E hene, 07.10.2024, 09:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Rrëfime kosovare (V)

E enjte, 22.12.2011, 08:59 PM


DANIEL GÀZULLI

 

RRËFIME KOSOVARE 5

 

(Falnderoj të gjithë ata prej të cilëve mblodha rrëfimet në vijim)

 

 

13. KUR KALON KTHESAT NË RROZHAJË

 

Prekë Tali i Shtojit të Ulqinit kishte zanë nuse për djalë në Zhubë të Malsisë së Gjakovës.

 

Kur erdh puna me shkue e me e marrë, në mes krushqëve ishte edhe Marku, djalë teze me dhandrrin. Mjaft me bezdi po e merrnin me vete, po nuk kishin ka me e çue: djelm tezesh ma. Mirëpo edhe frikën ia kishin, se ky Marku e lëshonte gjuhën hergjele, i pelqente me ba hoke, e në tri fjalë, katër i kishte marrëzi.

 

E kishte porositë krushku i parë:   Nuk shkojmë për hoke atje. Nuk përrallen si na në Kosovë. Mos harro, kalove kthesat në Rrozhajë, veni frenin gojës.

 

I pritën si s’ka ma mirë, se jo vetëm miq, por edhe miq të largët.

 

Mirëpo, si ia patën frikën, ashtu edhe ndodhi me Markun.

 

Nusja ishte jetime e zot e zojë shtëpie aty ishte e ama, Martja, grue me mend, që i kishte hije me ndejë edhe në mes burrave. Veçse edhe bukuria e saj nuk u linte gja mangut mendëve e shpesh herë mendt u merrishin burrave që kuvendnin me te.

 

Tek po shkembenin cigare, tue folë pak si pa rend, si e kanë zakon ata të bregut të detit, Marku, ngulë shikimin krushkës, po thotë:

 

- Paj po kam frikë se po u marrim vajzen e po merzitet e ama. Në daçi, po i bajmë vend edhe asaj n’atë breg deti.

 

Jo vetëm nuk qeshi kush, po ra një heshtje e randë, me të shti frikën. Gjakovarët po shikonin njeni tjetrin: Kush do të fliste i pari, apo kush do të nxirte alltinë e me i khye përgjigje zagarit të lëshuem të Ulqinit.

 

Në mes krushqëve ishte edhe Gegë Martini, edhe ky dhandërr në Zhubë, e që ishte ba shkak me zanë atë vajzë në Malësi të Gjakovës. I paqtë si ishte prej natyre, filloi me folë me za pak ma të naltë se sa e kishte zakon:

 

- Kishte pasë dalë njeni me kalë në treg, një kalë të madh, i mbajtun mirë, si i thonë tek na, me i ndejë veza në shpinë. U afrua një blerës e po e pyetë:

 

- A ha në dhambë ky kalë?

 

-Po - i gjegjet i zoti.

 

- Po shqelma a lëshon?

 

- Edhe fort – iu përgjegj përsëri i zoti i kalit.

 

- Po a mundet me i ndejë kush në shpinë?

 

- Jo, more, ky të hedh pa i hipë mirë e rrezik të vret me shqelma.

 

- Besa, o mik, si po kallxoke të vëretën ti, vështirë se ke me e shitë.

 

- Po unë as e kam ndërmend me e shitë – foli përsëri i zoti i kalit tue e çuditë blerësin.

 

- Po pse e ke nxjerrë në treg, atëherë?!

 

- Veç me u kallxue botës çka jam tue heqë unë me ta.

 

Si ra edhe pak heshtje mbas zanit kumbyes të Gegës, ky vazhdoi përsëri:

 

- Na Markun nuk e kemi marrë me vete për mendtë që ka, por vetëm me ju tregue çka heqim na me të.

 

Gjaknat u ftohën mbas fjalës së Gegë Matinit e desh Zoti i kaluen përsëri kthesat e Rrozhajës pa dam, se për pak qé tue krisë pushka.

 

 

14. FAJI I NUSES

 

Azem Bergoci i Rrëzujës kishte gja e mall plot, por edhe bujar ishte. Shpesh i duhej me marrë punëtorë për punë të stinës, se nuk ia dilte me familje të vet.

 

Kur i erdh koha me korrë grunin, mori një ditë dymbëdhjetë punëtorë. Kush nuk i shkonte, se paguente mirë e njerëzit ishin nevojtarë.

 

Ndodhi që atë ditë ishin dhjetë burra e dy gra, Tixhja, e shoqja e Fadil Koles, që kishte ardhe me të shoqin e të birin, e moshueme, po grue e fortë e punëtore, sidhe nusja e Xhedikëve, Hyria, martue në pranëverë në atë familje ku s’kishte ku me u ndalë ferra nëpër shtëpi. Edhe pse nuse e re, ku dilte punë, nuk ia përtonte me shkue, se nuk kishte gjetë as jastek ku me vu kryet te shtëpia e burrit. Ishte edhe punëtore, sa mbas fare pak kohe të gjithë thonin: Ka shoqe vetëm veten.

 

Në mbramje shkon Azemi me pa punën e më u ba pagesën. Tek po kalonte arës së korrun, u ndal disa herë. Kishin punue jo pak, por edhe lanë kallijë kishin lanë plot. Nuk iu ndej pa folë, edhe pse nuk e kishte zakon me i gjetë bisht punës.

 

- Kush e ka korrë këtë rend? – pyeti Azemi.

 

- Nusja, - i tha Tixhja e Fadil Kolës.

 

Nusja shtangu. Nuk ishte rendi i saj. Mirëpo Tixhja, tue mendue se si e re që ishte, Azemi nuk do të bante fjalë për punëkeqen, ia la Hyrisë.

 

Kur kaloi te rendi tjetër, Azemi foli përsëri:

 

- Po këtë rend, kush e ka korrë?

 

- Nusja – ia pat shpejt e shpejt – Sylë Keqi.

 

Rend e pyet Azemi, rend e nusja i thanë herë njeni e herë tjetri.

 

Azem Bergoci u ndal, nxori paret dhe iu drejtue Hyrisë:

 

- I hangësh me të shëndoshë, moj nuse, se një dynja punë paske ba sot – dhe ia numroj paret një nga një tue e lanë shtang Hyrinë e shkretë.

 

- Po na të tjerët, Azem agë, a hiç nuk kemi me marrë gja? – e pyeti Tixhja.

 

- Paj unë pyeta kush e ka korrë këtë rend e më thatë nusja. Pyeta edhe për tjetrin e për tjetrin, tanë nusja më thatë se i ka korrë. Kush ka ba punën i merr paret.

 

 

15. KUSH NUK DI ÇKA ASHT NDERA, DI ÇKA ASHT TUTA

 

Simon Prend Gega ishte kulak. Edhe pse bashkëfshatarët e çmonin dhe e respektonin, përsëri i rrinin larg, se i tremebshin synit vigjilent të hafijeve.

 

Një ditë, bahen bashkë disa bashkëfshatarë të tij me shkue për një ngushllim në Lug të Drinit, po atij nuk i thanë gja. Ma mirë larg sherrit.

 

U kthyen të zhgënjyem, se krejt ftohtë i kishin pritë.

 

Takon njeni prej tyne Simonin e i thotë:

 

- Lugadrinasit as u tunden vendit pse u shkuem na. Se ma me na vu diku ma nalt, si të largët që ishim, jo e jo.

 

Simon Prend Gega vuni buzën në gaz.

 

- Do me thanë m’u dashka me shkue vetëm – foli Simoni me një buzëqeshje pak ironike.

 

- Besa, mor Simon, kot po e merr njat rrugë, as për ty nuk kanë me luejtë vendit – i thotë përsëri Gjin Kola.

 

- Paj, besa, lum Gjini, edhe me dalë te dera e me më pritë kanë, e jo me luejtë vendit e gja.

 

U çoi fjalë edhe dy miqëve të tij, që nuk trembeshin prej shkjaut me shkue me të dhe u nis.

 

Pak para se me mbrërrijtë te kulla ku kishte ra deka, Simoni po u thotë shokëve të tij:

 

- Kur të ngjitemi shkallëve të kullës, ecni randë, që të tunden mirë dërrasat.

 

Kaq u tha, pa ua spjegue pse, po ata nuk ia banin fjalën dy Simonit, se ishin të bindun se dinte çka thonte.

 

Tek ngjiteshin shkallëve, u ba aq zhurmë, sa dukej vërtetë se diçka po oshtinte, sa edhe ata që ishin në odë mbrendë, u ngriten me vrap tue pasë frikë mos i kishte rrethue milicia serbe. Sa çil e mbyll sytë, të parët ia mbërrinë te dera.

 

Simoni ngriti doren nalt si me përshëndetje dhe u tha:

 

- Mos u tutni, burra, se jam unë, nuk asht milicija.

 

- Jo, bre, nuk po tutna – foli i zoti i shtëpisë, - po na thanë se po vinte Simon Prend Gega e na ulun ty nuk kem si të presim.

 

Kur u kthyen, miqtë e Simonit treguen si kishin dalë e kishin pritë te dera.

 

Ndeshet përsëri Simoni me Gjin Kolen e ky i thotë:

 

- Pra ty kishin dalë e të kishin pritë tubë te dera?

 

- Paj kush nuk di çka asht ndera, di çka asht tuta – foli Simon Prend Gega buzëgaz e vijoj udhën, se mos po i shihte kush tue folë e po i shihte sherrin edhe Gjini.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora