Mendime
Kolec Traboini: Kosova - popull tjetër?!
E enjte, 12.04.2012, 06:24 PM
KOSOVA -
POPULL TJETER?!
(Nga
xhepi diplomatik i ambasadorit të Prishtinës në Tiranë)
Nga KOLEC
TRABOINI
Eshtë
krejt e natyrshme ta dëgjojmë me vëmendje çdo fjalë të përfaqësuesit zyrtar në
rang diplomatik të Kosovës në Tiranë, kjo për faktin se është gjysma tjetër e
asaj gjysme që diplomacia europiane na sajoi duke prerë copa të territorit
shqiptar në favor të fqinjëve shoviniste. Le ta themi hapur se fqinjët tanë të
vitit 1912 kanë qenë të uritur e janë lëshuar si të tërbuar të merrnin sa më
shumë nga trojet shqiptare. Pjesën më të madhe e mori Serbia që asokohe u
përkëdhel nga diplomacia europiane, që edhe sot, edhe pse u bë një luftë në
vitin 1999 prapë po kjo diplomaci e përkëdhel Serbinë duke na lënë ne shqiptarët
ende pas portës. Natyrisht ne që kemi patur durim të na copëtojmë do të bëjmë
durim edhe në këtë shekull të ri, aq më tepër se kurrë nuk na ka sosur durimi.
Jemi mësuar tashmë. Marrëdhëniet e shqiptarëve me Europën dihen e nuk duhet të
kemi asnjë iluzion. Qoftë për fajet tona a qoftë për mospërgjegjësinë e vet,
Brukseli nuk i ka fort në qejf shqiptarët. Por kësaj nuk kemi çfarë t’i bëjmë
kur, mo Zot ma keq, ne nuk po dimë as të merremi vesh me vetveten, për të mos
thënë me njeri-tjetrin, siç po mundohen të na quajnë disa që shqiptarët e
Kosovës po na i bëjnë aq shumë të dallueshëm sa thua është një popull tjetër.
Kemi
dëgjuar shumë zëra kukuvajkash në Tiranë në biseda televizive ku në panel kanë folur gjithfarësoj njerëzish të
cilët nuk e di si mund të klasifikohen
si shqiptarë. Këta panelistë të përnatshëm, këta përvetësues të kohës sonë të
harxhuar kot pranë ekraneve të vogla, në përpjekje për të qenë origjinalë na
thonë përralla se ky shekull i ndarë në mes të shqiptarëve të Shqipërisë dhe gjysmës
tjetër mbetur në troje të pushtuara nga fqinjët ka krijuar pra mentalitete të
ndryshme, sa mund të thuhet se jemi ndryshe.
Nuk mund
të them se për të përhapur këto ide antishqiptare këta panelistë kanë marrë
para nga Beogradi, anipse serbët japin shumë para për të krijuar angjenturat e
tyre në Shqipëri, por gjithashtu nuk mund të mos them se ata çojnë ujë në
mullirin e fqinjëve tanë që për nga oreksi pak kanë ndryshuar nga fillimi i
shekullit të kaluar.Veçse tani për shqiptarët ka ardhur një kohë tjetër, koha
kur ata kanë guxim të thonë të vërtetën, të kërkojnë që të rishikohen
padrejtësitë që i janë bërë popullit shqiptar më shumë e më keq se çdo shteti
tjetër të Europës. Kush në Europë e ka gjysmën e popullit të vet përtej kufijve
të shtetit kombëtar. Asnjë veç nesh.
Natyrisht
ne këto i dimë. Dimë gjithashtu se ndjenja kombëtare tashmë po kristalizohet,
njerëzit janë më të ndjeshëm, dëshira e bashkimit kombëtar është në nivelet më
të larta të njohura ndonjëherë, pavarësisht se shtetarët si në Tiranë e Prishtinë
tregohen apatikë dhe janë kundër çdo bashkimi të shqiptarëve. Dihet se pse. Për
interesat e veta meskine. Atdhetarët e mëdhenj kanë thënë shpesh - “Unë jam
mirë kur është mirë Shqipëria!”-, ndërsa pseudoatdhetarët e sotëm që zhvillojnë
politika interesi e klanesh e kanë zëvendësuar këtë me lajtmotivin bastard: “Kur jam mirë unë është mirë dhe Shqipëria!
Shoqëria
shqiptare veç polarizimit partiak dhe
polarizimit social ka dhe një polarizim tjetër, në ata që e duan atdheun ashtu
siç natyrshëm duhej të ishte, pra një popull, një komb, një shtet dhe të tjerë
që thonë që mirë është kështu siç është, pra Kosova të jetojë si një sajesë
europiane pa simbole kombëtare, shqiptarët e Iliriadës të vazhdojnë të sundohen
nga bullgaro-sllavët që vetquhen maqedonë,
shqiptarët e Malit të Zi të vazhdojnë të jenë popull i ndaluar duke u gjobitur
10 mijë euro nëse e shpalosin flamurin kombëtar shqiptar, dhe çamët të
vazhdojnë të jenë pa troje, dhe trojet shqiptare të Çamërisë të jenë nën grekët
që i kanë uzurpuar me gjak, zjarr dhe
hekur.
Ne as i
kemi kuptuar e as do t’i kuptojmë kurrë këta politikanë që populli i mban me
bukë e këta e gjuajnë popullin e vet me gurë.
Në këtë
kuadër konfuz shfaqet ambasadori i Kosovës në Shqipëri. Natyrisht edhe
televizionet bëjnë punën e tyre. I afruan një bisedë të nderuarit ambasador, me
emrin Sulejman Selimi. Dhe ky ambasador si të vinte nga Zanzibari e jo veç nga
Prishtina, dy orë larg përmes rrugës së kombit, vjen e na thotë fjalë për fjalë se do të jepte një
ndihmesë për forcimin e miqësisë midis
dy popujve tanë.
Kur i dëgjova këto fjalë m’u duk se u nxi ekrani i televizorit dhe në
vend të këtij zotëri ambasadori m’u dëgjua zëri i Çajupit për Klubin e
Selanikut: “Si nuk t’u tha goja, o beu ynë!”
Me të
vërtetë si nuk t’u tha goja, o ambasador që ke ardhur në Tiranë me një mision
“historik” - të forcosh “miqësinë” në mes dy popujve tanë.
Tani nga
kjo na del se në xhepin tënd diplomatik ke një popull tjetër. Nxirre o
ambasador ta shohim. Çfarë populli është ai që përfaqëson, mos janë alienë,
sepse me sa dimë nga historia, nga Is Boletini, Azem e Shotë Galica, nga Bajram
Curri e Hasan Prishtina, nga Zahir Pajaziti e Adem Jashari, ai populli që ti
përfaqëson nuk është tjetër veç një e treta e popullit shqiptar e nuk ke anjë
shans të forcosh miqësinë e dy popujve se ata janë një. Populli tjetër që ke
krijuar si një sajesë diplomatike, duke shkuar pas shëmbëllesës së flamurit të
imponuar me yje, as ka qenë e as do të jetë kurrë, kryekreje nuk do ta lëmë ne
shqiptarët të jetë një tjetër sepse:
Jemi një
komb, një popull, kemi një gjuhë, një flamur dhe dashtë Zoti, herët e vonë do
të jemi të gjithë bashkë në një shtet. Sot mund të duket një ëndërr, por lum ai
që ka forcën të ëndërrojë, të luftojë e të realizojë ëndrrën e vet kombëtarë
për liri, drejtësi dhe prosperitet.