E shtune, 27.04.2024, 11:36 AM (GMT+1)

Mendime

Ibrahim Hajdarmataj: Reagim, për të pavërtetat e një libri

E premte, 20.07.2012, 08:03 PM


Reagim, për të pavërtetat e një libri

Kirurgu Australian Craig Jurisevic,  duhet të reflektojë në ndërgjegjen e tij

Shkruan: Ibrahim HAJDARMATAJ, Zogaj-Tropojë

Australiani me prejardhje sllovene Craig Jurisevic me profesion kirurg shkruan librin: ”Duart e përgjakura: Kirurgu në luftë”, në fillim në gjuhën angleze e më pas në janar 2012 përkthehet e botohet në gjuhën shqipe nga Flaka Surroi, “Koha” në Prishtinë. Libri është ndarë në dy pjesë. Pjesa e pare ka 12 kapituj, ndërsa pjesa e dytë ka 17 kapituj. Libri është i ilustruar me 33 fotografi nga aktivitetet e UÇK dhe kosovarëve në Kukës. Ky libër mbyllet me epilogun dhe ka gjithse 319 faqe të shkruara në formën e një ditari gazetaresk. Në fillim të jep një përshtypje të mirë se ky kirurg niset nga qyteti i tij Adelaide të Australisë për në veri të Shqipërisë, në qytetin e Kukësit për tu ardhur në ndihmë të sëmurëve dhe të plagosurve kosovarë që kishin ardhur në Shqipëri të dëbuar nga tokat e tyre nga paramilitarët serb.

Sakrificat që bëri duke lënë gruan e re Donnan dhe djalin 5- vjeçar Jacksonin të bën që ta lexosh këtë libër, por me njëherë zhgënjehesh. Ky si kirurg, si njeri human që mund të jetë, në faqet e këtij libri del një tjetër njeri. Nëpërmjet shkrimeve të tij ai shkruan të pavërteta, gënjeshtra, mashtrime, shpifje duke ulur popullin dhe qeverinë vendore të Kukësit, duke përçmuar UÇK dhe duke thurur lëvdata vetes si shpëtimtari i dhjetëra kosovarëve. Me një urrejtje shumë të madhe flet llojlloj gënjeshtrash për drejtorin e spitalit Kukës Dr. Bajram Cena, i cili u merrte rryshfete kosovarëve 200 marka për operim dhe ata që nuk kishin vdisnin!

Drejtori i spitalit Kukës nuk lejonte operime në dy spitale fushore Italian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të ngritura apostafat për kosovarët. Craig Jurisevic punonte në këto dy spitale fushore por kërcënohej me jetë nga drejtori i spitalit të Kukësit, sepse ky shkonte fshehurazi dhe bënte operime në spital dhe e kritikonte kolektivin e spitalit për abuzime që bëheshin tek ndërkombëtarët. Craig Jurisevic shkruan se jep dorëheqjen nga detyra e tij si mjek dhe kërkon ti bashkohet UÇK në kampin e kosovarëve që stërviteshin në fshatin Helshan të Kukësit, të cilët pasi pregatiteshin hidheshin në luftë në Kosovë. Është periudha 27 mars deri më 15 qershor 1999. Kjo jo vetëm të befason nga kirurg në UÇK, sepse në Helshan nuk kishte asnjë të plagosur apo të sëmurë, sepse aty ishin kryesisht djem e vajza të ardhur nga diaspora kosovare. Me- gjithatë kërkesa iu aprovua për në UÇK, Helshan.

Në bisedë me dr. Bajram Cenën më thotë se: “-Ai nuk ka punuar asnjë minute në spitalin tonë, në dokumentat zyrtare që mbajmë ne si spital, raporte, proçesverbale, regjistra nuk figuron asnjëhere emiri i Craig Jurisevic. Secili që vinte në spitalin tonë për të ushtruar zanatin, bëhej me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë Tiranë. Përsa i përket ryshfeteve nga kosovarët, kjo është gënjeshtër se me vëllezërit kosovarë ne kemi ndarë edhe kafshatën e gojës. Gjithashtu nuk ka qenë kopetencë e jona për tu dhënë spitaleve fushore urdhëra, sepse ato vareshin nga ndërkombëtarët. Dhe e fundit si mund të kërcënoja me jetë një koleg të ardhur nga Australia të cilit ruashin nga ndërkombetarët. Prandaj për këto shpifje në qoftëse Craig Jurisevic nuk bën autokritikë jam i detyruar për mbrojtjen e figurës time dhe të institucionit të ngre padi gjyqësore në gjykatë”.

Lind pyetja pse ky Craig Jurisevic i ngre këto gjëra pas 13 viteve, pse nuk i ngriti atëherë deri në organet gjyqësore për ndreqjen e tyre, por tani në vitin 2012!

Po të rrish duke nënvizuar shkrimet në këtë libër, befasohesh nga ato që lexon. Në faqen 28 të kapitullit të tretë shkruhet se…në oborrin e spitalit të Kukësit ndodhej një lopë e ngordhur, meqënëse kosovarët nuk kishin me çfarë të ushqeheshin iu vërsulën lopes së ngordhur duke e ngrënë. Kjo gjë është fund e krye trillim. Më poshtë lexojmë… shqiptarët nuk i duan kosovarët. Kjo është shumë e çuditshme. Në vazhdim shkruhet dhe më keq…   refugjatët kosovarë që vijnë këtu trajtohen si qentë. Unë po shkëpus dhe një paragraf të kapitullit të katërt në faqen 53 ku shkruhet se… kosovarët varrosen në një grope të përbashkët me të tjerët. Është e habitshme se kjo nuk ka ndodhur bile mund të themi me plot bindjen se në të gjitha rastet që kanë vdekur kosovarët në Kukës janë përcjellë me ceremoni tek varrezat e qytetit. Pas disa viteve është bërë zhvarrimi i tyre po me ceremoni për në Kosovë.

Ukë Lushi i cili tani jeton në SHBA ka qenë zedhënës i batalionit “Atlantiku” në Kukës, shkruan: -“Libri i Craig Jurisevic prej kapitullit të pare deri në faqen e fundit lexuesi i edukuar duhet ta hedhë librin në koshin e plehrave, sepse e gjitha është gënjeshtër dhe mashtrim. Lavdia nuk arrihet me gënjeshtra, duke gënjyer arrihet turpërimi”.

Ndërsa drejtori i televizionit Kukës Z. Baudin Murati shkruan : -”Në detyrën e drejtuesit të TV Kukësit dhe të gazetarit informues duke respektuar me shumë korrektësi të gjitha ngjarjet, ndodhitë gjatë eksodit kam qenë shumë i vëmendshëm të fiksoj në celuidtë gjithë kronologjinë e pritjes dhe përcjelljes së kosovarëve. Kam ndjekur me vëmendje të gjithë përkushtimin e madh patriotik të ushtarëve të UÇK-së dhe pregatitjen e tyre ushtarake. Sa për sqarim qyteti i Kukësit i priti dhe i përcolli 700.000 kosovarë me bujari dhe ngrohtësi sepse shqiptarët asnjëherë nuk kanë vrarë, asnjëherë nuk kanë ngrënë KERMA, asnjëherë nuk i kanë lënë njerëzit e tyre ti hanë korbat. Përfundimisht botimi i librit të Craig Jurisevic është thellësisht me karakter anti shqiptar, i cili synon të njollosë dhe të denigrojë karakterin shqiptar, besën, bujarinë, moralin, burrërinë e mbi të gjitha trimërinë”.

Shkrimtari Besim Muhadri, autori 15 librave, doktor i shkencave, inspektor në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Prishtinë ndër të tjera shkruan: - “Moti më ka rënë të lexoj një libër të mbushur me kaq e kaq trillime, me kaq e kaq nënçmime, me kaq insinuata, me kaq vetlëvdata, me kaq gënjeshtra, të cilat shkojnë deri në mani profesionale, ose në favor të një misioni të caktuar tek libri i australianit me prejardhje sllovene Craig Jurisevic. Libri, përmbajtja dhe qëllimi i shkruarjes së tij, domosdo se duhet shikuar, duhet diskutuar në mënyrë që gjërat të vihen në vendin e duhur”.

Në të vërtetë po të shkosh në spitalin e Kukësit shikon me dhjetëra mirnjohje të dhëna nga qeveria shqiptare dhe përfaqësues të qeverive ndërkombëtarë. Në një vend të dukshëm të zë syri urdhri “NënëTereza” dhënë nga ish presidenti i Shqipërisë zoti Rexhep Mejdani.

Po të shfletosh shtypin shqiptar dhe ndërkombëtar të asaj kohe, si dhe po të lexosh shumë libra të botuara nga shqiptarë dhe të huaj, njihesh me të vërtetën historike dhe heroike se si populli vëlla Kosovar u mirëprit jo vetëm nga qytetarët e Kukësit dhe qeveritarët vendor por nga gjithë Shqipëria. Le të jetë ky shkrim për zotin Craig Jurisevic që në të ardhmen të reflektojë sa do pak në ndërgjegjen e tij.

-------------

(Solli për botim, redaktori ynë Z. Lushaj, 19 korrik, 2012)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora