E merkure, 30.04.2025, 05:11 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Xhelal Marku; Historia atdhetare e Reçit, Dibër

E diele, 19.08.2012, 03:59 PM


Në nderim të historisë atdhetare të Reçit e të Dardhës, Dibër

Nga Xhelal  Marku

Në historinë 100 vjeçare të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, lufta e Kolesjanit në mbrojtje të trojeve shqiptare nga sulmet serbe, në vitin 1912, si dhe revolta kundër çarmatosjes, në Kodër të Kacës, në vitin 1941, kanë mbetur si dy nga ngjarjet më kulmore të qëndresës atdhetare të krahinave të Reçit e të Dardhës në rrethin e Dibrës. Janë pikërisht këto dy ngjarje, që përjetësuan në altarin e historisë së Kombit, emrat dhe kontributin e këtyre dy krahinave të njohura të qëndresës atdhetare në vend.

Ndaj, reçjanët e dardhasit e Dibrës, përulen me respekt para veprës së paraardhësve të tyre dhe betohen njëkohësisht, se amanetin që ata lanë, dashurinë për këtë vend, do ta përcjellin në përjetësi, e  brez pas brezi, si trashëgiminë më të çmuar të këtyre Trojeve të lashta. Ikin e vijnë përvjetorët dhe historia e Reçit dhe e Dardhës e ngjeshur me gjerdanë lirie, hedh hapin e saj krenar drejt së ardhmes. Ajo mburret me të kaluarën e saj, shkruar përmes grykës së pushkës nga ajkë e trimërisë atdhetare, por dhe krenohet për të sotmen e ndritur, ku po integrohet me dinjitet dhe me gjithë vlerat më të spikatura të shqiptarisë në familjen e madhe europiane. Një histori kjo, e mbushur me plot vlera e sakrifica, ashtu siç i mësoi vetë koha njerëzit e saj, që edhe kur mungonte shteti, ata ditën të gjejnë zgjidhje, ditën t`i thërrasin mençurisë së Kuvendeve të Krahinës, vlerave më të mira të zgjuarësisë dibrane, që për hir të çeshtjes kombëtare të jenë kurdoherë të bashkuar, e në unitet me njëri-tjetrin, duke lënë mënjanë dasitë e dallimet e tyre të përkatësisë. Ndaj, tradita e Kuvendeve në Reç e Dardhë, ishte dhe konsiderohet si trashëgimia më e mirë e vlerave atdhetare të zonës, sepse në këto vatra kuvendesh janë ideuar, projektuar e realizuar në shekuj, vlerat më të mira të historisë atdhetare të Krahinës. Në këto kuvende u rritën e u formuan edhe disa nga figurat më të rëndësishme të Dibrës, si, gjeneralët: Elez Isufi e Dali Ndreu, si dhe plot figura të tjera të njohura e të respektuara të këtij vendi, si: Baftjar Doda, Cen Elezi, Hasan Marku, Hysen Vladi, Sul Marku, Sheh Halimi, Mahmut Laçi, Ramadan Cani, Merë Troci, Mehdi Kaca, Rrahman Mziu, Sheh Ymeri, Rrahman Rasha, Hysni Kaca, Selim Lila, Selman Ahmeti, etj. Dhe, ashtu si qëmoti në Kuvendet e tyre të përfaqësimit, në këtë përvjetor të madh pavarësie, janë mbledhur e kuvendojnë përsëri burrat e krahinës, janë mbledhur për të festuar e për të nderuar njëkohësisht veprën e të parëve të tyre. Mblidhen e kuvendojnë ata, për historinë e së shkuarës, për trimat e rënë, për të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi me tradita të shquara atdhetare e kulturore në Dibër.

Rrugës për tek Kodra e Kacës

Ishte një ditë e freskët pranvere e mesmajit ajo, kur ne, një grup shokësh nga Tirana, ish banorë të zonave të Reçit e të Dardhës, nisëm udhëtimin tonë drejt Kodrës së Kacës të Dibrës, ku 71 vjet më parë, 700 burra të krahinës, shkruan historinë e tyre të qëndresës atdhetare përballë pushtuesit dhe shërbëtorëve të tij, që kërkonin çarmatosjen e popullsisë, për të sunduar lehtësisht zonën. Ishte një ngjarje, që duhej respektuar për vlerat e saj në krahinë, ndaj udhëtimi ynë kësaj here kishte motiv atdhetar. Duhet thënë, se shkak për këtë udhëtim tonin, u bë biri i Kullës së Canit në Dardhë, Mal Cani, kryetar i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”, i cili në bashkëpunim dhe me familjet pjesëmarrëse në ngjarjen historike të Kodrës së Kacës, organizuan për herë të parë festimin dhe përkujtimin e kësaj dite të shënuar në historinë e qëndresës atdhetare të kësaj zone. Si të ftuar që ishim, vendosëm që udhëtimin tonë ta bënim përgjat rrugës së Kombit, për të vazhduar më pas me udhëtimin në rrugën e re Kukës-Peshkopi, e cila po asfalton kilometrat e saj të fundit. Një udhëtim i këndshëm, por dhe mbresëlënës, pasi midis nesh, kishte edhe persona, që rrugën e Kombit e përshkonin për herë të parë. Habi e relaks gjatë këtij udhëtimi, që shumë shpejt na solli tek Tuneli i famshëm i Kalimashit, një kryevepër e përmasave botërore, që të emocionon me vlerat e saj, sa herë kalon përmes tij. I afrohemi Kukësit, ku në sytë e të gjithëve, duket se Rruga e Kombit i ka dhënë atij një tjetër nur, një tjetër shkëlqim, ndaj vendosëm të qëndrojmë këtu, për të pirë kafen e mëngjesit, në një nga baret më të rinj e modern, të ngritur tani së fundmi, mu në qendër të qytetit. Sigurisht, kur shkoj në Kukës, nuk mund të rri pa e takuar mikun tim Zylfi Elezi, të cilin kuksianët janë mësuar ta thërrasin me emrin përkëdhelës – Bush, pra babush dhe jo për moshë, por për respekt ndaj figurës së tij. Një telefonatë nga ana ime dhe ai menjëherë ka qënë i pranishëm në shoqërinë e kësaj kafeje, për të na respektuar si miq. Një tavolinë më tej ishte edhe shoku i tij Hasan Halili, kryetar i Bashkisë së Kukësit, i cili në respekt të Zylfiut dhe tonin na pagoi dhe kafetë, një veprim ky, që shpreh bujarinë tradicionale të kukësianit për mikun. Por ky veprim i një titullari është për t`u respektuar dyfish, sepse rrallë herë ndodh, që homologë të tij të fusin dërë në xhep për të paguar tavolinën e tyre, e jo më të mikut. Ndaj mirënjohje dhe respekt zoti Halili, për bujarinë tuaj! Ka qënë një relaks i vërtetë koha e qëndrimit në këtë Bar të ri të Kukësit, ku ne shijuam jo vetëm shërbimin e kulturuar, por dhe peisazhin e bukur të liqenit të Fierzës, të mbushur plot e përplot me ujë, si asnjëherë tjetër në këtë stinë, ku po “trokasin” thatësira dhe temperaturat e larta të Verës. Kot nuk i thonë, se dora e mbarë sjell “bereqet”. Edhe kryeministri ynë, zoti Sali Berisha, si dorë e mbarë që është, i ka grat puna, i ecën mbarë edhe kur kriza kërcënon kudo në botë. Lëmë Kukësin dhe nisim udhëtimin tonë në rrugën e re Kukës-Peshkopi me dy korsi, një tjetër mrekulli e këtyre anëve. Edhe kjo “bereqet” i qeverisë është, do apo nuk do dikush. Ashtu siç është “superbereqet” Tuneli i Kalimashit, Tuneli i Krrabës, Rruga e Arbërit, Autostrada Tiranë-Elbasan dhe shumë e shumë objekte të tjera në mbarë vendin tonë, për të cilat Edi Rama, ende nuk ka thënë asnjë fjalë të mirë për to. Në anë të rrugës në Kolesjan, ngrihet lapidari në përkujtim të qëndresës heroike të krahinave të Reçit, të Dardhës e të Lumës, në vitin 1912, të cilat u bashkuan dhe i thanë hasmit serb:  “...Ndal! Ka zot ky vend. Këtej, nuk kalon dot, pa shkelur mbi trupat tanë...”. Një histori kjo, e larë me gjakun e 12 mijë serbëve, që mbetën istikameve përgjat luginës së Drinit të Zi. Ndaj, përulemi me respekt pranë lapidarit, që përjetëson këtë ngjarje të madhe historike të Krahinës e të mbarë Kombit tonë. Rruga e re, mbi të cilën vazhdojmë të ecim, na shpie në luginën e thepisur shkëmbore të lumit të Bushtricës. Edhe këtu befasohemi nga një tjetër “bereqet” i qeverisë. Është hidrocentrali i ri, që po hedh shtat çdo ditë në shpatet e kësaj lugine, për ta kthyer ujin e bjeshkëve të këtij lumi të rrëmbyeshëm e tekanjoz, në më shumë dritë për banorët e këtyre anëve. Po t`i shohë pa syza opozita këto punë, këto investime, sigurisht nuk do të ketë guxim të bërtasë me të madhe, për ta dëgjuar dhe ndëkombëtarët, se “...Shqipëria është në krizë të thellë ekonomike!..”. Sigurisht, kjo thënie bie dhe për arsyen e thjeshtë, se aty ku bëhen investime, veç krizë nuk mund të ketë; ndaj, nihilistët duhet të sajojnë ndonjë tjetër gjë, më të besueshme, qoftë edhe për ata, që situatën duan ta shohin me syzet e tyre të bllokimit. Tradita e shqiptarit është ta respektojë “bereqetin” dhe jo ta përbuz atë, sepse vetëm kështu, ai sjell mbarësi dhe prodhime të bollshme në vazhdimësi. Rruga e re i kalon fare pranë edhe pikës turistike të Ujit të Ftohtë të Vleshës, një burim i veçantë kurativ ky, i destinuar tërësisht për turizëm shëndetësor dhe konkretisht për sëmundjet reumatizmale, i cili gjatë stinës së Verës, frekuentohet nga shumë turistë vendas, por dhe të huaj. Ai buron rrëzë një masivi të bardhë shkëmbor të gipsit të Malit të Radomirës dhe ka një sasi të konsiderueshme uji, por që mungojnë tërësisht kushtet e trajtimit të turistëve, të cilët deri tani, u janë mirënjohës vetëm mikpritjes e bujarisë së banorëve vendas, të fshatit Vleshë. Kur i afrohemi fshatit Sllovë, përballë na shfaqet si në pëllëmbë të dorës, Zalldardha dhe më lart edhe Kodra e Kacës me lapidarin e saj të bardhë, që përjetëson historinë e qëndresës atdhetare të vitit 1941, të krahinave të Reçit, Dardhës e të Çidhnës, të cilat u bashkuan për t`i thënë jo, çarmatosjes nga pushtuesi. Pranë rrugës, në të djathtë të saj, shkëlqen me bardhësinë tipike edhe varreza familjare e Vatrës së atdhetarit të njohur të krahinës, Cen Elezi. Është momenti për një tjetër qëndrim këtu, për të nderuar emrin dhe veprën atdhetare të këtij geni me tradita dhe kontribute të shquara në rrethin e Dibrës. Rreth e qark përgjat gjithë luginës, syri të rrok një peisazh të pasosur gjelbërimi, mes për mes të cilit kalon me qëtësinë e tij Drini i Zi. Ndërsa më tej, malet e të dy shpatave, ngjajnë sikur janë ulur këmbëkryq përballë njëri-tjetrit, dhe po “shikohen” sy më sy. Ato ngjajnë sikur kuvendojnë dhe sikur ja kanë shtruar një muhabeti vençe, ashtu si dikur burrat në odat e miqëve, apo në Kuvendet e Krahinës. Por, me qetësinë e tyre, ato duket dhe sikur flasin, sikur i “thërrasin” Skavicës, për t`i vënë pritë Drinit, për t`i lartësuar brigjet ujore e për t`i dhënë më shumë ngjyra kaltërsie, më shumë jetë e gjallëri këtij vendi me shumë histori e tradita, por dhe me një të ardhme të shkëlqyer turistike. Tashmë, është mbrëmje dhe qendra e komunës, Zalldardha ka rënë në qetësinë e saj të zakonshme. Aty po na pret me bujarinë e tij, një përfaqësues i familjes Kaca, Hakiku, një mesoburrë, i respektuar dhe shumë mikpritës. Ne, sonte do të jemi mysafirët e tij, ndaj sipas traditës, ai ka dalë për të na pritur qysh në Zalldardhë, katër-pesë kilometra larg shtëpisë së tij. Është daja im thotë, Mal Cani për Hakikun dhe vazhdon prezantimin e tij me miqtë. Ky është Zef Doçi nga Lura, këngëtar, ky është Xhelal Marku nga Reçi, gazetar, ky është Pëllumb Legisi nga Mirdita, fonist, ky është Ruzhdi Dervishi nga Lugjet e Dardhës, këngëtar. “...Mirëse erdhët! thotë Hakik Kaca me shumë përzemërsi. Është kënaqësi për mua dhe familjen time, që sonte do t`ju kemë mysafirë në shtëpinë time. Kemi për t`u ngjitur pak atyre brinjave, në një rrugë fshati të pamirëmbajtur, ndaj hypni në makinë...”. Dhe vërtet, rruga ishte e pashkelur dhe e vështirë, por Zefi, që ishte në rolin e shoferit, tregoi përvojën e tij edhe në këtë profesion. Pas një pushimi të shkurtër në oborrin e gjelbër të shtëpisë, Hakiku na fton të hymë brenda për të darkuar.

Darka mikpritëse e fisit Kaca

Hakiku, por dhe Ahmeti e familje të tjera të fisit Kaca, në këtë natë feste, kishin shpalosur tërë vlerat e mikpritjes e të bujarisë së tyre, që nga gatimet e përsosura sipas traditës e deri tek akomodimi për fjetje. Ishte një darkë e veçantë, ku nuk mungoi asgjë në tavolinën tonë, që nga mishi i qëngjit, peshku, flija e të tjera ushqime të shijshme të traditës, lista e të cilave plotësohej me shumëllojëshmërinë e frutave e të perimeve të stinës. Edhe pijet, po nga prodhimet e tyre ishin përzgjedhur për këtë darkë, që u kthye në një argëtim e festë të bukur familjare. Rrini lirshëm e si në shtëpinë tuaj, e dëgjojmë tek thoshte shpesh i zoti i shtëpisë Hakiku, me ngrënë e me pi sa të doni, por jeni të lutur edhe për ndonjë argëtim, sipas preferencave tuaja. Sakaq, Zefi ka marrë në dorë çiftelinë dhe ka nisur të interpretojë me mjeshtërinë e tij, shumë këngë popullore të krahinave të Lurës, të Reçit e të Dardhës. Ai këndoi me shumë pasion edhe këngën më të re nga repertori i tij, këngën për burrin trim e bujar të Dardhës, Ramadan Cani, të sapo inçizuar në studio. Emocione e kënaqësi pafund, gjatë kësaj darke mikpritëse, këtu në Kodër të Kacës, që shpejt mori ngjyrimet festive e argëtuese. Ndaj, i pari i zoti i shtëpisë dhe më pas të gjithë ne, ja morëm dhe valles. U krijua kështu, krejt natyrshëm, një atmosferë e bukur feste edhe këtu në shtëpi, e cila edhe në dasma nuk e kishte ndjerë një gjallëri të tillë. Në fakt, për festë kishim shkuar në atë vend, ku banorët vendas me inisiativën e tyre, kishin vendosur që me ato mundësi që kanë, ta përkujtonin e festonin më së miri, ngjarjen historike të Kodrës së Kacës. Por, përballë këtij organizimi, shfaqet i çuditshëm qëndrimi indiferent i pushteteve vendore të dy komunave përkatëse të Reçit e të Dardhës, që nuk u angazhuan fare në këtë sipërmarrje të vetë banorëve vendas. Madje ata, as nuk morën pjesë në veprimtarinë e organizuar me këtë rast. Dhe nuk është një harresë e re dhe e çastit kjo, pasi kjo ngjarje, siç na thanë banorët vendas, sot përkujtohet për herë të parë, pas 71 vitesh. Lind pyetja, pse? Përgjigjen e dinë vetëm ata, burrat e pushtetit vendor, që dhe zoti u ka falur “shumë” shkollë, vetëm shtatvjeçaren. Një nivel mjaft i ultë përfaqësimi ky, pasojë e lëvizjes së lirë, kur dihet se, Reçi e Dardha sot numrojnë mbi tetëqind kuadro me arsim të lartë. Ndaj kanë të drejtë banorët vendas, kur thonë: “...Kështu siç janë sot, Komunat më mirë të mos jenë, pasi asnjë llojë shërbimi për komunitetin nuk e kryejnë, veç marrin rrogën. Do të ishte më mirë të gjendej ndonjë mundësi tjetër drejtimi për këto zonat tona, që për shkak të lëvizjes së lirë, vuajnë ndjeshëm mungesën e kuadrove...”.

Mirënjohje për organizatorët e Festës

“...Fillimisht, thotë Ahmet Kaca, vëllai i madh i Hakikut, punën e nisëm me rikonstruksionin e Lapidarit, të cilit, ashtu siç ishte, i kishte i kur koha. Ishte një lapidar i vogël, me një yll mbi krye, i pamirëmbajtur dhe që nuk shprehte asgjë për këtë ngjarje të rëndësishme atdhetare të Kodrës së Kacës, që njihet në historinë e qëndresës së krahinës, të Dibrës e të krejt vendit tonë. Për këtë qëllim, ngritëm një komision, i cili në bashkëpunim me studjues të historisë dhe specialistë të Muzeut të qytetit të Peshkopisë, hartuan një projekt, i cili u zbatua nga ana jonë. Kështu realizuam një lapidar të ri, që shpreh vlerat e asaj ngjarjeje historike të 71 viteve më parë...”. Dhe vërtet, lapidari shpreh qartë, idetë dhe vlerat atdhetare të asaj kohe: Mbi kokë është vendosur stema e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe më poshtë janë realizuar në reliev tre portrete malsorësh, që përfaqësojnë tre krahinat pjesëmarrëse, Reç, Dardhë e Çidhën. Për ndërtimin dhe montimin e këtij lapidari punuan për rreth një muaj, ustallarët: Abaz e Elez Kaca, si dhe ish kandidati për kryetar komune në Dardhë, Artan Murati, një mjek i pasionuar dhe i respektuar në zonën e Dardhës. Ishte një realizim i bukur dhe domethënës ky, që organizohej në respekt të kësaj ngjarjeje të njohur në historinë e krahinës, në kuadrin e veprimtarive kushtuar Jubileut të lavdishëm të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Nderim për veprën atdhetare të burrave trima të Reçit, Dardhës e Çidhnës, të cilët ditën të bashkohen me njëri-tjetrin për të mbrojtur trojet, lirinë dhe dinjitetin e tyre, që kërcënoheshin nga pushtuesi. Nderim për historinë e qëndresës së tyre, por dhe mirënjohje nga të gjithë pjesëmarrësit për organizatorët e Festës, që i rikthyen zonës traditën e mrekullueshme të vlerësimit e të respektimit të vlerave të historisë së brezave.

Duke kujtuar historinë e revoltës kundër çarmatosjes

Me gjithëse kanë kaluar 71 vjet, nga dita kur këtu në Kodër të Kacës, 700 burra të Reçit, Dardhës e të Çidhnës, u mblodhën për t`i thënë Jo çarmatimit, ende në kujtesën e brezave ruhen të freskëta ato momente, kur nga një thirrje, mori kushtrim turma dhe pushtuesi u përzu me turp nga ky vend. Kujtojmë se nuk ishte e lehtë ta bëje një veprim të tillë, kur përballë turmës ishin rrjeshtuar mbi 300 zaptie dhe 8 mitraloza me në krye bashkëpunëtorin e egër të pushtuesit, Xhafer Bali. Apeli i thërriste një nga një pjesëmarrësit, i torturonte dhe më pas u kërkonte dorëzimin e armëve. Por, të dorëzoje armët pushtuesit, ishte një ngjarje tepër tronditëse për malësorët, të cilët ndër shekuj nuk e hoqën armën nga supi, sepse kështu i kishte mësuar historia, që vetëm nëpërmjet saj, ta shikonin sigurinë e Trojeve, të lirisë, të gjuhës, të kulturës e të traditave të tyre.

...Ne pa bukë kemi kalue,

Por, pa armë nuk kemi rrue...

Tradita e lidhjes së malësorëve me armën, si një mjet i rëndësishëm për të mbrojtur vatanin, lirinë dhe të drejtat e tyre, është aq e lashtë, sa dhe vetë historia që ata kanë, sepse tek arma kanë parë gjithnjë të ardhmen e Kombit e të shqiptarisë. Por, po kaq i lashtë, është edhe Bashkimi i shqiptarëve pa dallim feje, krahine e ideje, për t`u dalë zot trojeve shqiptare. Historikisht filozofia e tyre ka qënë e orientuar drejt, sipas parimit: “Të bashkuar në diversitet”, që është mjaft aktuale e demokratike edhe për ditët e sotme. Sinteza e kësaj filozofie, shprehet qartë edhe në vargjet e këngës kushtuar ngjarjes historike të Kodrës së Kacës, të vitit 1941.

...Ne e mbajmë pushkën me gjalmë,

Me armikun ballë për ballë...

Luftën kurë s`ja kemi nda,

Reç e Dardhë jemi një vëlla...

Janë këto arsye, që lajmi për çarmatimin, ngjalli një zemërim të madh tek të gjithë banorët e zonës. Ai, ra si një bombë tek malsorët e Reçit e të Dardhës, që i thirrën shtëpi për shtëpi. Këtë moment historik, rapsodi e ka përshkruar me këto vargje:

...Reç e Dardhë, tym për tym,

I kanë thirrur për çarmatim...

Rrallë herë kishte ndodhur, që të grumbulloheshin kaq shumë burra në një vend. Revolta ziente nga brenda shpirtit tek secili. Ishte një heshtje e trazuar, e cila priste momentin për të shpërthyer ndaj pushtuesit. Dhe sakaq, ndëgjohet thirrja e turmës:

...Besa – besë, nihet zani,

Zot t`i dalim këtij vatani...

Kush e nisi luftën më i pari,

Mahmut Laçi e Ramadan Cani,

Rrahman Rasha e ngre zanin,

Burra malesh, si për herë,

Ta bajmë dritë me maliher.

Krisi pushka pa u ndalue,

Xhafer Bali u dorëzue...

Ishte një thirrje jehonë, që ngriti peshë zemrat e kuvendit të burrave, për të mos iu nënshtruar armikut, që kërkonte çarmatimin për të sunduar. Por jo! Jo – i thanë të gjithë në një zë dhe burrat u çuan në këmbë.

…Bash si reja me tufan

Çohen burrat t’gjithë n’kamë

Mahmut Laçi tuj bërtit

Copë ta bëjmë këtë jezit…

Dhe më tej, vargjet e këngës nënvizojnë forcën e madhe të bashkimit të tyre, sa herë e kërkonin interesat kombëtare të vendit.

…Reç e Dardhë, kur bajn hoxhum,

S’i ndal gjyle e s’i ndal plumb,

Si kalaja qëndrojnë këto male,

T`u i dalë zot trojeve amtare…

Dhe në këtë betejë, ku armiku u përzu me turp, spikatën me trimërinë dhe atdhetarinë e tyre, Mahmut Laçi e Rrahman Rasha, Mehdi Kaca e Selman Marku, Ramadan Cani e Selman Ahmeti, Muharrem Hoxha e Bajram Cani, Selim Lila,  dhe shumë emra të tjerë, që dhanë kushtrimin në këtë ngjarje historike të revoltës kundër çarmatimit. Vepra e tyre është dhe do të mbetet një burim i madh frymëzimi atdhetar për të gjithë brezat, për sot dhe për të ardhmen e krahinës së Reçit e të Dardhës, që tashmë përjetësohen edhe me një lapidar të ri e bashkëkohor, këtu në vendin historik të Kodrës së Kacës të Dibrës.

Në cermoninë e përkujtimit të ngjarjes historike të Kodrës së Kacës

Për të përkujtuar ngjarjen historike të qëndresës atdhetare të Reçit, Dardhës e Çidhnës  të vitit 1941, kundër çarmatosjes së popullsisë nga pushtuesi, në Kodër të Kacës kishin ardhur veç banorëve të këtyre krahinave edhe të ftuar nga Tirana e Durrësi, nga zona e Kalisit të Kukësit e Sllova e Dibrës, që ndodhen përballë, matanë Drinit, përfaqësues të shoqatave joqeveritare, etj. Tek po afronte ora 10 e paradites, pjesëmarrësit të organizuar në grupe vinin dhe grumbulloheshin në oborrin e shtëpisë së Ahmet Kacës, vend ku 71 vjet më parë u mblodhën 700 burra të këtyre anëve, për t`i thënë Jo çarmatimit të popullsisë së zonës. Ata vinë rradhë - rradhë dhe ulen në këtë mjedis historik, ku revolta e tyre shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme për historinë atdhetare të këtij vendi. Takohen e pyeten me njeri – tjetrin dhe kujtojnë ato kohë të ndritura të historisë së tyre. Ahmet Kaca, trashëgimtari i Mehdi Kacës, ish pjesëmarrës në atë revoltë të madhe, pret e përcjell si në dasëm. Është një festë e bukur, që përkujtohet për herë të parë në këtë vend. Lapidari i ri i sapopërfunduar shkëlqen me bardhësinë e tij në hyrje të lagjes, duke i dhënë një tjetër ngjyrim, prezencë e vlerësim kësaj ngjarje të njohur në historinë e krahinës. Pasi pihet një kafe në bahçen e Ahmetit, pjesëmarrësit i drejtohen vendit, ku ngrihet lapidari. Ndërkohë të tjerë njerëz vazhdojnë të vinë. Pranë lapidarit është instaluar edhe një foni e sjellë nga Tirana, e cila me programin e saj e ka rritur atmosferën festive të kësaj veprimtarie. Hysen Mziu me një grup njerëzish nga Kraj-Reçi, sapo ka mbërritur në Kodër të Kacës. Ndërkaq, një grup të rinjsh, pranë lapidarit ja kanë marrë edhe një valleje me shumë ritëm. Kurrë ndonjherë ky vend, nuk ka pasur kaq gjallëri sa sot. Dhe ja tek vjen momenti i çeljes së mitingut kushtuar ngjarjes historike të Kodrës së Kacës. I pari e merr fjalën i zoti i shtëpisë, Ahmet Kaca. “Mirëse keni ardhur, thotë ai. Është kënaqësi për mua që të hap këtë cermoni, që zhvillohet sot, në nderim të ngjarjes historike të Kodrës së Kacës. Ajo ditë dhe ata 700 burra trima, i dhanë një emër të madh kësaj kodre të vogël, që tashmë ka hyrë në historinë e këtij vendi me tradita të lashta atdhetare. Respekt dhe mirënjohje të thellë për ta dhe për veprën e tyre”! Më pas e kanë marrë fjalën për të përshëndetur në këtë ceremoni edhe kryetari i Shoqatës Kombëtare të Pensionistëve të Shqipërisë, Osman Terziu, si dhe kryetari i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”, zoti Mal Cani. Kanë përshëndetur gjithashtu edhe veterani Shaqir Nimani, Hysen Mziu nga Reçi, Hamit Cani e Mexhit Kaca nga Dardha, etj. Më pas, këngëtarët: Zef Doçi e Ruzhdi Dervishi, kanë përshëndetur këtë tubim me këngët kushtuar ngjarjes së Kodrës së Kacës, si dhe me këngën kushtuar burrit trim e bujar të kullës së Canit, Ramadan Cani. Më tej, festa ka vazhduar me një drekim në Kullën e Ahmet Kacës, ku 71 vjet më parë u zhvillua ngjarja e paharruar e Kodrës së Kacës. Drekës së këndshme e bujare, nuk i ka munguar edhe atmosfera festive, ku këngëtarët e ftuarë: Zefi e Ruzhdiu interpretuan këngët më të zgjedhura nga repertori i tyre. Largohemi nga Kodra e Kacës, të mbushur me plot emocione e mbresa nga festa. Kjo kodër e vogël në dukje, ka shkruar një histori të madhe e të rëndësishme atdhetare për krahinën e Reçit, Dardhës e të Çidhnës, ka shkruar një ngjarje që do t`ju flas në shekuj brezave, duke përcjellë mesazhin e madh të besës e të bashkimit për çeshtjen kombëtare dhe fatet e vendit.



(Vota: 294 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx