E diele, 28.04.2024, 09:51 PM (GMT+1)

Mendime

Kolë M. Berisha: Shqipërinë e do Zoti!

E merkure, 11.04.2012, 07:34 PM


Shqipërinë e do Zoti!

 

Kah po shkojnë shqiptarët?

 

Shkruan: Kolë M. BERISHA

 

Ky shkrim nuk është pjellë e dëshirimit të një momenti të caktuar. Nuk u shkrua as gjatë, e as menjëherë pas përfundimit të asaj që më 21 janar të vitit 2011 që tronditi jo vetëm kryeqytetasit e shtetit shqiptar, por edhe botën shqiptare gjithandej ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, në përgjithësi, por edhe miqtë, partnerët dhe aleatët e tyre nga bota e civilizuar, në veçanti. Që të mos jetë objekt i terrorit tiranik që ushtrojnë emocionet në këso rastesh, ky shkrim nuk u shkrua as të nesërmen, as të pasnesërmen e ndodhjes, në Kryeqytetin shqiptar, të asaj që, më së buti, mund të quhet dhembje, mjerim dhe - turp. Ç’është e vërteta, si njeri që pretendon se e njeh mendësinë (e pra, edhe historinë) shqiptare nëpër shekuj; që me fanatizëm ruan në kujtesë përvojat e hidhura të kohëve dhe epokave të ndryshme historike (në mënyrë që të mos na përsëritet historia, (siç na është përsëritë në trajtën e saj më tragjike gjatë shekujve, për ta formuar konceptin tim për të ardhmen), dhe që, me vëmendje i përcjellë zhvillimet politike, në përgjithësi, e, ato brendashqiptare, në veçanti, ky shkrim, si DHEMBJE, SI TURP, është “shkruar” dhe ka “bashkëjetuar me mua”, mbase që nga ditët e para të pas 28 qershorit të vitit 2009.

Mbrëmë nuk bëra asgjë tjetër, pos që e hedha në letër, për ta bërë publik sot, në ditën e tetë të ndodhjes tragjike të 21 janarit në Tiranë. Megjithatë, nuk mund të them se, është i liruar plotësisht nga një dozë e konsiderueshme mllefi, revolte, akuze, mallkimi që del nga thellësitë e shpirtit. Dhe, pyetja: Vërtet, kah po shkojnë sot shqiptarët? Një përgjigje figurative, po aq trishtuese sa edhe vetë realiteti në të cilin aktualisht gjenden shqiptarët, do të ishte: një karvan i gjatë, (të gjithë shqiptarë), i ngarkuar me “teshë e koteshë”, me apo pa vetëdije, por gjithsesi, me veprimet apo me mosveprimet e një pjese të elitës së tyre politike, tash e sa kohë, është nis për diku. Ka marrë rrugë. Është në lëvizje. Ecë. Jo, por, vrapon. Madje me një shpejtësi marramendëse. Gati çmendurake. Paskajshmërish tragjike. Një imazh rrëqethës që ta kujton Ferrin dhe Tmerrin e 1997-tës - rënien, për tri ditë, të Shtetit Shqiptar. Ta përkujton Ferrin dhe Tmerrin e 1999-tës. Ta përkujton Apokalipsin e quajtur Bllacë. Dikush, sikur i ka harruar këto vite dhe ngjarjet që ndodhën në to.

Ata që nuk kanë besuar se shqiptari e mban fjalën, madje edhe atëherë kur thotë se do të bëjë vetëvrasje, gabohen rëndë. Në një farë forme, një betim i tillë, se do të bëjnë vetëvrasje, (pra, se, do ta djegin Shqipërinë), sikur u dha nga një grup huliganësh, s’ka rëndësi se mbajnë jaka të bardha apo veshje ekstravante, por, gjithsesi me një petk, (ndonëse tepër të tejdukshëm), patriotik, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, për t’u përsëritur më vonë, herë në formë të modifikuar e të tërthortë, e herë të zhveshur dhe në mënyrë të drejtpërdrejt. Dhe, ndonëse me pak vonesë nga ajo që do ta kenë parashikuar por, megjithatë, e mbajtën fjalën – më 21 të këtij muaji, bënë një tentim vetëvrasjeje, madje kolektive. “Betime” të tilla tragjike, dhe “mbajtje të fjalës”, po ashtu tragjike, janë dëshmuar edhe shumë herë të tjera gjatë historisë. Por, kurrë nuk jemi penduar.

Kah po shkojnë shqiptarët me tërë këtë hidhërim, me tërë këtë mospajtim gati fanatik me këtë inat, me këtë mllef, me këtë revoltë, me këtë urrejtje deri në shkallë armiqësie ndaj rivalit politik? Kah po i çon sot shqiptarët politika e mosnjohjes së institucioneve të tyre? E mospjesëmarrjes në punën e tyre? E bojkotit? E sabotimit? E skenave bizare? Kah po shkojnë sot shqiptarët me këto tubime masive; me greva, madje edhe të urisë; me një formë komunikimi tepër të vrazhdë, deri në shkallë banaliteti; me një fjalor skajshmërisht të ulët; me shpifje ndër më bizaret; me përgjime të paautorizuara. Jokompetente; me fyerje, ndër ato më çnjerëzoret, të sanksionuara me Kodin Zakonor rrënjës; me çirrje histerike, fare të tejdukshme dhe të vazhdueshme, për për t’ia vënë zjarrin shtetit të tyre për të satën herë më radhë që nga themelimi; me akuza për korrupsion; për krim të organizuar, e për çka jo tjetër?

Në sytë e çdo shqiptari normal; në sytë e miqëve, të partnerëve dhe të aleatëve të tyre të shumtë, nga një grup huliganësh (s’ka rëndësi se janë me jaka të bardha apo me veshje ekstravagante), më 21 janar të këtij viti, sikur u tentua të digjet Shqipëria, madje nga shtetas të vet. Shqipërinë deshi ta djegë robi, por, fatbardhësisht, jo edhe Zoti. Këtë tentativë për djegie e pa e tërë bota. E pa edhe eurodeputetja, Doris Pac. E pa, dhe – gati derdhi lot. Po huliganët shqiptarë? A u penduan, a qanë për këtë turp e faqe të zezë që kryen ata më 21 të këtij muaj në kryeqytetin e tyre – Tiranë? Duket se ata kishin për detyrë ta digjnin, por jo edhe të çanin për të. Se jo të gjithë politikanët janë të sinqertë kur deklarojnë se po punojnë dhe po luftojnë për shtet e jo për pushtet; se angazhohen për popull, për fëmijët dhe të rinjtë tanë, edhe kjo, për të satën herë, u dëshmua edhe më 21 janar 2011. Mjerim, për ty a ka mëshirë? - do të pyesja në stilin jesenjinian. Derisa Jan Pallahu më 1968 dogji vetën për shtet, një grusht huliganësh shqiptarë, me apo pa jaka të bardhe, i vë zjarrin atij gjysmështeti që ka, për një copë pushtet!

Prandaj, nëse dikujt i duhet ta mësojë artin e vetërrënimit (rrënimit të shtetit të vet), tani e ka adresën e qartë. Kush e njeh më mirë artin e vetërrënimit sesa ai që më 21 janar 2011, tentoi ta rrënoi shtetin e vet? Ai këtë e ka bërë madje jo një herë gjatë historisë. E ka bërë (të tillë ka pasur në çdo kohë) në fillim të dekadës së dytë të shekullit XX, kur në Shtetin e sapo formuar shqiptar, pothuajse çdo qytet kishte nga një qeveri që po e çon vendin drejt humnerës së pafund, qamilistët (me flamurin e njërit nga pushtuesit e tyre, në dorë), e ndoqën-e përzunë emisarin evropian, princ Vidin, misioni i të cilit kishte qenë - shpëtimi dhe ngritja në këmbë e foshnjës së brishtë të sapolindur. Këtë vetërrënim, një grup monstrumësh, e bëri edhe më 1997, kur vetëm për tri ditë e shtriu përtokë Shtetin e tij. Dhe, për të tretën herë, Evropa, e prirë nga SHBA, jo vetëm se këtë pjesë të kombit dhe të atdheut shqiptar, e shpëtoi nga apokalipsa, por, edhe për shkak të paaftësisë sonë për të dëshmuar se mund të mbajmë shtet, ne, tash e njëmbëdhjetë vjet administrohemi nga bashkësia ndërkombëtare! A kemi menduar ne ndonjëherë për këtë? Deri kur do të merret bota me ne? Deri kur duhet të na marrin miqtë tanë për dore, të na mësojnë të ecim? Derisa shqiptarët e Kosovës, për, pothuaj se, një shekull të tërë, vuajtën dekada të tëra burg për mbajtjen e flamurit kombëtar, madje dhe sot, si shtet i pavarur, krahas atij shtetëror (që është obligim ligjor dhe kushtues), festat e fundvitit që shkoi (28 nëntorin, krishtlindjet dhe vitin e ri), i kremtuan edhe me valëvitjen e flamurit kombëtar, në Shtetin shqiptar, më 21 janar 2011, mu në mes të Tiranës, përdhoset flamur kombëtar. A do ta gjykojnë fëmijët e tij, atë që bëri një krim të tillë? Mbase, brenda nesh, ende ka haxhiqamilë?! Bota ka mbamendje të jashtëzakonshme. Ajo, ende i ruan në kujtesë, ato storie të turpshme, me fëmijë këmbëzbathur, tërësisht të leckosur, por me kallash në dorë duke zbrazë , pa kontroll, breshëri rafalesh. Çka u arrit me këtë manovër, me këtë aventurë tragjikisht donkishotiane të 21 janarit 2011? Pos tre të vdekurve, dhjetëra të lënduarve, shkatërrim të objekteve, të qenit në qendër të vëmendjes, në faqet e para të gazetave, dhe të mediave elektronike - imazh tragjik para botës (i një vendi anëtar i NATO-s, me liberalizim të vizave, kandidat për anëtarësim edhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtar), siguria e luhatur, mëdyshja-hezitimi i biznesmenëve vendorë dhe të huaj, dhembje e thellë dhe – Turp! Asgjë më tepër. Derisa përmes ekranit të vogël shikoja ato skena makabre para ndërtesës së Kryeministrisë së Shtetit, mendja më shkonte te dy shqiptarët (dhe evropianët më të mëdhenj ), te Fishta dhe Konica. Sa të mëdhenj ishin ata. Shqiptarët në Shqipëri, përkatësisht, një pjesë e liderëve të tyre, sikur e ka harruar atë që ndodhi në shtetin e tyre katërmbëdhjetë vjet më parë (1997).? Në ç’dreq të mallkuar po shkojmë?

 

E diel, 1 prill 2012

 

Për ribotim- Kadri Mani

/etnike@gmail.com/



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora