| E merkure, 11.04.2012, 07:34 PM |
Shqipërinë
e do Zoti!
Kah po
shkojnë shqiptarët?
Shkruan: Kolë
M. BERISHA
Ky shkrim
nuk është pjellë e dëshirimit të një momenti të caktuar. Nuk u shkrua as gjatë,
e as menjëherë pas përfundimit të asaj që më 21 janar të vitit 2011 që tronditi
jo vetëm kryeqytetasit e shtetit shqiptar, por edhe botën shqiptare gjithandej
ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, në përgjithësi, por edhe miqtë, partnerët
dhe aleatët e tyre nga bota e civilizuar, në veçanti. Që të mos jetë objekt i
terrorit tiranik që ushtrojnë emocionet në këso rastesh, ky shkrim nuk u shkrua
as të nesërmen, as të pasnesërmen e ndodhjes, në Kryeqytetin shqiptar, të asaj
që, më së buti, mund të quhet dhembje, mjerim dhe - turp. Ç’është e vërteta, si
njeri që pretendon se e njeh mendësinë (e pra, edhe historinë) shqiptare nëpër
shekuj; që me fanatizëm ruan në kujtesë përvojat e hidhura të kohëve dhe
epokave të ndryshme historike (në mënyrë që të mos na përsëritet historia, (siç
na është përsëritë në trajtën e saj më tragjike gjatë shekujve, për ta formuar
konceptin tim për të ardhmen), dhe që, me vëmendje i përcjellë zhvillimet
politike, në përgjithësi, e, ato brendashqiptare, në veçanti, ky shkrim, si
DHEMBJE, SI TURP, është “shkruar” dhe ka “bashkëjetuar me mua”, mbase që nga
ditët e para të pas 28 qershorit të vitit 2009.
Mbrëmë nuk
bëra asgjë tjetër, pos që e hedha në letër, për ta bërë publik sot, në ditën e
tetë të ndodhjes tragjike të 21 janarit në Tiranë. Megjithatë, nuk mund të them
se, është i liruar plotësisht nga një dozë e konsiderueshme mllefi, revolte,
akuze, mallkimi që del nga thellësitë e shpirtit. Dhe, pyetja: Vërtet, kah po
shkojnë sot shqiptarët? Një përgjigje figurative, po aq trishtuese sa edhe vetë
realiteti në të cilin aktualisht gjenden shqiptarët, do të ishte: një karvan i
gjatë, (të gjithë shqiptarë), i ngarkuar me “teshë e koteshë”, me apo pa vetëdije,
por gjithsesi, me veprimet apo me mosveprimet e një pjese të elitës së tyre
politike, tash e sa kohë, është nis për diku. Ka marrë rrugë. Është në lëvizje.
Ecë. Jo, por, vrapon. Madje me një shpejtësi marramendëse. Gati çmendurake. Paskajshmërish
tragjike. Një imazh rrëqethës që ta kujton Ferrin dhe Tmerrin e 1997-tës - rënien,
për tri ditë, të Shtetit Shqiptar. Ta përkujton Ferrin dhe Tmerrin e 1999-tës. Ta
përkujton Apokalipsin e quajtur Bllacë. Dikush, sikur i ka harruar këto vite
dhe ngjarjet që ndodhën në to.
Ata që nuk
kanë besuar se shqiptari e mban fjalën, madje edhe atëherë kur thotë se do të bëjë
vetëvrasje, gabohen rëndë. Në një farë forme, një betim i tillë, se do të bëjnë
vetëvrasje, (pra, se, do ta djegin Shqipërinë), sikur u dha nga një grup
huliganësh, s’ka rëndësi se mbajnë jaka të bardha apo veshje ekstravante, por,
gjithsesi me një petk, (ndonëse tepër të tejdukshëm), patriotik, vetëm pak ditë
pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, për t’u përsëritur më vonë, herë në formë të
modifikuar e të tërthortë, e herë të zhveshur dhe në mënyrë të drejtpërdrejt. Dhe,
ndonëse me pak vonesë nga ajo që do ta kenë parashikuar por, megjithatë, e
mbajtën fjalën – më 21 të këtij muaji, bënë një tentim vetëvrasjeje, madje
kolektive. “Betime” të tilla tragjike, dhe “mbajtje të fjalës”, po ashtu
tragjike, janë dëshmuar edhe shumë herë të tjera gjatë historisë. Por, kurrë nuk
jemi penduar.
Kah po
shkojnë shqiptarët me tërë këtë hidhërim, me tërë këtë mospajtim gati fanatik
me këtë inat, me këtë mllef, me këtë revoltë, me këtë urrejtje deri në shkallë armiqësie
ndaj rivalit politik? Kah po i çon sot shqiptarët politika e mosnjohjes së institucioneve
të tyre? E mospjesëmarrjes në punën e tyre? E bojkotit? E sabotimit? E skenave
bizare? Kah po shkojnë sot shqiptarët me këto tubime masive; me greva, madje
edhe të urisë; me një formë komunikimi tepër të vrazhdë, deri në shkallë banaliteti;
me një fjalor skajshmërisht të ulët; me shpifje ndër më bizaret; me përgjime të
paautorizuara. Jokompetente; me fyerje, ndër ato më çnjerëzoret, të sanksionuara
me Kodin Zakonor rrënjës; me çirrje histerike, fare të tejdukshme dhe të vazhdueshme,
për për t’ia vënë zjarrin shtetit të tyre për të satën herë më radhë që nga
themelimi; me akuza për korrupsion; për krim të organizuar, e për çka jo tjetër?
Në sytë e
çdo shqiptari normal; në sytë e miqëve, të partnerëve dhe të aleatëve të tyre të
shumtë, nga një grup huliganësh (s’ka rëndësi se janë me jaka të bardha apo me
veshje ekstravagante), më 21 janar të këtij viti, sikur u tentua të digjet
Shqipëria, madje nga shtetas të vet. Shqipërinë deshi ta djegë robi, por,
fatbardhësisht, jo edhe Zoti. Këtë tentativë për djegie e pa e tërë bota. E pa
edhe eurodeputetja, Doris Pac. E pa, dhe – gati derdhi lot. Po huliganët
shqiptarë? A u penduan, a qanë për këtë turp e faqe të zezë që kryen ata më 21
të këtij muaj në kryeqytetin e tyre – Tiranë? Duket se ata kishin për detyrë ta
digjnin, por jo edhe të çanin për të. Se jo të gjithë politikanët janë të sinqertë
kur deklarojnë se po punojnë dhe po luftojnë për shtet e jo për pushtet; se
angazhohen për popull, për fëmijët dhe të rinjtë tanë, edhe kjo, për të satën
herë, u dëshmua edhe më 21 janar 2011. Mjerim, për ty a ka mëshirë? - do të pyesja
në stilin jesenjinian. Derisa Jan Pallahu më 1968 dogji vetën për shtet, një grusht
huliganësh shqiptarë, me apo pa jaka të bardhe, i vë zjarrin atij gjysmështeti
që ka, për një copë pushtet!
Prandaj,
nëse dikujt i duhet ta mësojë artin e vetërrënimit (rrënimit të shtetit të vet),
tani e ka adresën e qartë. Kush e njeh më mirë artin e vetërrënimit sesa ai që më
21 janar 2011, tentoi ta rrënoi shtetin e vet? Ai këtë e ka bërë madje jo një herë
gjatë historisë. E ka bërë (të tillë ka pasur në çdo kohë) në fillim të dekadës
së dytë të shekullit XX, kur në Shtetin e sapo formuar shqiptar, pothuajse çdo
qytet kishte nga një qeveri që po e çon vendin drejt humnerës së pafund,
qamilistët (me flamurin e njërit nga pushtuesit e tyre, në dorë), e ndoqën-e përzunë
emisarin evropian, princ Vidin, misioni i të cilit kishte qenë - shpëtimi dhe
ngritja në këmbë e foshnjës së brishtë të sapolindur. Këtë vetërrënim, një grup
monstrumësh, e bëri edhe më 1997, kur vetëm për tri ditë e shtriu përtokë Shtetin
e tij. Dhe, për të tretën herë, Evropa, e prirë nga SHBA, jo vetëm se këtë pjesë
të kombit dhe të atdheut shqiptar, e shpëtoi nga apokalipsa, por, edhe për
shkak të paaftësisë sonë për të dëshmuar se mund të mbajmë shtet, ne, tash e njëmbëdhjetë
vjet administrohemi nga bashkësia ndërkombëtare! A kemi menduar ne ndonjëherë për
këtë? Deri kur do të merret bota me ne? Deri kur duhet të na marrin miqtë tanë për
dore, të na mësojnë të ecim? Derisa shqiptarët e Kosovës, për, pothuaj se, një shekull
të tërë, vuajtën dekada të tëra burg për mbajtjen e flamurit kombëtar, madje
dhe sot, si shtet i pavarur, krahas atij shtetëror (që është obligim ligjor dhe
kushtues), festat e fundvitit që shkoi (28 nëntorin, krishtlindjet dhe vitin e
ri), i kremtuan edhe me valëvitjen e flamurit kombëtar, në Shtetin shqiptar, më
21 janar 2011, mu në mes të Tiranës, përdhoset flamur kombëtar. A do ta gjykojnë
fëmijët e tij, atë që bëri një krim të tillë? Mbase, brenda nesh, ende ka
haxhiqamilë?! Bota ka mbamendje të jashtëzakonshme. Ajo, ende i ruan në kujtesë,
ato storie të turpshme, me fëmijë këmbëzbathur, tërësisht të leckosur, por me
kallash në dorë duke zbrazë , pa kontroll, breshëri rafalesh. Çka u arrit me këtë
manovër, me këtë aventurë tragjikisht donkishotiane të 21 janarit 2011? Pos tre
të vdekurve, dhjetëra të lënduarve, shkatërrim të objekteve, të qenit në qendër
të vëmendjes, në faqet e para të gazetave, dhe të mediave elektronike - imazh
tragjik para botës (i një vendi anëtar i NATO-s, me liberalizim të vizave,
kandidat për anëtarësim edhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtar), siguria e
luhatur, mëdyshja-hezitimi i biznesmenëve vendorë dhe të huaj, dhembje e thellë
dhe – Turp! Asgjë më tepër. Derisa përmes ekranit të vogël shikoja ato skena
makabre para ndërtesës së Kryeministrisë së Shtetit, mendja më shkonte te dy
shqiptarët (dhe evropianët më të mëdhenj ), te Fishta dhe Konica. Sa të mëdhenj
ishin ata. Shqiptarët në Shqipëri, përkatësisht, një pjesë e liderëve të tyre,
sikur e ka harruar atë që ndodhi në shtetin e tyre katërmbëdhjetë vjet më parë (1997).?
Në ç’dreq të mallkuar po shkojmë?
E diel, 1
prill 2012
Për
ribotim- Kadri Mani