Kulturë
Flet Dr. i Shkencave Agrare, Polo Cakalli: Ministri Maqo Çomo dhe emërimi im
E diele, 10.04.2011, 06:16 PM
Ju rrëfen sherret me Mehmet Shehun, për bujqësinë
Nga Albert ZHOLI
Teknikumin bujqësor të Tiranës e mbaroi me medalje të artë, por atë nuk e mori asnjëherë, kurse shkresën e drejtorit Ali Myftiu e ka në arshivën e tij. Fakultetin Ekonomik të Institutit Bujqësor në Rusi, e mbaroi me treguesit më të lartë (othcno) shkëlqyer, kurse diplomën me një emërtim të rrallë Ucenij Agronom Ekonomist (Agronom Ekonomist Shkencëtar).
“U ktheva në atdheun tim të dashur me një bagazh të madh dijesh dhe me vullnet për ti vënë ato në zbatim”, thekson ai.
Ku u emëruat pas mbarimit të Fakultetit?
U emërova në gusht të 1957 specialist në Ministrinë e Bujqësisë në drejtorinë e ujërave. Menjëherë pas emërimit u bashkova me ekspeditën bujqësore për bonifikimin e Lezhës. Objekti i bonifikimit u emërua Mat-Lezhë_Shëngjin. Bashkë me mua në ekspeditë u emërua dhe kolegu dhe miku im Daim Rrapaj, i cili kishte mbaruar studimet po në BS për inxhinieri ujërash. Në përbërje të ekspeditës bullgare unë mbuloja problemet organizative, kurse Daimi ato teknike. Projekti u realizua i suksesshëm për një kohë prej një vit e gjysmë u ktheva në Ministri dhe menjëherë kërkova të transferohesha në Lushnjë, në stacionin e kërkimeve shkencore, i vetmi institucion shkencor për bujqësinë që kishte vendi në atë kohë. Drejtuesit e dikasterit u habitën me mend e mija, mbasi nuk kishte bërë vaki që kuadrot e pakta me arsim të lartë që kishte sjellë ministria të kërkonin të shkonin në bazë.
Si e priti ministri i asaj kohe këtë kërkesë?
Duke parë kërkesën time, ministri Maqo Çomo dhe zëvendësi i tij i parë Iljaz Reka, vendosën që me mua të mbyllnin një hall të tyre në SMT e Beratit. Për të më joshur me premtimin se pas dy vjetësh në Berat do të më nisnin për të marrë aspiratoren në BS, mbasi isha me rezultate të shkëlqyera dhe ishte e mundur të realizohej. E pranova me shumë dëshirë këtë transferim dhe më 1 janar të 1960 fillova punën atje me detyrë kryeagronom, zv/drejtor. Menjëherë i dhashë një lajm të mirë dashnores time që ëndrra jonë e bashkimit mund të realizohej. Duke qenë me plot vullnet mora shumë shpejt në dorë detyrën e agronomit e zv/drejtorit. Ndërkohë kontaktet e shpeshta me kooperativat qe u shërbye më ngjallën dëshirën për të kryer studime mbasi krahasuar me kolkozet Sovjetike ku kreva praktikën dhe mbrojta diplomën, diferenca ishte si dita me natën.
Si erdhën ndeshjet “dhe miqësimi me kryeministrin” Mehmet Shehu?
Për një periudhe 1 vjeçare, krahas detyrave të shumta që kërkonte detyra mund të kryeja një studim modest ne 3 kooperativat e Shpiragut duke filluar nga Pobrati e tutje. Në vjeshtën e vitit 1960 ne rreth u krye një analizë në Këshillin Popullor të rrethit për arritjet që ishin realizuar dhe masat që duheshin marrë. I deleguar nga qendra në ketë analizë erdhi Kryeministri Mehmet Shehu. Ai nga fundi i analizës më erdhi radha edhe mua. Por salla e mbledhjes ishte e vogël dhe duhej diskutuar me zë të lartë e dominoje sallën. U thashë se nga një përvojë që kam fituar në BS dhe duke parë prapambetjen e kooperativave tona pa penguar detyrat e mija se kam kryer një studim në 3 kooperativa kodrinore të pas Shpiragut për të ardhurat, shpenzimet dhe efektivitetin, me rezulton se ai është shumë i ulët e shpërdorimet në shpenzime rezultojnë të mëdha. “Prandaj propozoj sa më parë në kooperativë të vendoset kosto e prodhimit”. Të gjithë dëgjuan në heshtje të plotë, kurse kryeministri më kundërshtoi prerazi. “Dëgjo djalë, - më tha ai, - të merremi me vendosjen e kostove në kooperativë siç thua ti do të frenohet prodhimi për të cilin kemi shumë nevojë, qoftë edhe me kosto të lartë. Hë, - më tha, - si thua ti?” Unë i thashë e kam fjalën për shpenzimet e tepërta e të panevojshme, që nuk e frenojnë prodhimin. “Më thuaj pra cilat janë këto shpenzime të tepërta”. Po, - i thashë, - shpenzimet për qentë e stanit dhe të deleguarit janë bashkuar në një zë dhe zënë vendin e tretë në shpenzimet e përgjithshme të kooperativës, pas pagës të kooperativistëve të SMT, për punimet e mekanizuara. Kjo për mua përbën një shkelje të rëndë. Të gjithë anëtaret e Këshillit Popullor dëgjonin me kureshtje debatin tonë duke moskuptuar asgjë. Por kur fola për zërin e përbashkët të qenve me të deleguarit u dëgjuan ca të qeshura jo të forta sepse nuk ua mbante. Ai u vrenjt, nuk më kundërshtoi më dhe filloi të jepte konkluzionet e analizës dhe detyrave për të ardhmen. Në fund edhe përgjigjen për studimin tim. “Lidhur me studimin që ka kryer djali ai ka të drejtë. Duhet sa më parë të fusim koston edhe ne kooperative bujqësore. Te bazohemi në modelin e ndërmarrjeve bujqësore, prandaj djalin mos ma kritikoni që më kundërshtoi mua”.
Po debati i dytë me Mehmetin kur ndodhi?
Në një plenum të zgjeruar të Komitetit të Partisë të rrethit të Beratit për problemet ekonomike unë si gjithnjë diskutova me modesti megjithëse situatën në ekonomi e kishim në nivel të mirë dhe në rritje. Ai pa shkak dhe jashtë teme pas mbarimit tim të diskutimit u shpreh se unë isha pilurjot dhe ata janë të pabesë e hajdutë si çamet. Unë u revoltova dhe gati i papërmbajtur i thashë se nuk është aspak e vërtetë, pilurjotet janë të besës, trima e të mençur si dhe mikpritësa shembullore me gjithë se janë të varfër. Në luftën NaCl, ata u bënë strehë e siguritë e 2 brigadave partizane. Një pjesë e djemve dolën partizane, kurse të tjerët ishin çobane dhe furnizuan brigadat me mish. Prandaj ata që ju kanë thënë se jemi të pabesë e hajdute kanë xhelozi se ne jetojmë në male me shumë mund, por me nder. Ai nuk më ndërpreu dhe kur u ula ndërroi qëndrim në 360 gradë.
“Është e vërtetë që pilurjotet janë trima e të besës”, - pohoi ai. Foli gjatë për besnikërinë e pilurjoteve. Tregoi se kur zhvillohej lufta partizane pilurjotet ishin në hasmëri në dy klane. Por kur i njoftoi korrieri partizan se aksh kohe do të shkonte atje i deleguari i partisë ata e ndërprisnin hasmërinë dhe mblidheshin te kisha në mes të liseve, dëgjonin direktivat e partisë, çonin djem partizanë, përgatisnin furnizimet me ushqime për bregdet dhe të nesërmen vazhdonin luftën midis tyre. Si thua ti Çakalli, tha në fund të fjalës se tij. U ngrita në këmbë dhe i thashë se isha plotësisht dakord me sa thatë ju.
Si do të shkonte puna më pas?
Si nismëtar i rrugëve te reja të zhvillimit të ekonomisë, sa me detyruan ta leja në mes të rrugës nismën për të bërë model në shkallë vendi kooperativën malore të Temenit, me emëruan jashtë dëshirës time, kryetar të kooperativës së Poshnjës të rrethit të Beratit, ajo ishte më e madhja dhe njëkohësisht më e prapambetura në kooperativat e tjera fushore. Për nxjerrjen e saj nga prapambetja, krahas një kompleksi masash, vendosem dhe morëm një masë madhore, por dhe me rreziqe se mund të shpalleshim armiq. Nga analiza që i bënë gjendjes të kooperativave arritëm në konkluzionin se shkak kryesor i regresit qe ajo pësoi pas zmadhimit është mungesa e kuadrove teknike për të zbatuar agrotekniken dhe forcuar disiplinën. Për të mënjanuar atë mangësi të madhe vendosëm të ngrinim shkollën e mesme bujqësore me forcat e veta. Bëmë për vete mësuesit e shkollës 7 vjeçare që të na jepnin falas lëndët e përgjithshme, kurse tekniket do t’i jepnin specialistët e kooperativës. Me një mobilizim maksimal shumë shpejt u përgatit dhe u hap shkolla me 60 nxënës, të cilët ishin përgjegjës, brigadieret, skuadër komande, por edhe disa kooperativistë të thjeshte. Organet e pushtetit në rreth e morën vesh ndarjen kur ishte bërë fakt i kryer. Ata nuk mbajtën qëndrim as pro as kundra, mbasi nga partia në qendër mund të klasifikoheshim si armiqësor se do konkurrohesh shteti. Parashikimi i sekretariatit të parë të Partisë në rreth se shkolla do të vlerësohej erdhi.
Çfarë do të thoshte Enver Hoxha?
Enver Hoxha mbajti në Byronë Politike fjalimin programatik e historik mbi revolucionarizimin e shkollës. Në këtë fjalim bëhesh kritike e fortë se në sektorin e bujqësisë që ishte dega bazë e ekonomisë të vendit përgatitja e kuadrove te mesme bujqësore ishte neglizhuar dhe kishte sjellë pasoja të rënda në realizimin e objektivave. Partia thuhet në fjalimin e tij ka ngelur prapa kërkesave të kohës. Sipas trajtimit që bënte shoku Enver ne i kishim paraprirë kërkesave qe diktonte jeta. Sa lexuam fjalimin e udhëheqësit të madh, na u largua dyshimi që kishim se mos kishim bërë gabim. Por edhe organet e partisë dhe të Shtetit si edhe shokët dhe miqtë e shumtë që kishim na bënë përgëzime të përzemërta që klasën e kaluam me sukses të madh. Në këtë situatë gazetari i “Zërit të Popullit” dhe i rrethit miku im Ismet Cibaj, nisi në “Zërin e Popullit” një lajm të thjeshtë; se në kooperativën e Poshnjës është ngritur dhe funksionon një shkollë e mesme bujqësore. Menjëherë të nesërmen lajmi u transformua në kryeartikull të “Zërit të Popullit”, ku vlerësohesh shumë lartë nisma jonë. Veç të tjerash në kryeartikull thuhesh se partia i nxjerr direktivat nga realiteti, nga kërkesat e kohës dhe të bazës. Pas këtij publiciteti ne u bëmë qendër pelegrinazhi të bujshëm. Sekretaret e partisë në rrethe me aparatet e tyre vinin përditë për tu njohur me realitetin.
(vijon nesër)
Pas publikimit tek “Zëri i Popullit”
Kryeministri më tha: Gjyshin e ke pasur hajdut
Afërsisht pas një muaji të fjalimit dhe publikimit në Zërin e Popullit në shkollën tonë u zhvillua Plenumi i Partisë së rrethit për të punuar e programuar fjalimin e Enver Hoxhës mbi revolucionarizimin e shkollës. I deleguar në plenum erdhi anëtari i Byrosë Politike dhe kryeministri Mehmet Shehu. Mbasi u mbajt raporti nga sekretari i parë Piro Gusho, diskutimin e parë e provoi Kola Stavri, zv. Kryetar i Komitetit Ekzekutiv që mbulonte arsimin e kulturën. Ai kishte ardhur në këtë detyrë nga gazetar i Zërit të Popullit. Kola ishte dhe është një intelektual i spikatur dhe miku im i ngushtë. Mirëpo Mehmet Shehu nuk e pëlqeu diskutimin e tij dhe i tha se nuk është kuptuar fjalimi i shokut Enver. Të njëjtin vlerësim mori edhe patrioti im nga Kudhesi i Himarës që ishte drejtor i gjimnazit të Qytetit Stalin, Manal Gjinkuri, një kuadër shumë i aftë në fushën e arsimit. Pas kësaj situate i deleguari i thotë sekretarit të parë se plenumi nuk është përgatitur, prandaj të anulohet dhe të zhvillohet pasi të përgatitemi siç duhet. U krijua një situatë e rendë sepse mospërgatitja për një plenum të rëndësishëm, ku shtroheshin mësimet e Enver Hoxhës përbënte një precedent me pasoja të rënda. Në ato kushte sekretari i parë i propozoi të deleguarit të dëgjoheshin edhe 2-3 diskutime dhe pastaj të vendoseshe. Mirë më jep listën e diskutimeve i thotë i deleguari. Mbasi e mori atë në dorë lexoi Polo Cakalli, Sabri Dashi, në qoftë se jeni përgatitur si parafolësit mos na humbni kohën kot, na thotë ne që kishim radhën. Shokët e mi në krah më thanë hiq dorë nga diskutimi se e hëngre, kurse unë u nisa me hap të gjatë drejt tribunës. Diskutova pa e lexuar materialin që kisha përgatitur. E fillova ligjëratën me rëndësinë e madhe që kishte fjalimi i shokut Enver për zhvillimin e shpejtë të ekonomisë. Pastaj kalova në konkretizim. U thashë se në fjalimin e shokut Enver na ka gjetur të përgatitur mbasi kemi ngritur shkollën e mesme bujqësore në kooperativë. Këtë shkollë e vazhdojnë 60 nxënës, kuadro të paarsimuar, kemi bërë një studim dhe do arrijmë deri në 600 nxënës. Më ndërpreu me ton të ashpër, duke më pyetur: “Çfarë je ti kryetar kooperative apo drejtor shkolle”. Flak për flak ju përgjigja; “Jam Kryetar i kooperativës sipas mësimeve të Partisë që të realizoj mësimet e partisë për të bërë revolucionin tekniko – shkencor, në bujqësi nuk mund të realizohet me kuadro të paarsimuar gati analfabet. Pra unë punoj jo me ç’të me dalë përpara, por me perspektive”. Mbas këtij qëndrimit tim shumë të ashpër ai më ndërpreu dhe ju drejtua sallës me këto fjalë; “Ju nuk e njihni Çakallin ai është pirat deti nga Piluri”. Në sallë shpërthyen të qeshurat. Vazhdova më tej duke argumentuar leverdinë që kishte kooperativa nga aktivizimi i nxënësve në punët e shumta që kishte kooperativa dhe nuk i përballonte dot në periudhën e caktuara. Prandaj kemi hapur një mensë, ku nxënësit hanë drekën, vjelin pambukun etj, pastaj shkojnë në shtëpi. Me ndërpreu përsëri duke thëne se kjo metode do të ulë vlerën e ditës se punës, sidomos ne kooperativat malore. Ju përgjigja përsëri me argumente. Sa kam ardhur në Poshnjë nga kooperativa malore e Temanit, të cilën e gjeta me 12 lekë të vjetra për ditë pune dhe e lashë me 120 lekë dhe kjo edhe nga aktivizimi i nxënësve për grumbullimin e sherbelës që atje e kishte falë natyra me shumicë dhe vlerë të madhe. U ula në vendin tim me hap të shtrirë. Mbas meje u ngrit Sabri Dashi i Lapardhasë, një burrë babaxhan. Por sa filloi diskutimin e ndërpreu për te m’u drejtuar mua me pyetjen: nga ka ardhur mbiemri jot Cakalli. U ngrita në këmbë dhe “shpika” momentalisht një histori; stërgjyshi im kishte qenë kapoband, me ndërpreu duke e emëruar hajdut. Grabitjet i bënin në Greqi dhe deri në Bullgari, më ndërpreu duke thënë edhe në Shqipëri. Vazhdova më tej grumbullimi i bandës bëhej nga kapua, duke ulëritur si çakall në kodrën karshi fshatit. Gjatë dialogut e gjithë salla ishte e mbërthyer në gaz. Edhe tani pas disa dekadash kur shkoj në Berat dhe takoj bashkëkohës të mitë, si gjë e parë kujtoj debatin tim me Mehmet Shehun. Pas këtij ballafaqimi të tretë me Mehmet Shehun, mund të them se u hodhën bazat e “miqësisë” me të. Kjo mbas një periudhe 5 vjeçare që qëndrova kryetar kooperative në Poshnjë, ai sa herë kalonte në rrugë me punë apo për gjueti e qëndronte makinën përballë kryesisë dhe vinte në lëvizje të gjithë aparatin e kryesisë për të gjetur Cakallin.
_______
Në pjesën e dytë të intervistës së tij për gazetën “Telegraf”, Dr. i Shkencave Agrare, Polo Çakalli thotë: Për të nxjerrë nga prapambetja sa më shpejt kooperativën e Poshnjës, për të cilën partia në rreth më ndërpreu në mes objektivin që kisha vënë vetes, kur shkova vullnetar në Temanin malor, i cili kishte vetëm emrin kooperativë, ndërsa unë isha i vendosur ta bëja model në shkallë vendi që kooperativistët të jetonin normalisht atje. Për këtë qëllim në unitet më të gjithë strukturat e saj dhe me vete kooperativistet u vendos të bëheshin analiza, të zbuloheshin të metat dhe të korrigjoheshin me shpejtësi. Kështu u konstatua se veglat e punës, kazmat e shatet ishin në gjendje të mjerueshme, të pakalitura me bishta si mos më keq etj. U vendos që një herë në vit, të gjithë sektorët e kooperativës me grafik ti sillnin ato në kovaçhanën pranë kryesisë për t’i riparuar nga kovaçi që ishte një mjeshtër i rrallë në profesionin e tij. Konçidoi që veglat ishin riparuar dhe vendosur veç për secilën sektor të sistemuara dhe me etiketa mbi to. Sigurisht disa sektorë i kishin tërhequr, por shumica ishin akoma në oborrin e kryesisë.
Si do të vazhdonte më pas?
Ishte ditë e shtunë dhe kryeministri Mehmet Shehu shkonte për gjah. Atij i tërhoqën vëmendjen vendosja e veglave të punës në togje të sistemuara dhe etiketë mbi to. Ai ndaloi makinën, kurse shoqëruesi dha alarmin në kryesi, të gjendesh kryetari se e kërkon kryeministri. Ata më gjetën lehtësisht në një stallë të lopëve, ku kishte një takim pune me ta. Shkova me shpejtësi tek makina, por ai ishte në mes të dogjeve me vegla duke i shikuar me kuriozitet. Sa më pa që po i afrohesha, me ngacmoi, duke më thënë se ç’kuptim ka kjo formë e vendosjes së veglave të punës, ju përgjigja se ka një kuptim të rëndësishëm, shkencor. Qeshi, pse te veglat e punës është përfshire shkenca jote më tha ai. Po i thashë dhe ja sepse; kemi venë rregull që një herë në vit veglat e punës të kaliten dhe përgatiten për punë si ushtarët, pushkët. Qeshi. Se dyti shkenca qëndron në faktin se bishtin e shatit dhe të kazmës e kemi caktuar me një gjatësi të studiuar dhe pikërisht këtu hyn shkenca. Kështu në shkallë vendi kemi 2 përvoja; te Korçës ku bishtat bëheshin shumë të shkurtra dhe punëtoret e kooperativistet ulin trupin ne maksimum, bëjnë punë cilësore, por me lodhje të madhe dhe pasoja shëndetësore. Të Myzeqesë, ku bëjmë pjesë edhe ne, bishtat bëhen shumë të gjatë, punëtorët e kooperativistet qëndrojnë gati me këmbë dhe bëjnë punë me cilësi të dobët. Çka pasqyrohet me rendimentet. Ne kemi studiuar dhe kemi gjetur mesin e artë, që kooperativistet të ulin trupin në atë nivel sa cilësia e punës të jetë optimale dhe lodhja dhe pasojat e shëndetit minimale. Ai më rrahu shpatullat me dorë, duke ikur i kënaqur. Ndërkohë, ky takim sporadik me kryeministrin nuk qe as i pari as i fundit mbasi gjithsej janë 6 të tillë, sigurisht jo kaq të thjeshtë.
Po takime të tjera me Mehmet Shehun keni pasur?
U ngrit në Berat Kombinati i tekstileve Mao Ce Dun. Për të vënë në punë atë duheshin mira punëtorë të kualifikuar. Berati si qytet nuk i siguronte dot, morën një kontingjent nga Korça dhe diçka nga Fieri, por përsëri nevojat nuk plotësoheshin. Partia dhe pushteti i Beratit morën vendim që nevojat për fuqi punëtore të kombinatit të plotësonin duke i tërhequr nga 8 kooperativat fushore të tyre, vajza e gra të reja në moshë. Mirëpo ajo zgjidhje ishte e papranueshme për kooperativat e fushës, të cilëve u ishte rritur ne maksimum sipërfaqja që do të mbillej me pambuk për kombinatin. Kjo mbasi shërbimet në tërësi dhe vjeljen e pambukut në veçanti do ta bënin vajzat dhe gratë e reja. Për këtë arsye fshati e kundërshtoi zgjidhjen e qytetit. Për t’u zgjidhur problemi vajti në qendër, në Parti e në qeveri. U njoftuan 8 kooperativat fushore të vinin në Poshnje si mes i vendit. Kryetarët për t’u përballur me kryeministrin Mehmet Shehun.
Si do të shkonte përballja?
Në orën e caktuar të 7 kryetaret, veç meje që e prisja si zot shtëpie, u ulën në sallën e mbledhjeve të Poshnjes, të gjithë në heshtje të plotë prisnin ardhjen e tij dhe se çfarë do të ndodhte. Sekretari i parë i partisë dhe unë prisnim jashtë të deleguar. Dhe ja ai erdhi, na përshëndeti dhe u ulëm me urgjencë nëpër vende në heshtje të plotë. Unë si zot shtëpie zura vend në krah të kryeministrit. Pa humbur kohë ai na bombardoi duke thënë se nuk i kuptonim nevojat për të vënë në shfrytëzim një orë e më parë Kombinatin gjigant Mao Ce Dun, i cili do të ndikojë dukshëm në ekonominë e vendit në tërësi dhe për Beratin ne veçanti. Ne ulëm kokat dhe nuk e mbrojtëm tezën tonë për të mos lejuar që vajzat dhe gratë e reja të bëheshin tekstiliste, por të mbeteshin kooperativiste për të furnizuar kombinatin me lëndë të parë pambuku. Kurse ai pa humbur kohë caktoi vetë për çdo kooperativë numrin e grave dhe vajzave te reja që do të niseshin me urgjence për tu kualifikuar. Kështu mbledhja shumë shpejtë mbaroi dhe kryeministri doli në korridor për tu përshëndetur me kryetaret e kooperativave. Në fund me shtriu dorën dhe mua. Po unë në vend që t’i jepja dorën e zura nga krahu dhe i thashë se është kohë dreke dhe sipas zakonit do të hamë drekën pastaj të ndahemi. Jo më tha se më presin në Qytetin Stalin. Mirë i thashë po këtu komandat jam unë dhe urdhri duhet te zbatohet. Më shikoi drejt në sy dhe më tha; ky është urdhër i prerë? Po i thashë dhe i tregova zyrën time ku ishte shtruar dreka. Mirë më tha meqë është urdhër i formës se prerë unë do ta zbatoj. Sa hyri në zyrë e priti n/kryetarja e kooperativës Liri Kumaraku. Ajo sapo ishte martuar dhe në këtë takim na priti gati si nuse. E prezantova me Kryeministrin dhe i thashë se është me lejen e nusërisë, por ka ardhur me gëzim për të na shërbyer. Ai e uroi dhe e pyeti dasmën e kishte bërë modeste sipas orientimeve të partisë apo me shumë shpenzime. Ajo u bllokua për t’i dhënë përgjigje. Mirë, i tha kryeministri, më thuaj sa berra thërret për dasmën, mirëpo ajo ju përgjigj tjetër për tjetër se nuk kemi berra. Qeshëm të gjithë dhe u ulëm për të ngrënë drekën “modeste” siç e dëshironte kryeministri. Mirëpo pa e filluar drekën ai tha; kjo drekë nuk është për mua; po për Beqon (Beqir Ballukun). Shoku kryeministër dreka është për ju, kurse për shokun Beqir bëjmë si bëjmë se e kemi tonin, sepse siç e dini këtu afër nesh punohet me ritme të larta për tunelizimin e tankeve. Ndërkohë komandanti dhe komisari brigadës se tankeve kanë deklaruar se brigada e tyre u vendos këtu në saj të mbështetjes të fuqishme që u dha kooperativa e Poshnjes. Nga ana tjetër unë jam oficer i brigadës dhe mund t’ju informoj sa tanke janë tunelizuar deri tani. Ai qeshi më të madhe, por i kërkoi edhe tanket qe ishin tunelizuar, mbasi për situatën që po kalonte vendi, tunelizimi i tankeve përbënte detyrë mbi detyrat.
Goditja pas Plenumit
Si bëra autokritikë para Kadri Hazbiut
Kthesa në kooperativën bujqësore të Poshnjes, më e madhja në rreth, filloi dukshëm qysh në vitin e parë 1968, kurse në vitin 1969 u arrit një nivel i lartë i zhvillimit frontal të ekonomisë, në të gjithë degët e ekonomisë. Mirëpo për çudi zhvillimi i bujshëm i ekonomisë, duke e lënë në harresë prapambetjen, në vend të vlerësimit në disa struktura të partisë e pushtetit në rreth ngjall xhelozi e shqetësim. Ata mund ta honepsin një kuadër vendas të arrinte suksese frontale ne të gjithë ekonominë ku punoi në SMT, në kooperativën më të varfër në rreth, te Temanit dhe së fundi edhe në Poshnje, në më të madhen e rrethit, të cilën e nxori në dritë si me katapulte. Ata njerëzit e sëmurë mbasi u informuan se Komiteti i Partisë kishte nisur ne qendër propozimin që unë të dekorohesha me urdhrin e lartë “Hero i Punës Socialiste”. Për ta penguar atë përgatiten kurthin duke botuar në gazetën lokale “Kushtrimi” artikullin se unë kisha shkelur demokracinë kooperativiste. Për të mbështetur të keqen e madhe, ata kishin intervistuar 3 dembele të kooperativës, 2 burra e një grua, te cilët ishin dënuar, duke i paguar kooperativës dëmin që i kishin bërë me mungesën e tyre në punë pa marrë leje. Pra ata kishin goditur nenin e rregullores që nxori nga prapambetja kooperativën. Kjo në një kohë që rregullorja ishte aprovuar me unanimitet nga të gjitha strukturat. Mirëpo me këtë manovër ata ja arritën plotësisht qëllimit; Së pari mbasi emri im u hoq nga lista e heronjve. Kjo mbasi nga artikulli i Kushtrimit u përfshinë në raportin e mbajtur nga Ramiz Alia në Plenumin e KQ. të partisë. Së dyti në këtë goditje u aktivizuan dembelet, të cilët nuk ishin të paktë. Pra tentuan të ulin vrullin që kishte marrë kooperativa së treti gjatë muajve që kishin mbetur të vitit unë u vura në shënjestër të kritikëve si shkelës i demokracisë kooperativiste, duke bërë autokritike formale në të gjithë organet kur bëheshin analiza dhe unë ftohesha. Kështu në një analizë të Këshillit Popullor, ku i deleguar ishte Kadri Hzbiu ministër i ministrisë të Punëve të Brendshme. Unë mbasi raportova mbi gjendjen e ekonomisë që drejtoja, e cila ishte e nivelit të lartë, ne fund bëra autokritiken formale për shkeljen e demokracisë kooperativiste të cilën e kisha mësuar përmendesh. Duke u larguar nga tribuna me ndaloi i deleguari. Ai me shtroi pyetjen; me thuaj sinqerisht pse e vendose në rregullore atë nën, kur e dije se ishte shkelje e demokracisë. Unë ju përgjigja; shoku Ministër ashtu i donte mushka drutë, kurse ministri i tha sallës dhe udhëheqjes; Polo nuk është i ndërgjegjshëm për autokritiken që bën dhe mua më duket se e ka hakë. Por me gjithë vërejtjet e shumta që u bënë nga lart drejtuesit e pushtetit në rreth, vetëm se e zbutën qëndrimin e padrejte ndaj meje, por s’u tërhoqën e të kërkonin falje. Ndërkohë edhe unë si njeriu i sakrificave të mëdha dhe i rezultateve po ashtu i mohova ata ashtu në heshtje. Sekretari i parë që më vonë vrau veten dhe nuk e vlen të merrem me të, për interesa të pista përkrahu servilet dhe më braktisi mua që nderoja rrethin dhe isha bërë model në shkallë vendi. Ndërkohë unë nuk lejova që kooperativa të bënte prapambetje mbasi do të përbënte tradhti nga ana ime. Në një kohë që të gjithë kuadrot, organizatat e partisë dhe pushteti vendor ishin hapur në krahun tim. Jo vetëm ngaqë unë mbasi u emërova drejtor i Organizimit në Ministrinë e Bujqësisë “Kooperativën time” e përfshiva në kooperativat më të mira në shkallë vendi, të cilët u ngjiten në shkallën e kooperativave të tipit të lartë, të cilët kishin destinacion të bëheshin ferma shtetërore për të hartuar programin madhor të partisë, që gati çdo prone të ishte shtetërore dhe punonjësit do të hanin me lugë të florinjtë, program që nuk u realizua kurrë.
Në kooperativë
Ja vizita e Piro Gushosh, çfarë i tha kryeministri
Në këtë situatë të tensionuar që kalonim njoftohem nga komiteti i partisë së rrethit se në kooperativë do te vinte për vizitë kryeministri Mehmet Shehu, sa lashë telefonin pashë nga dritarja e zyrës makinën e kryeministrit, pra ata me kishin lajmëruar me vonesë. Dola me shpejtësi për ta pritur. Ishte i shoqëruar nga sekretari i partisë Piro Gusho. Ai sa shkeli ne oborrin e zyrave të kooperativës ndaloi dhe akoma pa u përshëndetur me mua ju drejtua Pirros me pyetjen; pse Çakalli e bëri rregulloren e kooperativës për forcimin e disiplinës me 13 nene? Por ai nuk i dha asnjë përgjigje. Kurse unë në momentin që do ti zgjasja dorën për ta përshëndetur i thashë: shoku kryeministër, 13 nene u botuan në gazetën tonë të rrethit, kurse në realitet nenet janë disa herë me shumë. Ma dha dorën duke ma shtrënguar me fort se herët e tjera, kurse Piros të cilin e kishte mik të luftës partizane i tha; nuk e kuptoj që Çakalli e nxori kooperativën nga prapambetja dhe po e drejton me sukses duke vendosur disiplinë e rregulla, kurse ju në vend që ta falënderoni e dënoni? Ç’është kjo? Piro përsëri nuk foli. U ulëm në zyrën time jo si herët e tjera, por me pak heshtje. Më pyeti për gjendjen e kooperativës, si do te mbyllej viti. I raportova me hollësi për realizimet që prisnim, të cilat ishin më të larta se vitet e tjera dhe perspektiva ishte e stabilizuar. U bë një heshtje dhe unë i propozova ta qerasja me verë, raki e ç’të donte, por ai nuk pranoi duke më thënë se kësaj here nuk kemi ardhur për të na qerasur. Por më thuaj sa kohë tu bënë në drejtimin në Poshnje, veç të tjerave. Në Poshnje kam 4.5 vite, kurse në total me SMT, Komitetin Ekzekutiv dhe Temanin malor, plot 12 vjet. Mirë më tha të uroj suksese më të mëdha dhe u ngritën dhe ikën. Gjatë gjithë këtij takimi Sekretari i Partisë nuk e hapi gojën. Kurse pas 3 muajve më erdhi emërimi Drejtor i Drejtorisë të Organizimit në Ministrinë e Bujqësisë.
Zëvendësimi nga të paaftët
Çarçani i zë vendin Mehmetit, Lenka Çuko, Hysni Kapos
Me sa u ndesha dhe e njoha Mehmet Shehun sipas mendimit tim ai ishte një burrë shteti me cilësi të rralla. Kishte horizont të gjerë dhe një stil pune për t’u pasur zili. Ai e kishte në pëllëmbë të dorës situatën e vendit në të gjitha degët e ekonomisë. Operativiteti dhe njohuritë e gjëra zotëronte e bënin atë të pakrahasueshëm me të gjithë kuadrot e lartë të vendit. U vërtetuan katërcipërisht vlerat e tij të pazëvendësueshme, kur ai doli nga skena dhe u zëvendësua me Adil Çarçanin, i cili ishte vetëm burrë i ndershëm, por i paaftë për të drejtuar vendin. Mehmet Shehu nuk lind me edhe për cilësitë e tij burrërore, për vlerësimin dhe mbështetjen që u jepte kuadrove të afta, si dhe urrejtjen për debilët e servilët që nuk ishin ta paktë. Ky qëndrim i tij kishte bërë që kuadrot e pushtetit të ishin zgjedhur më të aftë se ata të partisë e të sektorëve të tjerë. Ky ballafaqim doli në dritë kur Vdiq Hysni Kapo dhe Mehmeti tentoi ta zëvendësonte atë. Ne atë periudhë ai mblodhi me iniciative sekretaret e parë të partisë në rrethe për ti orientuar të punonin sipas stilit të tij dhe të mos i pengonin siç ndodhte shpesh kuadrot e shtetit, veçmas ata të ekonomisë. Mirëpo në atë kohë strukturat e partisë u alarmuan dhe ju drejtuan Enverit për të mos lejuar që Mehmet Shehu të zëvendësonte Hysni Kapon. Dhe ai u zëvendësua me Lenka Çukon çka përbënte një skandal të vërtetë. Sigurisht vlerësimi që unë i bëj Mehmet Shehut i takojnë sistemit që ai menaxhojë. Por kam bindjen pas rrëzimit te sistemit socialist, vendi ynë sot do të ishte në nivele të pakrahasueshme me këto që kemi sot, të cilat janë me mjeranët, kurse ata që kanë marrë drejtimin e vendit me paturpësi veç mburren dhe realizojnë planet e veta.