E enjte, 10.10.2024, 02:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Plaga e trembëdhjetë

E enjte, 22.12.2011, 08:20 PM


Tregim

 

Resmi Osmani

 

PLAGA E TREMBËDHJETE

 

Po ta shihje nga poshtë, fshati i Koskës,dukej sikur kishte hedhur rrënjët mbi shkëmbinjtë e anës lindore të malit të Shëndëllisë. Majtas, në majë të malit, e zhytur në re, ishte Vërva, më larg, në kodrat e bukura, Pleshavica. Në jugë, si në pëllëmbë të dorës, dukej fusha e Lopsit dhe Filati. Fshati ishte i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e lartë ishte lagja e sipërme dhe xhamia me minaren drejt qiellit. Nën të, në rrafshulët, lagja e poshtme. I sheh dielli që kur lind e deri sa perëndon. Në mes i ndante përroi që mbante ujë gjithë vitin dhe vinte në punë mullinjtë e blojës. Shtëpitë e bardha, dimër e verë, mbuloheshin nga kurorat e blerta të ullinjve, fiqve dhe pjergullave. Në pranverë, kur çelnin bajamet, hapësira qëndisej nga bardhësia e luleve. Dukej sikur mbi fshat ishin ulur mijëra e mijëra flutura të bardha.

1

Në lagjen e sipërme,në të hyrë të fshatit,nga ana e lindjes, binte në sy shtëpia dykatëshe e Kapedan Muharrem Rushitit, që e rindërtuar, fekste nga bardhësia. Turqit e dogjën për hakmarrje. Kapedani u tha shokëve se mëmëdheu fillonte te pragu i shtëpisë dhe se ato mure, tashmë të rrënuara, kishin dëgjuar të parat të qarën dhe të qeshurat e tij. Atje kishte dhënë shpirt babai. Bashkë me themelet dhe  rrënjët e ullinjve nën tokë, plekseshin rrënjët dhe shpirtrat e të parëve. Edhe dhjetë herë po ta digjte këtë shtëpi zjarri i urrejtjes së turkoshakëve të egër të Anadollit, ai dhjetë herë do ta ringrinte. Mbi themelet e vjetra, shkrumbin dhe hirin, shtëpia u ringrit edhe më e bukur. Kjo shtëpi nuk ishte vetëm e kapedan Muharrem Rushitit,por e gjithë Çamërisë dhe Shqipërisë. Ajo priste e përcillte trima atdhetarë e kapedanë. Zonjë e kësaj shtëpie të madhe ishte Sabua. Që kur i shoqi u vu në krye të çetës ” Çamëria”, ajo mbeti me djalin e vetëm, Halilin, thuajse  e vetme dhe pa ndihmë. Tërë kohën ishte mëndje ngritur për të shoqin, që luante si macja me miun me vdekjen, me koshadhet e turkut dhe andartët e grekut. Fustanellën e kishte të shpuar e djegur nga plumbat, trupin të mbuluar me plagë, shkonte në luftë flakë e vetëtimë, mbi kalin me hingëllimë. E priste e ngazëllyer kur vinte, që kur dëgjonte trokun e patkonjve në kalldrëm  dhe e përcillte e drithëruar kur nisej i hipur mbi atin e bardhë. Zonjës së Kapedanit i kishin ngritur këngë. Ajo fillonte me vargjet”O Sabo moj gjeraqinë/del të shoç Muho Rushinë....” E quanin fatmadhe që ishte zonja e Kapedanit. Ajo krenohej me të shoqin. Sabua kishte një peng: Këtë shtëpi të madhe nuk kishte mundur ta mbushte me fëmijë. E kishte lënë Kapedanin vetëm me një djalë, Halilin, që ishte drita e syve dhe gëzimi i shpirtit të tyre. Sapo kishte mbushur njëzet e dy vjeç. Do ta martonin dhe ndofta do t’i gëzonte me një tufë fëmijë.

Atë pasdite të shtune të vjeshtës  së parë, Halili këmbënguli të shkonte në Filat te dajkot, dhe në Spatar te hallë Hazbua,kishte një porosi nga babai për Beqo Kushin.Të nesërmen do të bënte pazar dhe do të kthehej në shtëpi. Sabua nuk deshi ta linte, po ai nguli këmbë në të tijën. I vuri ujë të ngrohtë dhe i nxori nga sepeti ndërresat e pastra si dritë.

-Lahu - i tha ajo- Të mbash erë ujë e sapun.

-Siç duket do të vij erë manxuaran e ftua-tha i biri buzëqeshur, pasi mbrisi  ndërresat.

Halili doli në vorua dhe shaloi kalin. Ati i bardhë, që e kuptoi se do të merrte udhë,u gjallërua,turfulloi dhe çukërmoi tokën me këmbën e parë. Halili i vuri frerin, e përkëdheli nga jelet në qafë dhe i rrahu lehtë me pëllëmbë vithet. Kali fërgëllonte nga kënaqësia.

Sabua kundronte të birin dhe mrekullohej nga pamja dhe hijeshia e tij: Shtathedhur, bel hollë, cipëbardhë, syzi e vetull kalesh, me atë buzëqeshje të ëmbël që si ndahej dhe mustaqet e sapo dirsura. I ngjante shumë të atit. Kur shkonte sokakut, vashazt dilnin në dritare që ta shihnin dhe psherëtinin lehtë. Lumë kush ta kishte fat!

-Nënë, mos u mërzit se nuk do të le vetëm. Do kthehem te halla në lagjen e poshtme dhe do i them të dërgojë  Havanë, që të gdhiheni tok.

-Mos verë merak se jam mësuar të rri edhe e vetme.

Para se t’i hipte atit, e përqafoi të ëmën. Ajo e puthi në faqe dhe i mori erë në gushë.

-Bëju të gjithëve të fala dhe kujdesu për vete!

-Pa merak, nënë- tha dhe me një të hovur u gjend mbi shalë dhe kali u nis me çap të shpejtë.

Sabua u ngjit në kat të dytë dhe doli në dritare ngaku e ndoqi me sy të birin, që kalëronte me trok të lehtë, derisa u fsheh prapa kthesës së udhës.

2

Deri afër mesnatës, Sabon nuk po e zinte gjumi. Kishte një angusë dhe shtrëngesë në zemër dhe një të shuar si boshllëk përbrenda. S’i shqitej mendja nga i shoqi. Me një çetë burrash, i kishte dalë zot me armë Çamërisë dhe Shqipërisë. Ku gdhihej?  Ku ngrysej? Kush i bënte për të ngrënë, kush i jepte për të pirë? Çeta ishte hedhur në Delvinë, në ndjekje të koshadheve të turkut. Trim i çartur, ai nuk ruhej, vallëzonte me plumbat, nuk i shmangej rrezikut dhe  trupin e kishte të mbushur me plagë, që ende i dhembnin. Me shaka, plagët i quante stoli e trimave! Në mesnatë, kur nuk pritej, shpërtheu shtërgata. Bubullimat dukej sikur vinin nga fundi i dheut dhe toka dridhej, shkreptimat verbuese e bënin natën ditë. Rrebeshi i shiut përplasej në mure dhe kanatet e dritareve dhe dëgjohej gurgullima e rrëkeve. U ngrit dhe siguroi dritaret, por shtërgata siç erdhi, ashtu kaloi. Ajo doli në ballkon. Qielli u pastrua dhe vetulla e hënës së re u shfaq në jug mes yjeve me një dritë të larë. Nën hatullat e çatisë, nisi të klithte një kukuvajkë. Zogu ndjellakeqes nuk po pushonte dhe asaj i shkuan mornica në trup. E zuri gjumi ndaj të gdhirë. Bëri gjumë të paqetë dhe pa ca ëndrra të rrëmujshme që s’i mbante mënd. Kur u zgjua, dielli ishte ngritur dhe pas shtërgatës ajri ndrinte dhe gurët e sokakut llapsnin nga bardhësia. Në fshat zotëronte një qetësi e shurdhër, e çuditshme,  njerëzia kishin shkuar në punët e tyre. Rrallë dëgjohej ndonjë blegërimë deleje. Vuri rregull në vorua dhe u hodhi ushqim pulave. Papritur, bushtra Larë, e lidhur në vendin e saj, ngriti turiçkën drejt qiellit, sikur diçka donte të nuhaste, pastaj nisi të angullijë thekshëm e përvajshëm. Sabos iu ngjeth trupi dhe iu bë një si makth i frikshëm. Ishte shenjë e keqe.

-Pusho, moj, që ngrënç kokën tënde!- iu hakërrua. Lara futi bishtin në shalë dhe hyri nën strehën e saj. “Qyqja unë, tha ajo. Djali rrugëve dhe burri në luftë. Ruaji o Zot !”. Fuqiprerë, u ul në sofat. I pihej një kafe, po nuk kishte kush t’ia bënte. Për tu gjendur në punë, mori të lante një qyp ku mbanin ullinjtë  e kripur, por sapo e mori në dorë, i shkau dhe ra në plloçat e oborrit dhe u nda më tresh.” Ah moj duartharë”, qortoi veten. Ç’po ndodhte me të, ç’ishte kjo prapësi që nuk po i ndahej? Po afronte mesdita. Duhej përgatitur dreka se Hallili, hajdhjari i nanës, do të kthehej nga Filati.

3

Në mesditën e së dielës, një trumbë kalorësish doli nga Filati. Djemtë nga Koska po ktheheshin në shtëpi. Në lule të moshës, plot jetë e gjallëri.  Ndër ta shquhej Halili: shtathedhur e pamjebukur, fjalëmbël e i mençur. E lanë në krye që të printe udhën. I takonte, ishte djali i Kapedanit. Hidhnin e prisnin shpotira gazmore dhe kuajt i lanë të ecnin me trok të lehtë. Në të dalë të Filatit, në fshatin Vanar, udha zbriste tatëpjetë, pastaj hapej një lëndinë, anës saj ishte një përrua me brigjet të mbuluara  me shkurre. Kuajt ngadalësuan ecjen dhe kali i Halilit turfulloi i shqetësuar. Kalorësit panë njeri-tjetrin, por pa arritur të këmbenin një fjalë, u shkrehën armët, fluturuan plumbat, u godit një zemër. Kurmi i kalorësit u vais, u brinjas dhe ra mbi barin e njomë. U vra Halili, biri i vetëm, trëndafili i bardhë i Muharrem Rushitit, që u këput pa çelur mirë. Gjaku i rrodhi me gulçe dhe dha shpirt në çast, pa mundur të fliste një fjalë. Kali i bardhë hingëlliu, qëndroi mbi kryet e të zot dhe nga sytë i rrodhën lot. Shokët zbritën nga kuajt, pa ditur nga të mbroheshin e nga kush të mbroheshin, por krismat kishin pushuar. Vrasësit ishin zhdukur si hije nëpër shtratin e përroit. Iu mblodhën shokut rrotull dhe lotët u rrodhën faqeve tek e shihnin ashtu të pajetë. Çfarë t’i thoshin Sabos, çfarë  t’i thoshin Kapedanit, si mund të kishte fuqi shpirti dhe gjuha të jepte atë mandatë? Si mund ta dëgjonin veshët e të mos shurdhoheshin, si mund ta duronte zemra e të mos plaste! O Zot, ç’qe kjo gjëmë që u bë!          Krismat e atyre pushkëve u dëgjuan edhe në Filat, u dëgjuan në tërë Çamërinë. Dhembja, si një tërmet, tronditi tërë krahinën. U nisën dy kalorës, një për Filat e një për në Koskë, që të shpinin lajmin e kobshëm. Burrat e Filatit bënë një vig dhe me trupin e meitit mbi supe, morën udhën për në Koskë. Grupit të përzishëm, mortor, udhës iu bashkuan dhe të tjerë, që të heshtur, me dhëmbë e grushte shtrënguar, pa fjalë,  përcillnin zinë e rëndë.

Kalorësi që hyri në udhën e fshatit e ngiste aq shpejt kalin, sa potkonjtë lëshonin shkëndija në gurët e kalldrëmit. Ai qëndroi vrullprerë te porta e shtëpisë dhe pasi ngurroi një grimë  herë, trokiti me ndruajtje . Kur u hap porta, ai u gjend para Sabos që ishte bërë meit në fytyrë dhe me sy të çakërritur e pyeti:

-Kanë vrarë Muharremin?

Kalorësi, djalë i ri i atij fshati, uli kokën, faqeve i riguan lotët dhe një gulç i mori frymën.

-Jo, nanë Sabo. Bënu e fortë- i tha dhe e përqafoi- Ishtë Halili!

Sabos iu err bota, qielli i ra mbi krye, dielli u shua, gjunjët ju prenë, zemra i theri, një komb iu mblodh në grykë dhe ajo rrëshqiti fuqi prerë nga krahët e djaloshit mbi plloçat e voroit. Vuri duart në kokë dhe përmes dënesave që po i shkulnin gjoksin, klithi:

-Halil bir,e Halil djalë, ku e le të zezën nanë!

Ishte një nga ato klithje të dhimbshme shpirti, që bëjnë të dridhen drurët dhe gurët.

Ja behën gjitonet, edhe ato të tronditura e shpirtvrara nga gjëma e vdekjes. E ngritën dhe e shpunë brenda.

-Shtroni shtëpinë- u tha të mbesave zëkëputur, Se do vijë djali i nanës!

Kësodhi dhe vaji, u hapën pa ardhur meiti. Koska qante djalin e vetëm të Kapedan Muharrem Rushitit.

3

Kapedan Muharremi, pasi i dhanë mandatën gjëmëmadhe, mori me vete një grusht trima dhe kalëroi me turravrap të rrufeshëm për në Koskë. I kapluar nga hidhërimi, me trupin të mpirë dhe dhembjen therëse të zemrës, duke kalëruar nëpër natën e zezë, ai solli parasysh të birin: Si ishte rritur, ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, si kishte hedhur çapet e parë, kur kish belbëzuar, kur kish thënë nënë e baba, si i kishin ndenjur mbi krye kur ishte sëmurur, e tërë jeta, nga foshnjëria deri sa u burrërua. Djali i vetëm. Gëzimi i shtëpisë. Shpresa e familjes, ai që do ta mbushte shtëpinë me vogëlushë, me nipër e mbesa. Ja kishin këputur fillin e jetës në lule të moshës. Qau në heshtje. Të qash nuk është turp. Edhe burrat qajnë. Me lotët zbrazet helmi dhe vreri i shpirtit, rrjedh e keqja dhe dhimbja jashtë trupit, ndryshe njeriu do të plaste.

Kur hyri brenda, odën e madhe e gjeti të mbushur me miq. E pritën më këmbë dhe e shtrënguan fort në gjoks: Musa e Rexhep Demi nga Filati, të nipërit nga Spatari,kushërinj e bashkëfshatarë. Nuk gjenin dot fjalë për ngushëllim.Nuk kishte melhem për fashitjen e dhimbjes së asaj lavome.

-Muharrem vëlla, mbahu e bëj durim. Plumbi që vrau Halilin, na ka goditur të gjithëve në zemër. Krisma e atyre pushkëve është dëgjuar në gjithë Çamërinë dhe hidhërimi e zia është në çdo shtëpi- i tha Rexhep Demi.

-Të rroni ju, shëndosh miqtë. Të rrojë Çamëria, të rrojë Shqipëria!- u përgjigj ai

Pastaj shkoi në odën e meitit. Sabua dhe gratë vunë kujën. Nga vaji dhe rënkimi  i tyre dridheshin dhe muret e shtëpisë. Kapedani u ul në gjunjë dhe i zbuloi fytyrën. Djali dukej sikur flinte. Ai e përkëdheli lehtë në fytyrë dhe e puthi në ballin e zbehtë, akull të ftohtë. “Halli, o bir, babai priste të të shihte dhëndërr, po të gjeti në tabut”, mërmëriti ai. U ngrit. Fytyra i ishte ngurtësuar, sytë si dy fusha të shkreta e pa dritë. Përqafoi  të motrën, pastaj Sabon, që i qanin dhe rrobat e trupit. Gratë, ngashëreheshin dhe ofshanin me shpirt të dërrmuar, pastaj kaloi në odën e miqve. Qëndroi një grimë herë në mes të odës: i veshur me fustanellë, këpucët me xhufka, kalcat fanello me dizgje të zeza e me xhufka si dy zambakë të kuq, mesin si unazë shtrënguar me brez dhe armët të ngjeshura. Këmisha borë e bardhë e mëngëgjerë, jeleku i qëndisur me gajtan, festja i mbulonte kryet. I gjatë, i thatë, i hijshëm, sybukur dhe me mustaqet që e burrëronin e i shkonin shumë. Dukej që përpiqej të ruante qetësinë, po e tradhtonin duart që i dridheshin  lehtë. Alush Taka, u ngrit, i hodhi krahun dhe e uli në krye të vendit. Zotronte heshtja. Ishte një heshtje e rëndë, shtypëse, por nga një herë, heshtja flet më shumë se fjalët .Vdekja është e hidhur, e rëndë. Burrat heshtnin. Pinin kafe të fortë dhe duhan të sertë. Tabakaja dhe kutitë e duhanit kalonin dorë më dorë. Heshtjen e prishi Beqo Kushi:

-Dajko Muharrem, kush na e ka borxh gjakun e Halilit?

Kapedani nuk u përgjegj menjëherë. Përgjigja  s’ishte aq e lehtë.

-Faji bie mbi pleshaviciotët. Vrasjen e bëri Harallamb Zhusti me andartët e tij. Në pusi, pabesisht e si burracakë. Po ata janë vetëm vegla qorre. Musa- iu drejtua Musa Demit- Shkoqitua miqve të vërtetën e kësaj vrasjeje.

Kapedani nuk ishte fort i shkathët në të folur, i punonte më mirë gishti nga gjuha.

-Harallamb Zhusti, që për fattë keq, është po aq shqiptar sa edhe ne, por një shqiptar gjakprishur, vetëm sa tërhoqi këmbëzën e mauzerit. Urdhri dhe truri i përçarjes dhe dasisë, është në Athinë dhe Janinë. Valiu turk dhe greku, janë bërë njësh, për të shtypur kryengritjen për lirinë dhe mëvetësinë e mëmëdheut tonë, Shqipërisë. Koshadhet dhe taborët e turkut dhe bandat e andartëve, nuk ka ditë që të mos vrasin burrat dhe djemtë e Çamërisë. Këta na e kanë borxh gjakun e Halilit dhe dhjetëra djemve të tjerë. Çeta jonë ka ngritur flamurin e lirisë dhe bashkë me atë të Kapedan Çerçiz Topullit, Spiro Bellkamenit,të Sali Butkës e të tjerëve, janë bërë shpresë për popullin dhe tmerr e lemeri për armiqtë. Me këtë vrasje, ata duan të ligështojnë dhe dëshpërojnë Kapedan Muharremin, t’i mpijnë vullnetin dhe trimërinë dhe ta detyrojnë që të heqë dorë nga kjo luftë, që për ne është e shënjtë. E madhe është dhimbja, aq sa s’ka fjalë që ta shprehë, por më e madhe është  dashuria për Çamërinë dhe Shqipërinë. Atyre ua kemi borxh jetët tona. Jetët e dëshmorëve janë gurët e themelit të mëvetësisë dhe gjaku i tyre i karfos dhe i lidh ata. Liria e ka çmimin të shtrenjtë. Për hir të saj duhet t’i bëjmë ballë dhimbjes, për këtë jemi këtu, që t’i zbusim dhimbjen vëllait tonë, Muharremit, që tok me trimat e tij i ka dalë zot Çamërisë e Shqipërisë.

4

Të nesërmen, ditën e varrimit, gjithë udhët e Çamërisë të shpinin në Koskë. Erdhën për vajrënkim nga Paramithia, Margëlliçi e Mazreku, Filati, Spatari , Varfanji e Konispoli, nga Delvina dhe Labëria. Koska ishte në zi. Nga gjëma e rëndë rënkonin gurët dhe drurët. Ullinjtë frutangarkuar, kishin varur degët dhe lotonin, dielli që të mos shihte, kishte vënë para vetes një perde resh dhe era ishte platitur, zogjtë kishin pushuar këngët. Përcjellësit,të heshtur,zemër plasur e të dëshpëruar,hidhnin çapet e rënda pas meitit. Pas lutjeve të imamit, që shpirti i Halilit të gjente paqe e prehje, meitin e zbritën në varr. Kapedani, mori një grusht dheu dhe e hodhi. Trokëllima e plisave iu duk se po e mbulonte nën tokë  edhe atë. E mblodhi veten, e dinte që mbi të ishin drejtuar qindra sy. Kapedanit, që i vriteshin shokët përditë, nuk duhej të ligështohej. Edhe ata ishin vëllezërit dhe djemtë e tij.  Ishin familja e tij e madhe.

-Bir,të qoftë i lehtë, dheu i vendlindjes!

Përcjellësit e meitit heshtën. Zëri i Kapedanit vinte i drithëruar  nga një gulç i brendshëm dhe kombi që i ishte mbledhur në grykë. E mblodhi veten dhe iu drejtua miqve:

-Qofshi të nderuar, që m’u ndodhët pranë në këtë ditë të rëndë. U ardhça për të mira! Por dijeni e më besoni, edhe dhjetë djem të kisha, të dhjetë do ti bëja kurban për Çamërinë dhe Shqipërinë. Të shtatat e të dyzetat, do t’i bëjmë atje, në luftë me turqit dhe andartët e grekut, që Halili të gjejë prehjen  dhe Shqipëria lirinë.

Pas drekës së përmortshme, para Kapedanit dhe Abedin Madanit,u paraqitën një çetë e vogël trimash të armatosur, vullnetarë, për tu bashkuar me çetën “Çamëria”. Kapedani qëndroi për të pritur ngushëllimet. Abedini u priu dhe ata u nisën për tu pagëzuar me zjarrin e shenjtë të kryengritjes.

*      *      *

Kapedan Muharrem Rushiti,nga viti 1902 deri më 1920, thonë se bëri kundër turqve dhe bandave shoviniste të andartëve grekë, njëqind beteja. Mori në trup dymbëdhjetë plagë. Me kohë ato u mbyllën, por edhe pse e drobitën dhe i sollën vuajtje, dhimbja e tyre u fashit. Plaga e trembëdhjetë, e zemrës dhe shpirtit, mbeti e hapur dhe  nuk gjeti shërim asnjëherë, deri në atë ditë të vitit 1931, që ai i nwn kujdesin e të afëmve e të dashamirëve që e donin dhe e nderonin,  larg Çamërisë së dashur, në një shtëpi të vogël në Sarandë, me vegimin e të birit, që iu shfaq si një mirazh, mbylli  sytë përgjithmonë.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora