshin më prej Betlehemit për ta
lajmëruar për lindjen e Jezusit. I zemruar për së tepërmi, kishte dhënë një
urdhër apsurd: që të vriteshin fëmijtë meshkuj që ishin në Betlehem dhe në
rrethinë, dy vjeç e poshtë, sipas kohës që më kujdes e kishte hetuar nga
Dijetarët.
Atëherë u plotësua fjala e Jeremisë profet:
“U dëgjua një klithmë në Ramë,
Vajë e gjamë e madhe:
Vajton Rakela fëmijët e vet
E nuk do të pajtohet – sepse nuk i ka më” /Mt 2, 16-18/.
Përse e bëri këtë masakër të fëmijëve Herodi? Sepse
frigohej se Jezu Krishti kishte lindur në Betlehem dhe kishte ardhur për t’ia
marrë pushtetin tokësor, sundimin mbi popullin Hebrenjë. Karierizmi i
stërtepruar, etja për pushtet, ndërgjegjia e ngarkuar dhe e zhytur në të liga,
frika nga e Vërteta dhe Jeta, e kishin shryrë deri të kjo skajshmëri dhe
djallëzi.
Këta fëmijë të pafajshëm Kisha Katolike i trajton
dhe iu lutet si “Martirët e Pafajshëm” për çdo vit më 28 dhjetor,
qysh nga viti 505 pas Krishtit. Ndoshta një gjë të ngjajshme do të duhej ta
bënim edhe ne, që një ditë në vit, t’i përkujtojmë fëmijtë tanë të pafajshëm,
që me gjakun e tyre shkruan një histori të lavdishme, për ne, të tmerrshme dhe
makabre, për ata që i masakruan.
Ata janë DËSHMORË – pa fjalë, por me gjak;
MARTIRË TË PAFAJSHËM, sepse pësuan kaq shumë dhe
keq;
FËMIJË TË PAMBROJTUR, trinomi që mund të lidhet dhe
kuptohet vetëm me mendjen e tronditur dhe zemrën e djallëzuar, tek njerëzit që
tashmë janë në ndikimin dhe “frymëzimin” e së keqes, urrejtjes, mënijës dhe
vdekjes, krijues për të keqe, jetojnë dhe veprojnë, garojnë vetëm keq, zi e më
zi!
TË PAFAJSHËM,
domethënë të parrezikshëm, të pambrojtur, të dobët, të padhunshëm, në procesin
e rritjes e cila shënon dhe simbolizon drejtësinë, pastërtinë, mungesën e çfarëdo
përgjegjësie, virgjërinë shpirtërore dhe brishtësinë.
TË MARTIRIZUAR, doemthënë dëshmorë dhe dëshmitarë të diçkahin që ne na duket e
pabesueshme, gati edhe e pamundshme, vdekje për ide dhe ideale më të larta të
jetës, të lirisë që nuk i kanë njohur dhe shijuar, të kohës dhe rrethanave të
cilat si rebeshi, tërmeti, zjarri, vërshima nuk njohin dhe nuk kurrsejnë asken
dhe asgjë.
Historia jonë i përngjanë histrorisë biblike,
vrasjes së Fëmijëve të Pafajshëm nga ana e Herodit, që vdiqën vetëm pse ai
tashmë kishte humbur arsyen dhe zemrën, ishte çmendur nga frika dhe
pushtetbartja.
Ashtu edhe fëmijtë tanë qenë masakruar vetëm pse
kishin dy “faje” jetësore: sepse ishin gjallë dhe ishin shqiptarë!
Kjo histori e shkruar me gjakun e tyre të njomë dhe
të pafajshëm gjithnjë qorton, bërtet, thërret, pret një përgjigjie e cila kurrë
s’do të arrijë prej askujt, as prej nesh, edhe më pak prej atyre që zbatuan
këtë “plan” djallëzor!
Fëmijtë tanë të vrarë, të dhunuar, të zhdukur dhe
të masakruar janë pa dyshim pasqyra më e mirë e çmimit të lirisë dhe të
pamvarësisë së Republikës së Kosovës. Haku i tyre do të peshojë gjatë në supat
dhe kokat e kriminelve, të atyre që ua mundësuna, apo ndoshta edhe u urdhëruan
që t’i bënin këto krime!
Mirëpo, gjaku i tyre mund t’na godasin edhe neve, nëse nuk dimë t’i çmojmë, t’i nderojmë, ta kryejmë dhe zbatojmë porosinë dhe testamentin e tyre të shkruar me gjak, të vulosur me vdekje, të dërdhur me pafajësi dhe me dashuri. Kujtimi i tyre për ne është i dmosdoshëm, porosia e tyre e shenjtë, familjarët e tyre, sidomos nënat, janë heroinat e ditëve tona, të cilat meritojnë kujtimin, nderimin, falënderimin, mbi të gjitha kujdesin dhe dashurinë tonë të përjetshme.