Udhëpërshkrim
Leonidha Peppo: Përvoja të vyera për Kardiologjinë
E hene, 09.07.2012, 06:07 PM
Nga e djathta: Dr. L.Peppo, Dr. M. Kapaj, Dr.G. Hakrama
PËRVOJA TË VYERA PËR KARDIOLOGJINË, NË KONGRESIN E BARCELONËS
(Duke shfletuar bllokun e shënimeve)
Nga: Dr. Leonidha Peppo - Tiranë
1.
Është shkruar
dhe më parë për pjesëmarrjen e mjekëve shqiptarë në kongrese e konferenca ndërkombëtare
të rëndësishme mjekësore, ku ndihmesat aktive të tyre kanë qenë të suksesshme. Kësaj
radhe, dëshiroj të sjell shkurt në kujtesën e lexuesve të interesuar, nga fusha
e mjekësisë ose jo, Kongresin Vjetor të Kardiologjisë Europiane, zhvilluar në Barcelonë
(Spanjë), nga data 29 gusht e deri më 2 shtator 2009. Vërtet ka kaluar një kohë
ca e gjatë, por mendoj se mësimet dhe vlerat e kësaj veprimtarie aq masive mbeten
ende aktuale. E them tani këtë gjë, duke marrë parasysh diskutimet e bëra, si
dhe përfundimet me vlera afatgjata, që u arritën aty.
Pjesëmarrje
në atë Kongres ishte e jashtëzakonshme, me 30.000 delegatë. Ndërsa delegacioni
shqiptar kishte në përbërje një grup me 34 mjekë.
Për
dijeninë e lexuesve, në kongrese të kësaj natyre, çdo shtet pjesëmarrës çel
vazhdimisht stendën e vet, me emblemën përkatëse
të tij. Kështu, një kënd i veçantë i ishte lënë edhe Shqipërisë. Presidentja e
Shoqatës së Kardiologjisë Shqiptare (SHKSH), prof. Mimoza Lezha, krahas te dhënave
për ecurinë e kardiologjisë shqiptare ndër vite, kishte paraqitur në disa
stenda edhe pamje nga vendi ynë. Prania e përhershme e sekretares së SHKSH-së në
pavionin shqiptar, iu jepte të pranishmëve mundësira të shumta, si për të shuar
kureshtjen e pamjeve të mrekullueshme të vendeve turistike të vendit tonë,
ashtu edhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të vizitorëve. Sigurisht që sot nuk është
kush e di se çfarë, që të njohësh 2 apo 3 gjuhë të huaja. Kështu, përfaqësuesja
shqiptare, njohëse e mirë e gjuhës angleze, qendronte e qetë dhe e sigurtë pranë
stendës shqiptare. Ne bëmë edhe foto përkatëse aty.
Pallati i
Kongreseve ishte i stërmadh, me një mori sallash, të mbushura dhe të vena në shërbim
të atyre, që me pasion e punë të palodhur e këmbëngulëse, do të referonin apo
do të mbanin leksione përpara të tjerëve, që janë po aq të ditur sa ata, te cilët
qendronin lart në foltore. Kërkohej përgjegjësi e madhe, se duheshin pritur dhe
pyetjet, rreth temave të tyre. Ata, që për mungesë kohe nuk mundën të flisnin nëpër
seanca, pasi temat ishin të shumta dhe koha në dispozion jo e mjaftueshme, iu
dha mundësia të shpalosnin punimet e tyre kërkimore e studimore shkencore nëpër
postera. Tabllorat me përmbledhje të përqendruara ishin vendosur në salla të veçanta.
Ndërsa, në orare të caktuara e të kufizuara, autori përkatës qendronte pranë stendës
ë tij, gjithnjë i gatshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të delegatëve. Natyrisht,
kjo kërkonte përgatitje të lartë profesionale dhe gjuhësore, pasi çdokush duhet
të dialogonte me të interesuarit.
Në këtë Kongres,
Shqipëria u përfaqësua me tema: nga mjekja e pasionuar, Nereida Xhabija; të talentuarin
Alban Dibra dhe Prof. Gani Bajraktarin, nga Prishtina, gjithmonë i suksesshëm në
të tilla ngjarje shkencore kardiologjie. Ata paraqitën punimet e tyre dhe ishin të aftë të diskutonin me nivel të lartë
shkencor, me kolegët perëndimorë, gjë që u vlerësua mjaft prej tyre.
Grupi ynë
kishte në përbërje të tij 11 veta, të cilëve pjesëmarrja në këtë Kongres iu
mundësua falë mbështetjes financiare të Kompanisë së mirënjohur farmaceutike,
KRKA. Përfaqësuesja e saj, znjsh. Arenza
Bodeci, me zotësinë e saj karakteristike, u përpoq të ndihmonte në çdo gjë. Grupi
ynë u vendos në një zonë të njohur, Barceloneta, në një hotel të thjeshtë, por
mjaft komod. Ishim miq të mirë, mjekë të zemrës dhe patëm marrëdhënie të shkëlqyera
midis njëri-tjetrit. Të gjithë vendosëm që, si pjesëmarrja në punime, ashtu
edhe lëvizjet jashtë Pallatit të Kongreseve, t’i bënim së toku.
Barcelona,
qyteti më i bukur i Spanjës, kurdoherë të ofron bukurira, që ia vlen t’i
shijosh. Për këtë, na erdhi në ndihmë edhe organizimi i shkëlqyer, në hyrje të mjediseve
të Kongresit. Sportele të panumërt qendronin të hapura gjatë tërë kohës dhe, me
shënimet përkatëse, të orientonin mjaft
mirë. Ato tregonin udhërrëfyes turistikë, nga ku delegatët mund të merrnin të dhëna
për vendet karatestike të turizmit spanjoll. Po kështu, ofroheshin shërbime të ndryshme,
jepeshin informacione për veprimtaritë kulturore e artistike të javës. Pra,
gjeje përgjigje për gjithçka kërkoje. Në këto mjedise informuese shërbenin shumë
të rinj dhe të reja, të cilët flisnin një anglishte të kulluar dhe ngahera
ishin të gatshëm për të të ndihmuar.
Por, përpos
këtyre që përmenda më lart, vinte përmbajtja e punimeve të Kongresit, pra ato
ajo që i terhiqte gjithë të pranishmit, zhvillimi i seancave profesionale për çështje
të ndryshme të kardiologjisë. Aty, lektorët e njohur, por edhe të tjerë,
shpalosëm plot entuziazëm punimet e tyre, duke reklamuar personalitetin
shkencor dhe duke tërhequr vëmendjen e të
pranishmëve.
Shumë vemendje
tërhoqi përfaqësuesi i shquar i kardiologjisë në gjithë botën, Eugent Braunëald. Ky është arkitekt dhe zbatues i
botimit të rëndësishëm shkecor, “biblës” së kardiologjisë “Zemra”. Së bashku me
Harts, autor tjetë, kanë bërë 2 botimet e kardiologjisë botërore. Ky mjek i
shndritshëm, rreth 85-vjeçar, në leksionin e vet, foli për të ardhmen e
kardiologjisë, në vitet 2016-2020. Prandaj salla ishte e mbushur plot, ku
sigurisht ishim edhe ne shqiptarët. Ndërsa për habinë tonë, kur prof. Braunëald
mbaroi leximin e punimit të tij shkencor, salla u boshatis, sikur të tjerë lektorë
pas tij ishin pa vlerë!?
Pa u
zgjatur, tani shënoj këtu se përfitimet tona profesionale nga ai Kongres ishin të shumta dhe me vlera në punën
tonë të mëtejshme me pacientët. Kështu, për shembull, na bënë përshtypje në temat
e lexuara ose jo problematika të tilla, si: stenoza e aortës dhe përfitimet nga
operacioni në të, përsa i përket cilësisë së jetës; luftimi i SIZ-së, duke
modeluar direkt pjesën që i takon në gen; mjekimi i aritmive supraventrikulare
dhe aritmive ventrikulare, efektet anësore të medikamenteve etj.
2.
Bukuritë e
qytetit të Barcelonës do të bëheshin synim i kënaqësisë së gjithë delegatëve,
nga vende të ndryshme, pra dhe nga Shqipëria. Qyteti kish ndërtesa me kube
karakteristike e të zbukuruara, që tëhiqnin menjëherë kureshtjen të veçanta të cilitdo,
ndryshe nga qytete të vendeve të ndryshme, që kemi parë. Kjo rrymë e veçantë quhet
gaudizëm, nga arkitekti i famshëm Gaudi, së bashku me piktorin impresionist,
Pikaso, që njihen ndër njerëzit më të shquar të Barcelonës. Vend turistik dhe i
dalluar ishte Katedralja, kishë e vitit 1803, e cila ndodhej në një kodër mbizotëruse
të qytetit, me një pamje madhështore, të shpalosur në sytë tanë. Si kudo në vendet
e tjerë, edhe Barcelona ka “Harkun e Triumfit”, simbol i fitoreve përparimtare.
Ai ishte me tulla të kuqe, jo shumë i madh e i mbuluar me skulptura të njerëzve
të shquar vendës, si Pau, Rodriguez… Aty na shoqëruan poza të përbashkëta
fotografike, duke fiksuar kështu kujtime të paharruara, si për ne dhe familjet
e të njohurit tanë.
Pas « Harkut
të Trumfit » shikohej gjatësia e shëtitores me drurë, lule e llampadarë. Në të dyja
anët e saj, stolat e zbukuruar për të ndenjur, të bënin ta shijoje atë hapësirë
të rrallë. Në fund të asaj shëtitoreje, ku ishte e ndaluar hyrja e makinave,
shtrihej i mrekullueshmi « Parku i tre dragojve ». Në hyrje të tij ngrihej madhërishëm
Muzeu, me të njëjtin emër. Aty të priste skeleti i një dragoi të stërmadh. Gjithashtu,
aty bëmë foto të shumta, në kujtim të kësaj kafshe, e cila nuk gjendet më dhe
na çon mendimin në lashtësi. Ky park është krenaria e Barcelonës. Ndërkaq,
mendja na shkonte edhe te parqet e Parisit.
Kompania
farmaceutike “Novartis” organizoi për pjesëmarrësit shqiptarë një darkë, në një nga restorantet e mira të Barcelonës. Takimi
për pjesëmarësit u la te kisha e quajtur “Sagrada familja” (familja e shenjtë),
që ua mbylli gojën vështruesve për një çast, me madhështinë e format e veçanta,
të papara më parë. Por pastaj i la rrugë diskutimeve me ndjenja të ndryshme,
sipas perceptimit vetjak. Mua, personalisht, më la përshtypje shumë të madhe,
saqë aty dhe më vonë, në Shqiperi, ua tregoja
me tone të larta entuziaste, të njohurve të mi. Pranë hotelit tonë shtrihej
Deti Mesdhe, i pafund, me hotele e plazhe. Menjëherë aty pranë ndodhej sheshi “Colombo”
dhe në mes ngrihej obelisku shumë i lartë, me zbukurime në bazë dhe në majë ishte
statuja e kërkimtarit dhe zbuluesit të famshëm botëror, Kristofor Kolombi. Ishte
me pamje nga deti dhe dorën e djathtë të ngritur lart, po në atë drejtim, duke
dashur të thotë “Andej”. Kjo fjalë përmbledh gjithë veprën e tij, përtej detit.
Shumë pranë
tij, në këmbë, qendronte muzeu i vogël e me 5 anije të tilla, që mundën të arrinin
në fund të ekspeditës. Njëra ishte më e madhe, me vendin ku rrinte udhëheqësi,
si një kabinë e vogël, mbuluar me batanije. Këto m’i tregonte miku im, Kristaq
Miço.
...U larguam
nga Barcelona pikërisht në ditën, kur u caktuan ministrat e rinj, që dolën nga
zgjdhjet e 28 qershorit 2009. Ata, që u lidhën me Tiranën, njëherësh, mundën t’ua
tregonin këtë gjë kolegëve të tjerë. Ndërsa të gjithë ne e dinim mirë, se jeta
në Atdheun tonë rrjedh njëlloj dhe gjithmonë e dashur, duke dhënë siguri për
jetesën dhe përparimin e pandalshëm.
Sigurisht,
përvoja e fituar në Kongresin e Barcelonës do të na shërbente ne, në punën tonë
të metejshme me pacientët, në fushën e kardiologjisë.
Tiranë, 24 qershor 2012