E shtune, 27.04.2024, 01:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Fitore për jetë argati në qeveri

E marte, 31.05.2011, 07:58 PM


FITORE PËR JETË ARGATI

              NË QEVERI

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Vjollca Rrapi, që më kishte rrokur për dore dhe më tërhiqte sa mundej pas vetes, mezi më shkëputi nga turma. E hapi një derë, tinëz vodhi diç me sy pas perdeve e më nxori jashtë mureve. Vetëm tashti e hetova se merrja lirisht frymë. U ngiva me ajër. Mes atyre luleve m’u duk vetja si zog dhe fluturova në qiell, mes yjeve. E shihja larg, diku larg t’im Atë se si ma bënte me dorë. Edhe pak, më dukej se më thoshte, zgjatma dorën! Edhe pak! E ke vështirë të ngjitesh në mesin e yjeve, në Baba Tomorr. Edhe më vështirë e ke të qëndrosh mes atyre dritave që të rrinë mbi kokë.

       - Rrokëm për qafe! – Më urdhëroi Vjollca Rrapi. – Ç’i ke hapur sytë në qiell?!

       - E shoh t’im Atë se si ma bënë me dorë…

       - Budallai. E Nënën a e sheh? Nënën…

       - Jo, nuk e shoh.

       - Rrokëm për qafe po të them edhe një herë! Shtrëngomë fort!... Të gjitha i ke këtu para syve, ç’kërkon në qiell?!…

       E shtrëngova Vjollca Rrapin fort. Aq fort, saqë m’u duk se i kërcitën eshtrat, se m’u derdhën para këmbëve. U tremba. Vrik e vrik i ngrita brekët dhe desha të ik si i marrë me të katra nëpër errësirë…

       - Ndal, o i marrë! Ku ik? Mblidhi së paku eshtrat!...

       - Jo. Jo, kam frikë.

       - Vallë, e ke mendjen të më varrosësh në këtë verandë të bukur?

       - Po. U besoj luleve…

       - E yjeve?

       - Yjeve, jo. Yjeve u beson im Atë…

       - Hi-hii-hiii… Vërtetë qenke çmendur këtë natë… E paske humbur rrugën… Nusen me pashterkë të kuqe deri në fund të këmbëve… Zoti të ndihmoftë!...

   Gjithë natën isha djersitur në verandë. Gjithë natën kisha folur jerm. Gjithë natën më kishin rrahur xhindet. Gjithë natën Nusja e tyre me pashterkë të kuqe më kishte kënduar këngë me dajre. Gjithë natën më kishte mbajtur në prehër, ma kishte përkëdhelur ballin. E kishte mbajtur Vjollca Rrapin zgjuar të m’i fshi djersët. E unë gjithë kohën e gjatë isha rrotulluar në prehërin e saj duke ofkëlluar nga plagët e marra të asaj nate. Më kujtohet nga mesi i natës edhe kur Nusja me pashterkë të kuqe më ka rrahur dajak për vdekje. Pas çdo të rëne më thoshte se, e kam tradhtuar me Vjollca Rrapin. Më kot mundohesha ta bind, t’i lutem se, Vjollca Rrapi më kishte mashtruar me bukuri. Vetë e kishte hapur derën e verandës. Vetë m’i kishte zgjidhur brekët. Shkurt, ajo nuk kishte mëshirë. Gjithë natën e gjatë më ka rrahur e i ka urdhëruar xhindet të më hedhin dorë më dorë mbi çatia e majë lisave…

       Të nesërmen, kur i hapa sytë e pashë veten bark më bark, ashtu siç na kishte lindur nëna, me Vjollca Rrapin. E kishte vënë kokën mbi gjoksin tim gjith plagë dhe gërhiste në gjumë. U mundova së paku t’u shpëtoj duarve të saj, që më ishin ngatërruar për qafe dhe më zinin frymën,  por më kot. Nata kishte qenë e gjatë dhe e mundishme.

       Vjollca Rrapi dikur i hapi sytë përgjumshëm. E zgjati dorën nga fytyra, pastaj barkut teposhtë… U gëzua...

- E pashë një ëndërr… Sikur Nusja me pashterkë të kuqe e këputi atë Shoqin vetë me ato duar… E pashë edhe se si ua hodhi qenve nëpër dritare në lëmë.

       - E mua më ka rrahur gjithë natën e lume.

       - Edhe mua më ka munduar në errësirë. Më detyronte të bëj dashuri me Xhuxhmaxhuxhin. Ua, sa i tmerrshëm ishte në shtrat!...

       - E di, - i thashë. – Nuk ma merr mendja t’ia kalojë Nuses me pashterkë të kuqe. Po vishu të dalim nëpër Bit-Pazar!

       E mora Vjollca Rrapin dhe zbritëm teposhtë shkallëve. Nëpër korridor sytë padashtas na u ndalën në një derë: Shefi i Pazarit të Grave.

       -Hyjmë pak edhe te Shefi! – I thashë.

Trokita. E hapa derën dhe u futëm brenda ashtu dorë për dore. Shefi atë moment bisedonte me një Kukull Femër Bjonde. Posa na pa, e ngriti kokën.

       - Urdhëroni! Ja, uluni në këtë tavolinë!

       - Falemnderit!

       - A jeni për kafe? Apo, për ndonjë gotë konjak? Verë të kuqe?...

       - Mundet. Për mua një kafe! – U përgjigj Vjollca Rrapi.

       - E, për mua një gotë verë të kuqe!

       Shefi ndërroi disa numra telefoni. Unë rastësisht i ngrita sytë, pas shpine të Shefit e pashë një portret të madh të Prijësit të Partisë, Babait të disa poetëve të sotshëm me nam: Djemve të Titos. U habita. Nuk e di pse ende Shefi e mbante ende në mur atë fotografi, kur gati të gjithë gjatë këtyre ndryshimeve demokratike e kishin hequr nga zyrat. Dikur m’u kujtua ngjarja. Shefit si besnik i kësaj partie, mu ajo fotografi ia kishte siguruar këtë vend pune. E kishte shëtitur karrige më karrige, kur gati të gjithë e dinin se ai s’kishte haber nga arti, kultura. Vite me radhë e kishte shkatërruar kulturën shqiptare, e kishte sjellë me këmbë në varr. E hiqte veten si njeri i artit, e kurrë në jetën e vet nuk kishte lexuar asnjë libër. Vetëm ç’e do, Partia ia kishte servuar të gjitha si në tepsi. E shëtiste nëpër botë, nëpër qendra e metropole, nëpër festivale e takime me njerëzit e artit. Të mjerët ne, kush na prezentonte nëpër Botë! E kuptoni tashti, në një bisedë e sipër në Klubin e artistëve, edhe pse ia përkujtova Selvisë së Bukur atë thënien e popullit, vetëm me një përmisim timin prej satiristi: ”Tregomë shef cilin ke, të të tregoj kush je!...” Ajo, edhe pse gjatë gjithë kohës e sulmonte Shefin, tashti filloi ta mbronte, t’i dalë zot. Atëherë, qeshë i detyruar edhe t’i them: Pse kërkon banesë, mirë e ke kotecin e pulave, rri në mesin e kontejnerve të bërllokut!...

      Atë ditë do t’i kujtoja edhe shumë takime e biseda në Klubin e artistëve po të mos kishte hyrë një bukuroshe me tepsi në dorë. E la mbi tavolinë, e mori kafen dhe ia vuri përpara Vjollca Rrapit, pastaj mua verën dhe më në fund një konjak “Skënderbeu” Shefit. Unë, edhe pse isha i pranishëm në këtë kabinet, vështirë e kisha t’u ik takimeve të shpeshta patriotike në Klubin e artistëve. E shihja një film, regjinë e të cilit pothuajse e kishin bërë qe disa vite. Rolet. Ende i kisha të freskëta mizanskenat e tavolinave. Kritikat e ashpra të Piktorit. Gostitë e shpeshta të veteranëve të artit. Ankesat e viktimave të Pazarit Grave. Duartrokitjet e tregtarëve…

       - Keni gjë për të shitur? – E prishi qetësinë Shefi.

       - Po. Një libër me nëntë drama: “Imzot, lehin qentë”…

       - Nuk e di a do ta hajë Pazari i Grave, - i zgurgulloi sytë Shefi.

       - S’prish punë. Është mall që nuk kalbet, mund ta presë blerësin edhe disa vite…

       - E di, e di, - përsëri u ngut Shefi. – Vetëm ne nuk lexojmë libra.

       - Edhe aq më mirë, Zotëri. Pazari i Grave s’ka nevojë të merret me korrupsion.

       - Edhe me striptiz… - Ndërhyri Shefi.

       - Ta merr mendja.

       - Vetëm kështu do të dalim në Evropë!...

       - Jo. – Ndërhyri Vjollca Rrapi. Në Evropë do të shkojmë me Torbën e Hoxhës…

       - Hesht ti, budallaqe! – Ia prita unë. – Ku e di ti ç’është Evropa… Torba e Hoxhës… Ec të dalim nga ky kabinet, mjafton për ne Bit-Pazri…

       Akrepat e orës ende nuk e kishin shkelur njëmbëdhjetën, kur ne zbritëm shkallëve dhe dolëm para derës madhe, përballë kontejnerëve të bërllokut. Vetëm për çudi, mbeta si i ngrirë, nuk munda të bëj më tej asnjë hap. Vallë, ç’ndodhi me mua të pagjumin?! Kush më nguli si hu para Pazarit të Grave dhe bëhej gati të më mëshojë në kokë edhe më tepër me tokmak, të më ngulë edhe më thellë edhe dy-tri pëllëmbë nën tokë. Cilin qen do ta lidhnin me zinxhir, cilës vathe do t’ia hapnin derën? E cilin ujk do ta futnin në vathë?... I mëshoja kokës me grushta, e shqelmoja hijen time me këmbë. I shtrydhja trutë me dorë. Qysh nuk më kujtohej asnjë episodë, asnjë skicë, asnjë storie?! Krejtësisht i kisha harruar lajmet e mbrëmshme, kumtesën e Partisë politike  demokratike. Spikerja kumtoi se Partia e Zarzavateve kishte ardhur në ujdi me Qeverinë që brenda në sallë mund ta nxjerrin flamurin kuqezi kombëtar. Uaaa, çfarë fitore! Shtatë vjet luftë në Parlament, nëpër tryeza të rrumbullakëta, tubime, përvjetorë e përurime të librave…

       Salla sa vinte mbushej me patriotë, veteranë e komunistë të arratisur që kishin bërë flijime të hatashme për shkolla shqipe e të drejta kombëtare. Uleshin ashtu sipas meritave. Në rendin e parë Banda e Ballukes së Ballit, komunistët e arratisur, Dr. Madhi, ministrat e deputetët e popullit me gratë e tyre kuqezi. E shaluan Kalin e bardhë me një këmbë të thyer… E nxorën shpatën e Skënderbeut… Topin e Mic Sokolit… Referatet maratonike nëpër histori… Himnin e flamurit kombëtar, përgaditur nga gratë dhe vajzat e tyre kuqezi. E reklamonin veten përpara kamerave televizive, i çonin grushtat, zërin… Zjarr, flakë e shkumbë nxirrnin nga goja. Ndonjëri, më guximtari, më i përmalluari, dilte edhe në binë dhe e puthte shkabën e zezë duke i shkuar lotët rrëke fytyrës. Obobooo! Fakirin sa shumë që e kishte munduar komunizmi! Vëllazërim-bashkimi… Fotografia e Shokut Tito!... Vite me radhë e kishte shtie ta puthë flamurin e huaj e ta shajë të vetin, shkabën e zezë. Ja, pse të pranishmit nuk mundën ta përballojnë gjithë këtë dhembje, gjithë këto puthje, gjithë këta lot. U ngritën dhe mezi e ndanë nga flamuri. Gjama e pllakosi sallën, vaji shpërtheu si në kor. Ulëronin, shanin e mallkonin komunizmin, i përplasnin duart për fatkeqësinë që u kishte ndodhur në atë kohë.

      Dr. Madhi, që ta shpëtojë sallën nga përmbytja e madhe, edhe një herë doli në foltore. I ngriti duart, i bëri grusht dhe bërtiti:

     -Rroftë flamuri kombëtar kuqezi!...

       Masa u ngrit më këmbë. I këputi kopsat e palltove. I nxori mullat për mejdani. I hoqi kravatat kuqezi…

     -Na rroftë! – u dëgjua një zë nga mesi i sallës… Unë e Vjollca Rrapi u ramë duarve. U lumtë! O bini burrat e mejdanit, e bëtë dy orë Shqypni Etnike!...

       - Hi-hii-hiii… - Qeshi dikush pas shpine. E ktheva kokën. Ishte Pasardhësi i Zef Serembes me një libër nën sjetull…

       Të nesërmen, ktheva ta pi kafenë mëngjesit te Klubi i artisëve. E merrja me mend se sot flitej në çdo tavolinë se si burrat e majdanit e kishin bërë baaam mu në mes të Qytetit të qyqeve. E kishin ngritur flamurin kombëtar kuqezi plot dy orë brenda në sallë krah për krah me diellin me rreze. E kishin festuar Ditën e flamurit dhe Pavarësinë… Vetëm, për çudi, gjatë gjithë atyre dy orëve nuk e kishin ditur cilin flamur dhe cilën pavarësi festojnë. Ngase në ballë i kishin pasur dy flamuj e dy pavarësi të dy shteteve…

       Imzot! Ki mëshirë për veteranët e luftës. Shpatat e tyre plot nam… Betejat e tyre të përgjakshme nëpër foltore… Dylqinetë e Tobozës… I mëshiro dhe i shpëto nga Përmbytja e madhe… Shpata e Xhebrailit… Satanai…  Ebu Xhehli…

       - Hë, ç’më rri si Xhebrail mbi kokë?! – E ngriti zërin Dum Dumi, që ishte ulur vetëm në një tavolinë.

       - Ja, ktheva ta pi kafen e mëngjesit…

       - Ec, ulu këtu! Hë, - ofshani, - kafenë e mëngjesit? Mendon se e ke lehtë të ma hedhësh, unë këtu vetëm shes speca. E personazhet që i kërkon natë e ditë?

       -Ih, edhe ti tashti, ku dole. A vetëm personazhet i kërkoj këtyre skutave?!...

       -Ku ta dish, ndodh edhe ndonjërën me të cilën rrokullisesh gjithë natën e gjatë nëpër ato dramat e tua satirike…

       - Jo, sot kam tjetër punë.

       - E di, ndonjë dyluftim të përgjakshëm nën tavolinë. Vetëm nuk e di se kush do të ta kënaqë sot lapsin?!...

       - Eh, tashti më kalove në satirë. E unë nuk e kam ndërmend më të shkruaj edhe një libër me elegji, po një roman dashurie…

       - Atëherë, pse dje nuk erdhe në akademinë solemne? E di se organizatorët lehtë mund të të shpallin tradhtar?...

       - Nuk më kanë ftuar. Fundi i fundit edhe nuk ma ndien fare për ata burra mejdani… Patriotë… Kalorës të arratisur… Nuk mund të festoj së bashku me ata me të cilët: nuk jam pajtuar dje, nuk pajtohem sot dhe nuk do të pajtohem as nesër…

       - Vetëm, mos harro, ata janë demokratë… Patriotë… Vuajnë për Atdheun…

       - Hi-hii-hiii… Demokratë që më së shumti e kanë sharë flamurin kombëtar kuqezi dhe popullin shqiptar… Burra mejdani që me shtatë parti politike shqiptare bëjnë luftë për fitore, për jetë argati në Qeveri…



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora