Kulturë
Rrustem Geci: Poetët e Prushit
E marte, 22.11.2011, 07:42 PM
POETËT E PRUSHIT
Nga Rrustem Geci
Libri më i ri i shkrimtarit Rexhep Kasumajt, me titull „Marathonomaku i vonuar“, është klithmë e brendshme shpirtërore, një mesazh shumë kuptimplotë se jetën dhe të bukurën duhet ta krijojmë dhe jetojmë çdo çast dhe nëpër vite. I mërguar nga terrori serbian në Kosovë, Kasumaj, në të gjitha poezitë e tij shquhet për prushin e ngrohtë për motivet liriko-patriotike. Metonimia semantika, leksiku i pasur dhe natyrshmëria e figurave, Rexhën e vënë në radhën e poetëve të vlerësuar. Motivi i lirisë, i thirrjes së urtë, i revoltës së mënçur, i dhimbës së ëmbël, poetin Rexhep Kasumaj e bëjnë të hyjë në letërsinë tonë., Berlini ku jeton poeti s'do të ishte nteresant, po të mos ishte fryma e shenjtë e artit. Rexhep Kasumaj, shtypësit dhe të paarsyeshmit, i shfronëson, i fshikullon, dhe nuk i lë të ecin nën diell. Ata që vrasjen kishin mësim, shprehet Rexha, ata nxisin luftë dhe viktima të panumërta. Rrugët me pushtuesin poezia i ka të ndara. Ne në Kosovë shprehet Kasumaj, nuk u ngritëm kundër serbit pse ishim të zemëruar, por u ngritëm për tu ndarë dhe mëvetësuar. Mes meje e vdekjes / Tashmës’ka ndërmjetës.../ përshëndetje këmbejmë me dorë / si në këtë pasdite të bukur / me erë e dëborë /...Të jetuarit bukur, dhe vdekja e bukur janë në motivet e pozisë së tij. Libri „Marathonomak i vonuar“, është edhe një libër që i bën nder letërsinë sonë. Në këtë vetëmbërritje të poetit kemi një impuls të ri me plot meditime e figuracion. Poezia e R.Kasumajt është poezi e pasionit, e strukturës së fortë, e shprehjes së guximshme. Ai nuk rresht së shkruari asnjë çast. Shkel mbi errësirat e pashkelura dhe me ndërgjegjen e fjalës këndon: „...veç ti e çlirta erë / fry paprerë ...me privilegj hyjnor / sipër fatit skllavnor.../ ...sonte do të doja të mos jem unë /...Do të doja të jem Ti/...një Marathonomak i shekullit të ri.../ diku Anëdrinit të Zi/. Këto dhe qindëra vargje të tjera, shprehin tërësinë poetike e sublime të poetit, Kasumaj. Zhurma e mureve të shembura nuk e gëzojnë dhe aq poetin. Rexha e ndjen nga afër dhimbjen dhe përplasjen e epokës në të cilën jeton. Ç´shekull është ky, që brenda vetes ka miliona njerëz të rënë e të masakruar. Poeti Rexhep Kasumaj me mjeshtri i mbushë dhe i trajton poezitë e tij. Krijimtaria publicistike dhe eseistike e Rexhep Kasumajt është e gjerë. Ajo është një shkrimtari më vete; / Çdo kohë dhe Rend i ri i botës shkruan Kasumaj, ka flinë e vet. Ngreha e tij përherë është spërkatur nga tizgë e gjakut të pafajshëm njerëzor. Të vjetrit, njësuar me këtë kod ekzistence, kishin në themel gjakun shqiptar që do t'i ushqente si hienat për një shekull me radhë. Dhe kur ata u përtrollisën, nga rrënojat e tyre, do të ngrihej një tjetër me ide e emblemë të re, por që konstant e të dikurshëm do të ruante huqin e lig: kërkon prapë atë lëngun e kuq hyjnor të mbijetesës! E dikurshme dhe vetmitare, ndërkaq, ngjan të jetë poashtu dhe viktima e shenjuar: populli shqiptar, i cili, mbase është i rralli në planetën Tokë që jep tagrin e gjakut jo vetëm për lirinë, po çuditërisht, edhe për robërinë e tij!..Edipi e di që nuk është i pafajshëm,shkruan Kamy, por, përkundër vullnetit ai është fajtor, dhe është pjesë e fatit të tij. Në një poezi të Rexhep Kasumajt lexoj; Dy botë ai kish / në njërën Kosovën ndrynte / në tjetrën ndërkaq /
ditë të askundshme mërgimi shtynte / Hekurishtë e Europës ku trupin shiste / pranga prodhonte për shpirtin e tij/ për dy botët që robëtonte! Në e epokën e luftërave kabinetike, Shkruan Rexhep Kasumaj, gjërat e mëdha shpesh ndodhin në heshtje e pabujshëm, thotë një urtak i mprehtë diku nga trualli i trazuar europian. E si për t'i dhënë provën e pacënueshme, jehona e armëve dhe gjakut shqiptar vinte në lëvizje përherë sallonet dritëzbehtë tok me terrorin e bardhë të diplomatëve. Por për ironi, kur duhej të stolisej balli i tij me kurorën politike të fitores, pra kur ajo duhej të përligjej e të merrte emër e formë vetëjetese - niste rrokullisja. Gjithçka, si në lojë Sizifi!.