| E diele, 19.08.2012, 03:59 PM |
Në nderim të historisë atdhetare të Reçit e të Dardhës, Dibër
Nga Xhelal Marku
Në historinë
100 vjeçare të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, lufta e Kolesjanit në mbrojtje
të trojeve shqiptare nga sulmet serbe, në vitin 1912, si dhe revolta kundër çarmatosjes,
në Kodër të Kacës, në vitin 1941, kanë mbetur si dy nga ngjarjet më kulmore të qëndresës
atdhetare të krahinave të Reçit e të Dardhës në rrethin e Dibrës. Janë pikërisht
këto dy ngjarje, që përjetësuan në altarin e historisë së Kombit, emrat dhe
kontributin e këtyre dy krahinave të njohura të qëndresës atdhetare në vend.
Ndaj, reçjanët
e dardhasit e Dibrës, përulen me respekt para veprës së paraardhësve të tyre
dhe betohen njëkohësisht, se amanetin që ata lanë, dashurinë për këtë vend, do
ta përcjellin në përjetësi, e brez pas
brezi, si trashëgiminë më të çmuar të këtyre Trojeve të lashta. Ikin e vijnë përvjetorët
dhe historia e Reçit dhe e Dardhës e ngjeshur me gjerdanë lirie, hedh hapin e
saj krenar drejt së ardhmes. Ajo mburret me të kaluarën e saj, shkruar përmes
grykës së pushkës nga ajkë e trimërisë atdhetare, por dhe krenohet për të sotmen
e ndritur, ku po integrohet me dinjitet dhe me gjithë vlerat më të spikatura të
shqiptarisë në familjen e madhe europiane. Një histori kjo, e mbushur me plot
vlera e sakrifica, ashtu siç i mësoi vetë koha njerëzit e saj, që edhe kur
mungonte shteti, ata ditën të gjejnë zgjidhje, ditën t`i thërrasin mençurisë së
Kuvendeve të Krahinës, vlerave më të mira të zgjuarësisë dibrane, që për hir të
çeshtjes kombëtare të jenë kurdoherë të bashkuar, e në unitet me njëri-tjetrin,
duke lënë mënjanë dasitë e dallimet e tyre të përkatësisë. Ndaj, tradita e
Kuvendeve në Reç e Dardhë, ishte dhe konsiderohet si trashëgimia më e mirë e
vlerave atdhetare të zonës, sepse në këto vatra kuvendesh janë ideuar,
projektuar e realizuar në shekuj, vlerat më të mira të historisë atdhetare të Krahinës.
Në këto kuvende u rritën e u formuan edhe disa nga figurat më të rëndësishme të
Dibrës, si, gjeneralët: Elez Isufi e Dali Ndreu, si dhe plot figura të tjera të
njohura e të respektuara të këtij vendi, si: Baftjar Doda, Cen Elezi, Hasan
Marku, Hysen Vladi, Sul Marku, Sheh Halimi, Mahmut Laçi, Ramadan Cani, Merë Troci,
Mehdi Kaca, Rrahman Mziu, Sheh Ymeri, Rrahman Rasha, Hysni Kaca, Selim Lila,
Selman Ahmeti, etj. Dhe, ashtu si qëmoti në Kuvendet e tyre të përfaqësimit, në
këtë përvjetor të madh pavarësie, janë mbledhur e kuvendojnë përsëri burrat e
krahinës, janë mbledhur për të festuar e për të nderuar njëkohësisht veprën e të
parëve të tyre. Mblidhen e kuvendojnë ata, për historinë e së shkuarës, për
trimat e rënë, për të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi me tradita të shquara
atdhetare e kulturore në Dibër.
Rrugës
për tek Kodra e Kacës
Ishte një
ditë e freskët pranvere e mesmajit ajo, kur ne, një grup shokësh nga Tirana,
ish banorë të zonave të Reçit e të Dardhës, nisëm udhëtimin tonë drejt Kodrës së
Kacës të Dibrës, ku 71 vjet më parë, 700 burra të krahinës, shkruan historinë e
tyre të qëndresës atdhetare përballë pushtuesit dhe shërbëtorëve të tij, që kërkonin
çarmatosjen e popullsisë, për të sunduar lehtësisht zonën. Ishte një ngjarje, që
duhej respektuar për vlerat e saj në krahinë, ndaj udhëtimi ynë kësaj here
kishte motiv atdhetar. Duhet thënë, se shkak për këtë udhëtim tonin, u bë biri
i Kullës së Canit në Dardhë, Mal Cani, kryetar i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar
“Nënë Tereza”, i cili në bashkëpunim dhe me familjet pjesëmarrëse në ngjarjen
historike të Kodrës së Kacës, organizuan për herë të parë festimin dhe përkujtimin
e kësaj dite të shënuar në historinë e qëndresës atdhetare të kësaj zone. Si të
ftuar që ishim, vendosëm që udhëtimin tonë ta bënim përgjat rrugës së Kombit, për
të vazhduar më pas me udhëtimin në rrugën e re Kukës-Peshkopi, e cila po
asfalton kilometrat e saj të fundit. Një udhëtim i këndshëm, por dhe mbresëlënës,
pasi midis nesh, kishte edhe persona, që rrugën e Kombit e përshkonin për herë të
parë. Habi e relaks gjatë këtij udhëtimi, që shumë shpejt na solli tek Tuneli i
famshëm i Kalimashit, një kryevepër e përmasave botërore, që të emocionon me
vlerat e saj, sa herë kalon përmes tij. I afrohemi Kukësit, ku në sytë e të gjithëve,
duket se Rruga e Kombit i ka dhënë atij një tjetër nur, një tjetër shkëlqim,
ndaj vendosëm të qëndrojmë këtu, për të pirë kafen e mëngjesit, në një nga
baret më të rinj e modern, të ngritur tani së fundmi, mu në qendër të qytetit. Sigurisht,
kur shkoj në Kukës, nuk mund të rri pa e takuar mikun tim Zylfi Elezi, të cilin
kuksianët janë mësuar ta thërrasin me emrin përkëdhelës – Bush, pra babush dhe
jo për moshë, por për respekt ndaj figurës së tij. Një telefonatë nga ana ime
dhe ai menjëherë ka qënë i pranishëm në shoqërinë e kësaj kafeje, për të na
respektuar si miq. Një tavolinë më tej ishte edhe shoku i tij Hasan Halili,
kryetar i Bashkisë së Kukësit, i cili në respekt të Zylfiut dhe tonin na pagoi
dhe kafetë, një veprim ky, që shpreh bujarinë tradicionale të kukësianit për
mikun. Por ky veprim i një titullari është për t`u respektuar dyfish, sepse
rrallë herë ndodh, që homologë të tij të fusin dërë në xhep për të paguar
tavolinën e tyre, e jo më të mikut. Ndaj mirënjohje dhe respekt zoti Halili, për
bujarinë tuaj! Ka qënë një relaks i vërtetë koha e qëndrimit në këtë Bar të ri
të Kukësit, ku ne shijuam jo vetëm shërbimin e kulturuar, por dhe peisazhin e
bukur të liqenit të Fierzës, të mbushur plot e përplot me ujë, si asnjëherë tjetër
në këtë stinë, ku po “trokasin” thatësira dhe temperaturat e larta të Verës. Kot
nuk i thonë, se dora e mbarë sjell “bereqet”. Edhe kryeministri ynë, zoti Sali
Berisha, si dorë e mbarë që është, i ka grat puna, i ecën mbarë edhe kur kriza
kërcënon kudo në botë. Lëmë Kukësin dhe nisim udhëtimin tonë në rrugën e re Kukës-Peshkopi
me dy korsi, një tjetër mrekulli e këtyre anëve. Edhe kjo “bereqet” i qeverisë
është, do apo nuk do dikush. Ashtu siç është “superbereqet” Tuneli i
Kalimashit, Tuneli i Krrabës, Rruga e Arbërit, Autostrada Tiranë-Elbasan dhe
shumë e shumë objekte të tjera në mbarë vendin tonë, për të cilat Edi Rama,
ende nuk ka thënë asnjë fjalë të mirë për to. Në anë të rrugës në Kolesjan,
ngrihet lapidari në përkujtim të qëndresës heroike të krahinave të Reçit, të Dardhës
e të Lumës, në vitin 1912, të cilat u bashkuan dhe i thanë hasmit serb: “...Ndal! Ka zot ky vend. Këtej, nuk kalon
dot, pa shkelur mbi trupat tanë...”. Një histori kjo, e larë me gjakun e 12 mijë
serbëve, që mbetën istikameve përgjat luginës së Drinit të Zi. Ndaj, përulemi
me respekt pranë lapidarit, që përjetëson këtë ngjarje të madhe historike të Krahinës
e të mbarë Kombit tonë. Rruga e re, mbi të cilën vazhdojmë të ecim, na shpie në
luginën e thepisur shkëmbore të lumit të Bushtricës. Edhe këtu befasohemi nga
një tjetër “bereqet” i qeverisë. Është hidrocentrali i ri, që po hedh shtat çdo
ditë në shpatet e kësaj lugine, për ta kthyer ujin e bjeshkëve të këtij lumi të
rrëmbyeshëm e tekanjoz, në më shumë dritë për banorët e këtyre anëve.
Darka
mikpritëse e fisit Kaca
Hakiku,
por dhe Ahmeti e familje të tjera të fisit Kaca, në këtë natë feste, kishin
shpalosur tërë vlerat e mikpritjes e të bujarisë së tyre, që nga gatimet e përsosura
sipas traditës e deri tek akomodimi për fjetje. Ishte një darkë e veçantë, ku
nuk mungoi asgjë në tavolinën tonë, që nga mishi i qëngjit, peshku, flija e të tjera
ushqime të shijshme të traditës, lista e të cilave plotësohej me shumëllojëshmërinë
e frutave e të perimeve të stinës. Edhe pijet, po nga prodhimet e tyre ishin përzgjedhur
për këtë darkë, që u kthye në një argëtim e festë të bukur familjare. Rrini
lirshëm e si në shtëpinë tuaj, e dëgjojmë tek thoshte shpesh i zoti i shtëpisë Hakiku,
me ngrënë e me pi sa të doni, por jeni të lutur edhe për ndonjë argëtim, sipas
preferencave tuaja. Sakaq, Zefi ka marrë në dorë çiftelinë dhe ka nisur të interpretojë
me mjeshtërinë e tij, shumë këngë popullore të krahinave të Lurës, të Reçit e të
Dardhës. Ai këndoi me shumë pasion edhe këngën më të re nga repertori i tij, këngën
për burrin trim e bujar të Dardhës, Ramadan Cani, të sapo inçizuar në studio. Emocione
e kënaqësi pafund, gjatë kësaj darke mikpritëse, këtu në Kodër të Kacës, që shpejt
mori ngjyrimet festive e argëtuese. Ndaj, i pari i zoti i shtëpisë dhe më pas të
gjithë ne, ja morëm dhe valles. U krijua kështu, krejt natyrshëm, një atmosferë
e bukur feste edhe këtu në shtëpi, e cila edhe në dasma nuk e kishte ndjerë një
gjallëri të tillë. Në fakt, për festë kishim shkuar në atë vend, ku banorët
Mirënjohje
për organizatorët e Festës
“...Fillimisht,
thotë Ahmet Kaca, vëllai i madh i Hakikut, punën e nisëm me rikonstruksionin e
Lapidarit, të cilit, ashtu siç ishte, i kishte i kur koha. Ishte një lapidar i
vogël, me një yll mbi krye, i pamirëmbajtur dhe që nuk shprehte asgjë për këtë ngjarje
të rëndësishme atdhetare të Kodrës së Kacës, që njihet në historinë e qëndresës
së krahinës, të Dibrës e të krejt vendit tonë. Për këtë qëllim, ngritëm një komision,
i cili në bashkëpunim me studjues të historisë dhe specialistë të Muzeut të qytetit
të Peshkopisë, hartuan një projekt, i cili u zbatua nga ana jonë. Kështu
realizuam një lapidar të ri, që shpreh vlerat e asaj ngjarjeje historike të 71
viteve më parë...”. Dhe vërtet, lapidari shpreh qartë, idetë dhe vlerat
atdhetare të asaj kohe: Mbi kokë është vendosur stema e 100 vjetorit të Pavarësisë
dhe më poshtë janë realizuar në reliev tre portrete malsorësh, që përfaqësojnë tre
krahinat pjesëmarrëse, Reç, Dardhë e Çidhën. Për ndërtimin dhe montimin e këtij
lapidari punuan për rreth një muaj, ustallarët: Abaz e Elez Kaca, si dhe ish
kandidati për kryetar komune në Dardhë, Artan Murati, një mjek i pasionuar dhe
i respektuar në zonën e Dardhës. Ishte një realizim i bukur dhe domethënës ky,
që organizohej në respekt të kësaj ngjarjeje të njohur në historinë e krahinës,
në kuadrin e veprimtarive kushtuar Jubileut të lavdishëm të 100 vjetorit të shpalljes
së Pavarësisë së Shqipërisë. Nderim për veprën atdhetare të burrave trima të Reçit,
Dardhës e Çidhnës, të cilët ditën të bashkohen me njëri-tjetrin për të mbrojtur
trojet, lirinë dhe dinjitetin e tyre, që kërcënoheshin nga pushtuesi. Nderim për
historinë e qëndresës së tyre, por dhe mirënjohje nga të gjithë pjesëmarrësit për
organizatorët e Festës, që i rikthyen zonës traditën e mrekullueshme të vlerësimit
e të respektimit të vlerave të historisë së brezave.
Duke
kujtuar historinë e revoltës kundër çarmatosjes
Me gjithëse
kanë kaluar 71 vjet, nga dita kur këtu në Kodër të Kacës, 700 burra të Reçit,
Dardhës e të Çidhnës, u mblodhën për t`i thënë Jo çarmatimit, ende në kujtesën
e brezave ruhen të freskëta ato momente, kur nga një thirrje, mori kushtrim
turma dhe pushtuesi u përzu me turp nga ky vend. Kujtojmë se nuk ishte e lehtë ta
bëje një veprim të tillë, kur përballë turmës ishin rrjeshtuar mbi 300 zaptie
dhe 8 mitraloza me në krye bashkëpunëtorin e egër të pushtuesit, Xhafer Bali. Apeli
i thërriste një nga një pjesëmarrësit, i torturonte dhe më pas u kërkonte dorëzimin
e armëve. Por, të dorëzoje armët pushtuesit, ishte një ngjarje tepër tronditëse
për malësorët, të cilët ndër shekuj nuk e hoqën armën nga supi, sepse kështu i
kishte mësuar historia, që vetëm nëpërmjet saj, ta shikonin sigurinë e Trojeve,
të lirisë, të gjuhës, të kulturës e të traditave të tyre.
...Ne
pa bukë kemi kalue,
Por,
pa armë nuk kemi rrue...
Tradita e
lidhjes së malësorëve me armën, si një mjet i rëndësishëm për të mbrojtur
vatanin, lirinë dhe të drejtat e tyre, është aq e lashtë, sa dhe vetë historia
që ata kanë, sepse tek arma kanë parë gjithnjë të ardhmen e Kombit e të shqiptarisë.
Por, po kaq i lashtë, është edhe Bashkimi i shqiptarëve pa dallim feje, krahine
e ideje, për t`u dalë zot trojeve shqiptare. Historikisht filozofia e tyre ka qënë
e orientuar drejt, sipas parimit: “Të bashkuar në diversitet”, që është mjaft
aktuale e demokratike edhe për ditët e sotme. Sinteza e kësaj filozofie,
shprehet qartë edhe në vargjet e këngës kushtuar ngjarjes historike të Kodrës së
Kacës, të vitit 1941.
...Ne
e mbajmë pushkën me gjalmë,
Me
armikun ballë për ballë...
Luftën
kurë s`ja kemi nda,
Reç e
Dardhë jemi një vëlla...
Janë këto
arsye, që lajmi për çarmatimin, ngjalli një zemërim të madh tek të gjithë banorët
e zonës. Ai, ra si një bombë tek malsorët e Reçit e të Dardhës, që i thirrën
shtëpi për shtëpi. Këtë moment historik, rapsodi e ka përshkruar me këto vargje:
...Reç
e Dardhë, tym për tym,
I kanë
thirrur për çarmatim...
Rrallë herë
kishte ndodhur, që të grumbulloheshin kaq shumë burra në një vend. Revolta
ziente nga brenda shpirtit tek secili. Ishte një heshtje e trazuar, e cila
priste momentin për të shpërthyer ndaj pushtuesit. Dhe sakaq, ndëgjohet thirrja
e turmës:
...Besa
– besë, nihet zani,
Zot
t`i dalim këtij vatani...
Kush e
nisi luftën më i pari,
Mahmut
Laçi e Ramadan Cani,
Rrahman
Rasha e ngre zanin,
Burra
malesh, si për herë,
Ta
bajmë dritë me maliher.
Krisi
pushka pa u ndalue,
Xhafer
Bali u dorëzue...
Ishte një
thirrje jehonë, që ngriti peshë zemrat e kuvendit të burrave, për të mos iu nënshtruar
armikut, që kërkonte çarmatimin për të sunduar. Por jo! Jo – i thanë të gjithë në
një zë dhe burrat u çuan në këmbë.
…Bash
si reja me tufan
Çohen
burrat t’gjithë n’kamë
Mahmut
Laçi tuj bërtit
Copë ta
bëjmë këtë jezit…
Dhe më tej,
vargjet e këngës nënvizojnë forcën e madhe të bashkimit të tyre, sa herë e kërkonin
interesat kombëtare të vendit.
…Reç e
Dardhë, kur bajn hoxhum,
S’i
ndal gjyle e s’i ndal plumb,
Si
kalaja qëndrojnë këto male,
T`u i
dalë zot trojeve amtare…
Dhe në këtë
betejë, ku armiku u përzu me turp, spikatën me trimërinë dhe atdhetarinë e
tyre, Mahmut Laçi e Rrahman Rasha, Mehdi Kaca e Selman Marku, Ramadan Cani e
Selman Ahmeti, Muharrem Hoxha e Bajram Cani, Selim Lila, dhe shumë emra të tjerë, që dhanë kushtrimin
në këtë ngjarje historike të revoltës kundër çarmatimit. Vepra e tyre është dhe
do të mbetet një burim i madh frymëzimi atdhetar për të gjithë brezat, për sot
dhe për të ardhmen e krahinës së Reçit e të Dardhës, që tashmë përjetësohen
edhe me një lapidar të ri e bashkëkohor, këtu në vendin historik të Kodrës së Kacës
të Dibrës.
Në cermoninë
e përkujtimit të ngjarjes historike të Kodrës së Kacës
Për të përkujtuar ngjarjen historike të qëndresës atdhetare të Reçit, Dardhës e Çidhnës të vitit 1941, kundër çarmatosjes së popullsisë nga pushtuesi, në Kodër të Kacës kishin ardhur veç banorëve të këtyre krahinave edhe të ftuar nga Tirana e Durrësi, nga zona e Kalisit të Kukësit e Sllova e Dibrës, që ndodhen përballë, matanë Drinit, përfaqësues të shoqatave joqeveritare, etj. Tek po afronte ora 10 e paradites, pjesëmarrësit të organizuar në grupe vinin dhe grumbulloheshin në oborrin e shtëpisë së Ahmet Kacës, vend ku 71 vjet më parë u mblodhën 700 burra të këtyre anëve, për t`i thënë Jo çarmatimit të popullsisë së zonës. Ata vinë rradhë - rradhë dhe ulen në këtë mjedis historik, ku revolta e tyre shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme për historinë atdhetare të këtij vendi. Takohen e pyeten me njeri – tjetrin dhe kujtojnë ato kohë të ndritura të historisë së tyre. Ahmet Kaca, trashëgimtari i Mehdi Kacës, ish pjesëmarrës në atë revoltë të madhe, pret e përcjell si në dasëm. Është një festë e bukur, që përkujtohet për herë të parë në këtë vend. Lapidari i ri i sapopërfunduar shkëlqen me bardhësinë e tij në hyrje të lagjes, duke i dhënë një tjetër ngjyrim, prezencë e vlerësim kësaj ngjarje të njohur në historinë e krahinës. Pasi pihet një kafe në bahçen e Ahmetit, pjesëmarrësit i drejtohen vendit, ku ngrihet lapidari. Ndërkohë të tjerë njerëz vazhdojnë të vinë. Pranë lapidarit është instaluar edhe një foni e sjellë nga Tirana, e cila me programin e saj e ka rritur atmosferën festive të kësaj veprimtarie. Hysen Mziu me një grup njerëzish nga Kraj-Reçi, sapo ka mbërritur në Kodër të Kacës. Ndërkaq, një grup të rinjsh, pranë lapidarit ja kanë marrë edhe një valleje me shumë ritëm. Kurrë ndonjherë ky vend, nuk ka pasur kaq gjallëri sa sot. Dhe ja tek vjen momenti i çeljes së mitingut kushtuar ngjarjes historike të Kodrës së Kacës. I pari e merr fjalën i zoti i shtëpisë, Ahmet Kaca. “Mirëse keni ardhur, thotë ai. Është kënaqësi për mua që të hap këtë cermoni, që zhvillohet sot, në nderim të ngjarjes historike të Kodrës së Kacës. Ajo ditë dhe ata 700 burra trima, i dhanë një emër të madh kësaj kodre të vogël, që tashmë ka hyrë në historinë e këtij vendi me tradita të lashta atdhetare. Respekt dhe mirënjohje të thellë për ta dhe për veprën e tyre”! Më pas e kanë marrë fjalën për të përshëndetur në këtë ceremoni edhe kryetari i Shoqatës Kombëtare të Pensionistëve të Shqipërisë, Osman Terziu, si dhe kryetari i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”, zoti Mal Cani. Kanë përshëndetur gjithashtu edhe veterani Shaqir Nimani, Hysen Mziu nga Reçi, Hamit Cani e Mexhit Kaca nga Dardha, etj. Më pas, këngëtarët: Zef Doçi e Ruzhdi Dervishi, kanë përshëndetur këtë tubim me këngët kushtuar ngjarjes së Kodrës së Kacës, si dhe me këngën kushtuar burrit trim e bujar të kullës së Canit, Ramadan Cani. Më tej, festa ka vazhduar me një drekim në Kullën e Ahmet Kacës, ku 71 vjet më parë u zhvillua ngjarja e paharruar e Kodrës së Kacës. Drekës së këndshme e bujare, nuk i ka munguar edhe atmosfera festive, ku këngëtarët e ftuarë: Zefi e Ruzhdiu interpretuan këngët më të zgjedhura nga repertori i tyre. Largohemi nga Kodra e Kacës, të mbushur me plot emocione e mbresa nga festa. Kjo kodër e vogël në dukje, ka shkruar një histori të madhe e të rëndësishme atdhetare për krahinën e Reçit, Dardhës e të Çidhnës, ka shkruar një ngjarje që do t`ju flas në shekuj brezave, duke përcjellë mesazhin e madh të besës e të bashkimit për çeshtjen kombëtare dhe fatet e vendit.