E hene, 29.04.2024, 10:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Gungaçi

E shtune, 21.05.2011, 07:44 PM


GUNGAÇI

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

       Dhe, derisa bëja luftë mendimesh me vetveten, te krahët më preku një dorë. E ktheva kokën. Ishte Gungaçi.

       - Tungjatjeta, he burrë! Ku je që ke humbur, ka kohë që nuk të kemi parë në Shtëpinë e mallrave?

       - Tungjatjeta! Vërtet është ashtu si thua ti, po ta them të vërtetën nuk kam pasur nevojë të blej gjë nëpër tryeza.

       - E sot me siguri keni blerë ndonjë mall me vlerë?

       - Jo, edhe sot nuk kam blerë gjë, vetëm u mora pak erë…

       - Mos je ende duke e kërkuar nëpër tryeze?

       - Jo, sot nuk e kam ndërmend të blej gjë, ore mik.

       - Atëherë, pasi nuk e paske mendjen të blesh, urdhëro tek unë të pimë nga një kafe!

       - Të shohim, ndoshta kthej më vonë. Kam edhe pak punë në Shtëpinë e mallrave. Po, tregomë ku e keni kutinë e ankesave?

       - Ja, ajo atje, nën shkallë! – tregoi syhapur Gungaçi. – Po, ç’të duhet kutia e ankesave?

       - E kam një lëvdatë për Shitëset e luleve.

       - Lëvdatë për Shitëset e luleve?! – pyeti edhe një herë me sy e gojë të hapur Gungaçi.

       - Po. Po, një lëvdatë. – e përsërita edhe një herë unë dhe vazhdova drejt kutisë së ankesave.

       Kur mbërrina para asaj kutie, që për dikë s’ka asnjë vlerë, m’u ngatërruan fjalët dhe filloi të më merret goja, mendtë. Nuk më kujtohet asgjë, s’di as vetë se çka kam futur në kutinë e ankesave, vetëm më kujtohet kur e kam kthyer lapsin në çantë. Më vonë se si e kam përmbledhur veten, mendimet për ta vazhduar rrugën në mesin e atyre njerëzve që udhëtonin për diku, ku ta di unë, të themi në ardhmëri.

       Papritmas, dera u hap krah më krah. Në një tavolinë me pesë karrige dhe një makinë të vjetër shkrimi ishte ulur Shitësi i lodrave për fëmijë. Po ajo që më së shumti më ra në sy ishte se kjo kabinë përveç edhe një shkafi me orendi, ama s’kishte hiç gjë tjetër, qoftë edhe ndonjë fotografi nga gazetat e ilustruara. Nuk mundesha dot ta bind veten se vërtet ishte aq e varfër për nga arti, ma thoshte mendja mos janë duke më mashtruar sytë. Ku ta dish, nuk i shohin zbukurimet, e kanë vështirë të diktojnë të bukurën, më shumë ndoshta e adhurojnë të shëmtuarën.

       - Mirë se vini dhe urdhëroni uluni, - ma afroi një karrige Shitësi i lodrave për fëmijë.

       - Mirë se ju gjeta! – Ia zgjata dorën dhe u ula në karrige.

       - Jeni për një gotë raki rrushi? – Më pyeti Shitësi i lodrave për fëmijë, duke nxjerrë nga vitrina e librave një shishe. Këto ditë ma pruri Zonja e Hazdisur, e punësuar në Video-Klub, për një punë që ia kreva te ne në Shtëpinë e mallrave.

       - Nuk e kthej prapë, - thashë, - pasi qenka nga Zonja e Hazdisur.

       Shitësi i lodrave për fëmijë ma vuri një gotë përpara dhe ma mbushi plot, ndërsa mua mendtë më kishin fluturuar te Zonja e Hazdisur. E njihja fare mirë me gjithë një të afërmen e saj shumë më të re, të cilën ajo e mbante me vete që shkaku i saj ta hajë edhe atë pazari. Disa herë me Kreatorin e modës së shpirtit i kishim nxjerrë që të dyja për t’i gostitur me kafe në verandën e “Pallatit të fluturave”. Dy-tri herë i kishim edhe në shtëpi, ku u gostitëm me mish të fërguar dhe verë të kuqe. Një ditë, derisa burri i saj ishte në punë, na thirri edhe në banesë. Atë ditë kishte përgaditur një pite aq të shijshme, saqë Kreatori i modës së shpirtit përpak desh i hëngri edhe gishtërinjtë.

       - Gëzuar! – E cakrrova gotën me Shitësin e lodrave për fëmijë, pastaj edhe me Kreatorin e modës së shpirtit.

       - Zoti i dhashtë jetë të bujshme dhe ia laftë mëkatet Zonjës së Hazdisur! – E ngriti lart gotën me raki Kreatori i modës së shpirtit.

       Unë vetëm qesha. E dija se ku e kishte dhe ç’donte të thoshte me këtë Kreatori i modës së shpirtit. Të gjitha ia lexoja në sy – fytyrë, e kisha si në pasqyrë, ku mund t’ia shfletoja shpirtin faqe pas faqeje. Vetëm nuk e di sa do të isha në gjendje t’ia lexoj deri në fund ardhmërinë. Se kam frikë mos e humb rrugën mes atyre shkronjave që të shpiejnë në pavdekshmëri. Pastaj, ku ta di unë, mund të vijnë vite që do të na kërkojnë llogari për mëkate. Asgjë në këtë botë të rreme nuk është e sigurt, qoftë edhe ky thes eshtrash që duam me këmbëngulje ta bartim me vete deri në fund, t’ia dorëzojmë varrit.

       Dera e kabinës u hap përsëri dhe hyri Gungaçi me çantë në dorë. Sa e kaloi pragun, në fytyrë u mundua t’i duket një buzëqeshje e hareshme, por nuk e di sesa ia arriti qëllimit, kur dikushi të lexonte edhe në kraharor. Ma zgjati dorën dhe pasi u përshëndetëm u ul edhe ai në një karrige. Dikur hyri edhe një Praktikant me mustaqe që sapo i kishin dalë dhe nuk i rriteshin e nuk i rriteshin, pa sikur t’u hudhje edhe pleh dhensh. Dhe, derisa Shitësi i lodrave për fëmijë ia mbushi edhe atij gotën, s’di se kush nga të pranishmit e zuri në gojë se si pushtohen  më së lehti zemrat e bukurosheve. Gungaçi, pasi e çoi një herë gotën, mori një pozë bindëse se edhe ai ka pasur punë me femra dhe e nisi rrëfimin:

       - Punë shumë e lehtë. Unë, o burra, e kam metodën time, vetë jam mjek. Nuk jam aq budalla saqë të mbytem në hurdhë…

       - E si e bën ti atë punë, he burrë? – E pyeti Shitësi i lodrave për fëmijë.

       - Unë? Unë i afroj dy kusia me ujë të ngrohtë dhe një thes deterxhent… Metodë më të sigurt se kjo nuk të bën nëna…

       - Mos u ngut! – Ndërhyra unë me ironi. – Ka edhe një metodë më të sigurt se ajo e deterxhentit…

       - Hë, cila është?! – pyeti i habitur Gungaçi.

       - Duhet qitur edhe një kuti letre me spec të kuq…

       - Athua, he burrë?

       - Mirë, - thashë unë, - është pastaj të kesh edhe një copë buke nga misri.

       - Po. Po, nuk e bën nëna më të sigurt… Mezi arriti ta përmbajë gazin në vete Kreatori i modës së shpirtit…

       Dhe, bisedën rreth pushtimit të zemrave të bukurosheve në kabinën e vogël ku ta di deri kur do ta zgjatnim, po të mos na e ndërpriste një trokitje në derë. E kishim tjerrë rrëfimin aq gjatë, e kishim mbështjellë aq lëmsh, saqë po të mos hapej dera dhe të dukej një kokë femre me flokë të ngatërruara si dëllinjë, do t’i ngatërronim këmbët mes atyre fijeve deri në mëngjes. Dhe i qofshim falë Lumes së Etshme, të cilën, posa ia hodhëm sytë, e prisnim të gjithë që ta hapë gojën. Por, për çudi, ajo pasi buzëqeshi e thirri me gisht vetëm Gungaçin. E ne që të gjithë u shikuam mes veti, ndërsa Gungaçit e pashë se i qeshi dhëmbi i artë. U ngrit vrik e vrik dhe, pasi na shikoi edhe një herë me sy, po kësaj radhe me dhembje, doli në koridor duke e mbyllur pas vetes derën.

       - Do ta mjelë mirë, - tha Kreatori i modës së shpirtit.

       - Nuk e di, - thashë unë. - Ky rast ma kujton lopën kur i kërcen mëzatit në livadh…

       - Hi-hii-hiii… - Qeshi Kreatori i modës së shpirtit.  – Po Gungaçi nuk është mëzat?...

       - Nuk është, por mund të bëhet lehtë, t’i dalin edhe brirë. Për këtë do të bindesh edhe vetë, se nuk do t’i kujtohet t’i kërcejë lopës…

       Dhe, posa e përfundova fjalinë, dera u hap dhe hyri Gungaçi. Që të gjithë me habi u shikuam mes veti sy më sy. Vetja na u duk se shihnim ëndërr. Më kot e shkundnim njëri-tjetrin ta zgjonim nga gjumi, i binim me grushta. E kishim vështirë t’u besonim syve, kokave që i mbanim në qafë, se të gjitha këto ndodhnin në kabinën e vogël.

       - Hi-hii-hiii… Lopa i paska kërcyer mëzatit… - Qeshi Kreatori i modës së shpirtit.

       - Jo vetëm që i ka kërcyer, por ndodh t’i bëjë edhe viç… - Thashë unë.

       - Të kuq apo të zi?... – Pyeti Kreatori i modës së shpirtit.

       - Të larmë… Edhe një anëtar të ri për Unionin e viçave…

       Fjalinë që e nxora nga goja m’i mbushi sytë me lot. I mbylla qepallat. I fërkova me dorë. U mbështeta në karrige. Dikur i hapa përsëri, por, për çudi, o Imzot, në vendin ku rrinte pak më parë Gungaçi pashë një mëzat me brirë. E tërhiqte për birësh Pasardhësi i Zef Serembes. E ai i kishte hapur sytë dhe bytrynte duke hedhur dhenë mbi shpinë. U tremba. Fytyrën e mbulova me duar. Kështu ndejta disa sekonda dhe kur mora guxim t’i hap përsëri, e pashë atë më të tmerrshmen. Mëzatit i kërcente lopa. Ai ikte. Ajo i turreshte prapa dhe vetëm i kërcente në shpinë. Po dikur, kur pa se çdo gjë ishte e kotë, i shpëtoi nga duart Pasardhësit  të Zef Serembes dhe u nis drejtë meje me të katra. O Imzot, të kisha edhe unë brirë!... Dhenë do ta hidhja mbi shpinë… Livadhet do t’i bëja gërrana… Me dy këmbët e para do t’i kërceja në shpinë… Vetëm se, nuk do ta tërhiqja qerren… Pllugun që ta bënë qafën varrë… Zgjedhën… 

       - Pasardhës i Zef Serembes, na shpëto nga ky mëzat me brirë! – Bërtiti sa kishte në kokë Kreatori i modës së shpirtit.

       - Lidheni me zingjirë, se i fluturuan nga koka! – Urdhëroi Gungaçi duke bërë me gisht drejt Pasardhësit të Zef Serembes. Mend janë të shkretat…

       Dy shitës me mustaqe e rrokën dhe ia lidhën këmbë e duar me zinxhirë. E shtrinë në mes të dhomës dhe i hipën në bark. Vetëm tani e pashë se çdo gjë ishte e kotë t’u shpëtojë nga duart, të ikë në livadhe…

       - Duhet trembur, - tha Kreatori i modës së shpirtit, - që të vijë përsëri në vete! Mendtë t’i kthehen në kokë…

       - Edhe unë kam dëgjuar një gjë të tillë nga pleqtë! – shtoi Gungaçi. – Asgjë nuk na kushton të provojmë, ndoshta ia kthejmë prapë në kokë…

       Gungaçi mori guxim dhe iu afrua mbi kokë te shtrati. Pasi e shikoi drejt në sy, iu kërcnua disi si me frikë.

       - Unë jam ujkuuu… Unë do të të ha!...

       - Ti do të më hash, por unë do të të q...!

       - Hi-hii-hiii… - ia dhanë gazit të pranishmit.

       - Të lumtë, Gungaç! Më në fund ia ktheve të gjitha në kokë!... – U tall Kreatori i modës së shpirtit.

       Gungaçi nga turpi e uli kokën. Nuk e dinte me siguri se vallë vërtet ia ktheu apo ia nxori edhe ato pak mend që i kishin mbetur në kokë. Ja, kësaj nuk mund t’ia qëllonte, vështirë e kishte t’i jepte udhë. Këto fjalë kurrë deri më sot nuk ia kishte thënë njeri. E ja sot ia thoshte një i çmendur. Vështirë tani e kishte t’i besonte edhe vetes se a i kishte të gjitha në kokë. Kjo e shtyri edhe të urdhërojë t’ia zgjidhnin duart… Këmbët… U tha: Lëreni të lirë, frika më në fund ia ktheu mendtë në kokë…



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora