E enjte, 01.05.2025, 12:00 AM (GMT+1)

Mendime

Ylldije Sulka: Test për RiBashkim Kombëtar!!!

E marte, 10.04.2012, 06:16 PM


Test për RiBashkim Kombëtar!!!

 

Kur na ndanë, a na pyetën vallë me sondazhe dhe tani pse duhet të na pyesin kur duhet vetëm të na kthejnë atë që na e kanë marrë

 

Nga Ylldije Sulka

 

Përditshmëria na përpin me rutinën dhe domosdoshmërinë e vet por ajo na servir edhe çudira. Dhe çudia më e fundit për ne shqiptarët është fjalia “test apo sondazh për Bashkim Kombëtar”. Kjo të kujton që ne ende jemi nën diktaturën ndërkombëtare.

Të pyesësh qytetarin, është shkalla më e lartë e një demokracie, kjo dihet dhe nuk diskutohet, madje sa mirë që erdhi koha që edhe qytetari shqiptar të pyetet. Por të pyetet vërtet dhe jo të bëhet sikur të pyetet.

Në këtë kohë kaq të ethshme, kur Europa kërkon të na marrë në mesin e vet por si një çudi më vete, pra të të ndarë në pesë shtete: Shqipëri zyrtare, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni dhe Greqi, ne duhet të testohemi!.

Duan apo nuk duan shqiptarët të bashkohen?!

Kjo si “tip” pyetje por me shumë “spec”, vetvetiu të sjell ndër mend edhe përgjigjen apo edhe një pyetje retorike.

Dhe pyetja retorike është: kur na ndanë, a na pyetën vallë?

Jo, në ato vite jo shumë të largëta, truallin shqiptar e ndanë dhe nuk na pyetën edhe pse reagimi jonë ka qenë mbrojtja me të gjitha mënyrat, përfshi edhe luftimet që kanë qenë aq të mëdha.

E pra, tani për se u dashka që të bëhen sondazhe dhe për më tepër, bazuar shumë herë mbi këto sondazhe, dikush që kërkon të përfitojë në çdo aspekt, i përdor duke na dhënë edhe mendime apo gjykime. Dhe këto gjykime, “haj medet”, na i përdorin edhe kundër kur thonë se “kaq përqind” shqiptarë, nuk na qenkan dakord me bashkimin dhe, “aq e kaq” shqiptarë na qenkan dakord!!!.

Shumë herë këto përqindje “pro” dhe “kundër”, përfliten duke thënë se shqiptarët e “x” qyteti apo edhe kryeqyteti, na qenkan jo shumë mirëdashës për t’u bashkuar!!!

Duke respektuar të drejtën dhe cilësinë e sondazheve, pasi kur pyetet qytetari, është shkalla më e lartë e një demokracie, në këtë rast, ata që ngatërrojnë, janë ata që duan të mos e lenë Shqipërinë të bashkohet. Sepse, edhe nëse do të marrim ata shqiptarë që janë “kundër”, a mos vallë kjo do të ishte vërtet, e vërteta?!

Sepse, të gjithë ata shqiptarë që shprehen kundër, shumë herë kanë atë mentalitet të verbër që iu duket se iu përgjigjen interesave “ad hok”, por që në fakt, nëse bisedon me atë që mund të jetë përgjigjur “jo”, se a është kundër me atë që është bërë me trojet shqiptare, ai menjëherë do të të përgjigjet që jo vetëm është kundër coptimit që I është bërë Shqipërisë, por edhe që kjo gjë që i është bërë kombit të tij, duhet të korrigjohet sa më parë. Madje duhet të mos ishte bërë dhe të zhbëhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Përpjekje të tilla për të bërë sondazhe, në të shumtën e rasteve, janë një dritë që iu ndizet atyre që janë kundër bashkimit kombëtar. Sepse në qarqe të ndryshme antishqiptare, e kanë gati si argument duke e përdorur madje edhe me paragjykime, që do të thotë, edhe me dëmtime deri në qarqe të larta ndërkombëtare politikëbërëse, të cilët ndoshta edhe çuditen kur lexojnë se mes shqiptarëve na paska edhe të tillë që nuk duan që kombi I tyre të bashkohet, pra të rrijë I ndarë në pesë shtete!!!.

Kësaj i thonë që i verbëri të mos dojë sy, madje duhet ta pyesësh nëse do të kishte dëshirë të mund të shihte botën mbarë!. Përpjekjet e shqiptarëve në të gjitha kohërat dhe rastet për bashkim kombëtar, kanë qenë dhe janë të mëdha edhe pse ato luftohen, pengohen, keqdrejtohen apo keqmenaxhohen. Madje edhe klasat politike në pushtet ose jo, me përjashtim të komunistëve, të serbëve dhe grekëve, sado që paragjykohen shumë, në thelb apo sa herë iu jepet rasti, e kanë deklaruar dhe e deklarojnë që janë për bashkim kombëtar. Edhe pse interesat momentale kanë nxjerrë prononcime që duken se bien ndesh me këtë të vërtetë, përsëri ajo që duket më shumë se është e dëmshme, është ajo që ne na bëhet: sondazhi për bashkim kombëtar.

Kjo është një gjetje e re por me synimin e kahershëm, por, po aq të dëmshëm që është kundër bashkimit. Ky sondazh apo testim, edhe kur na del se është me përqindje më të lartë për bashkim, përsëri dëmin e ka brenda sepse shqiptarët i vendos kundër njëri – tjetrit në një çëshjte që është mjaft e qartë. Shqipëria duhet dhe do të bashkohet edhe nëse sipas sondazheve, nuk duan disa shqiptarë, qoftë kjo edhe një përqindje e konsiderueshme.

Një tjetër pasqyrë që del kur flitet me shifra për “pro” dhe “kundër”, është edhe fakti se pse vallë, ata që e kanë ndarë nuk e bëjnë përsëri ribashkimin kombëtar, duke kryer kështu një detyrë historike në emër të demokracisë dhe të të drejtave të popujve për liri dhe vetëvendosje por enden nëpër labirinthe të tilla duke nxjerrë në pah ose paaftësinë ose mungesën e dëshirës!

Dhe në këtë rast, sondazhi bie, sepse nuk janë shqiptarët ata që duhet të pyeten por janë ata që bëjnë politikën.

Në këtë mënyrë, shmangen edhe përplasjet popull - udhëheqje, për të vazhduar me rrugën e gjatë dhe të vështirë por të pashmangshme, rrugën e demokracisë në vend, rajon e botë. Sepse, ashtu si kanë nxjerrë përfundim analistët largpamës shqiptarë dhe të huaj, që nëse nuk ka paqe e prosperitet kombi shqiptar, në Ballkan nuk do të ketë paqe. Dhe ashtu edhe po venë punët. Kjo nuk është për t’u trembur e as për tu treguar pesimistë, por për t’u thënë e zbatuar e vërteta, e cila po mban peng shumë procese në vend, rajon dhe Europë.

Po ashtu, rreziku që po krijohet duke e mbajtur peng si klasën politike shqiptare, klasën politike ballkanike dhe atë europiane, ky rrezik pra, po jep rrezultatet e veta si në vend, Ballkan, ashtu edhe në Europë. Në Shqipëri dihet se si e kemi situatën, pasi klasat politike mbahen e përdoren kundr ribashkimit duke krijuar së pari korrupsion moral; në Ballkan është e njohur kjo situatë me një Greqi në krizë dhe Serbi në kaos; ndërsa në Bashkimin Europian kemi kaq shumë zëra, saqë të duket se ka diktaturë ndaj nesh si komb e si shtet. E përballë këtyre fakteve, ne testohemi e testohemi, kur duhet bërë një herë e mirë korrigjimi i detyrave për t’i rikthyer Shqipërisë atë që i është marrë. Sepse e dinë shumë mirë të pestë shtetet e Ballkanit se si i janë marrë trojet shqiptarëve. Faktet aty kanë qenë dhe i kemi ditur shumë mirë ne shqiptarët e të gjitha kohërave, por sot ato po dalin në dritë edhe për më skeptikët të cilët duan t’iu mbushin mendjen kushedi se kujt me sondazhe e teste.

Të paktën, jo ne shqiptarëve. Për më tepër, asnjë shqiptari!



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx