Editorial
Nuhi Veselaj: Paskajorja në fokus rrugëzgjidhjeje
E merkure, 05.03.2008, 06:00 PM
Paskajorja në fokus rrugëzgjidhjeje
(kumtesë)
Nga Dr. Nuhi Veselaj
Dr. Nuhi Veselaj |
Grupin e parë e përbëjnë disa gjuhëtarë dikur uniformë, tani gjithnjë në numër më të paktë, të cilët ende mbrojnë atë qëndrimin, si me thënë, alla partizançe, se paskajorja me + pjesore duhet zhdukur nga përdorimi, jo vetëm në gjuhën letrare, por përgjithësisht, deri edhe në sferën letrare-artistike të dialektit të gegërishtes, ngase nocionet e saj i mbulon tërësisht lidhorja. Pra kërkohej atëherë e dëshirohet edhe sot që kjo formë të shpallet e pa qenë për standardin.
Grupi i dytë i gjuhëtarëve dhe intelektualëve dallon nga i pari, sepse nuk e mohojnë përdorimin e paskajores në arealit verior, por mbesin, gjithsesi, në pozita mbrojtëse të normës pa këtë formë, ngase nocionet e paskajores përveç lidhores i mbulon, funksionalisht, edhe forma e paskajores së dytë, tipi me për të ... Këta gjuhëtarë, pra, nuk e shohin të nevojshme inkuadrimin e paskajores në standard, por nuk janë as kundër përdorimit të saj në nënstandardin e gegërishtes.
Grupi i tretë, i gjuhëtarëve dhe intelektualëve dallon nga dy grupet e para për tolerancë, ngase, pa mohuar mbulimin e nocioneve të paskajores me + pjesore nga lidhorja, paskajorja e dytë e forma të tjera, nuk janë kundër përdorimit të saj në nënfusha të caktuara semantike, por atë përdorim e tolerojnë vetëm si variant të lirë, d.m.th., pa e përfshirë, hë për hë, në planëzim normëzues, me arsyetimin se gjoja një element i tillë ende nuk ka përdorim të mjaftueshëm a shtrirje të gjerë në ligjërimin standard (!), prandaj ia lënë kohës që ajo ta bëjë punën e saj, e pastaj, në rast se tregohet e nevojshme, mund të futet në planëzimin standard. Pra, nuk janë as për përjashtimin nga standardi as për futjen në mënyrë normale në standard.
Grupi i katërt, dallon nga i treti, sepse, këta gjuhëtarë i karakterizon guximi bashkuar me kompetencën shkencore, siç do të thoshte prof. E. Çabej, andaj këta pa zvarritje e bëjnë menjëherë inkuadrimin e paskajores me + pjesore të shkurtër në shkrimet e tyre që e ndjekin normën, duke i dalluar këto nënfusha semantike, siç janë: përfaqësimi, thëniet frazeologjike të një abstraksioni të lartë, sfera letraro-artistike dhe sinonimia., nënfusha këto, të cilat, me marrë logjikisht, pragmatikisht dhe stilistikishtas që dalin të diskutueshme. Pra, siç veprojnë edhe vet rekomandojnë futjen e menjëhershme të paskajores në standard, por si rast të veçantë, d.m.th., pa e ndërlidhur domosdo, me paradigmat e strukturës foljore mbi bazë të gegërishtes.
Grupi i pestë i gjuhëtarëve dhe intelektualëve zgjidhjen e paskajores e praktikojnë sikurse grupi i katërt, por shkojnë edhe më tej. Ithtarët e këtij grupi e përdorin aq lirshëm paskajoren, saqë nuk e ndajnë fare nga paradigmat e gegërishtes, dhe në këtë mënyrë cytin, jo pa efekt, ringjalljen a përpunimin e normës së ish- shqipes letrar në bazë të gegërishtes, ku paskajorja me + pjesore konsiderohej, me të drejtë, si një shtyllë kurrizore e asaj strukture.
Ne, duke qenë të vetëdijshëm se kjo çështje është e zgjidhshme dhe kjo zgjidhje duhet të bëhet sa më parë, e trajtuam këtë temë mjaft gjerësisht. Njoftoj auditorin e nderuar se kam para vetes dorëshkrimin me titull: Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe (afro dyqind faqe kompjuteri), që për hir të kohës së kufizuar, jemi të detyruar t’i lexojmë vetëm titujt e krerëve përkatës të këtij punimi.
Në vend të parathënies kemi vënë nëntitullin: Paskajorja, në fokus rrugëzgjidhjeje apo?. Po kështu me pikëpyetje, i kemi vënë edhe dhjetë krerët që përmban punimi, që janë:
I. A shihet ndonjë ndryshim qëndrimi rreth integrimit të paskajores me+ pjesore në shqipen standarde?
II. A ka fakte që e vënë në dyshim zëvendësimin e plotë të nocionit të paskajores së shqipes me lidhore dhe me paskajoren e dytë?
III. A ka kundërthënie serioze me realitetin rreth raportit e propozim-zëvendësimit të paskajores së mirëfilltë me paskajoren e dytë?
IV. A është e drejtë që shprehjet me vlerë, me paskajoren me, të jenë të rekomandueshme vetëm për gegërishten, por jo edhe për shqipen standarde?
V. A ka arsye të heshtet edhe më funksioni përfaqësues i formës së paskajores me + pjesore e shkurtër?
VI. Në cilët tipa të foljeve pjesorja e shkurtër (edhe si gjymtyrë e paskajores) dhe në cilët ajo e letrarëzuara kanë më tepër përparësi për formimin e emrave të vepruesit dhe prejpjesorëve të tjerë?
VII Sa priret evolutivisht shkurtimi i pjesores së letrarishtes dhe cilët janë shtytësit e një veprimi të tillë?
VIII. Cilat janë disa nga veçoritë specifike të paskajores së mirëfilltë në gjuhën shjqipe?
IX. A është pjesorja e shkurtër një siçelës magjik potencial, veç tjerash, edhe për zgjidhjen e paskajores me me në shqipen standarde?
X. Del, apo jo, i pakuptimshëm injorimi dhe sakrifikimi i mëtejshëm i paskajores nga ndonjë vetëmohues gegërishtfolës?
Lidhur me pyetjet e shtruara në dhjetë krerët përkatës të këtij punimi do të përpiqemi të përgjigjemi fare shkurt në këto dhjetë pika:
Së pari, se a ka ndryshim qëndrimi rreth integrimit të paskajores me + pjesore në shqipen standarde, mundemi me thënë, ka, madje pikërisht është një pjese e caktuar gjuhëtarësh, të cilët edhe pse ishin dizajnues dhe nënshkrues të Deklaratës së Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 kanë ndërruar qëndrim dhe ky fakt gëzon. Madje nga goja e tyre doli përgjigjja se nuk janë kundër që paskajorja të përdoret si variant i lirë e pastaj me kohë mund të bëhet edhe përfshirja e saj në standard, nëse tregohet e nevojshme, por ndonjëri prej tyre ende ka mbetur në pozicione te vjetra., d.m.th., për mospërfilljen e paskajores.
Së dyti, shprehet rezervë e arsyeshme rreth vetëmjaftueshmërisë për zëvendësimin e paskajores me + pjesore, qoftë me format e lidhores, qoftë me atë të paskajores së dytë. Nga analiza del se asnjëra nga këto dy forma nuk mund ta zëvendësojë, vetëmpërvetëm, as mjaftueshëm tërë nocionin e paskajores me + pjesore në shqipe, madje as të dyja bashkë, ngase nocioni i paskajores paraqitet edhe më i gjerë, andaj në realitet nga analiza del se koncept-forma e paskajores ka sinonimi më të gjerë e të harmonishme edhe me komponente të tjera gjuhësore, jo vetëm me lidhoren ose me paskajoren e dytë, me të cilat bashkëjton harmonishëm.
Së treti, dalin kundërthënie serioze me realitetin, sidomos në raportin paskajore e mirëfilltë/paskajore e dytë, kundërthënie këto që janë të stërmbushura me paqëndrueshmëri parimore dhe realefaktike, prandaj kërkohet më tepër mirëkuptim rreth faktit që të përkrahet inkuadrimi i paskajores, ngase një veprim i tillë do t’i sillte vetëm të mira e kurrnjë të keqe standardit të sotëm, i cili gjithsesi duhet të përplotësohet në të gjitha rrafshet kryesore të tij, pra, edhe më formën e paskajores me+pjesore, pa e atakuar seriozisht bazën e vet.
Së katërti, rekomandimi që vlerat e paskajores t’i përcillen ose t’i lihen në përdorim vetëm dialektit të gegërishtes, por jo normës së shqipes standarde, në analizë del si një praktikë jo e drejtë dhe jo frytdhënëse, madje mund të cilësohet edhe si një veprim i dëmshëm për mbarëvajtjen e shqipes standarde mbarëkombëtare, andaj duke kundërshtuar praktikën e tillë të deritashme, njëherazi arsyetohet qëndrimi për përfshirjen e domosdoshme të menjëhershme të paskajores me + pjesore në shqipen standarde, siç janë edhe frazeologjizmat e shprehjet e tjera me vlerë të pajisura edhe me paskajoren e mirëfilltë, e cila, siç u tha, bashkëjeton harmonishëm me pjesët e tjera sinonimike.
Së pesti, për të parën herë paksa më tejdukshëm se asnjëherë më parë, vihet në pah funksioni përfaqësues i paskajores me + pjesore. Pikërisht në këtë pikë del raporti paskajore/mënyra dëftore në veçanti dhe këtu nisin e dalin gjithnjë e më të zëshme reagimet e gjuhëtarëve dhe të intelektualëve të caktuar, të cilët duke ia cilësuar si të metë standardit të sotëm mospërfshirjen e paskajores në planin përfaqësimor e përmbajtjesor, shprehin njëherazi nevojën dhe arsyeshmërinë për inkuadrimin e paskajores me + pjesore në normën e shqipes standarde.
Së gjashti, në sistemin fjalëformues të shqipes letrare, si me thënë, zbulohet, në një farë dore, patent-zgjidhja ekzistuese, fakt ky që ofrohet konkretisht si zgjidhje e arsyeshme e pakontestueshme. Pikërisht është fjala për rregullën e formimit të emrave prejpjesorë të vepruesit dhe të prejpjesorëve të tjerë, sipas tipave të foljeve përkatëse që shërbejnë si tema prodhuese dhe kjo ilustrohet me skemën si dhe me rregullat e caktuara fjalëformuese që dalin mbi këtë bazë, rregulla këto të sanksionuara edhe sipas burimeve leksikografike të shqipes së sotme letrare. Ndonëse sipas këtij rregulli pjesorja e shkurtër e gegërishtes del me përparësi të dukshme, megjithatë në disa tipa të foljeve, siç janë ato me -r e -rë edhe pjesorja e letrarishtes (toskërishtes) shërben si temë prodhuese për emërtimin e prejpjesorëve të caktuar. Pra në këtë kuadër, sidoqoftë, ofrohet zgjidhje lehtësuese rreth përzgjedhjes së pjesores, si pjesë përbërëse e paskajores me me, e cila, si me thënë, del mbizotëruese e mëkuar nga vetë struktura fjalëformuese dhe leksikografike e shqipes standarde.
Së shtati, për t’u dhënë përgjigje se sa priret evolutivisht shkurtimi i pjesores së letrarishtes dhe cilët janë shtytësit e një veprimi të tillë, u trajtua raporti i pjesores së letrarishtes ndaj pjesoreve të gegërishtes, pastaj u panë edhe trajta përkatëse të pjesores së involvuar në sistemin fjalëndërtues (fjalëformues, kohëformues e formëformues) si dhe implikimi i saj edhe sipas raportit: format invitivale/ paskajorja.
Së teti, në mënyrë të veçantë u cekën disa nga veçoritë specifike të paskajores së mirëfilltë, në gjuhën shqipe, material ky, që vërtet del si një risim në gjuhësinë tonë, ngase, me sa dimë, deri më tani, këto veçori specifike (nja 20 sosh) nuk dalin të trajtuara kaq gjerësisht nga pikëpamja sinkronike në asnjë burim normativ të deritashëm të gjuhës sonë.
Së nënti, pyetja që pjesorja e shkurtër gege a mundet me shërbye si çelës magjik potencial apo jo për konsolidimin edhe zgjidhjen e disa çështjeve të hapura të sistemit foljor të shqipes, siç është edhe paskajorja me me, nga analiza del me përgjigje pozitive, pasi paraprakisht ceken shtytësit kryesor me ndikim rreth kësaj dukurie, siç janë: pjesorja e shkurtër e pranuar në standard për një tip foljesh apofonike, ceket edhe tema prejpjesore ngurosur në kohët e habitores, pjesorja në kuadër të paskajorjës së mirëfilltë me me, realiteti që ka të bëjë me përdorimin e saj nga shumica e shqipfolësve, kujtesa ndaj ish-shqipes letrare si dhe prania e evolimit si dhe lehtshqiptimi i trajtave më të shkurta. Përthellimi i mëtejmë lidhur me pjesoren rezultoi se, vërtet, pjesorja e shkurtër, del, disi, si një çelës magjik potencial, i cili ndihmon gjithsesi konsolidimin dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura të sistemit foljor të shqipes dhe shtron nevojën e një qëndrimi më tolerant rreth trajtës së shkurtër (gege) në përgjithësi, e cila me prapashtesën e evoluar zero ose me prapashtesën inovuese -ë, jo vetëm lehtëson inkuadrimin e paskajores me pjesore të shkurtër në normë pa pengesa, por ndihmon edhe për nënfusha të tjera. Në të mirë të kësaj prirjeje a shfaqjeje evolutive si në fjalëformim ashtu edhe në leksikografi, në punim u ekspozuan mjaft fakte me shembuj konkretë, prandaj mendohet që çështja e inkuadrimit të paskajores në standard duhet bërë sa më parë institucionalisht, sepse është në dobi edhe të vetë mbarëvajtjes së normës.
Së dhjeti, veç tjerash, ceket një dukuri e pamirë e disa gjuhëtarëve, ndonëse gegërishtfolës, të cilët kanë mbetur, ende si mbështetës fanatikë të normës në fuqi, kanë mbetur ende peng të një praktike të tejkaluar për mos rikthimin e paskajores në standard, gjoja se me një veprim të tillë do të dëmtohej njësimi i normës së shqipes standarde etj. argumentet e të cilëve për kohën e sotme dalin jo vetëm të paqëndrueshme, por dhe jolargpamëse, ngase, sot për sot, me matë punën si duhet del se pragmatikisht, logjikisht, stilistikisht e shpirtërisht do të thotë se mohimi i paskajores në shqipen standarde konsiderohet si një pengesë e pajustifikueshme që vazhdon t’i bëhet mbarëvajtjes së shqipes standarde.
Natyrisht për t’i vlerësuar përgjigjet tona që janë dhënë në këtë punim do të ishte e domosdoshme që të lexohej paraprakisht në tërësi punimi, megjithatë temat e cekura në krerët përkatës si dhe përgjigjet tona edhe pse fare shkurt, sfidojnë, prandaj çdo pyetje a diskutim në raportin strukturë/sistem, paskajore/lidhore, koncept i drejtë/lajthitje etj., do t’i konsideronim si ndihmesë që punimi të jetë sa më cilësor.
Sidoqoftë, duke shpresuar se edhe kjo paraqitje jona do të hasë në mirëkuptim, në fund po përmendim faktin se i bashkohem propozimit të prof. Emil Lafes dhe prof. Enver Hysës që paskajorja meriton t’i kushtohet një simpozium a konferencë e veçantë shkencore, ku do të parashtroheshin argumentet për e kundër dhe si rrjedhojë duhet me dalë rekomandimi, apo jo, për zgjidhjen përfundimtare të paskajores me + pjesore, ngase lënia zvarrë e kësaj çështjeje ushqen variantin rival a paralel gegë të standardit dhe kjo nuk flet mirë për standardologët e sotëm. Standardologët tanë, sidomos ata të Qendrës s’duhet me harrue se një dorë mendjeje duhet ta mbajnë në ruajtjen e bazës pozitive të normës në fuqi, ndërsa dorën tjetër gjithsesi duhet ta përdorin për hapjen e shtigjeve për pasurimin, përplotësimin dhe përsosjen e standardit me elemente të reja, siç është edhe paskajorja, ngase me një veprim të tillë norma e shqipes standarde ndërgjegjësisht do të jetë më e pranueshme, politikisht më e përqafueshme dhe kombëtarisht më e integrueshme. Për këtë duhet të jenë të sigurt.
Ju faleminderit për vëmendjen!
Prishtinë, 2..09. ‘05