E shtune, 05.10.2024, 01:34 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Ilir Çumani: Jetimët jetojnë në getot e Shqipërisë

E enjte, 07.07.2011, 09:04 PM


JETIMËT JETOJNË NË GETOT E SHQIPËRISË

 

Flet Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, ILIR ÇUMANI. Si është gjëndja e jetimëve dhe ajo që e pengon integrimin e vërtetë të tyre.

 

Përgjithnjë viktima

 

Nga BEN ANDONI

 

Është e pamundur që në ditën kombëtare të jetimëve, më 20 Maj, të mos shohësh në aktivitetet e tyre gati të gjithë VIP-at e shtetit shqiptar. Më lëvizjet e marionetave dhe me buzëqeshjet e shtira, personazhe të ndryshme bëjnë adetin, duke i treguar kamerave se ata nuk i braktisin jetimët dhe se janë pranë tyre gjithnjë. Dikush në fund zë edhe përlotët kurse të tjerët vazhdojnë të premtojnë. Si dy pika uji, aktiviteti përsëritet dhe vitin e ardhshëm dhe patjetër në atë që do të vij më pas. Pak minuta më pas, të fundit që largohen janë vetë ata. Takimi u mjafton jetimëve të shohin njëri-tjetrin sepse familja e tyre janë vetë ata. Pyesin për të rejat, për ndonjë haber dhe pastaj fundi dihet: shohin të pashpresë njëri-tjetrin.

 

Ndihma për jetimët shqiptarë ka vite që është minimale dhe fare e pavlefshme. Bashkitë dhe komunat lokale edhe pse kanë autoritetin që t’i ndihmojnë se kanë dot as predispozitën por as edhe zgjuarsinë të veprojnë ashtu si duhet. “Në Shqipëri numërohen 31.000 fëmijë jetimë, të cilët klasifikohen si fëmijë jetimë social dhe biologjik. Këta të fundit, përfaqësojnë shumicën prej tyre, gati 80 % të shifrës totale, të cilët, për ironi të fatit, nuk mund të përfitojnë statusin e Jetimit, me ligjin aktual, ç’ka do të thotë, se ata janë të zhveshur nga politikat sociale mbrojtëse dhe mbështetëse në integrimin e tyre”, thotë hapur Ilir Çumani, drejtori i Institutit të jetimëve. Historia s’mbaron këtu. Ajo keqësohet nga masa e frikshme e shoqatave që e kanë fryrë numrin e tyre dhe më shumë akoma nga mosmarrja si duhet mbi shpinë e problematikës së tyre prej subjekteve përkatëse të nivelit shteror dhe duke vazhduar në formë kapilare më poshtë. E kështu ndodh që të gjithë strukturat që duhet të jenë vigjelente për fatin e tyre mbyllin sytë kur ata mbushin moshën për tu larguar nga qendrat, ku qëndrojnë. Rasti i fundit, ku u përzunë jetimët, ishte thjesht maja e ajsbergut për të gjithë këtë që ndodh. Dhe, ajo që referohet më pas është e frikshme. Për të mbijetuar, ata janë vulnerabël për të gjitha gjërat. Mund të vjedhin, të bëhen kontigjent krimi dhe pse jo dhe të vrasin. Z. Çumani ngre dhe apelon zërin për të gjithë kategoritë e jetimëve, që qoftë edhe statusi i premtuar nuk i ndihmon të jetojnë normalisht. Të fituar në të gjithë situatën janë kuptohet masa e madhe e shoqatave fantazmë dhe përfituesit ose matrapazët socialë, që arrijnë deri ti marrin fëmijët jetimë në aktivitetet politike për kapital dhe më pas t’i harrojnë për të gjitha. E në një shoqëri kaq të kalbur sa shoqëria shqiptare, kjo është më e pakta gjë, që mund të bëhet ndaj të pambrojturit. Ndaj në geto mund të perifrazohej jeta e jetimëve dhe nëse do të shtonim edhe fatin e tyre të keq, atëherë është mirë të thuash: mos paç kurrë fatin e jetimit shqiptar.

 

***

 

Si është realiteti i akomodimit dhe gjendja aktuale e strehimit të jetimëve pas mbarimit të shkollave?

 

“Kur fëmijët jetimë mbushin 14 vjeç largohen nga Shtëpitë e Fëmijëve dhe transferohen nëpër konvikte, ku edhe ndjekin më pas shkollat, kryesisht ato profesionale. Këtu nis edhe kalvari i gjatë i vuajtjeve dhe përpjekjeve për të përballuar shumë vështirësi që u dalin, pasi janë pothuajse jashtë vëmendjes së duhur të institucioneve shtetërore. Shumë prej tyre detyrohen të braktisin shkollat dhe të gjejnë alternativa e rrugë informale për të mbijetuar. Kjo është drama më e madhe e jetës së tyre, pasi askush nuk kujtohet më për ta. Ngjarja e ditëve të fundit në konviktin e Shkollës Teknologjike nuk ka nevojë për koment. Ky realitet ofrohet me pamje rrënqethëse edhe në konviktet e shkollave në ambjente të tjera të kryeqytetit, dhe të shumë qyteteve në mbarë vendin. Prej mëse 20 vitesh këto shkolla e konvikte janë kthyer në geto, ku në secilën prej tyre ndodhen 30-40 të rinj të moshës 18-50 vjeç. Disa prej tyre janë bërë prindër me fëmijë, por kanë mbetur të pashpresë e të braktisur nga shteti. Raporti prej 40 faqesh që Amnesty International bëri publik vitin e kaluar, është një akuzë e rëndë që i drejtohet shtetit shqiptar përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, duke mos i trajtuar këta jetimë njëlloj si shtresat e tjera , me dinjitet dhe në mënyrë të barabartë, por duke i lënë ata përfundimisht të braktisur, pa strehë, pa punë, pa shkollë dhe pa ndihmë mjekësore.

Kjo situatë është rënduar edhe më shumë vitet e fundit, për shkak të mosfunksionimit si duhet të procesit të decentralizimit, ku pushteti vendor është treguar dhe vazhdon të tregohet apatik në marrjen e përgjegjësive të saj, sipas disa VKM –ve, të cilat ngarkojnë ligjërisht Bashkitë dhe Njesitë vendore, në marrjen e përgjegjësive për administrimin e institucioneve të përkujdesjes sociale, që mbështesin edhe fëmijët pa kujdesin prindëror.

 

Fëmijët Jetimë, më 20 Maj, “Dita Kombëtare e Jetimëve”, të cilët Apelojnë, se me 20 Maj, nuk duan premtime dhe mashtrime, por  vëmendje dhe mbështetje nga shteti dhe shoqëria.
Fëmijët Jetimë, më 20 Maj, “Dita Kombëtare e Jetimëve”, të cilët Apelojnë, se me 20 Maj, nuk duan premtime dhe mashtrime, por vëmendje dhe mbështetje nga shteti dhe shoqëria.
Mungon bashkëpunimi kapilar mes pushtetit qëndror dhe atij lokal, ku të dyja këto pushtete, prej vitesh luajnë lojën e maces me miun, në dëm të këtyre fëmijëve dhe të rinjve jetimë që nuk kanë asnjë orientim për të ardhmen e tyre..

Aktualisht në mbarë vendin ndodhen nëpër konvikte në kushte të tilla mbi 400 të rinj jetimë. Pra situata është alarmante, dhe me sa duket gjasat jane që kjo situatë të mos ndryshojë edhe për shumë kohë”.

 

A ka ndonjë Memorandum Mirëkuptimi të shtetit për t’i ndihmuar ata?

 

“Fatkeqësisht, nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston ndonjë Memorandum i tillë. Ka patur vetëm premtime elektorale, nga të gjitha qeveritë që kanë ardhë e kanë ikur, madje edhe nga kryeministri aktual Zoti Berisha. Kjo është paaftësia e shtetit dhe qeverisë për të kryer disa nga funksionet më kryesore. Madje qeveria, nëpërmjet strukturave të saj, nuk ka bërë dhe nuk bën asnjëherë transparente as fondet e programeve të zhvillimit që Banka Botërore ka akorduar dhe akordon për shtresat në nevojë, veçanërisht për fëmijët jetimë.

Dikasteret përgjegjëse shtetërore që kanë detyrimin ligjor dhe institucional për mbrojtjen, mbështetjen dhe integrimin e këtij grup targeti, janë kalbur në themel nga korrupsioni dhe allishverishet e shumta me fondet e jetimëve dhe të shtresave në nevojë. Gjatë këtyre 20 viteve janë asistuar nga shteti 60 mijë familje me ndihmë sociale, me kontributet e taksapaguesve dhe donatorëve të huaj, duke privuar kështu për një ndihmë më të shëndoshë sociale pjesën tjetër jo aktive të shoqërisë në nevojë, duke përfshirë edhe jetimët. A nuk është arrogancë zyrtare dhe krim social abuzimi me progamet dhe fondet e varfërisë, që kapin vlerën 18 miliardë dollarë në këta 20 vjet? Fatkeqësisht këto para nuk përfitohen nga grupet sociale në nevojë, por nga individë e rrjete të padukshme, të veshur me pushtet, në bashkëpunim me OJF mashtruese dhe inekzistente”.

 

Kandidati për Kryetar Bashkie për Tiranën, Z. Basha, me fëmijë jetimë gjatë fushatës elektorale me shoqatën e jetimëve,  për  zgjedhjet  lokale të 8 Majit, 2011
Kandidati për Kryetar Bashkie për Tiranën, Z. Basha, me fëmijë jetimë gjatë fushatës elektorale me shoqatën e jetimëve, për zgjedhjet lokale të 8 Majit, 2011
Nga statistikat tuaja, cilat janë grupet më të rrezikuara nga jetimët?

 

“Të gjithë fëmijët jetimë janë të rrezikuar, gjersa janë lënë në mëshirë të fatit, duke u bërë pjesë e kontigjentit problematik të kriminalitetit , drogës dhe prostitucionit. Sot në Shqipëri numërohen 31.000 fëmijë jetimë, të cilët klasifikohen si fëmijë jetimë social dhe biologjik. Këta të fundit, përfaqësojnë shumicën prej tyre, gati 80 % të shifrës totale, të cilët, për ironi të fatit, nuk mund të përfitojnë statusin e Jetimit, me ligjin aktual, ç’ka do të thotë, se, ata janë të zhveshur nga politikat sociale mbrojtëse dhe mbështetëse në integrimin e tyre. Edhe ai kontigjent modest i certifikuar prej 940 i fëmijëve jetimë që e kanë përfituar këtë status, nuk arrijnë dot të gëzojnë beneficet që ju jep ligj. Edhe pse ekziston ky status që mbron dhe garanton me ligj të drejtat e jetimëve, ai nuk ka gjetur kurrë zbatim nga institucionet shtetërore. Por, më të rrezikuar janë fëmijët romë. Sot në Shqipëri ka rreth 1.300 fëmijë jetimë romë, me prindër të vdekur, shumica e të cilëve nuk figurojnë të regjistruar në regjistrat e Gjendjes Civile. Ata janë një pre e lakmueshme për individë dhe organizata kriminale, për rrjetet e trafikimit ndërkombëtar. Rreth 70 % e tyre nuk frekuentojnë shkollat. Ata detyrohen që në moshë të mitur të punësohen në punë të zezë dhe të shfrytëzohen fizikisht e seksualisht”.

 

Ka organizata të shumta që kërkojnë fonde për jetimët, a mendoni se këta janë pengesë dhe prishin punë për jetimët?

 

“Në fakt, situata nuk është aspak optimiste, madje do të shpreheshim se është një situatë e frikshme. Ka individë të papërgjegjshëm, të cilët prej vitesh vegjetojnë nën guaskën e OJF- ve brenda shoqërisë civile, për të gllabëruar edhe ato pak fonde që janë në dispozicion të shtresave në nevojë dhe të fëmijëve jetimë. Ata priren kurdoherë nga një protagonizëm shterp, për interesa të ngushta personale, nuk ngurojnë aspak për të bërë deklarata të bujshme me shifra që trondisin opinionin publik, siç ishte deklarata e bërë në një takim me kryeministrin nga përfaqësuesi i njërës prej shoqatave që merren me jetimët, i cili deklaroi se në Shqipëri sot ka 80 mijë familje me fëmijë jetimë! Madje, këta individë, të cilët pa asnjë rezervë mund të klasifikohen si “matrapazë social”, për interesa tepër të ngushta dhe përfitime personale, nuk ngurojnë të dalin haptazi nëpër fushata elektorale, duke i përdorë këta fëmijë në mënyrë flagrante në kundërshtim të hapur me Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, ashtu siç ndodhi edhe gjatë kësaj fushate elektorale. Në shumicën e rasteve këto shoqata janë abuzive dhe informale në misionin e tyre. Ato nuk kanë mundur të ndryshojnë aspak realitetin tragjik të fëmijëve jetimë në këto 20 vjet të tranzicionit të vështirë. Të njëjtin mendim nuk do të rezervohesha ta shprehja edhe për institucionet përgjegjëse shtetërore, të cilat kanë detyrimin institucional për të përmbushur të gjitha të drejtat e detyrimet që rrjedhin nga ligji mbi statusin social të jetimëve. Megjithatë jo të gjitha OJF-të janë në pozicione të tilla të dyshimta. Padyshim, duhen përgëzuar puna e disa oraganizatave, që vërtet janë përpjekur për të dhënë një kontribut të çmuar në zbutjen e plagëve sociale të fëmijëve jetimë gjatë këtyre viteve, sic eshte “Fshati SOS”, “Save Chirdren”, “Nesër Vizion”,, “Bethany Cristian”, Fondacioni “Shpresë për Botën”, e drejtuar me shumë dashuri e pasion nga Përparim Demçollari, të cilët, kanë asistuar në shumë programe mbeshtetëse sociale dhe zhvillimi. Të vjen keq kur konstaton se edhe tani pas 20 vjetësh tranzicion disa shoqata dhe individë pretendojnë se janë përfaqësues të shtresës së jetimëve, duke i trajtuar ata si objekte apo sende përfitimi. Këto shoqata nuk janë kompani biznesi, por duhet të kenë në qendër të aktivitetit të tyre misione humanitare dhe solidariteti për njerëzit në nevojë”. Jetimët nuk kanë nevojë për këta matrapazë socialë, të cilët pengojnë kauzën e integrimit të tyre real. Është e patolerueshme që zyrtarë të institucioneve shtetërore t’ju hedhin lëmosha OJF-ve fantazma, që drejtohen nga individë pa integritet moral, me qëllim për të mbytyr zërin në kërkim të së drejtës për këta fëmijë që vuajnë indiferencën dhe përjashtimin social, duke kompromentuar rëndë edhe misionin që ato duhet të kenë në mbrojtje të këtyre fëmijëve”.



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora