E hene, 29.04.2024, 11:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjoka: Migjeni, i shpërdoruar në të gjitha sistemet

E hene, 11.04.2011, 07:08 PM


 

Po përgatisni një libër studimor për Migjenin, çfarë ka ende për të thënë për figurën e tij?


Teksti studimor “Migjeni i patejkaluar”, pjesë e serisë kushtuar shkrimtarëve shqiptarë të të gjitha kohërave dhe modeleve shkrimore, ka rimarrë në shqyrtim tekstologjik dhe të niveleve të formës letrare, poezinë dhe prozën e tij, si dhe shqyrtimet e mëparshme të saj nga studimtaria e shqipes. Duket sikur me Migjenin janë thënë të gjitha, por shumëçka është thënë jo si duhet, madje shumica e tyre është thënë jashtë teksteve të tij, por mbi të gjitha, çdo kohë hedh një vështrim mbi letraren e secilit shkrimtar, për ta vlerësuar dhe rivlerësuar në kontekstet e reja, të cilat ndikojnë për të hedhur dritë mbi shenjat letrare të larmishme. Me këtë autor, sipas qëndrimit të mbajtur ndaj krijimtarisë, dallojmë tri kohë, të ndalimit të veprës së tij, në fund të viteve ’30 të shekullit të kaluar, të shkëlqimit mendjemarrës, duke e rreshtuar në shkrimtarët e botës së re të socrealizmit, pas viteve ‘44, si dhe të mbulimet me njëfarë heshtjeje të pashpallur, pas hyrjes së demokracisë. Çdo kohë dhe brez bën leximin dhe verifikimin e vetë mbi letraren dhe historinë e saj, e prandaj ka kuptim që të flitet edhe për veprën e Migjenit, së paku për të shijuar tekstet dhe praninë e vlerave letrare.

Nuk mendoni se emri i Migjenit është “keqpërdorur”, sidomos gjatë periudhës së diktaturës?

 

Do të thosha përdorur dhe shpërdorur, pra si një medalje me dy faqe, sepse nga njëra anë, sipas një optike të fshehtë dhe ideologjike, Migjeni dhe vepra e tij u përdorën për të goditur Fishtën, por nga ana tjetër, shpërdorimi i mjeshtrit të shkrimit të poezisë dhe prozës, ndryshe nga letërsia klasike shqipe, lidhet me faktin se me pa të drejtë krijimtaria e tij u rreshtua vetëm në tiparet e letërsisë së re, të realizmit socialist, të letërsisë së shërbesës letrare. Prania e filozofisë dhe estetikës së Niçes, jo vetëm si nuanca shkrimore në disa tekste në poezi dhe prozë, por edhe me një tekst poetik të mirëfilltë ku figurohet mbinjeriu i filozofit gjerman, me titullin “Trajtat e mbinjeriut”, nuk ka kuptim që të qëndrojë jashtë vëmendjes së shqyrtimeve letrare. Pra, mund të flitet për pranim të magjisë së tij letrare, madje për interpretime dhe verifikime të thelluara, kryesisht në ideshmëri, por edhe për një shpërdorim të natyrës së saj, kryesisht për qëllime jashtëletrare.

I kemi veshur shumë epitete, si revolucionar, rebel etj., ka qenë vërtetë revolucionar, apo rebel?


Emërtimi i tij si revolucionar dhe rebel, kryesisht është bërë duke marrë në konsideratë rrafshet sociologjike dhe ideologjike, por duke e vështruar në thellësi, tashmë vetëm se në kuptimin letrar, Migjeni me poezinë e tij ka kryer një revolucion të mirëfilltë, sepse e shkundi poezinë dhe poetikën e shqipes nga gjithë myku dhe pluhuri i panevojshëm i shkrimit të letrares si moral dhe parullë dhe hodhi, si askush tjetër, shinat e lëvrimit modern të saj. Nëse ka një term që i thotë të gjitha, kinse edhe anën karakteriale të autorit, që në jetë u shua si një meteor, por edhe letrare, është tipari rebel, që e shenjon dhe përfaqëson atë në të gjithë prurjen e vetë shkrimore dhe jetësore.

Ka qenë revolucionar i formës, apo i përmbajtjes?


Mbase duhet të bëjmë një marrëveshje për termin, le të themi novator, pra që solli përmbysje të prekshme, sipas mendimit tim të patejkaluara ende nga ligjërimi letrar i gjuhës shqipe, natyrisht duke pasur parasysh të gjitha hapësirat ku shkruhet letërsi shqipe. Migjeni, në poezi dhe prozë, është novator në të dy elementet formësuese të një vepre letrare. Noviteti në formë, pra në vjershërim, figurshmëri dhe në ritmikën e brendshme të vargjeve të lira, si të thuash të papenguara nga ledhet e censurës dhe mediokritetit, po ashtu në shkrimin e prozës së përmasave sociale, mbase me një ritmikë poetike në shumicën e vet, është shoqëruar edhe me risi në përmbajtje, në ide dhe mendime. Mbase, noviteti i tij, bart një tipar të ekuilibruar të thënies dhe artthënies, të formës dhe përmbajtjes, e prandaj krijimtaria letrare është jetëgjatë si prani estetike, sepse shembi jo pak tabu dhe nuk përfilli asnjë tabu shoqërore e artistike, penguese deri në shfaqjen e tij në qiellin e letrave shqipe.

Sa ka ndikuar jeta personale e Migjenit, fundi i shpejtë në krijimtarinë e tij?


Përgjithësisht mbroj tezën se teksti është përfaqësuesi i vetëm dhe më i mirë i shkrimtarit, pavarësisht kohës dhe modelimit letrar që përfaqëson. Veçse, vihet re se me Migjenin ka një rrethanë të veçantë, sepse ai iku shpejt, fluturoi befasisht, vetëm në moshën 27 vjeç, dhe duket sikur nuk i tha të gjitha. Në jetën e shkurtër, edhe Pushkini nuk jetoi gjatë. Tekstet janë shenja e nivelit dhe përfaqësimit dhe nuk ka arsye që të humbemi nëpër thellinat hipotetike, se si do të ishte shkrimi letrar nëse do të kishte jetuar më tepër. Në fakt, Migjeni në jetë është një meteor që u shua, por në letërsi vepra letrare, edhe sot e gjithë ditën e vijon fluturimin dhe shkëlqimin e vet. Jeta personale, si karakter dhe lëngata e zgjatur nga sëmundja e tuberkulozit, që shpesh në shekullin e kaluar është quajtur edhe si sëmundje e poetëve, ka lënë gjurmë të pashlyera në ngjyresat e trishtimit, si të thuash të endjes së ferrit mbitokësor, që në kuptimin letrar ndrin në jo pak shenja letrare, veçmas në shkrimin poetik.

Ka pasur përpjekje për ta hequr Migjenin nga tekstet shkollore, pse ndodh kjo?


Përpara disa vitesh, sidomos në programin e shkollave artistike dhe profesionale, Migjeni ishte vetëm me një poezi, pra me një rrudhje të konsiderueshme të krijimtarisë letrare. Pse ngjet kështu? Një pyetje hamletiane, jo vetëm si metaforë, por një realitet konkret, në lidhje me përzëniet dhe rikthimet e shkrimtarëve shqiptar në panteonin e letrave shqipe. Si një hipotezë, që përbëhet nga dy krahë, porse që do të kërkonte shqyrtime të thelluara, nëse Fishta u godit duke ngritur Migjenin, njëra anë e hipotezës, tashmë që është rikthyer Fishta, ndonëse si e paartikuluar, por me disa trajtesa përmbi origjinën e Migjenit, ka një rrekje absurde për ta ulur dhe zbehur praninë e tij. Në fakt, në shijen time, Fishta dhe Migjeni, janë pjesë e universit letrar të gjuhës shqipe, më gjasë të gegnishtes, që vërtet përfaqësojnë tipologji të ndryshme letrare, porse pandërprerazi edhe kulme letrare, që u bëjnë nder letrave shqipe.

Si keni menduar ta trajtoni këtë figurë, duke u mbështetur vetëm në tekstin letrar, por edhe në kontekstin jashtëletrar?


Përqendrimi i vëmendjes do të jetë mbi tekstin letrar, mbi shkrimin poetik dhe në prozë, mbi përmbysjen dhe njëherit edhe faktin se krijimtaria e Migjenit është urë ndarëse dhe ndërlidhëse me shkrimin letrar të së kaluarës. Perceptimi i veprës së tij, edhe si e ndaluar, edhe si me shkëlqim verbues socrealist, por edhe në një shmangie të tanishme absurde, e bën të pashmangshëm edhe trajtimin në kontekstin jashtëletrar, me të cilin e kanë trajtuar dhe interpretuar në kohët e ndryshme, me lartsynimin për të përveçuar shenjat letrare, sepse Migjeni mbetet një uragan i pranishëm i letrares në gjuhën shqipe.

 

ALMA MILE - PANORAMA

 



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora