Udhëpërshkrim
Xhevat Muqaku: Promovohet ''Trinomi i lirisë'' në Pejë
E diele, 29.07.2012, 06:09 PM
Promovimi
i Antologjisë "Trinomi i lirisë" dhe krijuesve mërgimtarë në Pejë
Nga Xhevat Muqaku
Qyteti i
Pejës me grykën piktoreske të Rugovës, me luginën e Lumbardhit rrënzë bjeshkve
të larta, e rrethuar me vargmalet e Alpeve Shqiptare, me një jetë kulturore të bujshme,
edhe sot në vehte ruan e kultivon traditë të një historie të lashtë.
Me datë 24
korrik, në teatrin profesional të qytetit Pejë "Istref Begolli", nën
patronatin e kryetarit të komunës Ali Berisha, në kuadër të 100 vjetorit të pavarsisë
së Shqipërisë, në bashkëpunim me ministrinë e diasporës, lidhjen e shkrimtarëve,
artistëve dhe krijuesve shqiptar në Gjermani si dhe drejtoratin për rini,
kulturë, dhe sport në Pejë u promovua Antologjia e autorëve Hasan Qyqalla dhe Neki Lulaj "Trinomi
i lirisë", kushtuar 30 vjetorit të vrasjës së Jusuf, Bardhosh Gërvallës
dhe Kadri Zekës.
Antologjia e sipër përmendur është botuar kohë me parë në Kosovë, përfaqësohet nga krijimet e 30- të poetëve që veprojnë në diasporë
Rrjedha e Promovimit
Rrjedhën
e Promovimit si dhe atmosferën e madhështuan organizimi dhe kontributi i
mrekullueshëm i drejtuesve të komunës, moderimi i përsosur i Sejdi Berisha, këndimi
i vargjeve të gjalla të Jusufit me telat e kitarës nga Driton Gashi, fjala përshëndetëse
e Dr. Ali Berisha dhe Suzanë Gërvalla,
recitimi i vargjeve nga aktorët profesionist; Rudina Zhara, Nimon Muqaj,
Sylejman Lokaj si dhe krijueseve mërgimtare; Rita Saliu, Silva Tërnava, Seveme
Fetiqi, refleksion i redaktorit të kësaj antologjie Halil Haxhosaj si dhe
recensentit Ali D. Jasiqi, autorëve Neki Lulaj dhe Hasan Qyqalla, prezenca e
dashamirëve të fjalës së shkruar, miqëve të skenës dhe artit si dhe të interesuarit
e tjerë në sallën e teatrit " Istref Begolli".
Pas drekës
së përbashkët, zonja Suzana Gërvalla i priu
karavanit me krijuesit nga diaspora drejt Dubovikut të bardhë të lapidarëve
të përjetësisë, ku prehen nënë Ajshja dhe dy djemt e saj, martirët e kombit
Jusuf e Bardhosh Gërvalla.
Derë e hapur e shtëpisë, dhomë e qëndisur me shumë fotografi që pasqyrojnë veprimtarinë e Jusuf Gërvalla, Piano, tavolinë e punës, si dhe bashkëbisedimi për " miqët e Jusufit dhe natën e kobshme në Untergruppenbach", do të ruhen si dhuratë e çmueshme.
Një atmosferë e ngrohtë dhe miqësore
Do të mbetet
ngjarje madhore dhe e paharruar, promovimi i antologjisë"Trinomi i lirisë,
me recitimin e vargjeve nga autorët dhe aktorët, vizita në Dubovik, rrëfimi i
Suzana Gërvallës, dëgjimi i vëmendshëm dhe pyetjet e shkrimtarëve-mërgimtarë.(Opinjon
nga Flora Peci- mësuese dhe poete nga qyteti i Mitrovicës)
Autorët e "Trinomi i lirisë"; Hasan Qyqalla dhe Neki Lulaj si dhe poetja Seveme Fetiqi më informuan nga Kosova se me datë 27.07.2012 edhe në bibliotekës universitare në Prishtinë do të promovohet Antologjia e lartpërmendur. Këtë reportazh të shkurtër e plotësojnë fotografitë në fund.
D.Gashi- kenge me tekst te J.Gervalla
Dreke e shtruar per mergimtaret
Duboviku i prehjes
Lapidarët..
Piano e J.Gervalles, dhurate nga R.Rudi
S.Gervalla ju ligjeron mergimtareve historine