Kulturë
Kalosh Çeliku: Trumbetat e dexhallit
E premte, 13.05.2011, 06:59 PM
TRUMBETAT E DEXHALLIT
Nga: KALOSH ÇELIKU
Kukulla të mira, të lira për në shtrat
Kukulla që të kënaqin kur qeshin,
E qajnë nëpër kabinete me bark…
Dielli si një saç i skuqur, derisa unë kisha bërë një sy gjumë pas dere, ishte ngritur lart mbi male. Ku ta dish, ndoshta edhe sa herë e kishte zgjatur dorën të më zgjojë nga gjumi.
E di edhe se ju do të thoni se atë e ke merituar, mos deshe të të mbulojmë me lule… T’u biem duarve, të këndojmë serenatë nën dritare.
Vetëm se, nuk mund të mos ua them edhe në këtë shkrim, se shumë vetave u ka prirë Ebu Xhehli. E kanë futur kokën në torbë dhe kanë ecur nëpër shkretirë. Sytë i kanë pasur të lidhur dhe kanë ecur në rreth. E në rrugë janë dëgjuar trumbetat e Dexhallit. Ebu Xhehli permes Qendrës tregtare u ka prirë me një shami… Ja, pse u ngrita më këmbë ashtu i lagur qull, i përmjerrë, që ta vazhdoj rrugën. U shkunda si një dele pas shiut, I futa duart në xhepa dhe u ndala para xhamave të një vitrine. Aty e kreha mjekrën me gishta, po duke i shkundur krahët ç’më panë sytë! Një kukull e bukur, veshur në të bardha, pasi më buzëqeshi më thirri me gisht. Njëherit mendova mos më ikën, fluturuan në qiell, siç u kishin fluturuar shumë e shumë burrave të Qytetit të qyqeve, po nuk e dhash veten pa bërë asnjë pushkë. Vendosa të hyj edhe në Vetësherbimin e kukullave. Se, qysh para disa vjetësh kisha dëgjuar, se këtu shiten kukullat më të bukura që dinë të qeshin e qajnë me bark. Njëherit, këtu punonin shefat gjysmanalfabetë, shitësit dhe mjeshtrit më të dëgjuar në gjithë Qytetin e qyqeve.
Pasi hyra brenda dhe e mbylla derën, më doli para Portieri i Nënës Parti. E shtrembëroi pak kësulën, e preku me dorë revolen dhe pasi më përshëndeti ma kërkoi letërnjoftimin. I hudhi një sy fotografisë, pastaj m’u drejtua me këto fjalë:
- Cilin e kërkoni, Zotëri?
- Kukullën që më buzëqeshi në vitrinë…
Kur e dëgjoi këtë përgjigje, nuk foli, me siguri më mori për të marrë. Vetëm e pashë se bëri me gisht nga një korridor i gjatë plot kukulla. Unë e vazhdova rrugën, ndërsa ai u kthye në kotec duke e shkundur kokën, për një sy gjumë. Në rrugë e sipër, ashtu i thelluar në mendime, nuk e di se si padashtas më shkuan sytë në mur, në tabelën e shpalljeve. U ndala para saj dhe fillova t’i lexoj me sy ata rreshta të shkruar me makinë, pa ditur as vetë se ç’kërkoja nëpër ato fletë.
Po. E nisa leximin që nga fleta e parë, ashtu në heshtje. Pas konkursit, që ishte shpallur në qershor për një numër të pakufizuar praktikantësh dhe pas suksesit që kishin treguar në testim, ishin pranuar disa kandidatë. Emrat e tyre ishin radhitur si vijonte në tabelë. Po unë, për shkak të vendit, nuk i shënoj se, e para: nuk dua t’ju marr kohë, dhe e dyta: i kursej rreshtat e këtij shkrimi. Njëherit, nuk dua t’ju lodh, as edhe me çfarë kriteresh shkencore janë pranuar këta kandidatë. Se, ma thotë mendja, ju jetoni në mesin tonë, e dini edhe si marrim frymë. Pse t’ju lodh me rreshta, kur mundem mes këtyre faqeve t’ju hedh edhe diç të dobishme, me vlerë…
Në një fletë tjetër u bëhej me dije punëtorëve të kësaj organizate se Dr. Madhi tre muaj me radhë nuk do ta mbante kursin e gjuhës së huaj, për shkak se ndodhej në specializim në botën e jashtme. Por gjatë kësaj kohe adhuruesit e gjuhës së huaj nuk do të humbnin kurrgjë, se atë do ta zëvendësonte vajza e tij me dy provime të dhëna në fakultet, Hyrije Hanëmi. E ironia më e madhe ishte se kjo listë mbante një datë qysh para pesë muajve, që do të thotë se Dr. Madhi tashmë ishte kthyer në organizatë. Po ja, askush nuk ishte kujtuar ta heqë këtë shpallje nga tabela. Vetëm se ajo që më goditi më tepër ishte se dikush nga punëtorët e këtij kolektivi i kishte kushtuar kujdes edhe pamjes së tij estetike. Në kokë i kishte vizatuar dy brinja kau. I kishte vënë edhe syza. Fytyrën ia kishte mbuluar edhe me leshra, pra mjekër, se ashtu duhej të dukeshin njerëzit e mëdhenj e me famë. E në gojë i kishin vizatuar një trëndafil të kuq. Ky vizatimi i fundit, trëndafili i kuq, më shtyri të qesh me atë portret të mjerë që e zbukuronte gjithë korridorin.
Në një kënd, aty nga fundi i tabelës, sytë ma zunë edhe mbledhjen që duhej të mbahej në orën dymbëdhjetë, në Amfiteatrin e madh të Shtëpisë së mallrave. Këtë e lexova nga fillimi, që andej diku nga mesi mësova se në këtë mbledhje, në mes të tjerave, do ta mbronte punimin e tij shkencor edhe adhurusi më i madh i kukullave. Ai para komisionit treantarësh do të mbronte tezën e tij: “Kukullat kur qeshin e qajnë me bark”. Ky ishte një punim shkencor që për herë të parë mbrohej në Shtëpinë e mallrave. Një studimi të këtillë deri më tani nuk i kishte hyrë asnjë shkencëtar botëror. Mu për këtë pritej me aq interesim të madh, me të cilin ky shkencëtar i madh do ta pushtonte botën…
Ende do të vazhdoja me leximin e shpalljeve po të mos më trokiste me grusht dikush në xham. Njëherit, aty për aty u tremba, mos vallë unë ndoshta nuk kisha pasur të drejtë t’i lexoj ato fletëshpallje! Vërtet ato ishin ngjitur për t’u lexuar, por jo nga të tillët siç jam unë, që pa fije turpi një ditë do t’i marr nëpër gojë në libra. E ktheva kokën. Vetëm tani e pashë Flokartën që ma bëri me dorë matanë xhamit. E pashë edhe se i qeshën sytë. Ndërsa fytyra m’u duk se iu ndez flakë. Vetëm për çudi, s’di pse nuk ia shihja zjarrin. Ja pse, pa u menduar fare, vetë m’u nisën drejtë saj këmbët. Kur u afrova afër, fort afër, atëherë e pashë se kjo ishte ajo kukulla që më buzëqeshi në vitrinë. Tanimë çdo gjë e pata të qartë, edhe pse më kishte thirrur me gisht. Vetëmse, ku te gjej forcë që ta them edhe në këtë shkrim. E ajo sikur të m’i kishte lexuar mendimet, ma zgjati dorën.
- Flokarta e Rrezikshme.
- Autori i librit “Qyteti i qyqeve”, - edhe unë ia shtriva dorën duke e hëngër me sy si mollën. Vetëm se nuk dija ku t’ia ngul dhëmbët. E rrotullova. E tëra ishte e kuqe. Kisha frikë mos më mpihen dhëmbët. E ajo me bukuri m’i verboi sytë. Por, kur i hapa përsëri më erdhi të pamurit, e pashë Flokartën duke u munduar të ma prekë ballin. U tërhoqa pas dy-tre hapa. Ajo po aq hapa bëri drejt meje, duke më vërshuar me pyetje.
- Profesionin e kuptova që kur u prezentuat, ma zgjatët dorën. Po nuk e di çka keni studiuar në fakultet?
- Gjuhën dhe letërsinë shqipe,- iu përgjigja unë, pa u menduar gjatë kohë.
- Edhe unë e kam kryer gjuhën dhe letërsinë shqipe, në katedrën e një profesori të njohur, këtu në Qytetin e qyqeve.
- Më vjen mirë! Unë i kam kryer në Universitetin e Kosovës. Dhe, gëzohem që qenkemi kolegë, - u mundova t’ia bëj qejfin.
Flokarta më nuk foli, por bëri një lëvizje provokuese duke më vjedhur me bisht të syrit. Meqë unë nuk reagova, ajo përsëri e mori fjalën.
- E mua ma thotë mendja se ju këtu kërkoni edhe dikend tjetër?
- Po. Më se e vërtetë. Po si ia qëlluat?!
- Eh, sikur nuk e di. T’i lexova mendimet. Pastaj, e di se si jeni ju shkrimtarët…
- Nuk e mohoj. Erdha të blej një kukull. Pastaj desha ta vizitoj edhe Dr. Madhin… E kam shok pene, që shkruan shkrime akademike… Herë pas here edhe me pseudonime… Pse, nuk më zë besë për këtë të fundit, Zonjushë?
- Sepese shkruan libra.
- E çka ka kjo lidhje me Dr. Madhin?
- Ka, si nuk ka. Pena jote me vite e vite kërkon një personazh të këtillë, të përkryer rrugëve të Qytetit të qyqeve.
- Tjetër është ta kërkosh rrugëve, e tjetër ta gjesh në libër.
- Jo. Ti e ke gjetur. Këtë e vërejta që kur e shkele pragun e derës, në Vetëshërbimin e kukullave.
- Mirë. Atëherë bën të më shpieni deri në kabinetin e Dr. Madhit?
- Gjithsesi, pasi e paskeni edhe shok pene…
Flokarta para, unë pas saj, u nisëm korridorit. Pas disa hapave u ndalëm para një dere, në ballin e së cilës shkruante: Prof, Dr. Madhi. Ajo, pasi më shikoi drejt në sy, trokiti në derë. Matanë derës u dëgjua një zë i trashë burri dhe u hap dera. Në një karrike pranë një tavoline shihej Dr. Madhi me gishtin në kokë. Ai, posa na pa, buzëqeshi pak si me zor dhe u ngrit më këmbë,
- Urdhëroni! Dhe, mirë se na vini! – tha duke ma zgjatur dorën.
- Mirë se ju gjeta, zoti doktor.
Flokarta tanimë duke e parë veten të tepërt në këtë shoqëri, pasi kërkoi falje, doli nga kabineti. Ndërsa, profesori ma afroi një karrige dhe ngriti kufjen e telefonit.
- Jeni për një kafe?
- Po, - iu përgjgija duke e shikuar një pikturë të madhe të udhëheqësit të Partisë mbi kokë të Dr. Madhit. E ai, pasi e porositi kafen, u fundos edhe më thellë në kolltuk. Dhe, pasi u mendua pak, u ngrit përsëri më këmbë.
- Po, si të kemi, he burrë?
- Mirë, të themi nga Zoti, disi ecim më këmbë. E nga njerëzit, mos pyet…
- E pse fare nuk dukesh këndejpari, së paku të pimë nga një kafe?
- Nuk kam shumë kohë…
- E di këtë, por mos harro se unë jam doktor shkence.
- Edhe këtë e di…
Tashti më në fund e kuptova pse Dr. Madhi ma bënte gjithë këtë nder. Se qysh kur erdhi në këtë kabinet, disa nga intelektualët nuk e shikonin me sy të mirë. Aq më keq, edhe ai këtë e dinte se nuk e meriton këtë vend pune që e fitoi brenda një nate. E kishte fare të qartë se vendet e tilla, ashtu siç fitohen, edhe mund të humben Brenda një nate. Ja çka e shtynte të më bindë mua ta ndërroj mendimin për të si njeri i shkencës. E dinte se unë më së tepërmi i kam dhënë sesa i kam marrë shoqërisë. Shtetit. Vite me radhë punoja si mësues në malësi. Me pasurinë e trashëguar nga të parët e mi e kisha blerë banesën. Dhe, mu kësaj shoqërie i kisha dhuruar deri më tani disa vepra letrare. E ajo mua presionet në punë dhe ndjekjet nëpër male. Kjo e mundonte Dr. Madhin. Shkaku: edhe kishte gisht. E shtynte gjithë atë alamet doktori me dinakri të më bëj për vete t’i bashkangjitem Kopesë së tij me zgjebe. Përkulet mua, një shkrimtari, para këmbëve të mos e marr si personazh nëpër libra. Ndërsa, mua edhe aq më tepër më villej kur e shihja aq të dobët, aq të mjerë, të shtrirë në baltë. Nuk e di pse isha aq alergjik ndaj këtyre kulturofagëve, që ishin mësuar vetëm t’ua fërkojnë të tjerëve me dorë. Asgjë të veten nuk kishin në kokë. Asgjë. Truri i tyre ishte mushkë, nuk pillte edhe sot e kësaj dite. Po, argatët e këtij soji gjithmonë “vëllezërit” i kishin përdorur si lecka dhe, pasi e kishin fshirë bythën, i kishin hedhur më në fund në kontejnerin e bërllokut.
- Ja, urdhëroni edhe një gotë konjak “Leoni”! - Këto ditë ma solli si dhuratë një mik imi nga Franca.
- Falemnderit! – E ngrita unë gotën.
- Gëzuar! – E cakrroi Dr. Madhi.
Shishja e konjakut të Francës tani për së dyti herë më thelloi në mendime. Ju do të pyesni pse? Edhe unë të isha në vendin tuaj do të bëja kësi pyetjesh. Po isha në kabinetin e Dr. Madhit. Në kabinetin që kur ai e hapi dollapin, mua më doli përpara një koleksion pijesh nga vende të ndryshme të botës, si në dyqan. E për të gjitha ato pije e dija se cilës rruge kishin ardhur deri në këtë kabinet. Unë e dija edhe se Dr. Madhi nga ky kabinet duke shitur diploma universitare e tituj shkencor e kishte ndërtuar edhe shtëpinë. Por, jo vetëm kaq. Dr. madhi nga ky kabinet kishte bërë edhe një pushimore në një vend turistik. E gjithë kësaj i kishte vënë kapak me dy-tri libreza kursimi me deviza të deponuara në bankat e vendit e të Zvicrës. Të gjitha këto ma kujtuan edhe atë thënien e njohur të Dr. Madhit: “Nuk do të fle rehat në shtrat, përderisa s’do të kenë të gjithë shqiptarët diploma universitare. Ose: nuk do të merren të gjithë shqiptarët i madh e i vogël me shkrime akademike”… Qesha…
- Urdhëroni kafenë! – E lëshoi mbi tavolinë tepsinë sekretaresha e Dr. Madhit.
- Falemnderit, zonjushë.
- E bukur, ë? – Më provokoi Dr. Madhi, duke menduar se qesha me sekretareshën.
- Po. Sekretareshën e keni raketë, - mezi arrita t’i përgjigjem me ironi.
- Epo, Dr. Madhi nuk mban çfarëdo malli në kabinet…
E unë tani u ngrita të dal edhe për dere. Më dukej se më zihet kraharori. Nuk munda të marr frymë. Më kot më luti Dr. Madhi të rri edhe pak, ta ngrejmë së bashku edhe nga një dolli, kur unë përpak desh i volla edhe zorrët. Ndoshta i mbeti edhe hatri, po unë nuk i kam faj. Nuk kam kabinet, nuk kam sekretareshë, nuk shes diploma universitare e tituj shkencor, nuk kam shtëpi, nuk kam deviza, nuk kam dashnore… Vetëm këto edhe nuk i dua pa djersë, se ama asgjë nuk i lakmova Dr. Madhit. Asgjë.
Unë e kam penën…