Udhëpërshkrim
Vangjush Saro: Shqiptarët e Vankuverit
E premte, 27.07.2012, 08:43 PM
Shqiptarët e Vankuverit
Nga Vangjush SARO
Është e vështirë
për të thënë shumë në një shkrim të krijuar mbi shënime e përshtypje nga një vend
që është ende i pashfaqur plotësisht. (Pas Rusisë, Kanadaja është vendi më i
madh në botë për nga sipërfaqja.) Për më tepër, në ritme zhvillimi dhe norma
emigrimi të mirënjohura; por që renditet gjithnjë në vendet e para - sa i takon
mirëqenies dhe vlerave njerëzore e demokratike - në të gjitha llojet e
statistikave. Ndërkaq, vetë komuniteti shqiptar në Kanada është në rritje, paçka
se i vogël krahasuar me komunitetet e tjera që jetojnë këtu. Dhe të tilla janë shumë.
Veçmas,
British Columbia është një shoqëri multietnike, Kryeqendra e saj, Vankuveri,
edhe vetë është një qytet i ri, i krijuar në kapërcyell të shekullit që shkoi; 52%
e banorëve të tij nuk e kanë anglishten gjuhën e parë. Vankuveri e rrethinat e
tij, shtrihen në veri-perëndim të vendit, përgjatë Luginës Frezer dhe përballë gjigandit
Pacifik; ai është “i mbrojtur” nga ishulli madhështor e me të njëtin emër dhe është
cilësuar si një mbijetesë e lumtur mes multikulturalizmit dhe ambientit që i
rrethon.
Vankuveri
është quajtur gjithashtu “qyteti me më shumë gjallëri në botë”, nga një listë prej
127 qytetesh të mëdhenj e të vegjël. (Vlerësimi është bërë nga “Economist
Intelligence Unit” dhe “UN-Habitat”. Në një dokument të publikuar nga “UN-Habitat”,
shkruhej: “Vankuveri qëndron në krye të 127 qyteteve për infrastrukturën e tij
të projektuar dhe të realizuar, për pasurinë kulturore dhe ambientale, për
nivelin e ulët të kriminalitetit dhe për thjeshtësinë për të siguruar të mira
dhe shërbime të çdo lloji”.
Qyteti ka
603.000 banorë, 2.3 milionë duke përfshirë edhe rrethinat; Port Metro Vankuver është
nga më të mëdhenjtë e Amerikës Veriore. Gjithsesi, emblema e Vankuverit është turizmi,
(industria numër dy për të), po ashtu është mjaft i njohur në fushën e kinemasë;
mban vendin e tretë për prodhimin e filmave pas Los Anxhelosit dhe Nju Jorkut. Qendër
e zhvillimit të Lojërave Olimpike dhe përherë në hartat e turistëve nga e gjithë
bota, me parqet e mrekullueshmme dhe përgjithësisht nivelin e lartë të jetesës,
Vankuveri është një nga qendrat e lumtura të ruzullit. (Në Vankuver ka lindur
edhe miku i shqiptarëve e Kosovës, shkrimtari dhe albanologu Robert Elsie (1950).
Nga Burnaby, qytet pothuaj i bashkuar me Vankuverin, është këngëtari i njohur
Michael Buble.)
?
“Shoqëria
Shqiptare e BC (British Kolumbia)” është pjesë e jetës në ritëm e mirëqenie të këtij
qyteti të bukur. Shqiptarët janë pjesë e aktiviteteve, ndërtimeve dhe festimeve
që karakterizojnë këtë metropol, të cilin bukuria natyrore dhe klima e
qendrueshme e kanë shndërruar në një qendër model bashkëjetese. Kështu, kujtojmë
se në festimet për ditën e Kanadasë (Canada Day), edhe këtë vit u përfshinë gjallërisht
edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Kanada. Duke pasur parasysh këtë eveniment,
por edhe për të shprehur gëzimin për stinën e ngohtë, ditë më parë, Shoqata e
Shqiptarëve të Vankuverit - e njohur
edhe si “Shoqëria Shqiptare e BC (British Kolumbia)” - mblodhi në Parku
Cresend, në një piknik në natyrë, dhjetra shqiptarë që jetojnë e punojnë në Vankuver.
Ata kishin ardhur nga Vankuveri dhe qytetet e tjera në rezen e tij, si Burnaby,
Delta, Surrey, etj. Kryetari i Shoqatës Estref Resuli, nënkryetari Edison Heba,
si dhe anëtarët e Këshillit Drejtues, por edhe veprimtarë të tjerë të kësaj
shoqate, ishin kujdesur që organizimi i piknikut të shërbente edhe si një tubim
i lirë i të gjithë shqiptarëve që banojnë dhe punojnë në Vankuver e rrethinat e
tij.
Ashtu siç
janë shprehur në shtyp edhe veprimtarë e zëdhënës të shoqatës, misioni i saj është
organizimi, bashkimi dhe forcimi i frymës vëllazërore midis anëtarëve të komunitetit
shqiptar që jeton dhe punon në B.C.; po ashtu, kultivimi dhe forcimi i marrëdhënieve
miqësore të ndihmës dhe bashkëpunimit midis popullit shqiptar dhe atij kanadez,
ndihma dhe përkrahja e emigrantëve të rinj në B.C., etj. (Me përkushtimin dhe
devotshmërinë e treguar nga të gjithë shqiptarët e British Kolumbia, kryesisht
të Vankuverit dhe Vankuver Mainland, kjo shoqëri po forcohet gjithmonë e më shumë,
duke krijuar kështu një imazh të mirë të shqiptarëve në komunitetin e madh
multi-etnik të British Kolumbias.)
Takimet e
anëtarëve të shoqatës janë të herëpashershme, natyrisht edhe duke u motivuar
nga kërkesa dhe ngjarje të rëndësishme. Më parë, shqiptarët e Vankuverit ishin
mbledhur edhe për të kremtuar Festat e Nëntorit dhe, më pas, ato të Fundvitit. Gjithsesi,
pikniku i verës, i motivuar edhe nga Canada Day, tregoi edhe njëherë se
shqiptarët që tashmë jetojnë dhe punojnë në Vankuver, janë një komunitet në rritje;
në të njëjtën kohë, ata po e konsolidojnë çdo ditë vetëdijen për trashëgiminë,
por edhe perspektivat e jetës në një kontinent tjetër. Në ndihmë të këtij
mentaliteti promovues dhe të këtyre veprimtarive, është tashmë edhe një faqe
interneti, ku pasqyrohen ngjarjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe Kanadanë,
me aktivitete të shoqatës dhe, po ashtu, përvojat e ndryshme të qytetarëve me
origjinë shqiptare tashmë rezidentë apo qytetarë zyrtarë të Kanadasë.
Anëtarët
e Shoqatës së Shqiptarëve në Vankuver, ku tashmë janë përfshirë disa breza, nga
të posalindurit deri te më të vjetrit, bëjnë ç’është e mundur të mbajnë gjallë frymën
e dashurisë për vendin e lindjes dhe të ushqejnë edhe fëmijët me gjuhën e
vendlindjes dhe traditat e cilësitë më të mira të saj. Edhe në këtë piknik në natyrë,
në traditën e vendit, krahas një dreke të pasur, si dhe bisedave për punën dhe
problemet familjare, u zhvilluan lojëra tradicionale si tërheqja e litarit dhe
vrapimi në thes. Më të rinjtë zhvilluan edhe ndeshje futbolli, ndërkohë që një pjesë
e më të vjetërve “nuk bënin dot” pa ndonjë bisedë të nxehtë politike. Gjithsesi,
aspirata e tyre, aspirata e të gjithëve, është që vendi-mëmë të përparojë dhe të
përfshihet me dinjitet në të gjitha organizmat perëndimore.
?
Më parë,
edhe në Tiranë, me rastin e ditës së Kanadasë (Canada Day), Instituti i Çështjeve
Kombëtare - INA (Albanian Institute of
National Affairs) ka organizuar ngritjen e flamurit kombëtar të Kanadasë në sheshin
përpara ”Hotel Tirana International”, (1 korrik 2012). Siç është paqyruar në media
edhe nga zëdhënësi i kësaj shoqate, ky aktivitet ka qenë pjesë e veprimtarisë së
njohur të Institutit për të promovuar dhe forcuar më tej marrëdhëniet e miqësisë
dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kanadasë. Ai zhvillohet nën kujdesin
e z. Kastriot Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i INA.
Po ashtu,
në po atë mbrëmje, në skenën e Teatrit të Kombëtar të Operas dhe Baletit do të ngjiteshin
mbi 40 artistë të orkestrës sinfonike “West Coat” të Vankuver-it nën drejtimin
e maestro Bujar Llapajt. Ky koncert vinte për publikun shqiptar pikërisht në Ditën
e Kanadasë, por edhe në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. (“West Coast
Symphony”, është krijuar në vitin 1970 si një orkestër amatore harqesh dhe
tashmë ajo është nga më të njohurat në Kanadanë Perëndimore, me mbi 20 koncerte
në sezon dhe me një repertor të pasur.)
Ndërkaq,
asistenca dhe ndihma e qeverisë së Kanadasë për Shqipërinë nuk ka munguar në projekte
të caktuara, duke përfshirë gjithë fushat e zhvillimit. Nga viti 1996 deri në vitin
2011, Kanadaja ka dhënë për Shqipërinë mbi 30 milion dollarë. Por një prezencë më
e madhe e investimeve kanadeze në Shqipëri, do të bënte të mundur promovimin e
imazhit të vendit në tregun ndërkombëtar, fuqizimin e ekonomisë dhe zhvillimin
e potencialeve të vendit, duke sjellë shtrirjen e këtyre mundësive në hapësirën
mbarëshqiptare.
Në përmirësimin
e mëtejshëm të këtyre raporteve e objektivave, luan një rol të rëndësishëm edhe
“Shoqëria Shqiptare e BC”, që tashmë është duke e prezantuar gjithnjë e më mirë
komunitetin shqiptar në Vankuver dhe më gjerë.