Kulturë
Vangjush Ziko: Marinar i pranverës
E merkure, 18.05.2011, 06:04 PM
Vangjush Ziko
MARINAR I PRANVERËS
Fëshfëritje e blertë
e fletës.
Dallgëzim i gjelbër
i jetës.
Dielli,
ishull i zjarrt’ i agimit,
Retë,
velat e çjerra të dimrit.
Dhe unë
marinar i pranverës
Lundroj
me puhizën e erës.
Me anijen time
të vargjeve.
Nëpër dallgët e murme
të ngjarjeve.
Nëpër detin e poezisë
Kërkoj
limanin
e lumturisë.
HIMN
Më vu panja në buzë
gjethen e saj të kuqe
Të luaj himnin e Kanadasë.
Nuk m’ i di ajo mirë
Huqet.
Zëri im dhe mund të fallcarë.
Nisa unë
himnin e shqerkave
Që kullosin rrëzë Moravës.
Hanë barin e njomë
të mezhdave
Nën tingujt e xhurasë.
Pinë ujën e Çardhakut
në burimi i dashurisë.
Un’ e ngre
dhe s’ më ngop dot bardhaku
i lagur i fëminisë.
Më jep hëna korçare
kitarën
me telat e saj të argjendtë.
I këndoj unë Kanadasë
himnin tim
të njëmendtë.
DALLGËT
Lundroj
përmbi dallgët e gjelbra
Me të ëndrrës sime velëz.
Poshtë meje
ujrat e thella.
Notojnë peshqit-njerëz.
Mërmërimat e tyre më vijnë
si jehonë
e zërit të lodhur.
Përbri tyre
balenat-makina
rënkojnë e turfullojnë.
Semaforët,
si yje të gjallë
Herë skuqen.
Herë zverdhen.
Lëshojnë të tyret sinjale
të ndalin pak peshkaqenët.
Peshkaqenët e çmendur,
droguar.
Dhe ata
nga raca e njerëzve.
Det’ i njomë,
i gjelbëruar
Qetësoi pak dallgët e nervave.
PRANVERA E NJERËZVE
M’ u fundos anija
mes luleve
Mu në detin e tulipanëve.
Pranverë,
në tokë u ula
të gëzoj e të qaj hallet.
Ç’ do ishe ti
pa njerëzit.
Përmallshëm kush do të t’ priste.
Tok me të tuat rreze
çarçafët e dimrit
do griste.
Do mbillte farat e tua
në lehet e shkrifta
të shpirtit.
Zanatin
do merrte hua.
Jeta ty të të ngjiste.
Fundosa
anijen mes leheve.
Të këndoj pranverën e njerëzve.