E premte, 19.04.2024, 07:50 PM (GMT+1)

Përjetësi » Lushaj

Zeqir Lushaj: Dy tregime në një ditë morti

E merkure, 09.05.2012, 08:41 PM


Dy tregime në një ditë morti

Nga Zeqir Lushaj

1. AMANETI…!

Interesant është jeta. Njeriu, ka detyrime të gjithanshme, nga më të ndryshmet. Për të gjallë, e për të vdekur. Bile, për të vdekurit, detyrimet e marrin një peshë, si të dyfishtë se, e kanë peshën e amanetit. Amanetet, nuk ban që të nënvleftësohen. Në traditën tonë kombëtare, amaneti është gati i njëvlefshëm, me besën e burrit, me Besën Shqiptare. Shpesh, këto të dy fjalë, trajtohen si sinonim. “Eshtë njeri, amanetqar”, - thuhet për tjetrin, e, është njësoj, sikur të kesh thanë: - “është njeri, besnik”!...Nisur nga ky konceptim, po e shkruaj këtë skicë-kujtesë,për (Vete), por, edhe për disa shokë e miq të mijtë, në Krumë të Hasit. Puna e solli që, kjo ditë, të më zërë largë, në anën tjetër të Botës, në Amerikë. Por, duke folë e duke shkruar, të paktën, e lehtësoj pak shpirtin tim!

... I ka kjo ngjarje, rreth këtu e 20 vjet të shkuara. Oda e burrave, në shtëpinë e Tahir Didës, ishte plot shokë e miq, të mbledhur, veç për qef. Në atë odë, janë bërë shumë ndenje burrash dhe shumë ahengje. Ai truell, ka qenë odë, gjithmonë. Por, këto dekadat e fundit, ka ndikue, për mirë, edhe fakti se, djali i Tahirit, Hysen Dida, i ka mbi 30 vjet që është ndoshta këngëtari më i spikatur i folklorit të Veriut. Me Rexhep Kovaçin e Lumës dhe me Rrustem Çelën  e Helshanit, janë një treshe rapsodësh që, nuk është e lehte të arrihen.

Edhe natën që po flasim, këta të tre, Dida-Çela-Kovaçi, ishin aty dhe, kënga kishte marrë hov. E, siç është normale, por, duket edhe nga kasetat që i kanë nxjerrë në treg, boshti i këngëve të tyre, është ai patriotik dhe historik, ku, Kosova zë ndoshta mbi 2/3 e repertorit...Syl Dida, ka qenë vëllai i madh i Tahirit, pra, axha i këngëtarit Hysen Dida. Një burrë i vogël nga trupi, por në këtë rast, është me vend të përdoret shprehja “i vogël, asht edhe florini”! E, Syl Dida, ka qenë një burrë flori, që më shumë i “peshonte” koka, se krejt trupi! Jo vetëm Kruma, tan Hasi, e njohin mirë emrin e Tij. Edhe katër djemtë, i ka në rrugë të mbarë...

Me Syl Didën, kam ndenjur shumë herë. I mençur, i matur,i saktë në faktet që përdorte, pa asnjë lëshim, në parimet e tij atdhetare. Kosovën e kishte pikë në zemër. Shpesh, ju thoshte

këngëtarëve: - Hajt bre, merrjani nja, qandej bre, qandej, - dhe i jepte dorës prej Kosove...

Oda buçiste dhe këngët me jehonë, ndjekin njëra-tjetrën me njëfarë rregullsie që, të krijojnë një unitet. Për Isa Boletinin,për Azem Bejten, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Ibrahim

Rugovën, për Bogdanin, Gërvallën, për Kurpalet… për cilin të duash, se, vargu është i pafund!

E, në pushimet e shkurtëra, nga kënga në këngë, bisedat janë nga më të ndryshmet. Syl Dida, mori leje, leje për me folë.

Dhe,ai burre i moshuar, u çue në kambë, si rrallë herë tjetër:

- Ndigjomëni, burra! Gjaku i derdhur për atë Kosovë,kurrë nuk mund të shkojë kot. Kjo punë, është e sigurtë.Kosova, ka me fitue lirinë. Pasha Zoten, Po! Unë, jam i vjetër,jam i lodhur. E kam kalue 80-ën dhe, e di se, nuk kam me e mrri atë ditë, po, kjo ditë, nuk do të vonohet, nuk ka se ku shkon ma andej kjo punë... Kjo dite ka me ardhe!

…I pushoi pak muhabetit. Ja shkoi njëherë dorën fytyrës.Na lëshoi të gjithëve, një shikim, si apelues (ndoshta për përqëndrim vemendje!) dhe, vazhdoi:

- Një amanet e kam për me jua lanë sonte, o burra!

Ndiej këtu, o Zeqir Lushaj, se,ju që shkrueni, nuk ju len shkrimi me i harrue porositë.

Ndiejmë o Naim Harajdini e,mire se na ke ardhë nga Suedia. Ndiejmë, o Refet Shehi!

Ndiejmëni këtu, o Hasan Peka,o Dan Gjeçi e Musa Dauti, o Avni Sheta! Ndiejmëni, o Rexhep Kovaçi, o Rrustem Çela!Ndiej ketu,o nipi im Halil Xhafa! Edhe ju, ma të rinjtë, ju lutna, me më ndije!

-Amanet, kur të çlirohet Kosova, kur Kosova të bahet e lirë dhe e pamvarune, kini me ardhë e, me ma pru atë lajm te vorri. Edhe i vdekur, atë lajm e due, atë fjalë, ju siguroj se, kam me e ndije!...

Dy pika loti u rrokullisën nëpër brazdat e faqeve të plakut e, u bashkuan, në quk të mjekrrës. Dhe, së bashku, nga mjekra, u këputën e ranë në votrën e shtëpisë, në token e Zotit, si për të na e përsëritur se: - jemi këtu, dhe: - “Amanetin, nuk e tret toka”!...

Dita e madhe, Dita e Pamvarësisë, po afron. Nuk duhet, as sesi të harrojmë që, këtë gëzim e kemi të përbashkët me varret, me varret e të parëve tanë, të breznive tona, që u flijuan për këtë ditë e, me mallin e kësaj dite. Amaneti i Syl Didës, nuk është vetëm i atij. Burrat e ditur, si Baca Syl, nuk kan fol kurrë, vetëm për veti! Ata, përfaqësojnë aspiraten shekullore të shqiptarëve... Miliona shpirtëra, përfaqësojnë!Ta çojmë lajmin e fitores, gezimin e festes se Pamvaresie se Kosovës, edhe tek varret. Eshtë obligim, është detyrë shpirtërore, detyrë që Syl Dida,aq thjershtë e bukur, ”na e la në derë’ publikisht. Dhe, nuk ban te harrohet! Kurresesi.

Kurdo që të shkoj në Krumë, Unë, do ta kryej këtë amanet,por, jam larg, ne Amerikë, ndaj, i bindur ne ardhjen shpejt te asaj dite, pres qe miqte e mije ne Krume te Hasit, ta kryejne

(secili per vete) shumë më parë se unë këtë detyrë! Ka qënë, një amanet kolektiv.

Unë, ndjej detyrë të jau kujtoj publikisht. Pastaj, secili, le ta kryej këtë amanet, siç e ndjen,në shpirtin e vet.

./.

2. NË KUJTIM TË TAHIR DIDËS

-Që sot, me 9 maj 2012, varroset në Krumë të Hasit-

 

- Një kafe mikpritëse (bujare- shqiptare), është një gjë e vogël por, njëkohësisht, një kafe është edhe një gjë e madhe

 

(Marrë mga libri “Dyqani i mendjes”, faqe 105)

 

Titulli në original: -A DO TË SHKOJË BACA TAHIR NË ITALI?

 

Menjëherë, lexuesi do të pyesi: kush është ky Tahir Dida? Pse do të shkojë ai në Itali?

Ja, lexoni më poshtë atë që ka ndodhë jo më shumë se para 5-6 muajsh, dhe, që u bë sebep për këtë shkrim në gazette e ne libër, gjithnjë e parë në syrin e miqësisë në mes njerëzve, në syrin e miqësisë në mes popujve.

…Tahir Dida, të dashur lexues, është një 76-77 vjeçarë nga Kruma e rrethit të Hasit. Eshtë një malësor tipik, i lidhur me punën një jetë të tërë, një burrë i ndershëm dhe bujar, një familje e mirë dhe e nderuar. Ish i persekutuar, por që, nuk e perdore fort atë titull. Tahir Dida, të cilin unë, autori i këtij shkrimi e kam mik, gjatë gjithë jetës së tij, i lidhur vetëm me punë, me arën e tij, me bagëtitë e tij, me komshinjtë e miqtë e tij, dhe jo më larg.

Njeri i dashur e modest por, s’ka pse të mos pranojme, njeri i padalur shumë, i pashetitur.

Tahiri e ka shtëpinë ngjitur me qytetin e Krumës. Ka shtëpi fshati por bën jetë qyteti. Në tokat e Tahirit, ka vite që ka hedhur shtat një miniere bakri, por edhe një ndërmarrje pularie.

Para pak muajsh, aty, vijnë 3-4 specialiste shqiptare dhe një i huaj, një italian për të parë punët e tyre për interesa ekonomike, por ama, mbi tokën e Tahirit dhe afër shtëpisë së tij. Tahiri i sheh këta njerëz, i takon, thjeshtë si të ardhur në rrethinat e shtëpisë së tij. I takon me rradhë dhe, kur i jep dorën inxhinierit italian, njeri nga shqiptarët i thotë:

- Baca Tahir, - ky miku, është nga Italia.

Tahiri zihet pak si ngushtë kur merr vesh që ky ishte italian, por menjëherë del nga situata dhe i drejtohet:

- Si je o Italian? A je mire? Si po kalon?

Bëjnë aty pak muhabet (kuptohet me përkthyes) dhe grupi i punës do të largoheshin. Rruga i çonte afër shtëpisë së Tahirit.

- A po vini o burra, për një kafe? - ju thotë Tahir Dida.

Përkthyesi, ia thotë këtë kërkesë italianit. Ai, të cilit i kish bërë shumë përshtypje ky njeri i thjeshtë dhe i dashur thotë:

- Po, do ta pijmë një kafe tek ky njeri i mirë.

Hyjnë tek Tahir Dida. I pret siç dijnë të presin mirë e thjeshtë malësorët. Italiani i thotë Tahirit:

- Ju nuk duhet të pini kafe turke por ekspres, sepse turkja, sidomos kur e pin shumë si puna juaj, është e dëmshme.

Tahiri, si njeri i drejtë e i ndershëm i thotë se “vërtet unë pi shumë kafe dhe ajo mund të jetë e damshme por kështu jam mësuar një jetë të tërë. Mandej, ne këtu nuk kemi ekspres?

Italianit, në mes shumë gjërash të tjera, i bëri përshtypje se duart e Tahir Didës ishin të çara, të çara nga puna e pandalur prej disa dekadash. Ia merrte duart në dorën e tij dhe, ju thoshte atyre që e shoqëronin: “Ja, duart e Tahirit tregojnë se Tahiri është një njeri shumë punëtor!” Italiani u prek shumë nga kjo pritje e thjeshtë e bujare e Tahir Didës. I tha Tahirit se “unë do të vijë mbas kaq ditësh përsëri nga Italia. Do të vi të të takoj dhe do të sjellë një ekspres për kafe”.

Asnjë nga të pranishmit nuk e mori edhe aq seriozisht këtë bisedë.

Por ditët kaluan. Erdhi dita, e thënë nga italiani. Dhe fiks në ditën që kish thënë, italiani arrinë jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Krumë. Dhe këtë herë, bashkë me gruan e tij. Dhe vizitën e parë e bën pikërisht tek Tahir Dida. Siç i kishte thënë, ai solli dhe aparatin e ekspresit të kafesë. Ashtu si burri nga Italia, mbas Tahirit, u simpatizua dhe gruaja e tij. Dhe vetëm me një motivim: Tahir Dida është njeri punëtor.

Ata, burë dhe grua i dhanë fjalën se :-Po të keshë deshirë, do të të marrim një muaj për vizitë në Itali...!

…Këto ndodhira janë të para pak ditësh. Ndaj, dhe në titull të shkrimit, e shtruam pyetjen: -”A do të shkojë Tahir Dida në Itali?”

Por, Tahir Dida, sot rreth të 80-ave, as i bjen në mend të shkojë, jo në Itali, por as deri në Ujz të Gjakovës, tek njerëzit e gruas të tij, të Manes. Nuk don t’i largohet Krumës që e don aq shumë.

Por, edhe mund të shkojë, pa asnjë shqetsim. Mund të shkojë, si mik e të kthehet si mik. Nese shkon, atje e çon puna e tij e ndershme, mbi gjashtë dekada, atje e çon një kafe e ndershme, një kafe bujare, një kafe mikpritëse, … kafe mikpritëse, shumë e sinqertë, …kafe shqiptare.

Ja pra e drejta e Zotit. Ja, pra se si, aq natyrshëm, krijohen urat e miqësisë në mes njerëzve, shëmbull i fqinjësisë e bashkëekzistencës, i dinjitetit e dashurisë njerëzor, për të cilat kemi aq nevojë.

Është shembulli i dinjitetit, që nderon mikun, por dhe i (dinjitetit të mikut talian), mikut që, aq shumë e nderon punën, dhe njeriun e punës, në rastin tonë, të një njeriu- model, si Tahir Dida!

./.



(Vota: 87 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora