E hene, 07.10.2024, 10:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Pilo Zyba: O hënëz e bukur

E merkure, 28.12.2011, 12:12 PM


PILO  ZYBA

 

 

O HËNËZ E BUKUR

 

-  Pjese  nga  poema 

 

O hënëz e bukur, e brishte e pa faj,

Që ngjet me fytyrën dhe buzën e saj.

 

Që hesht, buzëqesh mbi detin e valë,

Mbi botën e çmëndur, mbi botën e çalë!

 

Që zverdhesh e tretesh, dhe rri në mendim,

Si qiri që digjet, si vetë shpirti im.

 

Që dritën fener mbi botë e mban,

 Nga ato që sheh, herë qesh, e herë qan...

 

Se dritëza e saj - i joti vegim,

Hënëz është në qiellin e shpirtëzit  tim...

 

Kjo natë dhjetori, më ngjet me një gurrë,

Që rrjedh pa pushuar, nëpër gjethe e gurë.

 

Që rënd nëpër shtigje dhe nuk ka mbarim

Si vetë qënia ime, si vetë shpirti im.

 

Të kam shumë larg, o dritë e praruar,

Më ngjet se agimi për mua ka shkuar...

 

Gjith’  jetën u luta, gjith’  jetën kërkova,

Dritëzën e bukur brigjeve nga shkova...

 

Por si drita jote, nuk gjeta në jetë,

E  ëmbël e bukur, por dhe e vërtetë.

 

Dhe renda pas syve dhe vështrimit tënd,

Dhe ëndrrën e bukur shikoja gjith’ shënd.

 

Dhe renda pas zërit, dhe renda pas buzës,

Pas fjalës së ëmbël, vegimit të muzës.

 

Të hyra në shpirt, por ti nuk e ndjen,

Atje jeta ime vjen dhe prehje gjen.

 

Ulet përmbi zemrën, që ëmbël trokon,

Vetëm veshi im e ndjen, e kupton...

 

Vetëm ndjenja ime njeh  këtë burim

Kur brënda meje ikën me rrëmbim...

 

Ikën e nuk lodhet, i tëri një jetë

Dhe derdhet rrëmbimthi për në tëndin det.

 

Nga derdhja e gëzimit, që jep jotja  rrjedhë,

Më çeli në shpirt një jetë me pranverë.

 

U mbusha me ngjyra, u mbusha me dritë,

Me ngjet se te unë erdhën perënditë.

 

Më ngjet se gjithë vitet dhe dhimbjet që shkova,

Nga blerimi yt, i treta, i harrova...

 

Dhe ngrihem me herët, dhe bie me von,

Në qiell të shpirtit ti vjen e me zgjon...

 

Ti vjen e më zgjon e më bëhesh jetë,

Shpresën e humbur ma ngren lart te retë...

 

Ngarkuar me rreze, lule erëmira,

Shpirti është kthyer në miliona ngjyra.

 

Botës i buzëqesh, dhe botës i flas,

Me bukurinë tënde shpesh herë e përngjas...

 

Të ulem mbi buzë si bletëz e lehtë,

Dhe marr polenin sa herë me flet.

 

Me polenin tënd, vrapoj në koshere,

Mbi piten e letrës, ëmbëlsi dhe ledhe...

 

Mjaltin e buzës, dhe qeshjen e artë,

E kthej në këngë nëpër timin art.

 

Por brënda në të, është buza jote,

Që më ngjall këngën, në ditë, në mote.

 

Dhe këngët për ty, s’kanë të mbaruar,

Një koshere mjalti më paske dhuruar.

 

Ndonse të kam ëndërr, ndonse të kam larg,

Me ty loz e qesh, vrapoj nëpër varg.

 

Dhe them me gëzim, bërtas më dëshirë,

-Në tëndin mjaltë  të mbytem më mirë...

 

O ç’mbytje e ëmbël, o ç’mbytje me fat,

Për mua ka ruajtur vetë zoti lart...

 

Një mbytje e tillë me ngjet, është art!

 

**

 

Hënëza e bukur që rend nëpër mote

Ka marrë diçka nga fytyra jote?

 

Kur vjen e hollohet bëhet e harkuar,

Si vetulla jote me dorë pikturuar...

 

Pse sytë më mbeten mbi portretin tënd

Kur fotot shikoj me gëzim e shënd?

 

Pse tretem, humbas, mes syve të thellë,

Brenda tyre ç’pemë qëndroka e mbjellë?

 

Ç’far gjethesh lëkunden me muzikë si qeshje,

Gëzimet të derdhen si një shi prej vjeshte?

 

Si një shi i ëmbël, lehtë me tingëllimë,

Që veç veshi im, e njeh melodinë.

 

Dhe pse shoh në foto, dhe pse s’je në jetë

Dëgjoj frymëmarrjen, të shoh të vërtetë!

 

Kraharori i derdhur, me bleroshet kodra,

Dhe në mes lugina ku dëgjoj jehona...

 

Ku dëgjoj muzikë si ecje me taka,

Behem Odise që vij nga Itaka...

 

Penelopa ime,  thuri ëndrrat, thuri,

Se fati i largët  pranë portës më pruri.

 

Në detin e jetës  lundrova me vite,

Për një lumturi, gëzim të një dite...

 

Në portën e shpirtit, dua lehtë me fjalë

Të trokas si ëndërr, të trokas si prrallë...

 

Ti hape, o Engjëll, ti hape të luten,

Në mbretërinë tënde kërkoj që të futem...

 

Dua te shikoj kalatë e ndjenjës

Dhe flokët e gjatë si fijet e perlës...

 

Bustin që ka trupi, të derdhur mes dritës,

Si bukuria e rrallë e vetë Aferditës...

 

Nuk e di ç’më ngjet, vallë pse se di,

Aferdita mori nga kjo bukuri?

 

Mes buzëqeshjes tënde, mbretëri me vete,

Dua që të mbytem, dua që të tretem...

 

Në pyjet e thellë ku fle virgjëria,

Dua ti vendos gëzimet e mia...

 

Në krojet e tua, të lahem në jetë,

Të bëhem dhe këngë, të bëhem me fletë...

 

Mes pyjesh të blertë të botës që fshe,

Të ngrej nëpër degë dhe timen fole...

 

Të dëgjoj kur këngë nxjerr nga kraharori,

Si shkëndia flake që nxjerr  aurori...

 

Të mbulohem lehte nga një perde malli,

Kur buzëqeshja jote ëmbël të më fali...

 

Dhe mes gurgullimës që zëri të nxjerr,

Një këngëz të bukur me vargje ta tjerr.

 

Dhe gërmat, dhe vargjet, ti kthej në tespie,

Varur në mendime, bukuri inxhie...

 

Të ti bëj gjerdan me margaritarë,

Nuk jam as i dehur, nuk jam as i marrë...

 

Jam i dashuruar, s’flet goja por zemra...

Prandaj nuk ndalon nëpër vargje kënga...

 

Sepse ç’do vështrim, mbi portetin tënd,

Herë më lumturon, dhe herë më çmënd...

 

Herë më përcjell në një botë tjetër,

Herë në një ëndërr, dhe herë në vepër...

 

Dhe kur gjumë flë, i lodhur pas punës,

Kur rend pas krijimit për gjetjen e rrugës...

 

Gjithnjë pranë të kam, gjithnjë rendim bashkë,

Ti me bëhesh bukë, ujë dhe erashkë...

 

Më ngjet se pa ty Penelopa ime,

Kënga nuk ka forcë, nuk ka as mendime...

 

Pa  një mbretëreshë s’ka vlerë mbretëria,

Kështu dhe mbretëria e vargjeve të mia...

 

Nga çasti që u gjete as vetë nuk e di,

Vargjet bashkë u mblodhën, bënë mbretëri?

 

Mbretëreshë të zgjodhën, të dhanë dhe fron,

Ndaj dhe vargu im sot po mbretëron...

 

Dhe do mbretëroje, në vite, në shekuj,

Kur unë dhe ti të jemi të vdekur...

 

Se vërtet do ikim, si ikën një stinë,

Por do lëmë pas të gjithë mbretërinë...

 

Dhe gjithë mbretëria – bukuria jote,

Do t’u flasi brezave, në ditë, në mote...

 

Do flasi me këngë, me vargje krijime,

Pasuria e vetme e mbretësisë time...

 

Sot në portin tënd erdha Penelopë,

Të lutem ti hape, po trokas në portë...

 

Të kam prurë dhuratë nga kjo botë e çmëndur

Nga portet e botës, jetës duke rendur...

 

Dashurinë time, që s’ngjan me një tjetër,

Dashuri që s’matet me peshë dhe metër...

 

Një ndjenjë që kurrë nuk e ke provuar,

Një ëndërr e bukur nga yje praruar...

 

Nga deti e larë, nga malli e etur,

Që kurrë në vite nuk ka për tu tretur...

 

Si një lule Prilli për jetë e mbetur...

 

***

Qëndroj për ballë detit, me sy përmbi valë,

Herë me ngjet si perlë, herë më ngjet si kalë.

 

Kam dëshirë ti hipi, mbi krifën e bukur

Dhe ta kalërojnë detit  brënda futur...

 

Ti bie në vithe, dhe lehtë ti thërras:

-Yyyoooo...kalë i hazdisur, me mëndje çapaz...

 

Rend bashkë me dëshirën, që kam thellë në zemër,

Të kërkojmë e gjejmë në botë një femër...

 

Një femër të artë, një femër ujvarë,

Që shpirtin dhe ndjenjat mua m’i ka marrë...

 

Ti, o kalë dallgë, s’di ç’është dashuria,

Nuk i di as hallet e brengave të mia!...

 

Por rend e të ikim, të vrapojmë në dete,

Atje ku dashuria qënka det më vete.

 

Se deti i saj, si deti që jemi

Ka hapësirën tënde, dhe sy prej Zgalemi...

 

Dashuria ime është një det i thellë,

Pa dallgë e me dallgë, për shi, pa ambrellë!

 

Dëshirën bëj varkë, dashurinë vela,

Dhe lundroj mes ujrash, kaltërsi të thella...

 

Ashtu si dhe deti, me dallgë e ujvarë,

Fsheh në gji të tij shumë margaritarë.

 

Dhe deti i saj, brenda ka shumë perla,

Ndaj gjithë  jeten time, mbi të ndjenjat derdha.

 

Dua thellë të zhytem, në thellësi dhe brigje,

Të kërkoj e lodhem nëpër dallgë e shtigje...

 

Të kërkoj e gjej perlat  ku rrinë fjetur,

Të cilat për jetë do më lënë të dehur...

 

Kokën të vendos mbi të shpirtit  valë,

Lehtë të përkunden, si këngë ngadalë...

 

Në endrra të bie, kurrë të mos ngrihem,

Ta puth, përkedhel, kurrë të mos ngihem...

 

Si ti, dallgë e dashur, që kurrë nuk zë vënd,

Herë në thellësi dhe herë në një kënd...

 

Dhe unë të endem mbi trupin e saj,

Kudo ta përkund, mbi buzë ta mbaj...

 

Hyyyyy..vrapo të lutem, vrapo, u vonuam,

Nuk i mbajmë mënd rrugëve nga shkuam...

 

Nuk kthehemi mbrapa, Engjëllin pa e parë,

Dëshira e jonë sot me ngjet e marrë...

 

E marrë vërtet, ngjet  vetë çudia,

Por s’kemi faj ne, faj ka dashuria...

 

Dhe pse jemi larg, dhe detin në mes,

Gjithë jetën mbeti brënda tij një shpresë...

 

Shpresa kurrë nuk kishte, as varkë, as vela,

Por gjithnjë lundron në ujrat e thella...

 

Herë vjen te unë, herë te ajo shkon ,

Telegrame shpirti me dallgë dërgon...

 

Gjuhë e këtij deti, që ka emrin ndjenjë,

Që është e gjërë, që është e thellë...

 

Ngrihet cunam, sa herë më mungon,

Dhe shkon si qëngj sa herë më takon...

 

Eeejjjjj! Dallgë - kalë, mos u përgjum, mos,

Dritëza e diellit, perëndoi, u sos...

 

Në portin e saj, tutje, thellë një far,

Ndizet, fiket, ndizet, si sy ziliqar...

 

Është zemra e saj, troket, ndizet, fiket,

Me syrin nga ne qëndron e si pritet...

 

Syrin e ka shënjë, që i del nga zemra,

Që aty dashuria  rrugë mërr si kënga...

 

Vrapo dallgë - këngë, vrapo dalgë - kalë,

Në bregun e detit ajo sot ka dalë...

 

Ka dalë të na presi me krahë gëzimi,

Si fole kur pret zogjtë nga mërgimi...

 

Vrapo kalë – dallgë, vrapo nëpër stinë,

Herë si pranverë, herë si suferinë...

 

Sa më shpejt të gjejmë, ta puthim dashurinë!

 

***



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora