Kulturë
Doli numri i ri i revistës “Metafora”
E merkure, 13.04.2011, 06:56 PM
Ditë më parë ka dalë nga shtypi numri i ri i revistës “Metafora”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Në këtë numër, që është i pari për këtë vit, kanë gjetur vend shkrime të lloj – llojllojshme, ndërsa vend me rëndësi zënë shkrimet nga manifestimi i LSHK – s, takimet e shkrimtarëve dhe protagonistëve, të cilët morën çmime letrare. Një vend me rëndësi zënë shkrimet kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Esad Mekulit, pastaj për Jusuf Gërvallën e shkrime të ndryshme. Revista hapet me një shkrim të akademik Rexhep Qosjes kushtuar jetës dhe kontributit që dhënë poeti dhe njeriu, i cili ndërtoi rrugët kulturore në Kosovë, Esad Mekulit të titulluar “Poeti i tokës sonë”. Përveç shkrimit të Qosjes, në këtë numër gjejmë edhe shkrime tjera për këtë doajen të kulturës sonë, si shkrimi i Isak Shemës “Kosova në poezinë e Esad Mekulit”, Ramiz Kelmendit “Letërsia në Kosovë doli nga mëngët e Esad Mekulit”, Myrvete Dreshaj – Baliut “Esad Mekuli dhe revista letrare Jeta e Re”, Vehap Shitës “Kontributi i Esad Mekulit në fushën e përkthimeve letrare”, etj. Shkrimet për Jusuf Gërvallën, si “Marthonomaku i lirisë” nga Abdyl Kadolli, “Dimensioni krijues i Jusuf Gërvallës” nga Myrvete Dreshaj – Baliu, “Rruga letrare e Jusuf Gërvallës” nga Kadri Rexha. Pastaj në revistë vijnë shkrime dhe poezi kushtuar heroit të gjallë Adem Demaçi,shkrimet për krijimtarinë e Rexhep Qosjes, fitues i çmimit “Pjetër Bogadani” dhe fituesit të çmimit “Esad Mekuli”, shkrimtari Rexhep Hoxha.