E diele, 28.04.2024, 04:19 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Ryzhdi Baloku: Peja - krijimi më i bukur i natyrës

E diele, 25.03.2012, 05:55 PM


Peja - krijimi më i bukur i natyrës

 

Nga: Ryzhdi Baloku

 

Rrëzë bjeshkëve të larta të Alpeve shqiptare, të maleve më të bukura të Kosovës, ku lumi me ujin e pastër rrjedh vrullshëm duke u rrëpirë nëpër shkëmbinj përmes grykës së Rugovës me ngazëllimin e qiellit të hapur e hapësirën e pafund, ku ajri përherë është i freskët dhe krejt çka sheh syri është krijimi më i bukur i natyrës, aty shtrihet qyteti i Pejës.

Qyteti, në tri anë rrethohet nga Alpet shqiptare, ndërsa në pjesën juglindore ku zgjerohet sipërfaqja, shtrihen fusha të gjëra e pafund, të një begatie të pashtershme.

Në pjesën verilindore të qytetit, shtrihet Radaci një trevë buzë lumi e rrëzë bjeshkëve, nga shkëmbinjtë e së cilës buron Drini i bardhë, uji i të cilit gjatë rënies nga lartësia, krijon ujëvare me bukuri të rrallë. Përmes rrezeve të diellit krijon ylbere shumë ngjyrëshe e më freski të ajrit krijon ndjenjën e një bukurie përrallore.

Çdo gjë që e rrethon këtë qytet, mbush me një ndjenjë të një begatie të bekuar, ashtu siç ka ditur të krijojë vetëm fuqia absolute e Krijuesit.

Pos natyrës së bukur që e rrethon këtë qytet me bjeshkë të larta të vargmaleve të Alpeve shqiptare e me Lumëbardhin që e përshkon përmes, Peja e ka edhe kodrën markante të Tabjeve dhe disa parqe të bukura, si Parku i Karagaqit, Parku i Vogël, Parku i Varreve të Gjata dhe disa lulishte nëpër lagje të qytetit.

Peja si komunë shtrihet në fushat e begatshme të Rrafshit të Dukagjinit, me burime të shumta uji të pashtershëm. Dikur sipas vargjeve nga ”Lahuta e malcisë” së At Gjergj Fishtës pasqyrohej si: ”Peja e vogël”. Tani e popullzuar me një numër të madh banorësh dhe me ndërtime të shumta, bën pjesë në qytetet më të mëdha të Kosovës.

Qyteti i vjetër nga periudha ilire e romake është shtrirë në rrafshinën e tanishme të fushës pjellore të Pejës, që graviton në anën e krahut të drejtimit të rrugës Prishtinë - Klinë - Pejë që shpie në hyrje të këtij qyteti. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj sipërfaqeje është mbuluar me ndërtime industriale nga periudha komuniste, përkundër kundërshtimeve të pakta e individuale të shqiptarëve që ky civilizim i asaj kohe të rruhet.

Në antikë emri i Pejës njihej me emërtimin, Siperana, Seperana, Separana, Separanta dhe Separantum, që rrjedh nga kuptimi: e sipërme, e epërme, etj., ndërsa gjatë periudhës së sundimit të perandorit Justinian që ishte i origjinës ilire, njihet me emrin Pentza, në dokumentet raguziane e venedikase është e shënuar me emërtimin Forno, në kristovula me Pek dhe Pechoi, në dokumentet osmane me Ipek, ndërsa banorët e saj që nga mesjeta përherë e kanë quajtur Pejë.

Disa mendojnë se Peja e ka kuptimin nga folja me pa, në kuptim të vendit të pashëm, gjegjësisht të vendit të bukur, ndërsa në turqishte foljes me pa, a e ”pe” etj, i është vënë parashtesa ”i” dhe prapashtesa ”k” dhe emërtohet ”Ipek” si domosdoshmëri gjuhësore e turqishtes.

Sipas gojëdhënave thuhet se që nga mesjeta dikur në këtë qytet është punuar peri prej mëndafshi për të cilën disa konsiderojnë se nga kjo rrjedh emërtimi Pejë, sepse edhe deri vonë në këtë vend ka pasur numër të konsiderueshëm pemishtesh të manave (dudi), prej gjetheve të së cilës është ushqyer krimbi i mëndafshit.

Nëse në këtë emërtim bëhet një analogji e kuptimit në shqip me atë në turqishte, atëherë logjika vetvetiu shpie deri të një kuptim i përbashkët i tyre. Meqë në turqishte këtij qyteti i thonë Ipek, e që përkthyer në shqipe do të thotë mëndafsh, ndërsa peri në shqipen gegërishte ”pe”, ekziston mundësia logjike e lidhjeve mes tyre, që emërtimi Pejë të jetë më i përafërt me këtë domethënie, sepse nga mëndafshi është punuar peri, gjegjësisht në gegërishte ” pe, peni, pej, pejët”.

Serbët që njihen si falsifikues dhe përvetësues të shkëlqyeshëm të toponimeve, këtë qytet e kanë quajtur  ”Peq” që në shqip do të thotë ”furrë” ose nga  ”peqina” që në shqip do të thotë ”shpellë” e që nuk korrespondon me asnjë fakt, mirëpo në këtë formë ia kanë përshtatur terminologjisë së sllavishtes gjegjësisht serbishtes.

Nga historia dihet se kjo hapësirë ballkanike është sunduar 5 shekuj nga Turqia, prandaj si Peja ashtu edhe lagjet e saja kanë emërtime edhe në turqishte, prandaj gati  të gjitha lagjet e Pejës, njihen me emra të trashëguar me gjenerata, që edhe tani i mbajnë ato, e që kanë përmbajtje kuptimore nga turqishtja si: Kapeshnicë, Zatra, Karagaq, Jarinë, Asllan çeshme, Çokolicë, Kakariq, Kala, Taphane, Sahatkullë, Tabje, Shatërvan, etj. Emërtimet e më vonshme janë me kuptim të shqipes si: Bukuresht, Fidanishte, Kristal, Dardani etj.

Prej monumenteve të rëndësishme historike nga kultura arkitektonike e periudhës osmane, posedon hamamin, xhamia, teqe, kulla banimi dhe mullinj të ndryshëm për bluarjen e drithërave etj. Dikur Peja e kishte edhe Kalanë, tani të rrafshuar me tokë. Mbi sipërfaqe të saj janë ngritur godina banimi, prandaj edhe kjo lagje është emërtuar si: lagjja e Kalasë, që është ngjitas me lagjen e Kakariqit dhe të Taphaneve.

Këto objekte monumentale kanë edhe emërtimet siç janë: hamami i Haxhi Beut, mulliri i Haxhi Zekës, ndërsa nga xhamitë e vjetra janë të njohura si: Çarshi Xhamia, Kurshumli Xhamia, Xhamia Teftedare, Xhamia Gjylfahatyn, Xhamia e Shatërvanit e cila është granatuar e djegur nga italianët gjatë Luftës së Dytë botërore etj., një Sahat Kullë po ashtu e rrënuar, pastaj kullat e njohura si: kulla e Pashës, kulla e Gockajve, kulla e Sheremetit etj.

Me dëmtime dhe kallje të pothuajse të të gjitha monumenteve historiko-arkitektonike të Pejës, filloi dëbimi i shqiptarëve nga ky qytet në muajin mars të vitit 1999, që pasoi edhe me plaçkitje, maltretime, dhunime, vrasje dhe kallje të dyqaneve e shtëpive të shqiptarëve.

Para dhe pas vitit 1945, Kulla e Sheremetit është përdorur si godinë burgu, që ishte i njohur si burg famëkeq i përdorur prej komunistëve jugosllavë. Po ashtu deri në vitet e 60-ta të shekullit XX, Peja kishte edhe kullën e Xhevat Begut në zë si: vend krimi i komunistëve. Kjo kullë është rrënuar e zhdukur me themel nga vetë pushteti i atëhershëm, si duket për t’i përhumbur gjurmët historike të krimeve, të bëra nga ta.

Pos lumit që e përshkon Pejën përmes, dikur nëpër këtë qytet kalonin edhe shumë rrjedha uji si: përroska, përrenj e  ”jazije” (kanale), duke kaluar rrjedhat e tyre nga lagjja në lagje, si përroi i Çokolicës, përroi i Tabakëve në Kapeshnicë, përroi i Kopranikut, ”jazi” (kanali) i Kapeshnicës, ”jazi” (kanali) i Taphaneve etj., e që shtrati i tyre ishte i punuar nga gurët në formë kalldrëmi, mbi ujin e të cilave kishte të ngritur shumë mullinj për bluarje të drithërave si dhe dollapë në cilësi të pajisjeve për përpunimin e lëkurës që më së shumti kishte në Taphane. Tani disave nga ato ujëra u janë futur rrjedhat e shtratit nën tokë përmes tubave të betonit e që mbi sipërfaqe tokësore nuk vërehet ekzistimi i tyre.

Peja me rrethinë kishte edhe shumë burime uji-”kajnaçe” (kroje) dhe bunarë me ujë të pijshëm, ndërsa tani i tërë qyteti mbulohet nga dy sisteme ujësjellësi, nga burimi i Ujit të zi si sistem ujësjellësi i më hershëm dhe nga burimi i Drinit të bardhë si sistem ujësjellësi i më vonshëm që u ndërtua si nevojë e zgjerimit urbanistik të qytetit me rrethinë.

Ndër objektet e një rëndësie të arkitektonikës së veçantë përfshihet edhe Çarshia e Gjatë që u dogj nga vandalet dhe piromanët e pushtetit okupues serb me dëbimin e shqiptarëve nga qyteti.

Peja e ka edhe muzeun regjional etnografik, e që edhe vetë godina e saj paraqet një thesar historik të arkitekturës nga periudha e Perandorisë Osmane, ku është ekspozuar një pjesë modeste e pasurisë së grumbulluar të trashëgimisë kulturore e historike të popullatës së kësaj ane.

Pos pasurive dhe thesarit mbi tokësor që i posedon qyteti i Pejës me rrethinë, ekzistojnë indikacione për ekzistimin edhe të një begatie të madhe nëntokësore në thellësitë e saja, por ende të pa hulumtuara sa duhet.



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Miradije Gashi: Për Mërgatën shqiptare, qyteti Bad Cannstatt, njihet si qytet i Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka !!! Xhafer Leci: Shkollat shqipe festojnë pavarësinë e Kosovës Elinda Marku: Hyni Shqipnia në Shqipni Xhevat Muqaku: Vizitë e institucioneve të Kosovës shkollës shqipe në Fellbach Luan Dibrani: Në "Diasporën Shqiptare" synime të reja për ndryshime! Beqir Sina: U shfaq në New York, filmi dokumentar "Spaçi - Simboli i Qendresës Antikomuniste" Sarë Gjergji, fitues i ‘Takimeve Poetike të Karadakut’ Murat Geca: Shkolla 7 Marsi e kryeqytetit po ndryshon Abas Fejzullahi: Institucionet e Gjeneves ndihmojne materialisht SHSHMP Baki Ymeri: Fillojnë aktivitetet për 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Bukuresht Halit Elshani: Manifestim me përmasa kombëtare në Belgjikë Engjëll Koliqi: Afirmim i denjë i Kosovës në botë Abas Fejzullahi: Veprimtari në shenjë të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë Bedri Tahiri: Bardh?si n? Peshkopi Ramiz Selimi: Kremtim modern, më i miri gjerë me tani në Austri Engjëll Koliqi: Jehoi deri në Alpe kënga dardane e lirisë dhe e dashurisë së mirëfilltë arbërore SHKSH "Nëna Terezë" në Ängelholm: Festohet katër vjetori i Pavarsisë së Kosovës Qaush Krasniqi: Në Kirchheim-Teck suksesshëm u manifestua Pavarësia Ramiz Selimi: Tri qytete në Suedi shembull i mirë me mësimin plotësues, për të gjithë diasporën shqiptare Vladimir Shyti: Bukuri e trishtuar

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora