Kulturë
Poezi nga Venka Capa
E premte, 20.05.2011, 06:31 PM
Venka Capa
Me sytëhedhur malit të Dajtit,
kundroj dremitje të qetuar…
Pudërlehtë i mbuluar
embëlsi dehese të hedh’…
Pemët mantelbardhë
tejmiqesohen me zogjtë,
nën tinguj cicërimorë
ritmin melodiëmbël
këngërojnë…
Hapësira qiellësore tenduar
dritimin e saj tinëzisht,
Diell laguri prej rrezatimit
shtrirë në imagjinatën e ngrohtë
paqësisht…
Oh, borëbardha shpirtin
lutem të ma shkrijë;
trishtin e veluar syve të mi,
në besim ta kthejë
në ardhmërinë
time të menduar…
Unë prek me frymë
Rrugëtoj, notoj... Le pas vetes
një det të ngrohtë ku spirancat duhen përmbytur.
Pastaj duhen ngritur, ag i nisjes...
nëpër frymë dashurish alveolat e mija te brishta
krahë engjëjsh, gugatje të porsalindura
horizonte drithëruese, mole poezish
dhe trishtimi i lehtë i valës se tij...
Ajo prekje ere e mbarë kthimi....
Sytë më gënjejnë si klithma pulëbardhash
të shkrifëta, direkeve duke i përkëdhelur
me pendë nëpër kocka, nëpër thinja,
ku gulçet e dhimbjeve dhe meraku për brigjet,
malli për dheun, për bymimin e Burrit të Vogël të Dheut
që lëshon klithma urithi të uritur....
Unë nuk prek me dorë, unë prek me frymë,
mbështetem me zemër, jo me gjinj,
nuk lëshohem me kurmin tim, por me ëndrra
dhe çapitem me ndjesi....
Jam grua
Hedh vështrimin
Zbehtësisë së dritës…
Jam cung dru tharë
Përplasur nga fati,
Rrahur nga mëshira,
Në stinë hipokrizie.
Malli që kullos për jetën,
Më dhuron këmbët e lisit,
Lutem para Shën Marisë:
Jam grua, kam shpresa,
Më vlon dëshirë e shenjtë,
Më hidh një degë të pafaj,
Të lidh dashurinë amësore!
Njeriu Bosh
Teksa eci në rrugë
Hija e trupit më përndjek...
Kur dielli ka çastin e përndritjes,
Shpresa qesh nën buzë e vrarë,
Në dridhje kënaqësish të pa jetuara...
Vështrimet si shigjeta të mprehta,
Thyejnë shkëlqimin në sytë e mi,
Në rrugë një zonjë e bukur,
Puthte me dashuri qenin e saj...
Afshi kundërmojë ajrin përreth...
Rruga zhvesh krahët e kthesës,
Unë var në degë të vështrimeve,
Përçmimin e njeriut bosh në shpirt.