E diele, 16.02.2025, 07:20 PM (GMT)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Kapituj jete në tokën e premtuar

E merkure, 18.05.2011, 06:42 PM


KAPITUJ JETE NË TOKËN E PREMTUAR 

   

Albana Mëlyshi Lifschin: “URA MBI OQEAN”, tregime nga Amerika, botoi “Globus R” - Tiranë, 2008

 

Nga XHELADIN MJEKU

 

Me disa vëllime me tregime për jetën në emigracion, duke filluar  me “Kafe Shkodra e Nju Jorkut”, “Fundjave në Hillsajd” “Takim me të papriturën“, me shkrime publicistike, me librat me poezi, etj. Albana Mëlyshi Lifschin ka dhënë një kontribut të veçantë në letërsinë e emigracionit  në Amerikë. Edhe libri me tregime “Ura mbi oqean”  është një vazhdimësi e kësaj krijimtarie të mirëpritur nga receptori i konsiderueshëm i saj. Po e them që në fillim se ky libër përveç meritave letrare, ka edhe vlera të mëdha në fushën e botës sociale dhe jetësore të emigracionit të përtejoqeanit, përpjekjet e tyre në integrimet e jetës dhe realitetet amerikane, që për opinionin shqiptar janë një udhërrëfyes i mirë për të kuptuar realitetet nga largësia, për njerëzit e tyre, që janë bërë pjesë e botës enigmatike amerikane.  Simbolika e titullit flet për një lidhje shumë dimensionale të kësaj materie në tregimet që takojmë. Derisa në fillim të kujton lidhjet shqiptaro-amerikane me një urë të qëndrueshme, lidhja e dytë përcakton lidhjen e  emigracionit me tokën e atmëmdheut, ndërsa e treta e lidhjeve përmes kësaj ure konsiston me lidhjet emocionale shekullore me një botë të re e të panjohur, por sfiduese edhe në kohën tonë, një urë e fuqishme që ju bën ball ujërave të forta tejoqeanike në çdo kohë.

 

Guidë e jetës së ëndrrave dhe sfidave

Një përkufizim i këtillë  flet bindshëm për kuptimin drejt dhe trajtimin me përkushtim të zhvillimeve të jetës së emigrantit shqiptar në botën amerikane, gjithnjë duke e ndërtuar tregimin me elemente artistike që e bëjnë rrëfimin më të fuqishëm dhe mbresëlënës tek lexuesi. Që në takimet e para me tregimet e Albana Mëlyshi-Lifschin në librin “Kafe Shodra e Nju Jorkut”, kuptova se kemi të bëjmë me një krijuese me shije të hollë dhe vigjilente në kapjen dhe shtjellimin e temës tregimtare, me një oratori të kujdesshme dhe përceptuese. Nga përshtypjet e pashlyera që më bëri kjo materje tregimtare në një vështrim mbresëlënës të shkruar kohë më parë, ku ndër të tjera kam thënë, se: me lëndën e përfshirë në këtë vëllim, që pamëdyshje mund të konsiderohet një xhevahir i rrallë në perlat tona letrare. Takojmë këtu portretin e njerëzve, banor të rinjë në Amerikë, që luftojnë për t’u adaptuar me jetën e re,  ambientimin në një shoqëri të organizuar krejtësisht ndryshe nga vendlindja e tyre, përpjekjet për të mbijetuar, e deri në identifikimin dhe mbrojtjen e dinjitetit. Një deklarimi të këtillë i qëndron edhe më bindshëm mendimi se kjo prozë sa vie e rrit fuqinë komunikuese, duke shtrirë gamën e tematikës së shtjelluar në këtë rrafsh, me synime të qarta: paraqitjen në formën sa më besnike të jetës reale kundruall ëndrrave për një botë prej parajse dhe ëndrrave të “tokës së premtuar”, që jemi mësuar ta dëgjojmë e ta lexojmë shumë herë, duke mos ditur se cila është në të vërtetë ajo jetë e sfidave dhe enigmave, deri në pafundësi.  Lënda e prezantuar në librin “Ura mbi oqean” me tridhjetë e gjashtë tregime është një “pasqyrë në ditën për diell”, që ai rrezatim i ndërtuar artistikisht ndriçon çdo kënd të hapsirave të botës amerikane, gjithandej kah jetojnë dhe veprojnë bashkatdhetarët e autores. Duke kaluar nga njëri, tek tjetri tregim, takojmë ngjarje nga më interesantet, mësojmë për shumë fshehtësi të jetës dhe zbulojmë realitetet e botës amerikane, me të gjitha të mirat dhe të këqiat që ngërthen në brendinë e saj kjo pjesë e planetës, që për shumë njerëz vazhdojnë të konsiderohen edhe më tutje si tokë parajse e premtuar dhe si joshje për një jetë më të mirë, me pasuri e thesare të pazbuluara. “Në shumë prej tregimeve gjeta veten time në hapat e para kur erdha në Amerikë, prandaj këtë libër do ta quaj edhe si Biografi Emigranti në Amerikë”- do të shkruante Agim Bacelli në përshtypjet e tij pas leximit të këtij libri.

Këto realitete më së miri kuptohen me të lexuar këtë përmbledhje tregimesh, që duke mos llogaritur disa emra personazhesh, që lëvizin nga njëri në tregimin tjetër, duke mos e ruajtur emrin e njëjtë të kryepersonazhit dhe figurave tjera që e ndërtojnë fabulën, në masë të madhe i përafrohet romanit, meqë lidhja zingjirore e temave dhe shtjellimet e ngjarjeve  të panumërta, e që korrepondojnë ngushtë mes vete, gjithnjë duke pasqyruar një hartë - guidë për çdonjërin nga vizitorët e rëndomtë, turistë të organizuar e deri edhe tek ata që përfundimisht kanë vendosur të mësyejnë këtyre labirintheve, jo edhe aq të lehta që në fillim.  Ky libër sikur të kujton shëtitjen e gjyshit me nipërit, të cilëve nuk ngurron t’ua tregoj të gjitha fshehtësitë e vendit të tyre. Por, kësaj shëtije kaq me interes t’ia shtojmë edhe librin “Një udhëtim në Historinë amerikane” të po kësaj autoreje, nuk kemi  çka të shtojmë më shumë për kontributin e saj në favor të emigrantëve. Pas këtyre njohurive lexuesi mund të llogarisë saktë në fuqinë e tij për të realizuar një ëndërr të këtillë, apo për të krijuar një imazh krejt tjetër nga ai iluzionar për  tokën e largët të ëndrrave dhe premtimeve.

Toka  e premtuar –pasqyrim i  një realiteti të jetuar

 

Tregimet që po shqyrtojmë këtu paraqesin jetën e njeriut tonë në botën amerikane, lidhjet  me gjakun dhe traditat kombëtare, mundësitë e integrimit mes dy komuniteteve në relacion të ndërsjellë dhe dallimet e theksuara të këtyre dy botërave, në largësinë pothuajse sa gjeografike, aq edhe tradicionale, mundësitë e afrimeve të këtyre dallimeve, etj. “Ky cikël tregimesh është një dritare e hapur e lexuesit të vëndlindjes prej ku ai sheh realisht përpjekjet që bën bashkatdhetari i tij emigrant për t’iu përshtatur jetës amerikane” - nis shpjegimin e saj autorja në fillimin e librit, për të vazhduar me sqarimin se: ”Janë pikërisht vitet e para të emigrantit që përbëjnë periudhën më të vështirë të kapërcimit të kësaj ure të madhe midis dy vendeve, midis dy botëve, ndaj edhe titulli i librit “Ura mbi oqean”, lindi në mënyrë krejt të natyrshme” (fq.5). Në përmbledhjen e tregimeve  “Ura mbi oqean” të Albana Mëlyshi-Lifschin takojmë pikturën e gjallë,  imazhin e vërtetë të jetës dhe botës amerikane të përtej Atlantikut.  Me qëllimin e ruajtjes së vullnetit dhe dëshirës së receptorit që të jetë vetë njëri nga shijuesit dhe dëshmitarët e një ambienti të sjellur këtu nga dorë e spikatur dhe me mjeshtri të rrallë prej prozatoreje të dëshmuar që prej vitesh, po përmend vetëm disa nga titujt e tregimeve, duke konsideruar se edhe të tjerët  kanë poaq peshë dhe thellësi mendimi sa edhe këta që do i veçojmë, si: “Mos trokit në dritaren time”, "Your English is not good enough", “Si humba një intervistë pune”, “Pyetja e një të panjohure”, “Ti ke qënë e bukur...”,  “Emigranti Hoze dhe qeveria mëmë”,  "A vjen përkthyes për mua?", "Leka i madh në restorantin tonë të vogel",  "Pëllumbat", "Një e shtunë e çuditëshme në Nju York",   "Bosi im i parë", "Pilivesa", "Erdhi gjyshja nga Tirana", “Kush i vodhi këpucët e shqiptarëve”, "Kujtesë e kohërave  të hareshme", "Një fejesë në Hallouin",  “Mami është e keqe”, etj. Protagonisti në tregimet e librit “Ura mbi oqean” gjatë tërë rrugës së tij, nga tregimi i parë “Mos trokit në dritaren time” do t'i luftojë shumë dukuri të çuditëshme  amerikane që në përballje të parë nuk i pëlqejnë emigrantët e rinjë, por autorja këtë veçori e ka të qartë, që në fillim, prandaj zgjedh mjete e forma të përafrimit të këtyre mentaliteteve duke bërë  protagonistin që të përqafojë mentalitetin e kulturën amerikane. Tregimi "Your English is not good enough" prek  tematikën mjaft të ndieshme mbi veçantitë e njeriut amerikan, që dukshëm dallon nga ai  shqiptar. Këtu takojmë dy veprime të kundërta të biznesmenit, i cili në jetën e rëndomtë nuk ngurron me lavdërata, derisa kur duhet të ketë obligimet e tij për punën që kryen emigranti, e shtrydh si limonin duke e  peshuar mirë deri në masën  ku e quan edhe të pa kualifikuar në shkallën e mjaftueshme për atë punë, me qëllimin e vetëm  të blerjes  sa më lirë të këtij poetenciali  krahu.

Karakteristikë tjetër që veçohet tek shqiptari janë mirësia, humaniteti, etj. që në komunitetin e biznesit amerikan janë të zhveshura në shakllën zero. Këto veçori  shpjegohen në tregimet "Klienti im i parë” dhe “Si humba një intervistë pune”. Edhe traditat amerikane dallojnë tërësisht nga ato shqiptare, dhe këto krahasime paraqiten mjaft me sukses në tregimet:  "Basti i kuajve" , “Pyetja e një të panjohur”, “Ti ke qënë e bukur...”, etj. “Askush s’i kishte rënë derës tonë për të lajmëruar se një vdekje kishte ndodhur vetëm një kat më poshtë... As edhe një zhurmë. Vdekja kishte hyrë në të drejtat e saj me qetësinë më të madhe. Kishte marrë të vdekurit pa ua prishur qetësinë të gjallëve. Kështu kishte bërë me Ranieron, me Sarën, me Barbarën. Vdekje amerikane.” ("Vdekje amerikane"fq. 52). Një komparacion i dallimeve zakonore të dy komuniteteve me rastet e vdekjeve, me vajtime e me dhembshuri në Shqipëri dhe një ditë pothuajse fare e  rëndomtë në

Libra të Albana Melyshi-Lifschin
Libra të Albana Melyshi-Lifschin
familjet amerikane. Një temë shumë mbresëlënëse dhe me interes për lexuesin shtjellohet edhe në tregimin “Kush i vodhi këpucët e shqiptarëve”. Tek tregimet "A vjen përkthyes për mua?", "Leka i madh në restorantin tonë të vogël" ,  "Prapa hekurave", "Bosi im i parë" dhe "Erdhi gjyshja nga Tirana"  trajtojnë tema të emigracionit, përshatshmërinë dhe ndërthurjen  e  koncepteve shqiptare të vjetra me jetën e gjallë amerikane, të cilën e kanë përqafuar dhe rinia shqiptare në Amerikë, por në asnjë mënyrë emigrantët e moshuar. Në tregimet "Nje fejesë në Halloween",  "Basti i kujave", dhe  "Nuse me mblesëri nga Shqipëria" autorja na jep me shumë vërtetësi disa zakone të çuditëshme dhe  të pabesueshme, në asnjë rast të pranueshme nga fanatikët shqiptarë, por tërësisht normale për botën tjetër.

Këtu takojmë thjeshtësinë e rrëfimit, bisedën spontane dhe të kapshme lehtë për lexuesin, saktësinë e ambienteve jetësore amerikane dhe e gjithë kjo dëshmon vërtetësinë e rrëfimit në gjithë temat e prekura këtu. Përplasja e dy mentaliteteve  dhe kulturave të ndryshme përshkruhet deri në detaje dhe kjo e bën edhe më të besueshëm interesimin e receptorit që ka në dorë një udhërrëfyes, jo vetëm nga pamjet dhe ambientimi, por edhe me të gjitha karakteristikat e një populli, deri edhe me traditat, që qëndrojnë tepër larg me botëkuptimet  e bashkëvendasve të autores. Këto krahasime e bëjnë edhe më të veçantë këtë prozë tregimtare, duke e mbajtur pezull lexuesin me qëllim të njohjes sa më të mirë të kësaj bote, në përafrimet mes dy komuniteteve, në veçanti.

 

Përkushtimi prej misionareje

 

Albana Mëlyshi Lifschin  konsiderohet misionare e një pune shumëvjeçare për  kontributin dhe përkrahjen e saj dhënë  emigrantëve shqiptar që kanë kaluar Atlantikun dhe i janë nënshtruar një jete krejtësisht të panjohur dhe me plot të papritura në rrugëtimin e tyre të parë. Përpjekjet për të ndryshuar jetën e shumë njerëzve që kanë shkelur tokën e përtej oqeanit  i takojmë në tërë krijimtarinë e saj tregimtare, që nga libri i parë. E përkushtuar me tërë vullnetin e saj krijues i është çasur shtjellimit të kësaj gjinie letrare, duke e ruajtur çiltërinë e gjuhës, komunikimin e lehtë mes personazheve dhe gjithnjë duke krijuar një prozë tregimtare të kapshme dhe mbresëlënëse për receptorin e përvetësuar me fjalën e saj të çiltër artistike. Kur lexojmë tregimet e Albanës krijohet ndjenja e përjetimit të momenteve reale, një përballje me realitetin, pasqyrim i  përjetimeve   personale në ambiente jete në mërgatë. Nganjëherë krijohet përshtypja se ke në dorë një ditar jete të emigrantit, me përshkrimet tepër koncize dhe me përkushtim të ngjarjeve dhe peripetive të shumta. Tregime me ambientim nga jeta amerikane dhe ajo shqiptare,  me ndjesi dhimbjeje dhe krenarie njëkohësisht, një prozë e latuar mjeshëtrisht dhe me petk melankolie dhe malli për atdheun, për njerëzit që ju mungojnë, për traditat shekullore që duhet të zëvendësohen me veset dhe teket e pronarëve të botës amerikane duke ndier thellë në lëkurën e tyre zagushinë e jetës nëpër lagjet e  metropolit të Nju Jorkut. Një bashkëdyzim i jetës së mërgimtarit, me petk autokton të vendlindjes, me mallin e gjuhës, dheut, këngës, të përcjell pothuajse në gjithë tregimet, sikur i kanë dhënë epitetin e një misionareje që përfundimisht është futur në jetën e bashkëkombasëve t’ua trasoj rrugën e vështirë dhe plot sakrifica,  të cilën tashmë e kanë filluar, por edhe përkrahja dhe ndihma edhe komuniteteve tjera,  që ia mësyejnë këtyre metropoleve përtej oqeanit, e bëjnë edhe më madhështore punën dhe veprën e saj.

Vërtetë Albana Mëlyshi vazhdon të qëndroj stoikisht në mes të oqeanit të pafund të peripetive të këtij komuniteti, duke i lidhur dy skajet e jetës së tyre , si një urë e patundur furtunave dhe rrebesheve që mund ta trazojnë në çdo kohë. Është krenari të kesh një përkrahje kaq të qëndrueshme, që identifikohet me pamposhtjen shekullore të kështjellave shqiptare. Qëndresa e këtillë sfidon çdo urë tejoqeanike, për të lidhur fort dy skajet e gjakut dhe njeriut të vet.

  

KUSH ËSHTË ALBANA MËLYSHI LIFSCHIN

 

Albana Mëlyshi - Lifschin, ka mbaruar Fakultetin e  Gazetarisë në vitin 1973, në Universitetin e Tiranës. Punoi si gazetare në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe nga viti  1977 e deri në vitin 1992 punoi në TVSH, pastaj  u largua në Nju Jork. Në vitin 2001, mbaron studimet  në Universitetin prestigjoz të Nju Jorkut. Që nga viti 2002, Albana punon në Manhattan,  në një zyrë avokatie, që merret me problemet e migracionit. Është ndër anëtaret e para të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan?, që nga  themelimi i saj.

Albana Mëlyshi - Lifschin është autore e 12 librave në prozë dhe poezi si dhe e librit të parë  për historinë e SHBA-së, në gjuhën  shqipe, me titull “Udhëtim në historinë e Amerikës” , botuar për herë të parë në vitin 2003, për tu ribotuar pastaj edhe më 2006 dhe së fundi edhe më 2010 nga SHB “Rozafa” e Prishtinës, ku u mirëprit jashtëzakonisht mirë. Poashtu veçojmë librin dokumentar në anglisht dhe shqip  “Children of Kosova –stories of horror” (“Fëmijët e Kosovës-histori tmerri”) që pasqyron ngjarjet e vitit 1999, të gjenocidit të popullsisë kosovare nga regjimi i Milosheviçit. Ky libër u vlerësua nga Ministria e Arsimit - Bordi i Arsimit të Nju Jorkut, si “text book” për klasat e shkollave nga 6-12.  Ajo  është  nderuar  me titullin, “Grua e vitit” nga Organizata e Grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” në vitin 2008.

Në opusin e saj krijues ka 5 vëllimeve me tregime e novela, kryesisht me tematikë nga jeta e emigrantëve shqiptarë në SHBA, duke kujtuar edhe librat me poezi dhe të tjerë, që tashmë janë bërë pjesë e sukseseve të pakontestueshme të veprimtarisë së saj shumëdimensionale edhe në fushëveprimtaritë tjera që ushtron, në ngritjen e sukseseve dhe ndihmesën e bashkëkombasëve për integrim në jetën amerikane.

Albana Melyshi - Lifschin, që nga viti 1992 jeton në Nju-York. Është aktive në veprimtaritë e saja dhe vazhdon të sjell freski sidomos në zhanrin e prozës tregimtare me motivacion jetën e emigracionit shqiptar në Amerikë dhe lidhjet autoktone me atmëmëdheun e tyre. Tek lexuesi shqiptar dhe ai amerikan tashmë është e pranishme me librat e saj nga beletrestika, historia,  poezia dhe  proza:

1.       “Kafe Shkora e Nju-Jorkut”, tregime 1999

2.      “Children of Kosova-storis of Horror” (“Fëmijëri e përgjakur”), 1999

3.      “Fundjavë në Hillsajd”, tregime dhe novelë, 200

4.      “Poezi”, vëllim poetik me pseudonimin Blerta Tirana, 2000

5.      “Zëra nga larg”,  antologji e të rinjve në mërgim, 2000

6.      “Udhëtim në Historinë Amerikane”, 2003, ribotim më 2006 dhe 2010

7.      “Takim me të papriturën”, tregime dhe novella, 2006

8.      “Yesterday i cut my hair”, vëllim poetik anglisht-shqip, 2007

9.      “Ura mbi oqean”, tregime nga Nju-Yorku, 2008

10.  “Magjia e një zëri”, tregime dhe novella, 2008

11.   “Ka gjithmonë diku”, përmbledhje me poezi, 2010

12.   “Vjehërr amerikane”, novelë, 2010



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora