E merkure, 30.04.2025, 05:41 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Zeqir Lushaj: Artistët e gurit...

E hene, 03.09.2012, 05:03 PM


ARTISTËT E GURIT…

(Për tre vëllezërit “Gjini”, gurgëdhëndës në Tresh të Lezhës)

-…“Ooo, se ç’po punojshin tre vëllazën…”, - këndonte dikur Bik Ndoja i pavdekshëm…-

Nga Zeqir Lushaj

-Me disa breza më parë familja e këtyre djemve ka qënë e njohur jo veç si shtëpi e kamun e me emër të mirë, por edhe për mjeshtri në zonën e Bregut të Matës. Gjyshi i tyre, e dy breza perpara tij, kanë ushtruar zanatin e mjeshtrit të hekurit. Bile, edhe mbiemrin e kanë patur Kovaçi. Kulakut të Treshit, gjyshit, Jak Kovaçi, jo veçse ju mor toka nga reformat komuniste, por edhe u burgos për 18 vjet në burg politik!!...-

Tre vëllezërit Gjini

Në Rinas, mbas asaj rruge shumë të gjatë e të lodhshme nga Amerika, na priti djali ynë Lulzimi, i cili  ka mbi 20 vjet që jeton e punon në  Zvicërr, profesor në kolegjin “Champittet” të Lozanës.  Ai kish shkuar një javë përpara nesh dhe kish filluar pushimet verore te shtëpia e jonë në Mal-Shëngjin. Gjatë rrugës për në Lezhë, mbas dvetjeve të zakonshme për punën dhe shëndetin, djali më tha:

-Babi! – E di që ini të lodhur, por, sot, rrugës, pa shkuar në shtëpi, do të bëjmë një vizitë të vogël në një ndermarrje shumë interesante ku punojnë tre vëllezër, mjeshtër guri. Mjeshtër guri, por janë artistë të vërtetë.  Janë edhe djem shumë të mirë dhe unë i kam bërë miq…Sado që oxhakun e shtepisë time e solla nga Zvicrra, prap, djemtë e “Oxhakut”, të Treshit të Lexhes, i takoj vazhdimisht me shumë dashamirësi e simpati…

Reklama prezantuese e Kompanisë, me emrin etnik - Oxhaqe. (Të gjitha fotot e ketij botimi janë nga Lulzim Lushaj)

Ndërkaq, pak kilomentër pa hyrë në Lezhë, makina ndali dhe ne zbritëm në anën e djathtë të rrugës, ku menjëherë të bien sy vepra arti, krejt prej guri.

Për fatin tim të mirë, (këtë e them se isha vërtetë i lodhur),  djelmoshat nuk i gjetëm aty. Djali im më spjegoi kalimthi disa punime të tyre, zyrën e punës, magazinën etj dhe me tha;

-Në këtë orë e vapë të mesditës, ata me siguri që qenkan në pushim, Nuk po i trazojmë se na duhet që na duhet të vijmë një ditë tjetër, më me nge… Dhe si për të garantuar këtë ardhje, Luli, më ngacmoi mua pak si me humor:

- Hëëë, a je a jo redaktor i ZemraShqiptare? Kështu gjinden subjektet e shkrimeve…Për këta njerëz të punës e të zonave të largëta duhet të kujtoheni e të shkruani përditë e më shumë.

-Eh more djali im i dashur, -i thash drejt e drejt unë: -Po, dje e lajmërova drejtorin e revistës Gëzim Markun që jam me pushime tre javë në Shëngjin, e mos pritni ndonjë gjë nga unë, e tash, ti ma zure rrugën sot, pa shkelur akoma në tokë, e në një temperature mbi 40 gradë C…! -Dreq o punë…edhe kjo punë e shtypit!

Qeshëm dhe nxituam për në Shëngjin, ku edhe atje, me të mbërritur në oborr, djali më prezentoi këndin e pushimit, tavolinën “ora diellore”, që kishte bërë apostafat, tek tre vellezërit e Treshit… me porosi për mua që, më pëlqen të rrij shumë në baçe dhe e kishte vendosur aty në pushimet e vitit të  Ri 2012…

Tavolinë guri, 'Ora diellore', punuar nga vëllezërit e Treshit, per një kënd të baçes  time në Shëngjin

Po cilët janë ata të tre djem, ata tre vëllezër, ata tre artistë të gurit? Ata quhen: Aleks Gjini, Gjonarin Gjini, Alfred Gjini.

Këta janë tre vëllezërit gurgëdhendës të Treshit të Lezhës, por sot, të njohur në tërë Shqipërinë, e pse jo, edhe përtej kufinjëve të saj shtetror. Janë tre vellezër, tepër të zakonshëm në jetën e tyre buzë xhadesë, të barabartë midis të barabartëve, tepër fjalëpaktë përballë punëve shumë namëmëdha që nxjerrin nga duart.

…U takuam në një mbremje të vonë verore-gushti se, veç at’here ishte mundesia, për ne e per ata. Për ne, pushuesit, të mos na iki dita e plazhit, e për ata, punëtorë-artistët, të mos ju iku dita e punës. Ne sosëm në derën e ndermarrjes, fiks, në muzg dhe thirrëm e hymë brenda në oborr, por pa na u përgjegjur njeri. ..Mbas jo më shumë se tre-katër minutave, një skodë e ngakruar me gur ndaloi në derën e kantjerit dhe nga sipër sajë, kërcyen në tokë tre djelmosha si sokola mali. Për mua, ky ishte takimi i parë me ta.

-E sheh, -me tha im bir.Tani po kthehen nga puna, mbasi ka rënë nata dhe mbi skodën me gur…!

Kemi hyrë në dhomën e tyre modeste, që e kanë edhe si zyrë administrimi e bisedojmë për punën, jetën, arritjet, synimet…, për shumëçka. Folur kemi per shumëçka por, mua me duhet t’ia permbledhe lexuesit në jo shumë rrjeshta prezentimin e djemëve të gurit, ose me mirë të them, bisedën me Artistët e gurit.

Me disa breza më parë familja e këtyre djemve ka qënë e njohur jo veç si shtëpi e kamun e me emër të mirë, por edhe për mjeshtri në zonën e Bregut të Matës. Gjyshi i tyre, e dy breza përpara tij, kanë ushtruar zanatin e mjeshtrit të hekurit. Bile, edhe mbiemrin e kanë patur Kovaçi. Kulakut të Treshit, gjyshit, Jak Kovaçi, jo veçse ju mor toka nga reformat komuniste, por edhe u burgos për 18 vjet në burg politik!!...(Nuk po zgjatem më tej me politikën se, tashmë, sikur nuk është edhe aq interesante kjo temë).

…Aleksi, është  vëllai i madh, e si gjitjhmonë, të  madhit i bie me u provue edhe ma shumë, pra me heq më shumë Ka punuar për 9 vjet emigrant në Greqi. Atje sigurisht që punoi shumë, shikoi shumë, mendoi shumë dhe një ditë u kthye plot bindje se në tokën e tij, në atdheun e tij i ka të gjitha kushtet dhe mundesitë për të bërë diçka më shumë, për të qenë një dikushi në jetë.

Ngriti kompanin OXHAKU, ku bënin dhe bëjnë jo veç oxhakë por tani më shumë skulpëtura nga më të ndryshmet në gur si dhe  shumë zbukurime e punë dekorative nëpër kisha. Përmendet si e rrallë sidomos puna e Gjinarinit në kishën me histori 900 vjeçare të Rubikut, ku ai ka krijuar një kupë të madhe uji, në bazamentin e së cilës janë skicuar tri shenja: kryqi si shenjë e identitetit kristian, pishtari shtatdegesh, Menora, si shenjë e identitetit çifut dhe gjysmëhëna, si shenjë e identitetit mysliman…se bashku figurat konkretizojnë terësinë e Krijimit…

Na njohin me disa nga punimet e tyre dhe vertetë që njeriu simpatizohet me arritjet e këtyre vellezërve kaq artistë por edhe kaq modestë. Mësojmë nga ata se më së shumti oxhaqet kërkohen, porositen e shkojnë në zonën e Malësisë së Madhe,  brenda në qytetin e Shkodrës, por edhe në tërë rrethet e tjera. Bile, shpesh, kanë aq porosi sa nuk ua dalin dot kollaj premtimeve në ditën e caktuar klientëve. Çdo muaj kanë të  pakten 4 ose 5 oxhaqe të porositura. (Vlera e një oxhaku është 15OO dollarë…). Jo pak porosi kanë edhe për varre guri, të cilat janë shumë të bukura por edhe të pamortë ndaj motit, erërave, të ftoftit e ngricave të dimrave të ashpër në male.

Ky gur, ne doren e vellezerve 'Gjini', ka patur fatin të kthehet ne nje vajzë bukuroshe, bisht-kali...

Fillimisht, këtë punë e nisi vetem Aleksi, por sot aty punojne të tre vëllezërit, tre punëtorë të tjerë si dhe një manovrator. Pra, një ndërmarrje me shtat veta, në një fshat, nuk është edhe pak. E, nga këtu, nga të punësuarit, dolëm në temen e zgjerimit të metejshem të një veprimtatrie që tani ka dhënë prova të mjaftueshme që ecën shumë mirë. Mu përgjigjen, thuajse njëherësh të tre, se : –Po, do zgjerohemi sëshpejti. Vitin tjetër këtu do gjesh një ndërmarrje shumë më të madhe . Do hapim linjën e mermerit, Makinerit i kemi blerë…Do të jetë një fabrikë për punime artistike. E kemi blerë dhe tokën, -thonë ata, duke bërë me dorë nga parcela aty ngjitur, por këtë thënie , për çudinë time, e shoqrojnë me të qeshura!

Ku unë, insistova se pse qeshën, kur thanë e kemi blerë tokën, Aleksi, me spjegoi:

-Kemi blerë tokën tonë, or vëlla i dashur. Kjo ka qenë e famljes tonë historikisht, por reforma e komunizmit ia mori gjyshit e ua dha të tjerëve. Edhe reforma demokratike (PD+PS), ua dha prap të tjerëve, kështuqë, ne, nuk patëm rrugë tjetër dhe sot, të betohem, -kemi blerë tokën tonë për së dyti….Po, s’ka gjë. Ne jemi të kënaqur me biznesin tonë, kemi të ardhura shumë të mira, dhe do të ecim përpara, me punën tonë, me djersën tonë.

Të tre vellezerit-artistë, kanë diçka shenjtërore në paraqitjen e mardhëniet e tyre jo veç ndërveti, por edhe me të tjerët. Dy vëllezërit e mëdhenj janë të martuar ndërsa Alfredi është hala beqar. Të tre jetojnë me prinderit në një shtëpi e familje të madhe, por plot harmoni e mirëkuptim. Ata, gjithë bindje të thonë se, këtë zanat do të ju lënë edhe fëminjëve të tyre, ç’ka tregon se ata njerëz e kanë gjetur plotsisht vetveten, në tokën e tyre, në duart dhe djersen e tyre, në mendjet e tyre që lindin çdo ditë ide dhe art. Po, po, ide dhe art. Art të mirëfillt. Ata, respektojnë punën e të tjerëve dhe na thonë se ka jo pak kompani të tilla në tërë vendin, por ama, nuk ndjehen hiç të konkuruar.

…Shikoni statujën e Nënë Terezës… E gjallë, përshëndet dhe bekon kalimtarët në rrugët e atdheut të vet që e deshiroj gjithë jetën në të gjallë…!

Nanë Tereza (prej gurit të Lezhës së Gjergj Kastriotit)

Kushdo befasohet kur shikon makinën me të shtenjtë të botës, krejt me gurë të gëdhendur, me ide, me limë e çekiç veçanërisht të vellait të vogël Alfredit. Një mrekulli, është pak të thuash. Ajo, e vendosur në anë të rrugës tërheq vëmendjen e thuajse të gjithë kalimtarëve dhe jo pak edhe ndalen e shikojnë deri në habi. (Bile, një ditë një grup gazetarësh, kur ndiqnin përmbytjet në Veri, ndaluan dy herë aty dhe patën bërë edhe një shkrim në gazetën “Shekulli”.

Dimensionet e mjetit janë thuajse reale të mjetit të pistave sportive te formula e Uno-s. Simbas Gjonarinit, ai është 3 metër e 40 centimetër gjatësi. Rreth tre muaj kohë pune ka dashur ky mjet me peshë 6 ton gur të mbledhur nga shumë karriera në rrethe të ndryshme të Shqipërisë.

Në mjeshtritë e këtyre vëllezërve ka një gërshetim të gjetur, të natyrshëm të ideve shkencore, shoqrore, fetare, politike e patriotike, në daltën që godet e krijon në gur. E ku ka gjë më të bukur se sa të punosh në gur, të krijosh me gur, të besh atë që ke në mendje, me gur. Të duket se nga kjo fjalë gur, buron edhe fjala e gjithfuqishme shqiptare e si-gur-të!

Na vjen në mendje, pse jo, edhe Dritëroi me një nga librat e tij, ku na e kujton që në titull, se ashtu si dalta, edhe “Fjala gëdhënd gurin”.

Ferrari prej guri

Me sa duket, ish kulakët e Bregut të Matës, e tregojnë çdo ditë veten se janë punëtorë, se janë patriotë e atdhetarë të vërtetë. Aty, sot, është gërshetuar për mrekulli bujqësi-industria. Babai i tre vëllezërve, ose siç po më lelqen mua t’i quaj “Artistët e gurit”, është një fermer i shkëlqyer. Mjafton të themi se, krahas shumë të tjerash produkte bujqësore e blegtorale,  ai kujdeset e kultivon në fermën e tij plot 700 rrënjë ullinj. Dhe themse nuk duhet ndonjë fakt tjetër për të kuptuar  plotshmërinë e punës së tij e të krejt familjes së nderuar ‘Gjini”, ish-Kovaçi. Një familjeje të tillë, të njohur në të gjithë krahinën, sa shumë i shkon edhe emri i kompanisë që kanë ngritur djemtë: -Oxhaku! Emri, është kuptimplotë dhe në vend të vet!

…!

Biseda ishte shumë e këndëshme, mund të them se për mua ishte diçka impresionuese, emocionuese. Ndoshta nga pasioni i vjetër i punës së gazetarit, ndoshta nga ngarkesat jo të vogla të 15 vjetëve në kurbet, përtej Oqeanit! Por, më mirë me thënë: -të gjitha ngapak e sëbashku.

Të gjithëvëmëndëshëm në bisedën tonë shumë miqësore, krejt familjare…, birrat, ndonëse të ftofta, që na i solli vëllai i vogël Alfredi, u nxenë, të harruara mbi tavolinë…

…Në freskun e rreth orës 11 të darkës, ne, shpejtojmë në rrugën e plazhit, drejt Mal-Shëngjinit…

Në mendje kam tre vëllezërit “Gjini”, për gjithë sa pamë e folëm sebashku. Në buzë, krejt si vetvetishëm, më vjen melodia e këngës së vjetër të Bik Ndojës së famshëm:

-“Ooo, ç’po punojshin tre vëllazën… “.

Tre vëllezërit Gjini, meritojnë simpati e respekt. Ata shohin shumë larg. Dhe me siguri, shumë larg do të shkojnë. Unë kam kënaqësi që u njoha me ta, edhepse, pa dijeninë time, kisha qenë një klient i artit të tyre prej guri. Nuk e di se si vijnë gjërat në këtë botë, por, vitin tjetër, do të kisha shumë deshirë që  ata të më thonë se: -Jo pak klientë, kanë ndaluar këtu dhe na kanë thënë se, -Ju kemi njohur nga Interneti, nga revista ZemraShqiptare!

...At’herë, nuk do t’i lemë më birrat, që të  ngrohen mbi tavolinë…!

Zoti i ndihmoftë ata, “Artistët e gurit”,  në sipërmarrjen e tyre shumë të guximshme e shumë të suksesshme për përsosjen e gurit në art, e të artit në gur.

------------------------

(Ekskluzivisht për ZemraShqiptare. Lezhë, gusht 2012)



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx