E hene, 29.04.2024, 08:49 AM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Shahu: Histori personale ku unë mund të jemi ti

E diele, 15.04.2012, 11:55 AM


HISTORI PËRSONALE KU UNË MUND TË JEM TI

 

(fragment nga libri ne proces i Rexhep Shahut, Apologji per Udhen e Kombit)

 

1.

Katër ditë iu deshën familjes time të siguronte një biletë autobuzi për mua për të ardhë nga Kukësi në shkollë të mesme në Durrës. Katër ditë humbi xhaxhai Rasimi, që ishte njeri që kishte hatër, njohje e lidhje jo të pakta, duke patur mikun e tij biletashitës në axhensinë e udhëtarëve.

Pas 9 orë udhëtimi, me autobuzin e Kolës, mbërrita në Tiranë. Isha 14 vjeç dhe nuk kisha shkelë kurrë në Tiranë. Pasdite vonë. Duke pyetë, gjeta stacionin e trenit. Në orën 7 të mbrëmjes nisej treni për Durrës. Në sheshin e stacionit, mu bë se zoti më mbështolli në gji kur më thirri në emër një vajzë e fshatit tim, që vazhdonte vitin e fundit në Politeknikumin e Tiranës. Isha i trembur, s’di ta rrëfej se si e sa, por siç mund të jetë një fëmijë sot që e lëshojnë të vetëm në një metropol të huaj dhe ai  trembet se po e grabisin. Kur më foli Remzija, mu bë se bota u bë e imja. Mu bë se valixhja e madhe prej kompesatoje e lyer me bojë shkrimi, që mezi po e ngrija, u bë pupël. Isha i lodhur, i këputur nga vjelljet gjatë. Ajo më këshilloi, më mësoi, më ndihmoi të blija biletën dhe më përcolli deri te stoli ku duhej të prisja trenin. Ndoshta duket për të qeshë sot. Por mendo atë kohë…

Mbërrita në Durrës natën. Një ditë para se të fillonte shkolla se ashtu u sigurua bileta e autobuzit. Zbrita nga treni në Durrës. Plot frikë. Nuk dija se si shkohet në Shkozet ku ishte shkolla e konvikti im. Duke pyetë, duke tërheqë me pikë  të zorit valixhen, gjeta stacionin e autobuzit. Hajde, rruga e fundit…, thërriste faturinoja. Nuk e dija se po thoshte se është autobuzi i fundit që do ta bënte për atë natë udhën Durrës – Shkozet e kthim. Të më kishte ikë urbani…

Nuk e harroj ankthin tim derisa mbërrita në konvikt…

 

Të tilla siklete për një biletë autobuzi hoqa katër vjet sa isha në shkollë të mesme në Durrës dhe gjithë vitet e ndjekjes së universitetit në Shkodër. Sot shkohet dhe vihet brenda ditës nga Vjena e Austrisë dhe vështirë të besohet se unë që isha në shkollë konviktor, 215 kilometër larg shtëpisë time, shkoja në shtëpi vetëm dy herë në vit. Si unë, të gjithë. Se nuk kishte rrugë, nuk kishte autobuzë, nuk kishte bileta autobuzi… Se shteti në ato kohë ndërtonte bunkerë, bunkerë, bunkerë…

Gjithë ditët që rendja për të gjetë biletë autobuzi për Tiranë për mua ishin më të lehta se sa të një nxënësi apo studenti që nuk e kishte shtëpinë afër Kukësit. Unë shkoja me urbanin e minierës së Gjegjanit në darkë në shtëpi. Ndërsa një nxënës apo student që e kishte shtëpinë një ditë larg nga Kukësi pa autobus, pa makinë rasti e pa udhë makine për në fshatin e tij, detyrohej të rrinte 3-4 netë në Kukës ose në fshatrat afër qytetit, si mik, dhe të kërkonte gjatë ditës një biletë autobuzi.

 

* * *

 

2.

Në fillim të nëntorit, teksa vijoja vitin e parë në shkollën e mesme mekanike, degë të cilën nuk e doja, por nuk kisha asnjë mundësi tjetër shkollimi, u mërzita shumë. Më ishte bërë domosdo të shkoja me leje në shtëpi. Nuk flija dot nga lloj – lloj ëndrrash. Mësuesi  Minella Llufi, tashmë miku im, edhe pse habitej me këmbënguljen time, më dha leje. Dola në mesditë në udhë në Shkozet. Në orën 3 të drekës më mori një “Zis” mbi karroceri deri në Vorë. Nga Vora deri në Laç shkova mbi karrocerinë e një “Skodë” të Shkodrës. Në Laç shkova aty ku ngarkoheshin “Skodat” me qymyr për në Kukës, për uzinën e shkrirjes së bakrit në Rexhepaj. Lut njërin e lut tjetrin shofer, të gjithë ikën. Mbeti vetëm një skodë. E fundit. Iu luta shoferit me lotë në sy. I tregova se i kujt isha. I thashë se babai im punonte në minierën e bakrit me sondat e shpimit në karierë. Ndoshta e njeh, i thashë. Shoferi nuk fliste. Mbetem vetëm këtu dhe nuk di ku të shkoj, iu luta. I kam lekët, ia përsërisja dhe ia nxirrja 250 lekëshen… Ndoshta e njohu babanë tim, ndoshta i erdhi keq të më linte Laç, në shesh të qymyrit natën, por më në fund ra dakort të më merrte. I kam 6 njerëz të mitë që duhet t’i marr dhe nuk kam ku të të fus mor djalë, i kam nga dy vetë për sedile… Më merr në karroceri, i lutesha. Nuk do të mund të rrish mor djalë, më tha shoferi se edhe është ftohtë, fryn erë por dhe të zë frymën pluhuri i qymyrit. Rri, rri, i thashë. Dhe u nisëm në 8 të darkës. U ula afër kabinës, mbështeta shpinën në dërrasat e karrocerisë, ashtu direkt mbi qymyr. Isha i veshur me xhaketën e zezë kadife, të vetmen që kisha, poshtë saj kisha trikon kafe të Lokes, që ma kishte dhuruar ajo dhe një këmishë. Kur mbërritëm në Milot dridhesha prej të ftohtit. Frynte shumë. Si në Milot… Isha mpakur dhe bërë grusht. Sytë dhe gojën duhej t’i mbaja mbyllur se pluhuri i qymyrit më godiste me forcë në fytyrë. Hundët m’u zunë. Nga sytë e mbyllur më rridhnin lotë prej të ftohtit. Fytyra m’u bë ashkë. Sikur kisha vënë maskë. Shoferit duket i erdhi keq për mua. Ndaloi makinën dhe nga dritarja më hodhi një batanije të vjetër. Ishte batanija që përdorte si shtroje kur hynte nën makinë për ndonjë defekt. Ishte me njolla të njoma vaji dhe grasojë se m’u ngjitën duart në të. Por më ndihmoi shumë ajo batanije se u mbështolla komplet me të ashtu i ulur dhe vetëm hundën lashë jashtë. Megjithatë, i ftohti më kishte hyrë në palcë. Dhëmbët vetëm kërcisnin në mënyrë të pavullnetshme. Dhe nuk ndaloja dot dridhjen e trupit edhe pse rrija kruspull me gjunjët te mjekra. Ecnim dhe unë nuk dija se ku ishim, nuk dija sa kishim udhëtuar, ku kishim mbërritur. Sytë e mi nuk shihnin dot asgjë. Edhe për shkak të natës edhe për shkak të pluhurit të qymyrit. Askund nuk më ra të rrija drejt por përplasesha sa andej këndej në qindra kthesa që kalonim. Në orën 4 të mëngjezit mbërritëm në Kukës tek kafja “11 janari”, pranë bustit të Shote Galicës. Isha dru. Një copë trungu i ngrirë. Nuk flisja dot nga kërcitja e dhëmbëve. Shoferi më ndihmoi bashkë me një pasagjer dhe zbrita në tokë. U ula në bordur se nuk rrija dot në këmbë. Shoferi, të cilit ia kisha dhënë 250 lekëshën pa hypur në makinë, m’i ktheu lekët. Nuk pranova t’ia merrja. Por ai me të egër m’i futi lekët në xhep. Nuk na doli asnjë polic…, mërmëriti shoferi. Unë nuk isha në gjendje të kujtoja se a na kishin ndaluar policia në postblloqet e saj apo jo në Fushë – Arëz apo tek Ura e Drinit të Zi në hyrje të Kukësit. Ishte terr. Nuk po qetësohesha se trupi më dridhej dhe dhëmbët kërcisnin. Më sillej toka vërdallë. Nuk ishte më ftohtë se sa mbi karroceri të makinës, nuk frynte si mbi makinë. Nuk e di sa kam ndënjur aty, por pashë se filloi të zbardhte. Fillova të ecja poshtë e lart, siç më porositi  shoferi. Por këmbët nuk më punonin. Sikur ishin prej hekuri. Nuk i ndjeja si pjesë të trupit tim. Pantallonat ishin bërë si mushama makine.  Kisha shumë ftohtë. Unë nuk e dija se si isha bërë, se si isha nxirë. Shkova tek banjot para “Pallatit të Beqarëve” dhe lava fytyrën. Gishtërinjtë nuk hynin në flokë. Uji bëhej i zi. Me autobuzin e parë të minierës së Gjegjanit u nisa për shtëpi. Në 6 të mëngjezit mbërrita në minierë. Më duhej të ecja 30 – 40 minuta deri në fshat. Mbërrita në shtëpi si i vdekur. I tremba njerzit se isha bërë më i zi se minatorët kur delnin nga galeria.

A more vesh për lokën, më tha nëna.

Pse, çfarë ka lokja…

Ka 6 ditë që na la…

 

* * *

 

3.

Pas vitit 1999, më duhej të merrja çdo muaj udhën nga Kukësi në Tiranë e kthim për të bërë analizat e kontrollet mjeksore të radhës që nuk bëheshin në Kukës.

Një ditë me borë në dimrin e 2002, u bashkova me shoferët e furgonave që guxonin të niseshin për Kukës. U nisa në mëngjez, megjithëse më thanë plot njerëz të mos nisesha. Por është e vështirë të rrish jashtë shtëpie gjatë nëpër miq. Në hotele nuk është edhe aq e lehtë. Duhej të kisha një rrogë tjetër shtesë vetëm për hotele e shpenzimet e mia.

Patëm shumë probleme në Shpal të Mirditës, ku nuk ishte e zakontë të binte shumë borë e të bllokonte rrugën. Por, në dilemat kthehemi për Tiranë apo të ecim, ne ecëm. Për gjendjen time shëndetësore ishte aventurë me rrezik ky udhëtim. Por shoferin e kishim të zotin dhe furgoni ishte i mirë. Me shumë mundime mbërritëm në Fushë – Arëz pas 5 orë udhëtim nga Tirana. Pasagjerët mbaheshin mirë, unë me veshtirsi. Aty, ding me makina e njerëz. Ishte bllokuar Qafa e Malit. Trashësia e bores, një metër.

Isha korepondent i Top Albania Radios (TAR), për qarkun e Kukësit. Çdo orë të atij udhëtimi dhashë lajm në radio. Kur pashë në Fushë – Arëz kolonë të gjatë autoveturash e autobuzësh me targa të Kosovës plot me pasagjerë fëmijë e gra, e shtova shumë dramacitetin në lajmet që jepja dhe fillova të jap raporte telefonike direkte me zë. Numri i makinave të bllokuara, sipas policisë, ishte mbi 300. Nga studio e TAR, Zamira Koleci, Bert Prifti, Eno Popi e të tjerë mbeten në linjë direkte duke u interesuar për gjendjen time shëndetësore, përtej raporteve që jepja. Mbërritëm te Kafja e Lekës. Munda të karikoj celularin. Po vinte dreka. Bora pushoi. U nisëm. Na thonin se janë çelë segmente rruge dhe ne ecnim si breshka. Pas 2 orësh mbërritëm nga Kafja e Lekës deri ku nis rruga për Tropojë. Aty u prish furgoni. Nuk ndizej më. Rruga ishte një kalimshe. Nuk ia hapnim dot udhën makinës që ishte pas nesh.

Përpiqeshim ta shtynim për të hapë udhën për makinat e tjera. Por pa rezultat. Këpucët, këmbët, pantallonat e mbathjet ishin bërë qullë, pasi duhej të zbrisnim herë pas here që të shtynim furgonin dhe sharronim në borë deri në brez. Po ngrija nga këmbët. Shihja dhe dëgjoja fëmijë që qanin. Britma, sharje, sharje, sharje…

Shkoi një orë. Por edhe në raste të tilla rroftë biznesi. Një makinë autoveturë e lartë me katër rrotat aktive erdhi nga Qafa e Malit deri ku ndahej udha me Tropojën. Ju nxjerrim ne në Qafë, na ofroi njëri që ishte me shoferin. Ata që donin, duhej të paguanim nga 4 mijë lekë sejcili pasagjer për copën e udhës nga aty ku ndahej udha e Tropojës e deri në Qafë të Malit, që besoj duhet të jetë jo më shumë se tre kilometër. Bileta Tiranë – Kukës kushtonte një mijë lekë. Gjysma hypëm, ashtu grumbull në prehër të njëri - tjetrit, dhe gjysma e pasagjerëve mbetën në borë sepse nuk kishin lekë.

Në Qafë të Malit, mu në majë, na zbritën nga makina. Ata dëgjonin në kasetofonin e makinës Top Albania Radion. U prezantova dhe ju thashë se unë jam ai që më keni dëgjuar gjithë ditën në radio. Nuk ju jap lekë. Panë njëri – tjetrin të dy dhe qeshën pak hidhur. Por nuk ju dhashë lekë. Edhe ky lloj biznesi bëhej në borë. Natyrisht në bashkëpunim me policë të ndryshëm dhe me ndonjë nga drejtuesit e mjeteve borëpastruese…

Furgoni ynë pas një ore erdhi. E kishin rregulluar. Isha kërleshë komplet, po dridhesha…

Për shkak të lajmeve që jepja çdo orë në TAR, merrja mjaft telefonata nga shokë e miq.  Isha bërë, burim lajmi për gjithë mediat. Ndjehesha i këputur. Po ngrija nga mesi e poshtë. Lloj – lloj mendimesh të liga më ligështonin edhe më shumë. Pasdite, pranë Ujit të Ftohtë, i bërë grusht në sedile, duke numëruar tik-taket e valvulës së zemrës që dëgjohen në gojë, marr një telefonatë nga Benet Koleka i Rojterit.

- Nëse e ndjen se nuk je mirë, po krijojmë mundësinë të vijë helikopteri për ty…, më tha Beneti. Një ngrohtësi më veshi gjithë trupin…

Kur ramë te Uji i Ftohtë, drejtori i policisë së qarkut, Ylli Tafili që më kish telefonuar shpesh, më thotë se kishte mbërritur në Shëmri dhe po vinte drejt nesh të më merrte në makinën e tij…

Mobilizimi për të hapë udhën ishte i madh. Por bora ishte më e fuqishme, e pasosme. Mjetet borëpastruese të pakta, të vjetra.

Mbërritëm natën vonë në Shëmri, pas 10 orë udhëtim nga Kafja e Lekës. Të paktën u ngroha në makinën e drejtorit të policisë. Iu luta ta ulte volumin e radios së dorës, sepse çdo zhurmë më dukej se do më mbyste.

Pas mesnate mbërrita në Kukës. 18 orë zgjati gjithë udhëtimi Tiranë – Kukës.

Dhe një javë në krevat…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora