Kulturë
Adem Zaplluzha: Letër atdheut (I)
E shtune, 21.05.2011, 06:37 PM
Redaktor: Bedri Neziri
Recensent: Mazllum Baraliu
Lektor: Bedri Neziri
Botimin e këtij libri e ndihmoi Departamenti për kulturë, Rini dhe Sport i komunës së Prishtinës
Adem Zaplluzha
L E T Ë R A T DH E U T
2o11, Prishtinë
PARATHËNJE
Nëpër shtigjet e shpiritit të poetit Adem Zaplluzha
Kur njihesh me universin poetik të Adem Zaplluzhës, nuk mund të mos rrish e të përsiasësh gjatë.
Mendoj se poezia e Adem Zaplluzhës e ka përballuar dhe do ta përballojë me shumë sukses provën e kohës dhe do të hyjë plot dinjitet në thesarin e modeleve më të mira të poezisë shqiptare. Ai e ka pasuruar gjuhën tonë poetike, duke i dhënë hapësirën e duhur ligjërimit me një strukturë sintaksore tejet të larmishme. Poeti dhe përgjithësisht artisti është pasqyrë e vetëdijes kombëtare e popullit të vet. Kjo është edhe arsyeja që artisti shqiptar këmbët i ka të ngulura fort në tabanin kombëtar, kurse politikani shqiptar këmbët i ka të ngulura fort në kolltukun që gëzon falë politikës. Prandaj, në poezinë e A. Zaplluzhës, vetëdija kombëtare e politikanit shqiptar është e diskutueshme.Njohja nga afër me poezinë e Zaplluzhës, me traditën e tij poetike, na bën të bindemi se ajo ka hyrë në historinë e kombit shqiptar si pjesë përbërëse e kulturës së tij shpirtërore.Dëshiroj të shpreh bindjen se krijimtaria artistike e Adem Zaplluzhës ka tërhequr dhe do të vijojë të tërheqë vëmendjen e studiuesve të letërsisë, të kritikëve, të gjuhëtarëve, të cilët, me metoda shkencore do të mundohen të zbulojnë të fshehtat e shpirtit të poetit dhe t’i përgjigjen pyetjes se ku fshihet magjia e ndikimit të tij mbi shpirtin e njeriut.Trashëgimia poetike Adem Zaplluzhës jo vetëm që mishëron në vetvete vlera të larta artistike, por përfton edhe një tingëllim të ri. Në poezinë e tij vjen e shpërfaqet jo vetëm shpirti i vetë poetit, por edhe shpirti i mbarë popullit shqiptar.Poeti, ashtu si edhe puna e muzikantit, është mjaft i ndjeshëm ndaj kadencës së vargut dhe ndaj tingullit. Prandaj ky merak nuk i ndahet për asnjë çast edhe poetit Zaplluzha në strukturimin e vargjeve të tij, vargje të cilëve u u përshtaten fjalët e historianit të letërsisë gjermane, August Shlegelit, (1767-1854), për për shkrimtarin romantik gjerman Ludvig Tik (1773-1853):
“Gjuha në veprën e tij duket sikur ka hequr dorë nga shëmbëllimi lëndor dhe ka marrë trajtat e një flladi të lehtë. Fjala e tij të krijon përshtypjen sikur nuk shqiptohet, por tingëllon më e ëmbël se kënga”.
Në fund, dëshiroj të theksoj se krijimtaria poetike e Adem Zaplluzhës, si edhe e çdo krijuesi tjetër, duhet të shërbejë si objekt përsiatjesh edhe për psikologët, meqenëse përmes shpirtit të poetit lexuesi vëzhgon shpirtin e mbarë popullit.
Psikologu dhe filozofi i mirënjohur zviceran Karl Gustav Jung (1875-1961), në veprën e vet me titull “Psikologjia dhe krijimtaria poetike”, shkruan:
“Është mëse e qartë se psikologjia, duke qenë shkencë e proceseve të shpirtit, mund të hyjë në lidhje të drejtpërdrejtë me studimin e letërsisë, me kritikën letrare. Se shtrati kryesor i të gjitha shkencave, ashtu si edhe i çfarëdo vepre arti, është shpirti. Prandaj shkenca e shpirtit, besoj, duhet të jetë në gjendje të përshkruajë dhe të shpjegojë dy gjëra në ndërvarjen e tyre: së pari - strukturën psikologjike të veprës së artit dhe, së dyti, parakushtet psikologjike të individit artistikisht produktiv”
Tiranë, 20 nëntor 201o Prof. Dr. Eshref Ymeri
Letër atdheut
E KËRKOJA DETIN E HUMBUR
Kur më merë malli për atdheun
I mbathi këpucët e vjetra
Ulem nën hijen e rrapit
Dhe i fshij lotët
Ditët më rrëshqasin si ushejzat
Nëpër ballin
Me përplot rrudha
Nëpër kujtesën e pluhurosur
Një kohë të gjatë
I shpalosi kujtimet
Si njeriu pa atdhe
Nuk kam as respekt prej të tjerëve
Aç shumë mësova për urrejtjen
Sa që në enigmën e pikave të shiut
E kërkoja detin e humbur
Më shtynë prej në skute
Në skutën tjetër
S’kisha as emër
Letër njoftimin ma ndërruan
Sipas dëshirës
Nuk isha unë njeriu
Me egon time
Në mua hyri djalli
Dhe i përzuri engjëjt
Përtej shtatë përrenjve
Mendova se këtu fillon fundi
I tregimit
U fundosën të gjitha ëndrrat
Në lotin e hënës
PËRPOS TË DALIM NË MALE
Nuk di
A lëmë shteg pa kaluar
Për në plagën tënde atdhe
Kur erdhëm
Nuk patëm forcë
Të shërojmë asnjë fjalë
Ti kishe dhembje
E ne kishim mall
Që të dy
Përqafonim lisin si në përrallë
Na dolën bastardët në rrugë
E përjargën gjelbërimin
Me pështymën e helmuar
Lëshuan një farë lëngu
Të pangjyrë
Dhe i mbytën kojrrilat
Kambanat lajmëruan
Prerjen e fjalëve
Nuk na mbeti asnjë shpresë
Përpos të dalim në male
E t’i zgjojmë trimat e dheut
Në lashtësinë
E enigmave tona
LETËR ATDHEUT
Nuk di
A mundet ky zog i plagosur
Të vij deri te ti
Atdhe
Unë jam shumë larg
Në këtë ujdhesë të vetmuar
I numërojë pikat e shiut
Në lotin e barit
Me palcën e dhembjes
Ashti gjëmon
Tok me erën që frynë
Nëpër zgavrat e kafkës
Ky mall
Që më përvëlon kaherë
Si prushi gjirin e nuses
M’i dogji të gjitha ëndrrat
Ja po e shihni edhe ju
Se si kam mbetur
Si gur varri në këtë metropol
Deri sa ty të kafshojnë hienat
Atdheu im i përvuajtur
II.
Edhe ky zog i plagosur
Që do të niset për të ti
Nuk di
A do të mund të fluturojë
E ka dhembjen e madhe
E rënd është ajo peshë
Ngarkuar me vite
Mbi supet e vrara nga stuhia
Çdo gjë është e rëndë
Atdhe
Kur t’i numërojmë plagët
Në lotët e tua të tejdukshme
III.
Sa e sa herë
Na i kanë shqyer letrat
Që i shkruanim me gjak
Kurse ne
Për çdo ditë në vetmi
Vdisnim nga pak
Larg teje
Mbetëm të humbur ne
Varr pa gur o atdhe
Të lidhur në një thes
Na gjuajtën në harresë
Si një grumbull kockash
të qenve endacak
Dhe na kafshonin nga pak
IV.
Ndoshta të bie në dorë
Kjo letër
E shkruar para njëqind viteve
Varin tim
As vet nuk di më ku e kam
Më beso
Atdheu i im
Ende sot nuk më kujtohet
E sot kush jam
Nën këtë lëkurë
V.
Të lutem
Mos e lëndo zogun
Kur ta sjellë letrën
Ofroja një gotë ujë
Se mua në këtë vend të huaj
Nuk më ofruan asgjë
Përpos
Që më gërryejnë
Me fjalë
E me punë
Që sot më
Të mos jem në lëkurën time njeriu
Të mos kem unë
TAKIMI
Çuditërisht
Pas shumë e shumë viteve
Sot u takuam pranë gurit
Kjo torturë
Që frynë nga jashtë
Na i sjellë të reshurat përbrenda
Nata sterrë
Në memorien time bluan trishtimin
E hidhur ishte dje buka
Kur e kafshonim
Bashkë me dhembjen
Çka nuk pamë përtej lumit
Sa e sa herë na u terën këmishët
Nga plagët që kullonin gjak
E sytë e verbuar
Sërish kishin lot
Si sot
Kur u pamë për së dyti
Ti ishe i bukur atdheu im
Të zbukuroi nusja
Që na e sollën djemtë
Nga malet
Që me shekuj e kafshuan
Ujqërit e tërbuar
KOHA
Jetova mes tri kohërave
E kaluara e hidhur
Më kafshoi deri në asht
E sotmja e ngrysur
Këputët si kashtë
E ardhmja
Një pikëpyetje e grisur
KU TË LASH
( Si të lash e më s’të pash )
Popullore
Në hartën e trurit
Kufizuam çdo shteg
Ikëm si era
Nga çdo bejleg
Ujqërit na ndoqën
Dhe na poqën
Si gështenjat në zjarr
Prishën
Dhe nga dheu hoqën reliefin
S’lanë gur mbi varr
Na tërhoqën zvarranikët
Gjakosën dheun
Me trupat zvarrë
Ku ju lëmë
E më s’ju pamë
Ende lypim një gur mbi varr
NA U DESHT TË ECIM
Kur i zumë fjalët
Duke ikur nga dheu
Kapëm me duar qiellin
Nga dhembja
Kafshuam diellin
Nuk kishim kohë
T’i numërojmë trupat e djegur
Na u deshtë të ecim
Mbi zjarre
Me shputa të pjekur
ISHTE KJO BOTË
Sa i vogël është qielli
Këtu s’paska vend
As toka
E as dielli
Na zunë e na përzunë
Djajtë e Ferrit
I grimë
E i bluar
Dhe i mallkuar
Deri në skajshmëri
Ishte kjo një botë e ndytë
Na u yshtën ujqërit
Për së gjalli
Me na mbytë
INFUZIONI
Më duket se
Kuajt e egër
E humbura
Lidhur me pranga
Zvarriten hijet
Kujt i vdiq mbrëmë nëna
Që kuisë
Me kaq dhembje hëna
Nuk na llogaritën në mesin e njerëzve
Ata që nuk ishin njerëz
Sa është rënd
Të jesh i huaji
Në sofrën tënd të vajit
Mbetëm si të huaj
Nëpër cepat e atdheut
Ku ende po na kafshojnë
Kandrat e dheut
T’i kthehemi vetvetes
Të mos harrojmë se kush jemi
Akoma ka gjak
Ky Zoti i jonë
Damarët e tokës na i shërojnë
Regëtimat
Dhe këtë pak shpresë
Që na mbeti në kujtesë
IKJA E NUSEVE
Mbrëmë
Nëpër reliefin e djegur
Të atdheut
Bëmë dashuri me lisat
Ikëm në drejtim të panjohur
Na tradhtuan fluturimet e brishta
Të kojrrilave
Nga buzëqeshja e mëngjesit
Shtrydhëm
Të gjitha dhembjet tona
U kthyem pendueshëm
Për të pirë sërish ujë
Nga çezma e thyer e fshatit
Ikën të gjitha nuset
Me ëndrrat e shtambave
NJERËZIT E FISIT TIM
Kur më dëbuan
Nga atdheu
Me trenin e fundit të mbrëmjes
Pash se si iknin rrugët
Nëpër perin e hollë të mëndafshit
Më ndoqën fërshëllimat e pandërprera
Deri te balta e Bllacës
Kur i hapa sytë
Sërish u takova
Me dashurinë e atdheut
Binte një shi i mërzitshëm
Vetëm atë çast kuptova
Se sa të afërt janë njerëzit
E fisit tim të ndarë
DASHURIA
Mos vafshi në djall
U thash dreqërve të zinj
Në zemër të Kosovës
Mbollët
Dashurinë për liri
ZONJA E SHTËPISË
Pikturova në mur
Reliefin e atdheut të kafshuar
Më mbyllën në një dhomë
Ku urinonte kova ndryshkur
Prej teneqeje
Asgjë nuk ka mbetur sot
Prej lëkurës sime të qepur
Përpos eshtrave të thyera
Dhe pak mish njeriu
Ju fjetët me brymën
Kur na ngrysej qielli
Në një enë prej dheu
Fërgohej dielli
Lugët e palara në cepat e dhomës
Shikohen me mallëngjim
E zonja e shtëpisë bluan kohën
Në ingranazhet e thashethemeve
EDHE NËSE VJEN
Shko ku të duash miku im
Lëri portat e hapura
Një ditë
Do të të pret atdheu
Mos i mbyllë dyert
As kur bëhesh mbret
Ose lyps banal
Kjo tokë e djegur të pret
Miku im
Edhe nëse kthehesh këtu
Si vrasës profesional
LETRA E DYTË PËR ATDHEUN
Ky acar i gjakut
Vetmia rri e trishtuar
Në stolin e kujtesës
Heshtja sonte
Përplaset dyerve të hapura
Të cilat kurrë nuk i mbylla
Sepse mendoja
Që një ditë të kthehem
Në ty o atdhe
Këtu më zuri nata
Mbeta me të gjitha shtigjet e mbyllur
Në morfologjinë e lotit
Më ngulfatën sintagmat
Duke m’i këputur meloditë
Për herë të fundit
Në rast se vdes
Të lutem
Eshtrat këtu mos m’i lë
PËRMENDORJA
Uji i shkumëzuar
Pastaj fryma
Në vrimat e kavallit
Kënga pikonte
Nga djersa e ballit
Sërish
Një erë e freskët
I shprishi flokët e hënës
Nuset dolën te lama
Dhe në kokrrat e grurit
I ngritën përmendore fëmijërisë
PAS KRISMAVE
Kur kalon rrugës
Moj e bukura e dheut
A je duke i dëgjuar hingëllimat
Dhe vrapin e kuajve
Zbret në gjakun tim
Nuk kam qetësi
As kur fle
E as kur jam i zgjuar
Flokët e erës m’i shprishin mendimet
Ti rrëshqet tatëpjetë rrugës
Më tërë madhështinë e eposit
Ua ke marrë mentë
Edhe zanave të malit
Nga xhelozia
Pas shtatë bjeshkëve ikën qyqet
Kur kalon ti rrugës
Në madhështinë tënde
Pa djallëzi gurgullojnë
Me miliona qeshje fëmijësh
Ti nusja e jonë
Që na hyre në gjak pas krismave
Ti e bukura e dheut
Që të gjakuam para lindjeve