E diele, 09.02.2025, 06:01 AM (GMT)

Kulturë

Ilir Muharremi: Mes vizatimit, surrealizmit dhe kubizmit

E shtune, 21.05.2011, 06:21 PM


Për ekspozitën kolektive të artistëve Albulen Neziri, Gazmend Beshiri dhe Visar Grajçevci

 

Mes vizatimit, surrealizmit dhe kubizmit

 

Ekspozita u hap të martën në Biblotekën Kombëtare në Prishtinë, të tre artistë u prezantuan me vizatime dhe piktura.

 

Nga Dr. Ilir Muharremi

 

Piktura si një art tërheqës, ngacmues arrin të kuptohet me lehtësi nga shikuesi, sepse arrin ta tregojë gjithçka në relief. Rëndësi të madhe në pikturë ka po ashtu edhe zgjedhja e pozave të përshtatshme për prezantim, që posedojnë transformime, ulje, thyerje të trupave në pëlhurë. Të gjitha këto rregulla, tre artistë të rinj Albulen Neziri, Gazmend Beshiri dhe Visar Grajçevci arrijnë t’i kontrollojnë në punimet e tyre, madje ata me të dyja këmbët qëndrojnë në profesion, ata përcaktojnë ngjyrat ngadalë, i kontrollojnë ato, u japin shpirt, melodi dhe përkufizojnë forma mjaftë të shndritshme dhe tërheqëse, unike, dhe harmonike. Dritëhijen e vejnë në harmoni, i përcaktojnë saktë vendet, e kanë mësuar dhe dirigjuar mirë dorën, falë zellit të tyre të treguar, dhe teknika e vizatimit vije shpejt dhe në një të tillë mënyrë, që as ata vetë nuk e vënë re. Përshtaten me botën e vizatimit, pikturës, thellohen në gjësende të fshehta, zbulojnë ritmin dhe nuancat e sinqerta, krijojnë konfliktin mes së shkuarës, portretit nudo dhe teknikave të mësuara në shkollë duke u nisur nga dizajni dhe grafika, dhe ato i gërshetojnë në pëlhurë.

 

Artisti Albulen Neziri, në vizatimet e tija, shpërfaq formën nudo të femrës, duke e ekzagjeruar në pjesën e poshtme, me vija të lakuara. Ajo është në lëvizje, pa duar, kjo sikurse na paralajmëron se edhe pse femra është e pafajshme dhe e kapur pas mashkullit, asgjë nuk ka në duar, por disi tërthorazi mundohet ta fitojë pushtetin, dhe të udhëheq. Ajo është sëpatë, por e pa mprehur dhe në pozita të ndryshme, përpiqet të reflektojë si e pafajshme me një përpjekje të thellë për të dominuar. Ajo në fakt dominon, sepse epshi i saj arrin ta përul egon e mashkullit, dhe të fortët i bënë të dobët. Ndërsa, piktori Gazmend Beshiri, në artin e tij surreal arrin të tregojë që forma i jep identitet ngjarjes, e veçanërisht në tablotë historike, ku nuk duhen zënë vend shumë zbukurimet që mos të pengojnë apo errësojnë pozat dhe lëvizjet e figurave, përmes të cilave del në pah thelbi i tyre. Kompozicioni i tablosë me subjekte historike duhet të jetë i tillë që tu lind shikuesve, interesin për dinamikën që ndodhet në tablo. Ai mjeshtërisht këtë e dëshmon , ku fut gërshetimin e motiveve tradicionale historike, të cilat në sfond kanë flamurin kombëtar. E kuqja e përgjakur, e bluja e ftohët, e verdha dhe e zeza që “Kornizojnë” tërë ngjarjen, krijojnë një lojë me ritëm interesant, depërtues në kokat tona. Në kullat tradicionale të cilat në veprën e Beshirit simbolizojnë qëndrueshmërinë, janë të punuara me pika që i ngjajnë poentilizmit. Mirëpo, arti i tij në esencë është surreal, i prekur nga halucinacionet dhe ëndrrat Frojdiane. Ngjyrat, autori i paraqet teje të gjalla, dhe janë mjaftë të trasha, saqë edhe mund t’i kapësh, t’i përjetosh, të bëhesh pjesë e spektaklit. Qëllimi i tij është brendësia, zbulimi i sekretit të ëndrrës. Ndërkaq, Visar Graiçevci dizajnin e transmeton në pëlhurë me kubizmin dhe futurizmin e Marinetit. Nëpërmjet dritëhijes dhe formave të cilindrit, konit dhe sferës, ai i jep jetë pikturave, në të cilat dukshëm vërehet një teatër avangardë që ne esencë përmban luftën mes digjitalizimit dhe origjinales. Autori na paralajmëron se origjinaliteti ndodhet tek artisti i cili i planifikon format dhe pasqyron modernen. Bluja, kompozon me të zezën, sikurse e verdha me të bardhen dhe të kuqen, na prezantohen si një orkestër i gjallë me melodi të pastra, ngacmuese dhe përjetuese të shoqëruara me hijet, pa të cilat këto skena janë të pamundura. Ai nuk i ngjan Pikasos, e as Kodrës, por zbulon, zbërthen vetveten, bashkon ndjenjën me egon, dora e tij prezanton kompozicionin, perspektivën, dhe nëpërmjet formës së dukshme ai tregon edhe pikënisjen.

 

Andaj, të tre këta krijues, me artin e tyre, arrijnë të tregojnë se aspak nuk ngjasojnë njëri me tjetrin, secili ka veshë për gjuhën e brendshme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora