Mendime
Gjergj Frashëri: Ndërtime pa leje në zemër të Tiranës
E marte, 10.04.2012, 06:40 PM
Urbanistika
Arkitekti
Si mundi të përurohet pa leje ndërtimi restoranti
me emrin “Piceria ERA” pas ndërresës në Bashkinë e Tiranës. Shpërfytyrohet një
ndër vilat e para të themelimit të Tiranës. 12-kateshet po zhdukin dëshmi të profilit
qytetar perëndimor të kryeqytetit
Ndërtime
pa leje në zemër të Tiranës
100 ditë para dhe 100 ditë pas ndërresës në
Bashkinë e Tiranës
Somario
1. Është shpërfytyruar një lagje autentike
urbanistike e kohës së themelimit të kryeqytetit (1920-1943) nga dhuna
urbanistike që ka ushtruar Epoka e Ndërtimeve pa Leje ose me Leje të Kundërligjshme
2. Mjerisht, Bashkia e Tiranës, shpesh e ka
pasur më të lehtë të kthejë në shesh ndërtimi një dokument historik sesa ta
ruajë atë
Nga Gjergj Frashëri
Kur udhëheqja e re e Bashkisë së Tiranës
mbushi 100 ditët e startit, në zemër të Tiranës në rrugën “Papa Gjon Pali II”,
nr. 11, u përurua një restorant me emrin “Piceria ERA”. Ndoshta është rastësi,
por ndërtimi i këtij restoranti kishte filluar plot 100 ditë të tjera para ndërresës
së fundit të Bashkisë. Ndërtimi filloi dhe mbaroi pa leje ndërtimi.
Për ndërtimin e restorantit u desh të
shpërfytyrohej një vilë dykatëshe. Para shpërfytyrimit, arkitektura e vilës
tipizonte shtëpitë që elita e pasur qytetare e Tiranës ndërtoi pas shpalljes së
saj kryeqytet më 1920-n. Vila është qelizë e bllokut urbanistik të kufizuar
prej Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe “Rrugës së Elbasanit”, ndërsa në
veri-jug nga Lana deri në Stadiumin “Qemal Stafa”, bllok i cili është ndërtuar
me planifikim urbanistik në vitet ‘20-‘30 të shekullit të kaluar. Ky ansambël
urbanistik me vila banimi të stilit perëndimor, me rrugët paralele ndërprerëse
(“Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul
Variboba”) e pajisi Tiranën e Paraluftës
me urbanistikën më moderne të kohës. Paralel u ndërtua edhe blloku tjetër i
ngjashëm në simetri me të, në krahun perëndimor të Bulevardit Dëshmorët e
Kombit (i ashtuquajtur “Blloku”). Secila nga këto ansamble banimi me rrugë të
gjera të parashikuara për qarkullimin e makinave, me trotuaret e anësuar me
pemë dhe e mbushur krejtësisht me vila familjare dhe rezidenciale, secila me
kopshtin me pemë përpara, përfaqëson qartësisht arkitekturën e themelimit të
Tiranës si kryeqytet. Ato përbëjnë
dëshmi të periudhës historike kur Tirana otomane e shpallur kryeqytet, më 1920-n,
u pajis me shpejtësi me fytyrën e re europiane
midis dy luftërave botërore. Qysh në fund të viteve ‘80 kemi shfaqur
propozimin që të dyja këto ansamble të viheshin nën mbrojtje shtetërore si dokumente
urbane të Tiranës.
Në të dyja dekadat e fundit, veçanërisht
prej vitit 2000, një numër i konsiderueshëm i këtyre vilave janë zhdukur. Në vendin
e tyre ngrihen ndërtime deri 12-katesh, që e kanë shpërfytyruar, madje dhunuar
unitetin urbanistik dhe arkitektonik të njësive dokumentare historike të
themelimit të Tiranës si kryeqytet. Nuk është se kemi të bëjmë me ndonjë
strategji bashkëkohore urbanistike apo përmirësime arkitektonike nga urbanistët
apo arkitektët tanë të sotëm. Me fillimin e viteve ‘90 Tirana ka pasur shumë hapësirë
të lirë për të ngritur lagje të tëra me sistem bashkëkohor urbanistik, për t’i
kursyer ndërhyrjet dhunuese në ansamble të tilla historike, të cilat janë
dëshmi e ekzistencës (zhvillimit) të profilit qytetar perëndimor të
kryeqytetit. Por politika e dy dekadave të fundit ka treguar tjetër mentalitet
në “ruajtjen” e historisë dhe trashëgimisë së kryeqytetit. Këto ansamble
historike të Vilave të Paraluftës janë dhunuar duke u zëvendësuar me pallate 12-katesh.
Por edhe ndonjë vile, që ka arritur të mos zhduket nga faqja e dheut, shikon
t’ia kenë nxjerrë “sytë e vetullat” fasadës së saj origjinale nga ndryshimet.
Një vilë tjetër më tutje është përpirë, fshehur apo shtypur prej volumeve
groteske të Mbindërtimit, duke dhënë rezultate “arkitektonike” të pakthyeshme.
Këtyre u rreshtohet edhe dhunimi i gjelbërimit të ansamblit, i cili ka qenë
identiteti dhe profili i tij stilistik origjinal i tij. Në këtë ansambël duket
më mirë se kudo, sesi është shpërfytyruar një lagje autentike urbanistike e
kohës së themelimit të kryeqytetit (1920-1943) nga dhuna urbanistike që ka
ushtruar Epoka e Ndërtimeve pa Leje ose me Leje të Kundërligjshme. Mjerisht,
Bashkia e Tiranës, shpesh e ka pasur më të lehtë të kthejë në shesh ndërtimi
një dokument historik sesa ta ruajë atë. . Ato kanë shkaktuar shqetësime gati
të pakorrigjueshme në jetën e qytetarëve, konfrontimin e tyre me institucionet
shtetërore, acarimin e mosbesimin ndaj pushtetit. Të krijohet bindja, se
çdokush që i vete ideja të ndërtojë një banesë pa leje në Tiranë, qoftë edhe në
vendin që bie ndesh me të gjitha rregullat urbanistike, ia arrin qëllimit.
Kështu ia arriti qëllimit edhe komshiu ynë i ri, me ndërtimin pa leje “më të
freskët” në qendër të Tiranës, restorantin e sipërpërmendur, 7 m larg fasadës
së pallatit tonë të banimit.
Fillimet e ndërtimit pa leje: deri në
muajin Mars 2011 në Vilën në fjalë, e ndërtuar rreth vitit 1940, ka banuar një
familje qytetare. Pak ditë më vonë nga largimi i saj, Vila me oborrin e saj të
madh u transformuan papritur në kantier ndërtimi. Kantieri nuk u pajis me
tabelë Ndërtuesi. Meqenëse ndërtimi i Ri po afrohej deri 7 metra larg
ballkoneve tona, u interesuam të mësonim, se me çfarë ndërtimi kishim të bënim
dhe kush ishte pronari. Por enigmë, për muaj të tëra! Në ditët e para të
prillit 2011, pasi u prenë në mënyrë makabre pemët e oborrit (me siguri pa
lejen e Bashkisë), u ngritën më shpejtësi kolona betoni dhe u hodh një soletë
betoni e mbështetur në tërë gjerësinë e vilës dhe e zgjatur në tërë gjerësinë e
oborrit. U duk sheshit se po bëhej një
ndërtim në shtrirje dhe lartësi. Përpara kësaj situate u bë e domosdoshme të
kërkonim ndihmën e ligjit dhe të institucioneve përgjegjëse.
Ankimi i Parë: Më datën 08.04.2011 njoftuam
Bashkinë e Tiranës me Shkresën B 45-50. Nga Bashkia e Tiranës pati reagim. Më
datën 14.04.2011 nga Inspektorati Ndërtimor i saj u mbajt në vend një poçes
verbal me Nr. 006815, ku u mësua se ndërtimi ishte pa leje. Një ditë më vonë,
më 15.04.2011 u nxor Vendimi Nr. 5110 për prishjen e objektit. Ndërtimi pa leje
u prish me fadrom dhe me punën e dorës së punonjësve të Policisë Bashkiake të
Tiranës.
U duk se çështja u mbyll. Por jo! Shpejt
rezultoi se ndërtuesi kishte në dorë edhe ligjin edhe zbatimin e tij. Disa ditë
para zgjedhjeve të 8 Majit, avllitë e oborrit u verbuan në lartësi me rrjetë
jeshile dhe sheshi i ndërtimit u fsheh. Gjithçka që Fadromi kishte shkatërruar
tre javë më parë u mor në dorë nga një grup ndërtuesish natë e ditë pa pushim,
madje edhe të shtunave e të dielave. Natyrisht nga punonjës në të zezë, të
punësuar jashtë rregullave ligjore të pa deklaruar në marrëdhënie pune, pa
pagesat sociale, pa sigurim shëndetësor. Biznesmenët e këtyre lloj ndërtimeve
pa leje arrijnë t’ia dalin me sukses çdo lloj kontrolli nga Ministria e Punës,
asaj të Financave të Republikës, Bashkisë së Tiranës duke treguar nivelin
social e ligjor të shtetit në Republikën tonë.
Ankimi i Dytë erdhi në ditët pas votimit më
8 Maj 2011. Ishte ironike të dokumentohej, ndërkohë që demonstruesit me deputetet
e Partisë Socialiste protestonin para Selisë së KQZ për padrejtësitë e votimit
që po i bëheshin kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ndërsa rreth 30 m në shpinë
të tyre, punëtorët në të zezë vazhdonin me ritme të larta Ndërtimin-Pa-Leje
tashmë për herë të dytë në zëmrën e kryeqytetit. Pikërisht më datën 19.05.2011
sinjalizuam Bashkinë e Tiranës për Rifillimin e ndërtimit të Parregullt. Ankesa
jonë u ndesh në përgjigjen “jemi në protesta se është shkelur ligji i
zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, nuk është kohë e përshtatshme
për ankesa!?
Ankimi i Tretë: Më datën 14.06.2011
përsëritëm ankimin tonë zyrtar në Bashkinë e Tiranës me shkresën B 70-47, duke
i sinjalizuar për Vazhdimin e Punimeve të Kundërligjshme. Nga Bashkia erdhi
premtimi se do të na jepnin përgjigje brenda 30 ditëve. Përgjigja nuk u dha.
Punimet nuk u ndaluan, por përkundrazi u shtuan. Volumeve ndërtimore veriore të
kundërligjshme të fazës prill-maj iu shtuan volume të tjera në anën perëndimore
të vilës në muajt qershor-korrik 2011. Në anën jugore të oborrit të Vilës u
ngrit enkas një ndërtesë e re masive, të cilën e morëm vesh më vonë, se paskësh
qenë për kuzhinë restoranti. Mbi tërë volumet e reja u shtruan tarraca, nga të
cilat morëm me hamendje, se aty po ndërtohej një restorant masiv. Vetë Vila u
shpërfytyrua ose më saktë u bombardua nga ndërhyrjet në të katër fasadat dhe në
brendinë e saj. U mbyllën dritare dhe dyer ekzistuese origjinare dhe u hapën të
tjera në fasada dhe brendinë e vilës, të paqena kurrë më parë. Pa pasur aprovim
shtetëror, një arkitekt i kreu këto dhunime të ndërtesës historike, duke i
nxjerrë sytë asaj, që ishte ndërtuar nga kolegu i tij 70 vjet më parë! Kështu,
në vend të një Vile qytetare të viteve 30’ të shekullit të kaluar, kemi tashmë
një produkt të kundërligjshëm të Bashkisë të vitit 2011, që na ka shkaktuar shqetësim
të padurueshëm.
Ankimi i Katërt: Ndërkohë numërimi i votave
përfundoi dhe Bashkia e Tiranës mori shkëlqim të ri, duke na premtuar edhe
zbatimin e ligjit për ndërtimet pa leje. Kështu më datën 08.08.2011 iu drejtuam
edhe një herë Bashkisë së Tiranës me kërkesën tonë të protokolluar B 89-88, për
ndalimin e ndërtimit pa leje. Punonjës të sjellshëm të Bashkisë na siguruan si
gjithnjë, se brenda 30 ditëve do të merrnim përgjigje. Mjerisht deri sot nuk
kemi marrë asnjë lloj përgjigjeje. Më falni, një përgjigje e kemi marrë, por jo
nga Bashkia e Tiranës. Përgjigja vjen nga Ndërtuesi pa Leje, i cili Produktin e
vet Privat të filluar 100 ditë para dhënies së mandatit të Bashkisë Socialiste e përfundoi 100 ditë pas marrjes
së mandatit të udhëheqjes së re të Bashkisë. Kështu në ditën e inaugurimit, pas
200 ditësh ndërtimi mësuam se Ndërtesa e Re paskësh qenë Piceria “ERA”.
*
Fillimi i punës së Picerisë krijoi për ne
banorët e pallatit ngjitur, një situate të padurueshme, që cenonte sigurinë dhe qetësinë tonë
qytetare. Prej asaj dite né nuk kemi asnjë shans të dalim në ballkone apo të
hapim dritaret e banesave tona. Direkt nën hundën e ballkoneve tona shtrihet
një sipërfaqe tarracash në qiell të hapur ku mund të ulen deri në 300 klientë
njëherësh. Nga mëngjesi e deri pas mesnate do të gjendemi nën vëzhgimin e
pandërprerë të këtij legjioni (mase) njerëzish të panjohur, deri 7 m largësi,
ku dikush mund të kryejë çfarëdo vepre kundër sigurisë së secilit prej nesh me
çfarëdo lloj mjeti. Më datën 12.12.2011 drejtuam Bashkisë së Tiranës për të
fundit herë ankesën tonë ultimative GJ-18766 me kërkesën për eliminimin e
menjëhershëm të Restorantit “Era”. E bëmë këtë, sepse banesat tona janë nga më
të kushtueshmet e Republikës dhe se, kur i hodhëm themelet e tyre më 2006 patëm
një premtim nga Bashkia e Tiranës - vila me oborrin e saj përballë nesh nuk do
të prekej. Atëherë i besuam dhe investuam, por ky premtim u shkel. Dikush mund
të mendoj se Bashkia e Tiranës ka të drejtë të mos e mbajë fjalën, të gënjejë
qytetarin, të dëmtojë qytetarin me punën e shthurur të saj. Por Dikushi nuk
duhet të harrojë se qytetari ka disa të drejta, të cilat i njihen edhe po të
mos dojë Bashkia e Tiranës. Para së gjithash,
si qytetarë të rregullt të Shqipërisë dhe nënshtetas të huaj që banojmë aty,
nuk e meritojmë të jemi nën një kërcënim të tillë jetik.
Por nuk është vetëm ky kërcënim. Në oborrin
e Picerisë është ndërtuar një ndërtesë e veçantë mbi 20 m e gjatë, e cila është
një Kuzhinë-Fabrikë. Kjo kuzhinë përgatit ushqim restoranti për 400 klientë
njëherësh dhe gatime për qindra të tjerë që shpërndan sipas porosive në qytet.
Po ku shkojnë tymrat e saj? E gjithë Kuzhina-Fabrikë shkarkohet nga një oxhak i
fuqishëm jo më shumë se 5 metra lartësi, i fuqizuar nga aspiratorë shurdhues.
Ditë e natë del nga ky oxhak i ulët, krejtësisht jashtë rregullave shëndetësore,
krejtësisht në dëm të shëndetit tonë dhe të mushkërive tona, tymi i zi i djegies
së qymyreve dhe gjithçkaje që gatuhet dhe digjet në këtë kuzhinë përbindësh në
mes të kryeqytetit. Dyert apo dritaret e banesave tona nuk hapen. Produkti
helmues dhe alergjik që prodhon Oxhaku i Picerisë helmon të gjithë banesat
tona.
Jo vetëm kaq. E kundërshtojmë fuqimisht
këtë ndërtim, sepse janë të padurueshme zhurmat që prodhohen nga mjedisi i
restorantit. Janë gati 30 bokse të
fuqishëm të montuar në oborret e tij, që do të godasin për vdekje qetësinë tonë
me zhurmën e „Muzikës“ nga altoparlantët e tyre. Këtë zhurmë të padurueshme e
fuqizon gërhitja shurdhuese të pandërprerë natë e ditë e aspiratorëve ciklopikë
të kuzhinës.
Ne nuk dimë ku jetojmë! Përpara hundëve
tona triumfon në njërën anë, makutëria pa kufij e “biznesmenëve” vendas të
zbritur në kryeqytet që shkelin me dhunë çdo detyrim ligjor dhe normat e
bashkëjetesës qytetare, në anën tjetër, përkrahja dhe mbrojtja që i bëjnë atyre
punonjësit administratës së Bashkisë së Tiranës. Teorikisht kam pritur shumë
nga ndërresa e fundit në Bashkinë e Tiranës dhe vazhdoj të shpresoj, duke e
ndihmuar edhe me këtë denoncim.
Së fundi i kemi kujtuar Bashkisë së Tiranës, se ndërtimi në fjalë është në kundërshtim me normat urbanistike. Volumet ndërtimore të reja si sallat e restorantit, salla e kuzhinës, depot e ujit, ambientet e tualeteve, të sipërfaqeve të shërbimeve në oborret, rezultojnë më shumë se trefishi i atyre origjinare. Ndërtimi i Ri ka ndryshuar kryekëput edhe destinacionin origjinal, pa projekt arkitekturor të miratuar nga Rregullorja në fuqi. Të dyja këto ndryshime janë pa leje ndërtimi. Ne e denoncojmë atë si produkt të kundërligjshëm, të shkaktuar nga punonjës të pandërgjegjshëm të Bashkisë së Tiranës në bashkëpunim me pronarët e Picerisë në fjalë, të dy palët shkelës të vetëdijshëm të ligjit. Restoranti është ndërtuar me dokumente të gabuara dhe në vendin e gabuar, ndaj kërkojmë të eliminohet.