E shtune, 27.04.2024, 02:48 PM (GMT+1)

Mendime

Artur Zheji: Heshtja ‘kërcënuese’ e Berishës dhe Metës

E shtune, 26.05.2012, 10:12 AM


Heshtja ‘kërcënuese’ e Berishës dhe Metës

Nga Artur Zheji

Mbas takimit aq të diskutuar Rama-Meta te Gjiri i Lalëzit, thuhet se Berisha është mërzitur shumë, por asnjëherë nuk e ka shfaqur në publik këtë ‘mërzi’. Nga ana tjetër vetë Meta nuk duket se është i lumtur. Kur nuk je i lumtur, mund të jesh edhe i mërzitur. Por me një shpoti që kënaqi gazetarët ai arsyetoi para ca ditësh se ‘takimi me Ramën, u krye në darkë, sepse darka hahet në darkë’ dhe pra ata kishin lënë një darkë të përbashkët. Darka hahet në darkë dhe pra darka hahet në mbrëmje. Kur ngryset, e pra kur bëhet darkë, bëhet edhe natë. E pra takimi u bë natën. Por, pra, nata nuk u zgjodh si sfond i errësirës, por si një periudhë e 24-orëshit kur hahet darka.

Një lojë hermetike fjalësh, një batutë që flet përmes mosfoljes. Pra, një heshtje në lidhje me përmbajtjen, me ca fjalë, në trajtë batutash, që të mos krijohet përshtypja se ka diçka për të fshehur. Nga ana tjetër Kryeministri nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me këtë zhvillim dhe me qindrat e hipotezave që, si dhe kemi thënë, kanë më shumë ‘hipo’ sesa ‘teza’, ndonëse thuhet se është shumë i vëmendshëm, në shqyrtimin e secilës prej tyre. Në fakt, në Kryesinë e Partisë Demokratike duket se ka një refleksion. Pulsimet me frymë negociuese dalin me segmente. Nga ana tjetër Kryeministrit i duhet të ruajë qetësinë e jashtme dhe të zhysë thellë e më thellë pakënaqësitë e veta ndaj Metës, në ca puse të padukshme dhe t’i konfidojë këto pakënaqësi vetëm në ca pak njerëz. Por dihet se, edhe këta ‘ca pak njerëz’, janë në fund të fundit njerëz dhe si të tillë nuk i mbajnë dot pa i nxjerrë ca kova dhe ca kupa nga pusi i sekreteve. Dhe këta ‘ca pak njerëz’ na rrëfejnë për ca kupa mbushur me pakënaqësi.

Jo se ky realitet i maskuar me heshtje, përtej pasionantëve të kurioziteteve, ka ndonjë rëndësi të pazakontë. Dihet që jeta e politikanëve është një tallaz i përhershëm humoresh. Porse nga këto shenja kuptohet se pritet që Kryeministri ndoshta po përgatitet të rikonceptojë marrëdhëniet PD dhe LSI.

Kryeministri, pra, pritet, me rastin e përcaktimit të formulës zgjedhore të Presidentit, të përshkojë dy rrugë:

Rruga e Parë. Berisha pranon si më të mirë dhe si më të dobishme formulën konsensuale të zgjedhjes së Presidentit. Duke ndjekur frymën dominante të ish-Kushtetutës dhe frymën e raundeve të para të Kushtetutës aktuale të Republikës së Shqipërisë. Kur për më tepër dimë që, kryetari aktual i Opozitës, Rama, është shprehur i penduar dhe refleksiv me mosdobinë e këtyre ndryshimeve kushtetuese të vitit regresiv 2008. Kur më tepër akoma, dihet dhe është pohuar, se kërkesa për raundet 50+1 të votave të deputetëve në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit, në ndryshimet kushtetuese të viti 2008,  ishte një kërkesë eksplicite e Ramës. Ishte Rama që kërkoi integrimin e formulës së zgjidhjes dhe të tejkalimit të krizës potenciale të së ashtuquajturës Kushtetutë e vjetër. Simbas Ramës, për të keqe të Ramës, formula e vjetër, sot e ndryshuar, kërkonte për të gjitha raundet 84 vota nga 140 votat e përgjithshme të Kuvendit. Duke rrezikuar zgjedhje të parakohshme, në mungesë të konsensusit. Duke pranuar në mënyrë të gabuar dhe ndjellakeqe, formulën që i jep mazhorancës, çdo mazhorance, të drejtën për të zgjedhur Presidentin ashtu si dhe Kryeministrin apo Kabinetin e tij. Berisha thuhet dhe ka pohuar vetë, se ia plotësoi këto kërkesa liderit të Opozitës, si një akt konstruktiviteti ndaj kërkesave të Opozitës. Berisha pra, nuk ka arsye ‘shpirtërore’ apo ndonjë arsye fondamentale, në emër të një doktrine politike të caktuar, që ta pengonte Kryeministrin, për të qenë posaçërisht i lidhur me formulën ‘kushtetuese’, që në dy raundet e fundit parashikon një President edhe me 50+1 të votave, si të ishte një ministër apo diçka e tillë.

Nëse zgjedh ‘Rrugën e Parë’, Kryeministri mundet, pa asnjë ngërç dhe merak, të hartojë uverturën e Platformës së tij Elektorale të vitit 2013, të Djathtë, të Gjerë dhe mbi të gjitha Garantiste, për të gjithë shqiptarët. Kjo Uverturë europianiste e 2013-tës, kërkon një President, pra, që reflekton si kandidaturë dhe si procedurë, harmoni dhe besueshmëri të të gjitha palëve. Berisha në këtë kontekst, nëse zgjedh këtë Rrugë, nuk rrezikon ta zvogëlojë aspak personalitetin e tij, përkundrazi e rrit atë dhe shkërmoq çdo ‘casus moral’ të mirëfilltë dhe me peshë publike, që kërcënon koalicionin PD-LSI. Aq më tepër që faktori ndërkombëtar, me këmbëngulje, në unison dhe në mënyrë të përsëritur, është shprehur qartë dhe aspak në mënyrë ekuivoke për formulën, e pra Rrugën Konsensuale të zgjidhjes dhe zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm.

Rruga e Dytë, është më e lehtë dhe më e shkurtër. Forcohet konsensusi brenda Partisë Demokratike. Dikush i rëndësishëm në PD bëhet President i Republikës së të gjithë shqiptarëve. Militantizmi emocional brohoret zgjedhjen e Presidentit si një ‘Fitore’ të Kryeministrit dhe të Partisë. Lule dhe shampanjë. Por ndoshta edhe prishje të Koalicionit, në emër të Konsensualitetit të Munguar. Një ‘kontroll’ strukturor që fillon nga Presidenti, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Kryesimi i Kuvendit, Kryesimi i Ekzekutivit, Bashkisë së Tiranës, ku jeton pothuajse gjysma e popullsisë së Shqipërisë. Pa vendosur paragjykime mbi personat që kryesojnë apo do të kryesojnë këto pika kyçe të pushtetit, a nuk do të ishte pak si shumë? Një besim disi naiv, që eksponentë të një Partie të vetme, do të ishin aq, po aq institucionalë dhe garantistë, pavarësisht teserës partiake që i ka sjellë apo do t’i sillte deri këtu?

Ndoshta po, ndoshta jo.

Por përse duhet të provojmë Udhëkryqin apo Eksperimentin, kur ekziston përvoja e kolauduar, e cila ka shpikur dhe aplikuar me sukses mekanizma garantistë dhe jo vetëm përbetime garantiste.

Kryeministri europianist nuk ka pse tundohet për këtë ‘Rrugë’ të lehtë dhe të shkurtër. Karriera e tij e gjatë politike, e pasur me suksese, tradhti dhe dështime, është një ‘shkollë’ e mirëfilltë politologjie ku nuk mungojnë shembujt inkurajues.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora